BARDHI UROI MONITOR-IN ME RASTIN E 25-VJETORIT TË BOTIMIT

0
30

Ulqin, më 19 tetor 2015

MONITOR–it, të përjavshmes së pavarur në Malin e Zi Z. Esad Koçan, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës

Sheshi i Republikës pa nr.

P o d g o r i c ë

I nderuari zotëri Koçan,

Kam nder dhe kënaqësi që sot, të hënën, më 19 tetor 2015, në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe në emrin tim personal, t’ju uroj 25-vjetorin e botimit TË NUMRIT TË PARË të përjavshmes së pavarur MONITOR, e cila pa dritën e ditës mu në këtë ditë, më 19 tetor 1990 në Titogradin e atëhershëm.

Të flasësh për MONITOR-in dhe për rrugëtimin e tij 25-vjeçar është një histori e tërë, padyshim përgjithësisht, një histori suksesi e sakrifice, në njëfarë mënyre ashtu siç është një histori e tërë, një histori suksesi e sakrifice edhe rrugëtimi 25-vjeçar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi ( 9.9.1990)
të partisë së parë politike të shqiptarëve në trojet e veta stërgjyshore, sot në Malin e Zi.

MONITOR-i bëri një rrugë të gjatë, shpesh duke u përballë me vështirësi të ndryshme, nga sulmi në redaksi e sulmet ndaj gazetarëve dhe dënimet e tyre për fjalën e lirë, në një anë, por që rrezatoi të vërteta, guxim e liri, dhe cak për të krijuar një shoqëri të lirë e demokratike, në Malin e Zi, ku pikësëpari do të kishim zgjedhje të lira, fer e demokratike, ku do të respektoheshin e tč avancoheshin të drejtat dhe liritë e njeriut dhe ato nacionale, të drejtat e arritura, një shoqëri ku korrupsioni, dhuna dhe kriminaliteti do ishin me të vërtetë vepra penale të dënueshme, në anën tjetër.

MONITOR-i shkroi, botoi … luftoi të keqen e devijimet në shoqëri, që nga sulmet ndaj gazetarisë e gazetarëve e fjalës së lirë e deri te “të këqijat detare” (srb.morsko zlo), privatizimet rrënuese e shkatërruese, plaçkitëse e okupuese. Të gjitha këto mbetën dhe të tjerët që vinë do t’i lexojnë. Janë udhërrëfyes dhe udhëtregues.

Megjithëse në ndonjë rast e ndonjë periudhë pati edhe oscilime, por MONITOR-i mbijetoi dhe hodhi shtat. Qëndroi dhe nuk u dorëzua. Fjala e lirë, fjala kritike pa droje doli nga aty, nga penat e tij të tč mprehta, të kalitura për drejtësi, dinjitet, mirëqenie e liri, demokraci e shtetin e së drejtës për barazi e shanse të barabarta.
URIME!

Me respekt.

MEHMET BARDHI, profesor
Kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi