BARINJTË E KISHËS NUK MUND TË BËJNË VETËGJYQËSI

0
39

ANDREA STEFANI, 31 Gusht 2013

Andrea StefaniEdhe tani nuk mund të them me siguri se cila ka të drejtë, kisha apo Bashkia e Përmetit. Prandaj nuk i futem fare këtij diskutimi që, për fat të keq, është bërë boshti i gjithë debatit. Dhe meqenëse argumentet e reja që sjell njëra palë në favor të saj rrëzohen sakaq nga argumente edhe më të freskëta nga pala tjetër, në skenë kanë ndërhyrë pasionet fetare që janë një lajmëtar i keq. E gjithë e keqja vjen nga fakti që në Shqipëri nuk është krijuar ende një sistem gjyqësor i pavarur që të japë realisht drejtësi. Por, megjithatë, një gjë është e sigurt, në favor të bashkisë ka një vendim që është konfirmuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

I drejtë apo i padrejtë, ai është një vendim gjyqësor, që edhe nëse nuk pëlqehet nga pala humbëse, nuk mund të dhunohet nga ajo. Mjerisht këtë pamë të ndodhë. Gjithë publiku shqiptar pa sesi besimtarë të prirë nga disa priftërinj, thuajse u përleshën me policinë private dhe punonjësit e përmbarimit që kishin detyrë të krijonin kushtet për zbatimin e vendimit të gjykatës. Ky është shembulli më i keq, kontributi me negativ që “barinjtë e kishës” mund të japin në raport aspiratën e krijimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Dhe kur barinjtë humbasin arsyen pasionet e grigjës vërshojnë duke përmbytur gjithçka. Edhe të drejtën.

* * *

Dihet që në Shqipëri nuk ekziston një gjyqësor vërtet i pavarur, vërtet i ndershëm. Vendimet e gjyqësorit dhe e drejta rrallëherë përputhen. Me mijëra qytetarë sot nuk arrijnë të gjejnë drejtësinë në aulat e gjykatës. Për këtë shkak, edhe vetëgjyqësia dhe krimet që rrjedhin prej saj janë jo pak të përhapura. Por po të ushtrosh vetëgjyqësi për shkak të një padrejtësie që të është bërë, qoftë edhe me vendim gjykate, e drejta kapërcen nga ana e atij që pëson vetëgjyqësinë. Në këtë këndvështrim, ndoshta edhe vendimi i gjykatave për pronësinë e kishës së Përmetit mund të jetë i padrejtë.

Por mos u jep kjo të drejtë klerikëve ta vendosin drejtësinë në formën e një vetëgjyqësie? Mjerisht edhe klerikët e kishës në Përmet kanë rënë në pozitat e njerëzve të zakonshëm, që duke mos marrë atë që shpresonin nga gjykata, e vendosin vetë “drejtësinë” me vetëgjyqësi. Ndërkaq, nuk duhet harruar se vendimi i gjykatës, pavarësisht nga ajo që mendojnë dhe besojnë klerikë e besimtarë të kishës, mund të jetë i drejtë dhe dhuna mbi vendimin e gjykatës mund të rezultonte dhunë mbi të drejtën dhe jo për të drejtën.

* * *

Duam apo s’duam drejtësi nëpër hallet tona mund ta gjejmë vetëm me anë të ligjit dhe gjykatës. Shteti është krijuar pikërisht që njerëzit të mos i zgjidhin problemet duke u konfliktuar mes vedi, por me anë të një pushteti që qëndron i baraslarguar nga palët dhe si i tillë, mund të vendosë drejtësi duke iu referuar ligjeve. Por, ndërsa në format më të hershme të shtetit një gjë e tillë nuk gjen fort realizim, madje ligji dhe vendimet e gjykatës bëhen veladoni i padrejtësisë, në shtetin ligjor ajo bëhet plotësisht e mundur. Por shteti ligjor ka si premisë prirjen e të gjithëve për ta zbatuar ligjin.

Mjerisht në Shqipëri, për shumë shkaqe, mbetet e fortë prirja e kundërt, ajo e thyerjes së ligjit. Thonë se sistemet tiranike kanë pasur vetëm një gjë pozitive, i kanë mësuar njerëzit që t’i binden sundimit të një njeriu. Gjë që nga disa studiues shikohet si një hap përgatitor që njerëzit të mund të pranojnë sundimin e ligjit. Tirania pushon së qenë një domosdoshmëri historike – shkruan Hegeli, sapo kjo disiplinë është arritur dhe atëherë pasohet nga sundimi i ligjit që është demokracia.

* * *

Është interesante të vëresh se megjithëse i janë nënshtruar tradicionalisht sundimit të një njeriu shqiptarët, edhe pas rënies së tiranisë komuniste, po dëshmojnë se e kanë të vështirë të pranojnë sundimin e ligjit. Ligji shkelet në përmasa, forma, rrafshe dhe nivele nga më të ndryshmet. Duke nisur që nga trafiku në rrugë e deri te vendimet e qeverisë, nga shtetasi që ndërton pa leje e deri te presidenti apo kryeministri që shkelin ligjin apo Kushtetutën në veprimtarinë e tyre.

Madje edhe gjykatësit shkelin ligjin ndërsa flasin në emër të tij. Shkelja e ligjit dhe jo respektimi i tij, është tipike e fazës që jetojmë. Të gjithë turren të plotësojnë interesin privat si borgjezë të vërtetë. Por ndërsa dhunojnë ligje dhe rregulla, ata tregojnë se nuk janë qytetarë, se nuk janë në gjendje që interesat personale t’i harmonizojnë me ato publike, nuk janë në gjendje të harmonizojnë pjesën me të tërën, privaten me publiken, individualen me universalen.

Dhe kjo mund të arrihet vetëm me anë të respektimit të ligjit. Dhe duhet kontribuar për respektimin e ligjit, edhe kur atë e shkelin të gjithë. Madje akoma më shumë kur e shkelin të gjithë. Dhunimi total i ligjit nuk duhet të jetë një justifikim, por një alarm. Jo pak shqiptarë vuajnë sot shumëpadrejtësira, për shkak të korruptimit të gjyqësorit. Por çdo të ndodhte po të turreshin të gjithë të rivendosin drejtësinë me forcë? Mjerisht një shembull të tillë të keq dhanë disa priftërinj në incidentin e kishës në Përmet. Dolën mbi ligjin, ndërsa klithnin se u është bërë padrejtësi. Dhe nuk u themi të kthejnë faqen tjetër, ndërsa i godasin. U themi të kërkojnë drejtësi. U themi të mos godasin ata vetë…