Balla: Gjyqtarët e Kolegjit u paguan në zyrën e Argita Berishës

0
47

 TIRANË – Një ditë pas akuzave për marrje të një shumë prej 500 mijë eurosh nga çdo anëtar i Kolegjit Zgjedhor për marrjen e një vendimi mbi Bashkia e Tiranës, Partia Socialiste ka dhënë të tjera detaje për korrupsionin në radhët e trupës gjykuese. Sekretari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka deklaruar dje se selia rozë disponon prova se gjyqtarët që kanë dhënë vendimet për rezultatin e Bashkisë së Tiranës kanë bërë pazare në një zyrë avokatie familjare, duke lënë të nënkuptohet për studion që disponon vajza e kryeministrit, Argita Berisha.

Krahas kësaj, selia rozë pretendon se ka të dhëna të tjerë që tregojnë skemën e manipulimit të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. “Ne e dimë fare mirë se kush është zyra avokatore familjare, në të cilën u thirrën anëtarët e Kolegjit Zgjedhor nga Toma tek Sashenka, për të bërë pazarin. Këta gjyqtarë të korruptuar për të cilët kemi prova të qarta se në cilën zyrë janë ftuar, se me kë janë takuar dhe sa janë paguar”,- deklaroi Balla. Akuzave të opozitës për marrje të ryshfetit nga ana e gjyqtarëve të pavarur për dhënien e një vendimi favorizues për kandidatin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka hedhur poshtë mazhoranca.

Në seancën e djeshme plenare, kryetarja e Kuvendit, njëherësh nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, i doli në mbrojtje gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duke akuzuar Partinë Socialiste se po trillon dhe shpif. “Kush i sulmoi tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor? Si i sulmuan? Zoti Rama, që në mediat ndërkombëtare njihet si 20-përqindëshi dhe mister 20-përqindëshi, sulmoi tetë zonja dhe zotërinj, tetë gjyqtarë, tetë përfaqësues të sistemit të drejtësisë, duke i akuzuar se kanë marrë miliona euro. Në fakt, shpifjet dhe trillimet e tij janë e kundërta e së vërtetës dhe fakteve”, – vlerësoi Topalli.

Në një intervistë televizive kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se opozita është në dijeni të të gjitha lëvizjeve që kanë bërë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor me të gjitha zyrat ku janë futur dhe ku kanë dalë, dhe me të gjitha pazaret e bëra nga ana e tyre. Sipas tij, mazhoranca ka shpenzuar 40 milionë euro për të blerë zgjedhjet në Tiranë. Këto para janë përdorur gjatë fushatës elektorale dhe për të paguar gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Sipas Ruçit, mazhoranca ka dhënë 2.5 milionë euro për çdo vendim dhe kjo shumë parash ndahej mes pesë gjyqtarëve të çështjes.

Gjykatat po shfajësojnë politikanët përmes procedurave

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu komenton situatën në vend parë nga këndvështrimi i drejtësisë. Juristi i vjetër shpjegon atë që po ndodh me sistemin gjyqësor duke u fokusuar tek rastet e fundit ku politikanët po shtojnë përmes procedurave. Nga ana tjetër ai komenton edhe presionet e mazhorancës ndaj prokurorisë.

Zoti Abdiu, kohët fundit çështjet ligjore të rëndësishme po pushohen për çështje procedure. Kjo ka ndodhur si në Kolegjin Zgjedhor ashtu edhe në Gjykatën e Lartë. Mos gjykimi në kohë apo zvarritja dhe pushimi i çështjeve është e lidhur me mungesën e profesionalizmit apo vijnë nga presioni i politikës?

