Bamir Topi përcillet në heshtje. Nishani: Me besimin tek Zoti do përmbush çdo detyrë

0
51

TemA, 24 Korrik 2012

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pranishëm në ceremoni, takoi gotat me Nishanin dhe e uroi për detyrën e re

Jo pak herë ishte thënë se Bamir Topi fliste duke heshtur. Dhe në fakt ashtu ka ikur nga detyra e tij si president. Dukej si një ceremoni e akullt, ku presidenti në largim përcillej pa fjalë.

Në oborrin e presidencës kanë mbërritur zyrtarët më të lartë të shtetit, përfaqësuesit diplomatikë, artistë dhe drejtues të komuniteteve fetare.

Nishani ka hyrë nga dera e pasme e presidencës, sërish për të shmangur çdo vështirësi që mund të kishte në lëvizje.

Në brendësi të presidencës ka organizuar një takim me Bamir Topin, që nuk ka zgjatur shumë. Më pas të dy dolën tek hyrja kryesore e presidencës. Në këto momente u luajt himni kombëtar, shoqëruar nga gjëmimet e topave. Plot 21 të tilla. Më pas pranë presidentit është ofruar kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, që i ka dorëzuar atij Kushtetutën.

Nishani lëvizi vetëm dy hapa me vështirësi. Përpara tij u vendos një podium dhe ai nisi të mbante fjalën e rastit.

“Sot ndjehem i privilegjuar, madje më i privilegjuari që jam zgjedhur në postin më të lartë. Por që nga ky çast mbaj përsipër përgjegjësinë më të madhe të mundshme që mund të ketë një individ në lidhje me shoqërinë dhe shtetin.

Me besimin tek Zoti do përmbush çdo detyrë e detyrim kushtetues,” tha Nishani.

Presidenti ka bërë falënderime për të gjithë shqiptarët që kanë bërë përpjekje për të pasur shtetin që kemi sot, që nga rilindësit e deri tek politikanët e këtyre 20 viteve tranzicion.

“Gjatë këtyre 100 viteve, shqiptarët kanë kaluar kohëra të vështira, na është dashur edhe të mbijetojmë, të përballojmë pushtime të egra e të jetojmë në diktatura çnjerëzore.

Dëshiroj që në këtë moment solemn të përkulem me nderim përpara rilindësve tanë dhe veprës së tyre, pa të cilën identiteti ynë kombëtar e kulturor do ishte rrezikuar seriozisht. Të përkulemi përpara patriotëve të Lidhjes së Prizrenit që hodhi hapin e parë vendimtar drejt krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Sot i ngremë në piedestal burrat që nën udhëheqjen e Ismail Bej Vlorës përjetësuan flamurin e kombit dhe shtetit tonë të pavarur. Sot kujtojmë me nderim të madh përpjekjet e bëra nga Mbreti Zog i Parë për konsolidimin e shtetit shqiptar. Përulemi përpara sakrificave të bëra në luftën për çlirim, që nderuan kombin tonë,” tha Nishani.

“Periudha e diktaturës e goditi rëndë jetën dhe mundësinë për përparim, por nuk e vrau ndjenjën e lirisë në shpirtrat tanë.

Të gjitha përpjekjet e bëra këto 20 vite për të ndërtuar një vend demokratik meritojnë respekt e mirënjohje,” vijoi presidenti.

Nishani foli disa herë për vlerat dhe fizionominë evropiane të shqiptarëve, duke thënë se integrimi evropian është pritshmëria e madhe e jona. Ai vlerësoi se një Shqipëri evropiane është vendi ku të drejtat mbrohen nga ligji dhe drejtësia.

“Ne vijmë në këtë 100 vjetor të pavarësisë si një komb i lirë, një komb që kemi ofruar bashkëjetesën, paqen e harmoninë,” tha Nishani, që ka dërguar përshëndetje e falënderime për shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës se Preshevës dhe të diasporës.

Nishani e mbylli fjalën duke thënë se vetëm duke zbatuar ligjin e detyrimet e tij “do të mund ta shpërblejë vlerësimin e madh nga qytetarët e mi dhe pritshmëritë e tyre”.

“Rroftë përjetë Shqipëria e shqiptarët”, tha në mbyllje Nishani, ndërsa përshëndeti Bamir Topin, që u largua bashkë me të shoqen drejt makinës, duke i dhënë lamtumirën zyrës së tij, ku qëndroi për pesë vjet.