Bamir Topi për President!

2
43

Arben Çokaj, 26.01.2014

Ndër presidentët e vendit më simpatikë dhe të ekuilibruar, ishte edhe Bamir Topi. Balanca e pushteteve në demokraci kërkon një ekuilibër forcash pozitë-opozitë. Maxhoranca aktuale i ka të gjitha votat në parlament, qoftë për reformimin e sistemit kushtetues, qoftë për zgjedhjen sa më shpejt të një presidenti tjetër, pasi Nishani nuk është në lartësinë e duhur si president dhe po bëhet pengesë reale në reformën dhe mirë-funksionimin e sistemit të drejtësisë. Prandaj, dy krerëve kryesorë, që kanë sot realisht pushtetin në dorë në Shqipëri, Ramës e Metës, u duhet të mendojnë edhe për një zgjidhje të shpejtë në lidhje me një president tjetër, në vend të Nishanit, pa përfunduar mandati i këtij të fundit.

Ka njerëz që mendojnë se Bamiri mund të fitojë edhe një votë popullore, nëse Presidenti, ta zëmë zgjidhet nga populli. Edhe kjo mundësi duhet parë. Por nëse ne rrimë brenda sistemit aktual, dhe nëse bëjmë disa përllogaritje politike në të mirë të vendit, mendoj se zgjedhja e Bamir Topit president do të ishte një zgjedhje e qëlluar dhe e dobishme për vendit. Do të sillte një president të djathtë në krye të shtetit, një president që nuk e paraqet Shqipërinë të mangët, qoftë me aftësitë dhe elokuencën e tij të përfaqësimit, qoftë edhe në pamje të parë.

Nëse supozojmë që Bamiri do të zgjidhej si kandidaturë e maxhorancës për president, me qëllim për të ndryshuar fytyrën e presidentit që tani çalon, nuk ka dyshim që në opozitën refraktare të PD-së në parlament, një numër deputetësh do të votonin padyshim edhe për Bamirin. Kjo ide më shkoi në mendje, sapo dëgjova lajmin, se Bamir Topi kishte patur një takim me Edi Ramën, para disa ditëve. Një marrëveshje në mes FRD-së si forcë politike dhe maxhorancës, është e mirëpritur, por mundësitë e bashkëpunimit duhet të shtrihen edhe më tej, në një stad më të lartë të konfigurimit politik dhe shtet-formues, për interesat e një politike më të arsyeshme në drejtimin e vendit.

Shqipëria ka nevojë për një mendësi tjetër qeverisjeje, gjë që përmes votës së popullit e ka marrë me zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Por sistemi i drejtësisë po tregohet i palogjikshëm dhe i korruptuar. Dhe Nishani nuk duket se ka fuqi të dalë mbi orientimet e atij, që i dha mundësi të zgjidhej në atë post. Të gjithë e dimë se zgjedhja e Nishanit ishte një zgjedhje e qëllimtë e Berishës, që ai përmes tij dhe sistemit të drejtësisë, në krye të të cilit është vetë presidenti, Berisha të ruante të pacenuara interesat e familjes së tij. Atëherë pse ne duhet të mbesim viktimë e zgjedhjeve të Berishës? A nuk e kemi duruar mjaft në këto 23 vjet? E keqja është se duke qenë i kapur sistemi i drejtësisë, frymëzohet krimi e korrupsioni në vend. Dhe me sa po shohim këto muaj qeverisje të aleancës PS-LSI, shumë gjëra janë bërë drejt e në rregull, qeverisja po ecën në rrugën e duhur, e sigurtë dhe e ekuilibruar, por krimi ndonëse ka rënie, është përsëri në nivelin e të patolerueshmes.

Nëse në Gjermaninë me mbi 80 milionë banorë, do të kishte vetëm një rast, ku një personi do i vihej lëndë plasëse në makinë, siç po ndodh rëndom këtu tek ne, i gjithë shteti me të gjitha strukturat e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, do të tronditeshin dhe do viheshin në funksion të gjetjes së autorit. Kurse këtu tek ne, llokumet e tritolit janë bërë si çamçakëzë. Po i vënë edhe për hobby, edhe për likuidime, edhe për presione politike etj. etj. Dhe kjo praktikë kriminale duhet të marrë fund sa më parë, që opozita konfliktuale e Berishës, të mos ushqehet me kënaqësitë, që i sjellë këtij burri me superego të deformuar veprimtaria kriminale në këtë vend dhe dështimi i strukturave të shtetit për ta vënë nën kontroll rendin dhe sigurinë. Pra, të mos jetojmë për kënaqësitë perverse të Berishës!
Në planin politik, zgjedhja e Topit për president të republikës nuk do të nderonte dhe favorizonte një lider simpatik të së djathtës shqiptare, por do i bënte një nder edhe vendit, me ekuilibrimin e forcave të arsyeshme në këtë vend. Shqipëria ka nevojë për më shumë arsye në politikë dhe Bamiri ka treguar se di të arsyetojë mirë, di të ruajë të pacenuar institucionin e presidencës, edhe në rastet kur kishte të bënte me një represion të qeverisë Berisha, në kulmin e pushtetit të këtij të fundit.

