Banorët sulmojnë kryetaren e Kuvendit, Topalli deklaron: Ne shmangëm katastrofën

0
40

Nga Tema

Banorët e zonave të përmbytura kanë sulmuar kryetaren e Kuvendit, deputeten e Shkodrës, Jozefina Topalli, që ndodhej në tur në atë zonë. Ata kanë kërkuar llogari nga qeveria, sidomos ajo vendore, për lënien në mëshirë të fatit të tyre. Banorët thanë se vendorët nuk kanë mbërritur aty, ndërsa qeverisja qendrore më shumë po bën shfaqje me situatën. Shkodranët, të cilëve u janë përmbytur shtëpitë, janë irrituar dhe me faktin që nuk janë lajmëruar se po bëhet hapja e portave dhe po u shkatërrohet pasuria.

Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit ka nxituar të hipë në makinën e saj, e gjendur pa fjalë përballë kësaj situate. Por, sa është larguar prej aty, ajo ka deklaruar se situata po përballohet me efikasitet dhe se ishin investimet e qeverisë së saj që shmangën katastrofën.

“Situata në zonat e përmbytura po përballohet me efikasitet maksimal si asnjëherë më parë. Ndërtimi i argjinaturave nga qeveria në vitin 2006 shpëtoi zonën nga katastrofa”, – tha kryetarja e Kuvendit.

“Ajo që unë kam për detyrë është t’iu them banorëve si deputete e kësaj zone, ju lutem largohuni nga zona, ju lutem bashkëpunoni me ushtrinë, me shtetin për shpëtimin e jetëve. Ajo është gjëja më e shtrenjtë që kemi. Dëmet që mund të vijnë gjatë ditëve të ardhshme për shkak të këtij moti të çmendur, do të kompensohen dhe dëmshpërblehen nga shteti”, – tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit fajësoi motin për këtë situatë, edhe pse zona prej nga ajo vjen njihet për reshje të dendura. “Këtë kohë nuk e mbaj mend prej vitesh. Gjadri është mbushur, Kiri, Drini, dhe janë bashkuar me Bunën që është në nivelin më të lartë që s’mbahet mend. Është një situatë e jashtëzakonshme. Unë jam rritur në këtë zonë dhe nuk mbaj mend një situatë të tillë, por jemi në kushte të kontrollit të kësaj situate për shkak të dy arsyeve kryesore.

Për këtë dua t’i shpreh mirënjohjen qeverisë që në vitin 2005-2006 filloi të ndërtojë argjinaturat e Kirit, gjë që bëri të mundur që në këto kushte të motit të çmendur të mos kemi kushte katastrofike. Po ashtu, argjinatura 14 kilometra, që në 2006-2007 është ndërtuar shumë shpejt në zonën e Dajçit, ka bërë të mundur që mos të jemi në kushte të katastrofës”, – tha Topalli.

Mediet e qeverisë dhe përmbytjet

Edhe pse vendi ndodhet në prag të katastrofës, mediet qeveritare po i shohin këto ditë si një mundësi e mirë për të vijuar të lançojnë lajmet e qeverisë. Për shembull, më shumë se përmbytjet dje ka zënë vend në to fakti që qeveria ka hequr të hënën zëvendësuese si ditë pushimi, një lajm që tregon se qeveria e ka marrë seriozisht punën. Megjithatë, atë që nuk po e bëjnë mediet e papërgjegjshme qeveritare, po e bëjnë mediet e huaja, të cilat po i kushtojnë një hapësirë të konsiderueshme lajmeve që vijnë nga Shqipëria dhe që flasin për përmbytjet.