Balla: Argita fiton 12 milion lek në muaj, aq sa zëvendëspresidenti amerikan (FAKSIMILE)

0
52

TemA, 15 Dhjetor 2012

Deputeti Taulant Balla iu referua deklarimit të pasurisë së vajzës të Kryeministrit për vitin 2011 për të cilën tha se teksa shqiptarët varfërohen përditë paradoksalisht pasuria Argita Berishës pëson vetëm rritje dhe vajza e kryeministrit është e paguar sa zv. presidenti amerikan, Joe Biden. Duke u përpjekur të gjejë njerëz të ngjashëm në Shqipëri që fitojnë nga mësimdhënia 12 milionë lekë në muaj, Balla tha se 20 drejtorë shkollash në Tiranë së bashku e arrijnë pagën mujore në mësimdhënie të Argita Berishës.

DEKLARATA

Sot do të flasim për vajzën e Kryeministrit, Zonjën Argita Berisha dhe deklarimin e saj të pasurisë për vitin 2011.

Sipas asaj çka vetë zonja Argita Berisha deklaron, gjatë vitit 2011, pasuria e vajzës së Kryeministrit është shtuar me 210 milion e 784 mijë lekë.

Të kujtojmë pak se çfarë ka ndodhur me ekonominë e shqiptarëve në vitin 2011. Papunësia në vitin 2011 kapi shifrën 1 milion të papunëve. Në vitin 2011 rritja reale ekonomike ka qenë 0%, ndërkohë zyrtarisht ka qenë rritja ekonomike më e ulët e 10 viteve të fundit. I vetmi tregues që është rritur në vitin 2011 është niveli i lartë i korrupsionit. Pra, me pak fjalë, në vitin e krizës, varfërisë, papunësisë, por edhe korrupsionit masiv, vajza e Kryeministrit të vendit zonja Argita Berisha ka shtuar pasurinë e saj me plot 210 milionë e 784 mijë lekë.

Sa janë shqiptarët e zakonshëm që fitojnë 210 milion lekë në vit, apo 17 milionë e gjysmë lekë në muaj? Sigurisht, që në Shqipëri nuk mund të gjejmë një person të njëjtë të paguar me këtë shumë.

Në nivel ndërkombëtar, na rezulton se vajza e Kryeministrit të Shqipërisë, paguhet njëlloj sa edhe zëvendës Presidenti amerikan Joe Biden.

Pyetja tjetër që lind në këtë rast është se nga kanë ardhur këto para që deklaron vajza e Kryeministrit? Sipas zonjës Argita Berisha, nga 17 milion e gjysmë lekë fitime në muaj, 12 milion vijnë nga mësimdhënia universitare. Pra, zonja Argita Berisha, si e punësuar në arsim deklaron plot 12 milion lekë rrogë në muaj.

Sa janë mësuesit që paguhen kaq sa zonja Argita Berisha? Një drejtor shkolle paguhet rreth 600 mijë lekë në muaj. Pra, zonja Argita Berisha paguhet çdo muaj aq sa paguhen 20 drejtorë shkolle së bashku.

Ky është sistemi i padrejtë që ka ngritur Sali Berisha, ku 95% e shqiptarëve vuajnë krizën e thellë ekonomike, ndërsa oborri familjar dhe politik pasurohet në kurriz të këtij populli.

Meqë Sali Berisha ka kohë që flet për bllokun dhe bllokmenët e rinj, edhe në ditët ne vazhdim nuk do të rreshtim se treguari të vërtetat mbi anëtarët realë të bllokut dhe bllokmenëve të rinj.