Ardian Ndreca, 28.10.2009
Banaliteti i së keqes: hija e diktaturës në skenën demokratike
“Banaliteti i së keqes” asht nëntitulli i librit të filozofes gjermane Hannah Arendt: “Eichmann-i në Jeruzalem. Reportazh rreth banalitetit të së keqes” – në të cilin autorja, hebreje, përshkon etapat e gjykimit të këtij krimineli nazist në vitin 1961.
Adolf Eichmann ka qenë nji hierark nazist, me kulturë dhe inteligjencë mediokre, pa ide dhe pa shkollë, pa profesion e pa vullnet për me punue. Nji dështak perfekt me nji fjalë. E megjithatë si shef i nji prej seksioneve të sigurimit kombtar të SS-ve në Berlin organizoi në mënyrë të mnershme internimin e hebrejve gjerman në Poloninë lindore, planifikoi dëbimin e miliona hebrenjve në Madagaskar, organizoi kampe përqendrimit, udhëhoqi skuadrat e vdekjes dhe mbështeti e realizoi projektin e nji Gjermanie pa hebrenj.
Banaliteti i këtij individi, përveç faktit që ishte nji person i randomtë, qëndron në faktin se as para gjyqit që e dënoi me vdekje ai nuk mbërrinte me kuptue të keqen që kishte ba, vuejtjet që kishte shkaktue e jetët që kishte marrë. Çdo gja i dukej normale.
Banaliteti i së keqes së këtij krimineli qëndronte në faktin se e ligësia në zemrën e tij ishte diçka normale dhe e zakonshme, ajo nuk ngjallte asnji konflikt, nuk përplasej me asnji ndjenjë njerzore.
Shfarosja e miliona njerzve për të ishte njilloj si nji pushim i planifikuem në alpet austriake, si nji shetitje e zakonshme mbasdreke në Wannsee.
E keqja tek individët si ai paraqitet në gjendje të pastër dhe natyrale.
Por i vetmi mikrofon që bota i lirë demokratike i dha atij krimineli, ishte ai i bankës të t’akuzuemve, prej ku ai u ngrit me dekoratën e vetme që meritonte, me dënimin me vdekje mbi supe.
Mendova këto gjana tue pa këto ditë në shtyp kujtimet e përgjegjësve direkt dhe kryesorë të diktaturës komuniste, atyne që në përmasat e vendit tonë shkaktuen vuejtje, terror dhe krime të denja me u krahasue me nazizmin.
Megjithatë tek ne gjykatat gjoja demokratike kanë shpërfillë sistematikisht nevojën e ndërgjegjes së kombit për drejtësi. Kriminelat si Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha e të tjerë nuk janë gjykue asnjiherë për krimet e tyne. Drejtësia demokratike asht mjaftue me disa farsa ku vullneti i shqiptarëve për me ba që të triumfojë e drejta – asht parodizue turpshëm, të vuejtunit e të vramët janë torturue dhe vra rishtas. Nuk ka fitue drejtësia por makiavelizmi i interesave politike të atyne që kanë mbajtë pushtetin.
E sot jemi këtu ku jemi edhe për ketë arsye. Ende nuk kemi ndriçue fantazmat e së kaluemes, e ato po sillen studiosh televizive e po shpërvjelin neveritshëm shpirtin e vet të zi në faqet e gazetave.
Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha me shokë janë “eichmannët” tanë, pse aq sa kanë mujtë me ba kundër shqiptarëve e kanë ba pa iu dridhë qerpiku. Po të kishte pasë nji kokë të vetme ajo pjesë e popullit shqiptar që nuk i donte ata, të jeni të sigurtë se do t’ia kishin pre me nji të rame sëpate.
Tek ata e keqja paraqitet sot në gjithë banalitetin e saj si diçka normale dhe e lejueshme, si e vetmja gja e domosdoshme për realizimin e qëllimeve të tyne.
Ajo që të çudit asht fakti se nji pjesë e shoqnisë së sotme shqiptare ndien nostalgji për ta.
A ka mundesi që e keqja të ushtrojë nji efekt kaq gjatë ndër ne?
Kriminelat e djeshëm nuk ndiejnë asnji lloj përgjegjsie për çka kanë ba.
Ashtu si Eichmann-i në Jeruzalem ata kujtojnë vetëm datat e dekorimeve, të sihariqeve qesharake prej tribunave të ndërtueme mbi eshtna njerzish, kujtojnë datat e përurimeve të disa veprave të mjera që kanë mbjellë helm e vdekje në Shqipni. Kujtojnë me mall pushtetin që kishin me vra e me burgosë qytetarët e vet, kujtojnë me nostalgji terrorin dhe mjerimin që zotnoi për ma se katër dekada vorfnije morale dhe materiale.
Por edhe pse nuk e ndiejnë nevojën me u justifikue për krimet e tyne, ata mundohen me e legjitimue disi vetveten, me e ngrit nivelin e krimit e të poshtërsisë së tyne në rangun e dialogut intelektual. Për këtë arsye Nexhmije Hoxha shkruen se Enveri përmallohej e qante në telefon tue folë me Eqrem Çabejn, se i dhimbte zemra për te, se bante çmos me e ndihmue, se e nxirrte jashtë për kurim…gati-gati sa s’thotë se Enveri i qortonte edhe bocat e veprave.
Kjo nuk asht rrjedhje trush, s’asht “dementia senilis”, s’asht as mburrje prej idioti – jo, asht banaliteti i së keqes që nuk njeh asnji ligj moral në vetvete, që nuk ndeshë në asnji pengesë në zemrën ku banon.
Intelektuali si i tillë nuk ka kurrë nevojë për diktatorin, mbasi asnji rresht i veprave të Çabejt nuk mvaret prej “miqsisë” së pandehun me Enver Hoxhën, asnji shkëndije inteligjence e këtij gjeniu të gjuhësisë shqiptare nuk u ndez prej asaj “miqsie”.
Ndërsa diktatori ka gjithmonë nevojë për intelektualin.
Edhe nji fotografi e vetme, edhe nji rresht i vetëm, edhe nji takim i vetëm – nji ditë do të shërbejë për me kujtue nji njeri gjysmak dhe kriminel si Enver Hoxha.
Nji prej tiranëve ma gjakatarë të historisë, Dionisi i Sirakuzës, ai që fuste njerëzit gjallë në barkun e nji demi të bronzte dhe i ndezte flakën poshtë për me ndie “muzikën” e llahtarshëm të britmave të tyne, ja din për nder Plutarkut faktin që ne e kujtojmë sot për keq.
E njejta gja vlen për Danten, Shakespeare-in e të tjerë.
Edhe vetë dreqi do të ishte optimist i tepruem po të mendonte se mund ta prishte e ta përkeqsonte ma shumë nji individ si Enver Hoxhën, këtë dështak të suksesshëm që realizoi me dhunë dhe me terror vetveten.
E sot, zanet e Ramiz Alisë e të Nexhmije Hoxhës më duket se dalin prej zorrës së tij qorre, tue gërrye si acid indet e brishta të nji kombi që po vonon me rilind.