TemA, 9 Gusht 2012
Partia Socialiste reagoi me anë të deputetit Besnik Bare në lidhje me shkarkimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri. Bare tha se kjo ishte prova se opozita mbrojti një kauzë të drejtë kur kërkoi president konsensual.
“Vendimi i sotëm i Presidentit të Republikës për t’iu bindur pa më të voglin dyshim urdhrit politik të Sali Berishës, duke shkarkuar Drejtorin e Shërbimit Informativ Shqiptar për të emëruar në vend të Zotit Shaqiri një shërbëtor të pushtetit, është prova më e fortë se gjatë gjithë këtyre muajve opozita ka mbrojtur një kauzë të drejtë.
Opozita ka patur të drejtë kur kërkonte një President konsensual, njësoj siç e kërkonte edhe Bashkimi Europian, dhe jo një shërbëtor të Saliut që do t’i hiqte vizën pavarësisë së institucioneve njësoj siç po bën Bujar Nishani.
Opozita ka patur të drejtë kur kërkonte që krahas kufizimit të imunitetit të votohej edhe në favor të një drejtësie të pavarur, jo të gjunjëzuar siç e do Saliu,” tha Bare.
Deputeti socialist tha se u provua se presidenti do ishte shërbëtor i Berishës. Ai shtoi se vendit i duhet një Rilindje Shqiptare që vendi të shpëtojë nga Berisha e familja e tij.
“Opozita dyshonte se Presidenti i ri nuk do të ishte garant i unitetit kombëtar, por shërbëtor i Saliut. Kjo u vërtetua sot. Pasi emëroi si Nënkryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë njeriun e afërt të kryeministrit, Bujar Nishani sot shkarkoi Drejtorin e SHISH, edhe pse për më shumë se dy vjet rresht partnerët tanë strategjike dhe opozita janë shprehur kundër kontrollit të shërbimeve sekrete nga Sali Berisha.
Nga njëra anë Saliu kërkon kufizimin e imunitetit, nga ana tjetër përmes shërbëtorit Bujar po nxiton të vërë nën kontroll të plotë çdo institucion të pavarur kushtetues. Kjo nuk është demokraci. Ky nuk është shtet i së drejtës.
Sot më shumë se kurrë nevojitet një Rilindje Shqiptare, që institucionet e kësaj Republike të kthehen në varësinë e popullit dhe të Kushtetutës. Që Shqipëria dhe shqiptarët të shpëtojnë një herë e mirë nga Sali Berisha dhe familja e tij, që për plotë shtatë vjet kanë vjedhur dhe grabitur sa ç’nuk është vjedhur e grabitur në 100 vjet të shtetit shqiptar.”