Kurse Nishani ngjan me një president të kapur. Ai ishte ministër rendi, kur ndodhi Gërdeci. E shoqja e tij Odeta ishte në bashkëpunim për një universitet privat me gruan e Kosta Trebickës, kur ky i fundit u “vetëvra” në fushën e gjahut… Iu rrëzua makina edhe atij si Olldashit… Prandaj, largimi i Nishanit nga ai post i lartë e i pamerituar, që mban tani, me forcën e kartonëve në parlament, dhe zgjedhja e një presidenti të duhur për atë post, do e çlironte këtë vend nga hija e zezë që e përshkruan drejtësinë tani, nga mediokriteti dhe paaftësia për ta kryer detyrën me sukses dhe nga paragjykimi që ky institucion ka, për faktin se Nishani është njeriu i Berishës. Për më tepër, Nishani ka hije dyshimi mbi personalitetin dhe pavarësinë e tij, mbi aftësitë individuale dhe përfaqësuese, mbi shëndetin e tij, dhe qoftë edhe mbi pamjen fizike. Shikon presidentin e vendit sot dhe ti merr menjëherë përshtypjen e një vendi të lodhur e të dërrmuar. Që Shqipëria të ndryshojë, qoftë nga pamja e qoftë nga përmbajtja, ka nevojë imediate pra edhe për një President tjetër.

Rama është njeri energjik dhe dinamik në drejtim, po ashtu edhe Meta, i ri, i ekuilibruar në parlament, i cili me fitoren e 23 qershorit ka filluar edhe një kurë personale për mbajtjen e vetvetes në formë të mirë fizike, që të jenë të dy në lartësinë e duhur të drejtimit të vendit. Dhe duket se të dy bashkë e kanë marrë seriozisht shtetin. Se këtë handikap ka patur pushteti në Shqipëri, sidomos në këta 23 vjet demokraci: shteti nuk është marrë asnjëherë seriozisht. Pra, përpjekjeve serioze të aleancës PS-LSI për ta bërë shtetin shtet, po iu bën kontrast një president i lodhur dhe i kapur si Nishani. Vënia në krye të shtetit të një kandidature të majtë, do e çonte realisht në një anim më të madh të pushtetit, ekuilibrin e forcave që drejtojnë vendin, gjë që as vetë pozita nuk do e dëshironte. Prandaj del në dritë tani, roli dhe personaliteti politik i Bamir Topit, i cili mund t’i vijë në ndihmë maxhorancës edhe për të ekuilibruar pushtetet. Po ashtu, Topi ka një reputacion të mirë edhe në marrëdhëniet me aleatët tanë. Dhe nuk besoj se zgjedhja e tij do mund të kritikohet nga aleatët tanë si SHBA apo BE.

Nëse Rama me idealet e tij për t’ia ndryshuar fytyrën këtij vendi, si në politikën e brendshme, në politikën e tij paqësore dhe jo-konfliktuale me fqinjët, si dhe në politikën e jashtme në përgjithësi, ia arriti të fitojë besimin e këtij populli, për një fitore plebishitare më 23 qershor, ai po qeveris tani arsyeshëm dhe në mënyrë të ekuilibruar. Zgjedhja e presidentit të duhur, sa më shpejt të jetë e mundur, do ia shtonte atij edhe më shumë mbështetjen popullore, respektin dhe simpatinë për urtësinë dhe guximin e treguar, në përballje me pjellën më negative të politikës shqiptare në këto 23 vjet, Sali Berishën. Rama, me këtë rast, do i bënte edhe një shërbim tjetër të vyer vendit.

2 COMMENTS

  1. E lexova me shume kujdes kete shkrim te z. Arben Cokaj, shume domethanes, pa tendenca politike, por i mbeshtetur ne realitetin e perditshem.
    Shqiperia per momentin ka nji president te marrur peng nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha.
    Nji president qe me vetedije shkel mbi kushtetuten, veprime qe damtojne rendin dhe qetesin ne vend.
    Shkrimi ne fjale zberthen ne menyren ma te mire te mundsheme, nji president i modelit si Bamir Topi ndihmon ne ekuilibrin e pushteteve.
    Berishes i duhet nji president kukull, si ky qe eshte aktualisht, se lufta per destabilizimin e vendit eshte modeli i Berishes tashma i njohur boterisht.
    Mazhoranca aktuale duhet te reformoje urgjentishte SHISH-in dhe Prokurorin e Pergjithshem, Presidentit i duhet vene kufiri tek thana, koha nuk pret qe te behen eksperimente, Berishes i duhet gjetur vendi.
    Rama te veri situaten nene kontroll, si premtim elektoral, se ata qe vene mina dhe riorganizojne bandat e rrugeve dihen, por duhet shkurtuar gjymtyret.
    Gjin Musa

  2. Z. Arben! Mendimi i juaj eshte i motivuar dhe i argumentuar. Edhe si politikan, edhe si President, z. Bamir Topi na ka dhene staturen e nje politikani misionar dhe te nje shtetari, qe misheron sensin e shtetit. E vetmja rezerve qe kam eshte kjo: E djathta shqiptare, perpos asaj çka humbi ne monizem, ne demokraci i rrembyen edhe fronin politik te klases saj. PD-ja, nuk eshte perfaqesim i te djathtes te fisme shqiptare. Dy-tre kokrra qe kane ngele ne PD jane ata qe kane tradhetuar vetveten dhe klasen e tyre. E djathta PD-iste eshte nje e djathte lumpene, e cila nuk perfaqeson as klase, as ideologji, perveçse nje turme njerëzish te liq. Mbase eshte momenti qe e djathta shqiptare, asaj qe i rrembyen fronin politik te klases te saj, te gjeje veten te FRD-ja. Pa z. Topi si kryetar, jam skeptik edhe per fatin e FRD-se.

Comments are closed.