Balla: Argita dhe Shkëlzen, tregoni burimet e fitimeve

0
31

TemA Online, 7 Janar 2013

Balla foto_WEBPrej dy javësh fëmijët e kryeministrit janë duke heshtur për pasurimin e tyre dhe vetëm kanë gjuajtur me baltë opozitën dhe liderin e saj. Deputeti socialist Taulant Balla në deklaratën për media ditën e hënë ka kërkuar dy përgjigje ndaj pikëpyetjeve që tashmë i bën i gjithë opinioni publik shqiptar.

Balla tha se me baltën fëmijët e kryeministrit, nuk e zgjidhin problemin, por e rëndojnë edhe më shumë pozicionin e vështirë ku janë.

DEKLARATA

Ashtu siç e kisha premtuar, jam këtu për të vazhduar bashkë me kolegë të tjerë, të bëjmë bashkarisht transparencën e keqqeverisjes me fakte e shifra deri në pranverën e ndryshimit. Përfshirja së fundmi e fëmijëve të kryeministrit në prodhimin e baltës antiopozitare për llogari të babit, na shton edhe më shumë bindjen se punët e shtëpisë dhe punët e qeverisë për Sali Berishen janë një. Madje duket qartë se qeverisja konsiderohet punë shtëpie dhe tani që kësaj qeverie po i vjen fundi, e gjithë shtëpia është ngritur në këmbë për ta mbajtur qeverinë dhe pushtetin me thonj.

Nejse, si të gjithë të korruptuarit e mëdhenj në krye të një pushteti të diskredituar edhe Saliu s’gjen dot rrugë më të denjë për të ikur përveçse duke hedhur baltë sa të mundet. Origjinaliteti i Saliut është se ka futur edhe fëmijët tani në punë kundër opozitës. Sepse nuk i mjafton foltorja e PD për t’i diktuar asaj vajzës së botës përditë me telefon sharjet kundër opozitës, po tani ka ngritur nga një zyrë shtypi edhe në shtëpinë e vajzës edhe në vilën e djalit. Dhe që të dy, edhe Argita edhe Shkëlzeni, në vend që të japin nga një përgjigje të thjeshtë duke treguar një për një burimet e të ardhurave të tyre përrallore, dalin përditë dhe shajnë mua apo Edi Ramën. Madje me libër shpie, tamam bëmë baba të të ngjaj! Por puna është se kështu jo vetëm nuk e zgjidhin problemin e tyre me opozitën, e cila kërkon hesap në emër të publikut se këtë detyrë ka, por e rëndojnë edhe më shumë pozicionin e vështirë ku janë.

Pse moj zonja Argita nuk ia tregoni publikut kush janë universitetet shqiptare që të kanë paguar ty më shumë se te ishe në Harvard? Dilni zonjë e nderuar dhe tregojuani shqiptareve se si e realizon ju një fitim vjetor 146 milionë lekë, vetëm me mësuesi, që me një llogari të thjeshtë kërkon 22 orë pune në çdo ditë të vitit! Ju thoni se keni kryer edhe punë voluminoze shkencore dhe se keni botuar edhe një sasi të atillë librash shkencorë që e justifikojnë fitimin tuaj vjetor përrallor. Po ku është e keqja me kërkesën tonë atëherë? Tregojani publikut këto botime të panjohura me faturat përkatëse dhe ne të gjithë do t’ju duartrokasim si shkencëtare,pa ju detyruar më tej të nxirrni përditë nga shtëpia një çarçaf me baltë për t’ia hedhur opozitës.

Po ky zoti Shkëlzen pse nuk i tregon publikisht ndërmjetësimet që ka bërë për të marrë përqindje nga operacione biznesi mes palësh, që për publikun mbeten të paditura? Dilni zoti Berisha Junior dhe thoni ja një, ja dy, ja tre dhe ja si të gjitha bashkë bëjnë kaq qind mijë euro në vit fitim për ju! Pse e keni kaq të vështirë të jepni përgjigje dhe keni më shumë se dy javë që na mbani këtu me të njëjtat pyetje, ndërkohë qe kemi edhe ne kaq shumë punë, sepse në radhë presin shifrat e faktet për ministrat e oborrit të babit. Ata me siguri fërkojnë duart që ne merremi me ju dhe ju të dy, vëlla e motër, po bëni punën e tyre, duke u marrë përditë me opozitën dhe me Edi Ramën. Po ju vete e keni fajin qe nuk u përgjigjeni pyetjeve.

Edhe njëherë sot: Zonja Argita dhe Zoti Berisha Junior! Na tregoni burimet e fitimeve tuaja përrallore të deklaruara prej jush vetë dhe për të cilat pretendoni se janë te pastërta?

Duam të dimë:

E para, kush e ka paguar Argita Berishën për mësuesi me rrogat e honoraret që ajo pretendon, të cilat kalojnë imagjinatën e çdo mësuesi, pedagogu dhe shkencëtari në Shqipëri?

E dyta, kush janë bizneset që kanë përfituar nga aftësitë profesionale të Shkëlzen Berishës si ndërmjetës apo shqip sekser, dhe që e kanë paguar për shërbimet e tij me shuma që kalojnë imagjinatën e çdo shqiptari që nuk ka vetë një biznes të madh?

Dy pyetje që duan dy përgjigje dhe jo dy çarçafë plot baltë nga shtëpia e vajzës dhe djalit të kryeministrit në adresë të opozitës. Presim me padurim përgjigjet në emër të opinionit publik shqiptar. Kjo është detyra jonë si opozitë dhe sa më shumë baltë të marrim mbrapsht aq më shumë të bindur jemi se po e bëjmë më së miri detyrën ndaj publikut.