Kohët e fundit vihen re dy dukuri që lidhen edhe me këtë pyetje. Ajo që është bërë interesante është dukuria që ka të bëjë me të ashtuquajturin gabim njerëzor, për të cilin është dëgjuar dhe folur shumë kohët e fundit, dhe që ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme në Shqipëri sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që në Tiranë ka fituar dhe është mandatuar nga organet përkatëse kryetari i Bashkisë i dalë si rrjedhojë i gabimeve njerëzore. Kjo dukuri është disi e çuditshme, shumë interesante dhe bëhet akoma më e rrezikshme për faktin sepse edhe numri i votave që kanë vulosur procesin, që janë quajtur si rrjedhojë e gabimeve njerëzore, në raport me numrin e votave të pavlefshme është shumë më i vogël se sa këto të fundit. Pra, këto gabime njerëzore janë bërë mjaft të dyshimta edhe në këtë aspekt. Por, si ky problem, vitet e fundit, pak a shumë i ngjashëm me të dhe po duket një aspekt shumë i rëndësishëm, që spekulohet me procedura të ashtuquajtura ligjore apo procedura gjyqësore. E vërtetë është që organet gjyqësore punojnë në bazë të procedurave të caktuara të cilat kanë një rëndësi të madhe.

Konceptet dhe rregullat e lidhura me to janë vendosur në kohët përkatëse dhe është e domosdoshme që ato ta zbatojnë veprimtarinë e tyre konform procedurave. Ajo që të bën përshtypje është fakti se në Shqipëri nga procedurat nuk kanë fituar e nuk fitojnë palët dhe njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm që janë paraqitur përpara gjykatave. Mjaft rrallë vihet re se edhe ndër ato mund të ketë, kur një organ ose një tjetër nuk përmbush detyrën dhe afatet procedurale skadojnë. Është për t’u çuditur se procedurat janë aplikuar dhe janë zbatuar me shumë sukses për rastet kur janë akuzuar ministrat apo personalitete, për rastet kur janë tronditur raporte shumë të rëndësishme dhe kur janë sjellë pasoja mjaft të rënda. Dalëngadalë ndër vite çështjet degradojnë në një farë mase sa s’mbetet asgjë në fund për të thënë më shumë se sa u pushuan për procedurë.

Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

Sipas mendimit tim, pas rasteve të këtij lloji, pa paragjykuar gjykatat që vendosin në këtë mënyrë, se edhe për ato mund të kemi rezerva, pas këtyre rasteve shihen sa punonjësit janë ngarkuar me përmbushjen e detyrave për të mos shkelur këto procedura, aq edhe ata që bëjnë presion ndaj tyre për t’i lejuar që të shkelen procedurat dhe për të mos avokatët e tyre, për të kërkuar që të mbyllet procesi për shkelje procedure. Sido që të jetë, qoftë mbyllja e çështjeve për efekt të skadimit të afateve procedurale, qoftë pranimi i konkluzioneve për efekte të gabimeve njerëzore, mua më duken sikur janë fenomene shqiptare të cilat duhet të ndëshkohen, duhet të marrin fund, nuk duhet të bëhen sunduese dhe s’duhet të bëhen të tilla që të sjellin pasoja për fatin e shtetit apo të qytetarëve, siç është në rastin korrekt për zgjedhjen e titullarit të bashkisë së kryeqytetit.

Këto ditë po shohim kreun e LSI-së, Ilir Meta, i cili akuzuar prokurorinë se është e ndikuar politikisht. Ai i ka cilësuar veprimet si politike dhe se është vepruar sipas metodave të sigurimit të shtetit. A keni një koment për të gjithë këto akuza?

