Bamir Topi dekoron Hysen Shoshorin, njeriun që e futi në burg Berisha

0
49

TemA, 20 Korrik 2012

Presidenti dekoron për sakrifica në qëndresën ndaj komunizmit, njeriun që u dënua ‘falë’ dëshmisë së Sali Berishës, që kërkoi në gjyqin e tij që ai të varej pse kishte shpërndarë trakte kundër komunizmit

Presidenti Bamir Topi ka dekoruar sot me Medaljen e Mirënjohjes Hysen Shoshorin, ish i dënuar politik me vdekje gjatë regjimit komunist. Shoshori u bë i njohur për median sidomos për faktin se kryeministri shqiptar, Sali Berisha ndikoi drejtpërdrejtë në dënimin e tij me vdekje.

“Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi z. Hysen Shoshori Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin: “Për sakrificat dhe qëndresën e papajtueshme ndaj diktaturës komuniste, për aktet kurajoze dhe angazhimin jetësor në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë”,” thuhet në njoftimin e presidencës.

I cilësuar si një nga antikomunistët më i vendosur në gjithë vendet e lindjes, Shoshori për 13 vite me radhë shtypi dhe shpërndau i vetëm plot 41.100 trakte ku bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. I arrestuar gjatë operacionit të Sigurimit të Shtetit, të koduar me emrin “Kafka”, Hysen Shoshori iu nënshtrua një hetimi special për më shumë se gjashtë muaj duke u mbyllur disa herë i gjallë në një arkivol nga hetuesit e sigurimit.

Shoshori realizoi një rrëfim tronditës, që u censurua fort nga Sali Berisha. Intervista e tij e vitit 2002 u transmetua në emisionin “Xhungël”, para pak kohësh. Ajo ishte realizuar nga bashkëvuajtësi i burgut me Shoshorin, Skënder Tufa.

I pyetur se kush ishte njeriu që dëshmoi kundër tij në gjyq, Shoshori tha: “Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për me arrit në majat më të larta të hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim, duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Ram Berisha.

“M’u kujtua që ky emër, ishte i asaj fizionomie që thoshte për mua “të varet në litar””.

Por edhe personi që realizoi intervistën me Shoshorin, Skënder Tufa, vuajti pas kësaj interviste. Atij iu kurdis një gjyq dhe u rras në burg pas vitit 2005. Tufa deklaroi se gjithçka e kurdisi Agron Kuliçi.