Bamir Topi siç nuk e ka ëndërruar Berisha!

0
43

Nga Mero Baze, 26 Dhjetor 2011

Sali Berisha u shfaq për Krishtlindje në Ora News. I shoqëruar nga dy autoambulanca dhe më një kllapi që i ishte stampuar në fytyrë ndërsa matej të ecte nëpër studio, mu duk një sakrificë që nëse e bënte për televizionin, ia vlente ta lavdëroje. Ora News është një TV modest, por më i hapur se shumica e televizioneve të mëdhenj të vendit dhe për këtë vlen të respektohet. Shëndeti i rënduar, autoambulancat dhe sidomos fillimi i intervistës në të cilën fliste për pasqyrimin e “betejave të Jezu Krishtit në Kuran”, të krijonin idenë e një sakrifice anormale në një gjendje të tillë të rënduar psiqike dhe shëndetësore.

Por pak nga pak e mori veten. Dhe u pa që nuk kishte shkuar aty për të respektuar studion apo për të treguar historinë e Jezu Krishtit në Kuran!!! E kish ngritur nga shtrati Bamir Topi. Me makthin që i prodhon ideja e pasardhësit të pasigurt, në ditën e lindjes së Krishtit ai kish thirrur dy autoambulanca dhe një tufë rojesh dhe kish shkuar t’i jepte përgjigje renegatit që e kishte tradhtuar. Histeria e tij kundër Bamir Topit, dhe më tej kundër Kreshnik Spahiut, ishte në të vërtetë një diarre që dukej qartë që nuk kishte pasur asnjë pengesë në trurin e tij për tu përpunuar.

Akuza e parë e rëndë për Bamir Topin ishte se kishte tradhtuar PD! Për një President, kjo është një dekoratë, pasi tregon se ka qenë president mbi palët, por Berishën nuk e bren më standardi i presidentit, por ideja se dikush po i merr PD. I futur në spiralen e makthit nga kjo ide, ai është ngritur nga shtrati për tu thënë njerëzve të vet se ai që kërkon t’i marrë PD-në, e ka tradhtuar atë. Bamir Topi ka qenë president mbi palët dhe ka kthyer dhe ligje të PD-së, ose nuk ka firmosur disa prej tyre, mes tyre dhe ligjin e famshëm për lustracionin, i cili në thelb, përveçse ishte antikushtetues, ishte klientelist dhe shantazhues ndaj njerëzve me të cilët kishte problem Berisha në drejtësi, dhe falë atij projektligji shumë gjyqtarë dhe prokurorë që kishin në dorë çështjen e të birit apo të familjarëve të tjerë të Berishës, përfshi Lulëzim Bashën, u përkulën dhe dështuan gjyqet.

Sali Berisha nuk arsyeton akuzat. Ai ka tani një shqetësim njerëzor, shqetësimin e çdo njeriu që është duke ikur nga kjo botë se kujt duhet t’ia lërë trashëgiminë e tij. Në të vërtetë ai e ka pak dhe më të komplikuar, pasi ai nuk do t’ia lërë askujt, por e shqetëson fakti se kujt nuk duhet t’ia lërë. Dhe në krye të listës së atyre që nuk duhet t’ia marrin trashëgiminë e tij politike është tani Bamir Topi. Duket se ky njeri e ka shqetësuar më shumë se besohej se do ta shqetësonte. E ka shqetësuar me faktin që nuk i ka kërkuar pazar, që nuk i ka bërë ofertë për paqe, e ka shqetësuar që i ka thënë se nuk do t’ia falë 21 Janarin dhe mbi të gjitha që e ka sfiduar duke i thënë se do të vazhdojë jetën aktive politike.