Unë dëgjova diçka në media lidhur me sjelljen e zotit Meta ndaj organit të akuzës. Por, me të thënë të drejtën, nuk desha ta mbivlerësoja fort dhe nuk më bëri shumë përshtypje, jo për faktin se ajo çfarë është thënë prej tij nuk ka rëndësi, por për faktin se dukuri dhe fenomene të këtij lloji në vendin tonë janë të zakonshme. Të gjithë “ilirët” në përgjithësi kur marrin pushtet dhe kur vihen përpara përgjegjësisë nga organet përkatëse, siç është në rastin konkret akuza që bën prokuroria ndaj tij, në situata të caktuara fillimisht dëshirojnë të theksojnë se janë njerëz të interesuar për mbarëvajtjen e punës së organeve të pavarura, dëshirojnë të nënvizojnë, sipas tyre, se duan pavarësi të pushtetit gjyqësor, se duan drejtësi, flasin se janë të hapur përpara drejtësi, flasin se nuk kërkojnë imunitet dhe heqin dorë prej tij. Në fakt veprojnë ndryshe nga sa paraqiten nëpërmjet deklaratave të tyre personale. Kjo gjë që më sa duket është bërë rregull dhe u duk në qëndrimet e zotit Meta ndaj organit të akuzës. Ndaj në këtë aspekt thashë se nuk më bëri shumë përshtypje.

Si e konsideroni ju këtë reagim të tijin ndaj organit të akuzues?

Sipas pikëpamjes time, në mënyrën se si ka reaguar ndaj organit të akuzës mu duk se mungonte në mënyrë të dukshme korrektesa, rregullsia, edukata, e palëve në proces. Pra, sjellja e tij në raport me gjykatën ishte një mungesë e theksuar edukate e shoqëruar me një sjellje prepotente, por pse jo edhe me një presion, një shantazh ndaj organit të prokurorisë. Enkas mu duk, nga mënyra se si shprehej, sikur donte ta politizonte problemin duke e akuzuar prokurorinë sikur ky organ është politik.

Krahas akuzave, mazhoranca është shprehur disa herë se prokuroria duhet të reformohet

Nuk pajtohem me të dhe për mënyrën se si shprehej, pasi sipas tij, duheshin bërë reforma në prokurori, se ai si pjesëtar i mazhorancës do të fillonte një proces të tillë. Unë mendoj se personalitete të tilla kur vihen përpara përgjegjësisë penale nuk kanë të drejtën që të ndërmarrin kurajën për të bërë vlerësime tërësore për organet e pavarura, siç është në rastin konkret prokuroria. Aq më tepër, ai nuk duhet të ketë të drejtën morale, që duke qenë në pozitat e një njeriu që duhet të japë llogari përpara gjykatës dhe para akuzës për të provuar pafajësinë e tij, të bëjë deklarata të tillë pompoze që duken se bëhen për motive krejtësisht politike.

Nuk është as Ilir Meta dhe as ndonjë ministër tjetër që mund të vihet para drejtësisë, njerëzit apo personalitet, ose organet përkatëse që mund ta realizojnë këtë mundësi, për të bërë një reformë për një problem konkret dhe për një organ konkret. Këto qëndrime vulgarizojnë tmerrësisht kuptimin e vërtetë të fjalës reformë, ashtu siç është vulgarizuar plotësisht kjo fjalë edhe për procesin zgjedhor dhe të gjitha proceset e tjera në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, me këtë qëndrim kanosin organin e prokurorisë enkas për ta imponuar atë për të mos përmbushur si duhet detyrën e tyre.

Analizë nga Fehmi Abdiu

Me këtë kod nuk ka zgjedhje

Nuk është faji i drejtësisë që në Shqipëri u futëm në një proces zgjedhor që të gjithë e dinimin që ka mangësi. Nuk është faji i drejtësisë që edhe pse Kodi Zgjedhor korrigjohet mbi 10 herë deri tani, gjoja na reformohet sa herë që bëhen zgjedhje, asnjëherë s’është bërë i plotë, asnjëherë s’është bërë i qartë, shumë gjëra i ka antikushtetuese. Nuk është faji i drejtësisë që një dispozitë, që sipas pikëpamjes time është skandaloze dhe antikushtetuese, që një dispozitë e ngarkon KQZ-ja të kryejë dhe funksionin e KZAZ-së dhe që e lejon KQZ-në që të bëjë arbitraritete për të ndryshuar procedurat në përfundim të procesit zgjedhor. Ky është faji i ligjit.

