Ballistët dhe të përndjekurit shpërthejnë kundër Berishës

0
85

Hapja e dosjeve: Është lidhur me Sigurimin e Shtetit, po mbron spiunët

Maska antikomuniste 25-vjeçare është çjerrë. Perdja e zezë e hipokrizisë dhe dyfytyrësisë, më në fund, ka rënë. Që Sali Berisha luajti për një çerekshekulli kartën e rreme antikomuniste për llogaritë e pushtetit familjar dhe se përdori dosjet e sigurimit për të trembur dhe mbajtur në rresht spiunët që ka në SHQUP, kjo dihej, por askush nuk e kishte imagjinuar se Partia Demokratike do të guxonte të kundërshtonte publikisht hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ka akuzuar për disa vjet me radhë Partinë Socialiste dhe Bamir Topin për bllokimin e hapjes së dosjeve, por tani është deklaruar vetë kundër publikisht.

Nëse Partia Demokratike është partia që solli pluralizmin dhe rrëzoi diktaturën, pse pozicionohet kundra hapjes së dosjeve, zbulimit të sekreteve dhe nëndheut komunist? Çfarë fshihet pas nervozizmit, panikut dhe egërsimit të beftë të Sali Berishës, menjëherë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama se do të hapë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, duke zbuluar të vërteta të hidhura? Cila do të jetë kostoja politike për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, të cilët shembën kolonën kryesore morale të PD, duke marrë në mbrojtje spiunët e Sigurimit të Shtetit? Pasojat kanë ardhur më shpejt nga sa mendohej. Pas distancimit nga PD të deputetes Mesila Doda, janë aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, që shprehin habinë për këtë vendim, ndërsa nuk e fshehin faktin se ndjehen të tradhëtuar. Përfaqësuesit politikë të ballistëve, legalistëve dhe ish-të përndjekurve politikë kanë shprehur zhgënjimin e thellë për qëndrimin e Partisë Demokratike.

Ish-kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve, tashmë kryetar i partisë “Rruga e Lirisë’, Kurt Kola, ka deklaruar se Sali Berisha dhe të tijët në Partinë Demokratike, janë kundër hapjes së dosjeve, pasi kanë qenë të lidhur me Sigurimin e Shtetit. Ai deklaroi se Berisha dhe Nishani kanë lidhje të shumëfishta me Sigurimin e Shtetit dhe Bllokun. “Është normale që PD të dalë kundër hapjes së dosjeve. PD nuk i intereson hapja e dosjeve. Bujar Nishani dhe Sali Berisha janë dy figurat e para që do të prekeshin pas hapjes së dosjeve. Këta dy njerëz që flasin natë e ditë për demokraci dhe kundër komunizmit, kanë pasur lidhje të shumëfishta me Sigurimin e Shtetit dhe udhëheqjen e komuniste. Nëse do të hapen dosjet, do të shpëtojë Shqipëria, sepse jemi vendi më i fundit në Evropë që i përket kësaj çështje. Kemi 20 vjet që qeverisemi nga spiunët. Pra, nëse do të hapeshin dosjet personat e parë që do të rrezikonin do të ishin Sali Berisha dhe Bujar Nishani. Të hapen dosjet e të hiqen qafe ata”, deklaroi Kola.

Ndregjoni: Të dënohen krimet e PPSH dhe diktatori Enver Hoxha

Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni, deklaroi se dosjet e komunizmit nuk mund të hapen pa u dënuar veprimtaria kriminale e PPSH dhe diktatori Enver Hoxha. “Sigurimi i Shtetit ka qenë institucion në dorë të Partisë së Punës së Shqipërisë. Gjithashtu, Ministria e Brendshme, prokuroria, gjykatat kanë qenë në dorë të PPSH dhe diktatorit Enver Hoxha. Duhet të dënohet veprimtaria kriminale e PPSH dhe duhet të dënohet krimineli Enver Hoxha”, u shpreh Ndregjoni. Ai nuk beson te klasa politike shqiptare, se është e interesuar të ndahet një herë e përgjithmonë nga komunizmi. “Asnjë forcë politike nuk ka moralin që të mos hapë dosjet e komunizmit. Unë nuk besoj se kjo klasë politike do të hapë dosjet, pasi kjo çështje po përdoret politikisht ashtu siç është përdorur gjatë këtyre 23 viteve. Fillimisht duhet të dënohen krimet e komunizmit dhe më pas të hapen dosjet për spiunët e regjimit dhe persekutorët e vrasjeve”, tha Ndregjoni.

Adriatik Doçi