Në këto kushte Sali Berisha ka vetëm një shqetësim, shqetësimin që votuesit e PD-së të mos i besojnë Bamir Topit. Ai është ngritur ditën e Krishtlindjeve nga shtrati jashtë rekomandimeve të mjekëve vetëm për këtë shkak. Ai do tu thotë të gjithëve në çdo ditë që i ka mbetur se Bamir Topi ka tradhtuar PD-në si president. S’kanë rëndësi faktet apo detyrat e tij kushtetuese. Ai ka tradhtuar. Kjo është duhma që ai tashmë do të përhapë deri në maj të vitit 2012 kundër Bamir Topit. Fjala tradhtar, bukëshkalë, mosmirënjohës, i paburrë, dhe më pas epitetet e radhës, i korruptuar, i kapur, i shantazhuar, i pafytyrë etj si këto do të jenë të përditshme në fjalorin e tij.

Aq në makth është për të gjetur arsye se Bamir Topi ka tradhtuar, sa dhe Lëvizjen Kuq e Zi, një lëvizje qartazi e ndarë nga Bamir Topi, i cili ka bërë dhe gjeste institucionale kundër saj siç ishte mbështetja e censusit dhe dekretimi i tij, nuk e ndalin Berishën ta bashkojë atë me Topin. Arsyeja është se ai nuk pranon dot që censusi i ka dështuar, jo për faj të Bamirit, jo për faj të Aleancës Kuqezi, por për faj të paaftësisë së ekipit të tij dhe mungesës së dinjitetit në drejtimin e vendit. Censusi i Berishës ka nxjerrë përfundime qesharake për Shqipërinë, na ka nxjerrë më pak banorë se votues, na ka nxjerrë dhjetë herë më të pasur se jemi, dhe mbi të gjitha na ka nxjerrë një popull nomad që duam të ikim të gjithë nga ky vend.

Sali Berisha nuk gjen dot arsye tek qeverisja e tij për këto përfundime banale dhe këtë dështim- dhe ka gjetur si alibi Bamir Topin. Ky i fundit ka bërë deklarata të qarta publike përkrah censusit, ka mbështetur procesin, por nuk e ka ndihmuar dot Berishën të ketë sukses. Ideja se Kreshnik Spahiu i ka dështuar censusin duke u bërë faktor i rëndësishëm politik në shoqëri, duket se e ka shqetësuar dhe në vend t’i adresohet problemit dhe të rregullojë censusin, përpiqet të zhdukë suksesin e palës tjetër.

Por mos u çudisni që pas kësaj Bamir Topi të jetë arsyeja për çdo gjë të keqe që mund të ndodhë në vend. Në rënçin banka a në pastë rrëmuja, në pastë të vdekur nga protesta apo skandale korrupsioni, në pastë luftë apo paqe në këtë vend, deri në verën tjetër fajtor është Bamir Topi. Sali Berisha nuk ka tjetër armik në dispozicion veç tij. E ka shqetësuar seriozisht jo vetëm pse po ruan qetësinë dhe po i mbledh një nga një njerëzit brenda PD-së, por dhe për faktin se nga figurat e PD-së vetëm njerëz qesharakë si Tritan Shehu i dalin në krah këto kohë.

Bamir Topi mes të tjerash i ka rritur papritur dhe pazarin për përdorimin e njerëzve brenda PD-së dhe koalicionit, pasi ata hezitojnë nëse ia vlen t’i futen një beteje kundër Topit apo të bëjnë sikur nuk e kanë mendjen dhe të shikojnë ç’mund të bëjnë pas zgjedhjeve… I shikon me dyshim të gjithë aleatët që ka në qeveri, legalistë, ballistë, republikanë e LSI-i, drejtues partie në rrethe e qendër, të gjithë ata që nuk ndihen në pushtet me të. Dhe kjo nuk e lë të qetë.

Ditën e Krishtlindjeve u ngrit nga shtrati për ta mallkuar me shpresë se PD do njohë vetëm një Jezu Krisht, vetëm Atë. Ai nuk është zhgënjyer se ka ëndërruar Bamir Topin si president të PD-së. Ai është në makth se nuk e ka pritur që ai t’i vërë në rrezik pushtetin e tij të PD-së. Ky është Bamir Topi që ai nuk ka ëndërruar dhe tani i shfaqet në gjumë si “Jezu Krishti që bën beteja në Kuran”. Diku do t’ia jepte Zoti dhe duket se po e bën një plak qesharak.