Nuk është faji i drejtësisë që ligji nuk njeh të drejtë ankimi përveç Kolegjit, në një kohë kur Kushtetuta shqiptare ka një dispozitë, ka një nen, që për çdo proces gjyqësor si rregull palëve u duhet të jepet e drejta e ankimimit, përjashtuar rasteve kur kjo Kushtetutë e kufizon vetë, siç është rasti kur gjykohen në shkallë të parë nga Gjykata e Lartë personalitete të caktuara që janë subjekt shqyrtimi dhe gjykimi nga ajo e fundit. Pra, nuk është faji i drejtësisë që edhe kundër Kolegjit Zgjedhor nuk ke të drejtë të ankohesh. Nuk është faji i drejtësisë që KQZ luajti si deshi, bëri si deshi me procedurat, u shtir si një gjykata e shkallës së parë, si KZAZ dhe herë si një gjykatë e shkallës së dytë.

Ajo bëri teatër në ditë të tëra me procesin e numërimit të votave dhe ka lënë atë përshtypje që ka lënë për njerëzit tanë. Pra, duke mos dashur të marr në mbrojtje drejtësinë dua të them se çdo pushtet duhet të vështrojë gabimet dhe të metat e veta. Ka ardhur koha që të gjenden rrugëzgjidhje dhe të hiqet dorë nga moraliteti që duhen bërë zgjedhje patjetër me çdolloj ligji dhe mjafton që procesi të shkojë mbarë, se me këtë Kod Zgjedhor që ka Shqipëria s’mund të zhvillohen zgjedhje normale, zgjedhje të plota, zgjedhje të qarta, zgjedhje të përgjegjshme. Ky Kod duhet të përpunohet jo nga përfaqësues të partive kryesore, por nga ekspertë dhe specialistë që e njohin dhe e kanë parë, dhe që duhet në mënyrë të domosdoshme të pasqyrojnë në të rregullimin e mangësive që u vunë re. Kështu që, siç është ky problem, në Shqipëri ka probleme të tjera plot, kanë të bëjnë me kodet, kanë të bëjnë me ligjet e rëndësishme që nuk votohen dot dhe vazhdojnë të aplikohen ligje gjysmë të qarta dhe gjysmë të gabuara.

Reforma

“S’është as Ilir Meta dhe as ndonjë ministër tjetër që mund të vihet para drejtësisë, njerëzit apo personalitet, ose organet përkatëse që mund ta realizojnë këtë mundësi, për të bërë një reformë për një problem konkret dhe për një organ konkret. Këto qëndrime vulgarizojnë tmerrësisht kuptimin e vërtetë të fjalës reformë”

Presionet

“Ligjërisht presionet, ndërhyrjet ndaj organeve gjyqësore, pse jo dhe ndaj prokurorisë, duhet të ndëshkohen pavarësisht se nga kush bëhen. Vetëm kur të vijë dita që politikanë të rëndësishëm, siç e quajnë veten ministrat tanë apo deputetë të veçantë, të vihen përpara përgjegjësisë njëlloj si çdo qytetar tjetër”

Gabimi

“Dukuria që ka të bëjë me të ashtuquajturin gabim njerëzor që ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme në Shqipëri sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që në Tiranë ka fituar dhe është mandatuar nga organet përkatëse kryetari i Bashkisë i dalë si rrjedhojë i gabimeve njerëzore”

Procedurat

“Ajo që të bën përshtypje është fakti se në Shqipëri nga procedurat nuk kanë fituar e nuk fitojnë palët dhe njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm që janë paraqitur përpara gjykatave. Mjaft rrallë vihet re se edhe ndër ato mund të ketë, kur një organ ose një tjetër nuk përmbush detyrën dhe afatet procedurale skadojnë”

Denis Dedej