BALADAT E DHEMBJES DHE METAFORA E MËRGIMIT

0
49

Intervistë me poeteshën Sevdije Rexhepi
Poetja Sevdije Rexhepi, na është një emër i njohur në fushën e poezisë, po më shumë ky emër është ndeshur në shkrimet e saja nga një zonë lufte siç ishte Iraku. Pas një periudhe prej 4 vitesh e gjysmë, ajo kohë më parë ishte në Zvicër. Për gazetën “Zëri i Ditës” bëmë një intervistë e cila u publikua më 7 maj 2011, faqe 10-11., ku kemi folur për poezinë siç donte ajo, dhe siç donim ne edhe për një mërgim specifik që nga muaji nëntor 2006.

Pyetje: Zonjusha Sevdije Rexhepi, është një emër i njohur për lexuesit shqiptarë kudo por edhe në diasporë. A ndani edhe ju këtë mendim?

Sevdije Rexhepi: Në këtë pyetje, mbase kritika dhe lexuesit do të përgjigjeshin më mirë se sa unë, por shpresoj të më njohin.

Muzg në Irak

Pyetje: Me pak fjalë: Çfarë iu shtyu të gjendeni në Irak?

Sevdije Rexhepi: Të them të drejtën, ishte një forcë brenda meje të shpreh falënderimin tim për Amerikën, për përkrahjen dhe ndihmën e saj para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Pastaj konsideroja se është një sfidë shumë interesante (natyrisht edhe me rreziqe) por që ia vlente të ballafaqohesha me te sigurisht.

Pyetje: Me sa kemi kuptuar, ti nuk ke qenë e vetmja kosovare atje. A mund të na flisni për rolin e femrës shqiptare në këto shërbime?

Sevdije Rexhepi: Numri i tyre ka qenë i madh, dhe e them me shumë krenari se ato i kanë dhënë një imazh shumë të mirë femrës shqiptare aty ku kemi punuar dhe kjo nuk është pak. E them këtë sepse femra jonë ka arritur që të jetë në vendet kyçe të punës, madje edhe në ato poste me shumë përgjegjësi.

Shqiptarët në Mesopotami me rastin e Pavarësisë së Kosovës, 2008

Pyetje: Gjatë kësaj kohe, sigurisht keni bërë një eksperiencë të mirë, çfarë mund ta porositësh lexuesin?

Sevdije Rexhepi: Eksperienca është e madhe natyrisht, si ajo e punës, po më shumë ajo jetësore, prandaj unë porosis ata që të shkojnë përtej horizontit dhe ta sfidojnë rastin kur t’u jepet…

Pyetje: Si ngrysej një ditë në këto rrethana?

Sevdije Rexhepi: Asnjë ditë nuk ka qenë e njëjtë… nganjëherë e gjeje vetën në një botë krejt tjetër të paparamenduar. Ndonjëherë me zhurmë, me krisma e mjegullnajë pluhuri, ndonjëherë humbsh nëpër labirintet e kohës, ktheheshe mbrapa në thellësinë e shekujve dhe udhëtoje nëpër histori… gërshetim ndjenjash të ndryshme në një vend, krejtësisht tjetër…

Pyetje: Natyrisht nëpër shkrimet tuaja, por veçmas në poezi sikur i keni përshkruar disa momente përjetimi.

Sevdije Rexhepi: Përherë iu kam gëzuar letrës së bardhë, aty derdhja momentet e mira dhe të vështira, mallin e mërzinë, dhe qëndisja me shumë krenari ndjenjën time për vendin prej nga vija.

Pyetje: Vitin e shkuar keni botuar përmbledhjen me poezi „Baladë mbi Balad“. Vet titulli i përmbledhjes tuaj poetike, flet për një metaforë të çuditshme “Baladë mbi Balad”! A ka mundësi të na zbërtheni alibinë e kësaj metafore.

Sevdije Rexhepi: Balad është qyteti ku unë kam punuar për më shumë se 4 vite e që gjendet 68 km në veri të Bagdadit, gjersa balada në këtë libër më shumë shihet si një tërësi të përjetimeve dhe momenteve të mia në një zonë lufte. Titulli dhe vendi, kanë qenë një koincidencë rasti, por që reflekton diçka nga kuptimi i brendësisë së librit s’ka dyshim.

Pyetje: Po në përmbledhjen tjetër me poezi në gjuhën angleze “Between Rivers of Babylon”, (e cila po ashtu u botua në vitin e kaluar), a shtjellohet edhe aty motivi i luftës?

Sevdije Rexhepi: Motivi është po i njëjti veçse poezitë janë të shkruara direkt në gjuhën angleze, d.m.th pa u përkthyer fare. Duke e marrë parasysh se gjuha e artit është një pasaportë e një vendi atëherë zënia e momenteve dhe shkrimi i kujtimeve prej më të ndryshmeve në këtë gjuhë më ka bërë të ndihem mirë nga fakti që miqtë e mi atje dhe kudo nëpërmjet vargjeve kanë mundur të bëhen pjesë e këtij ditari jetësor vetëm duke i lexuar.

Pyetje: Kur jemi këtu: Sa ju ka ndihmuar poezia dhe shkrimi letrar në ato rrethana? Nëse iu kanë gjendur afër në momente malli e mallëngjimi?

Sevdije Rexhepi: Ka qenë një eksperiencë shumë interesante ngase pas çdo momenti tërë ndjenjën time e kam derdhur në poezi… një natë pa gjumë, një lajm, një krismë, një humbje jete… por edhe një ditëlindje, me një fjalë kam pikturuar tërë bukuritë qiellore të ndjenjave dhe përjetimit, si një sfidë, si një sukses…


Pyetje: Edhe cilat gjuhë të tjera i flet rrjedhshëm Sevdija?

Sevdije Rexhepi: Gjuhën angleze e kam mësuar nga dëshira, gjersa atë frënge e kam studiuar në Universitetin e Prishtinës. Natyrisht edhe gjuhët e rajonit i flas mirë, me një fjalë kam pasion dhe prirje për gjuhët e huaja…

Pyetje: Po frika a ka pas vend, pasi nëpër shumë poezi shtjellohet si fenomen, si dukuri po më shumë si përjetim artistik.

Sevdije Rexhepi: Në momente të caktuara ka pasur edhe frikë, por më shumë janë përjetime artistike, me përjetime e ndjenja shumë origjinale, ashtu siç janë përjetuar, pa anime e pretendime drejtë një imagjinate të stërmadhuar.

Pyetje: Diku në shënimin përcjellës të librit thuhet se poezia juaj ka pësuar një “dridhje” nga koncepti lirik, që keni shtjelluar në librat e mëparshëm. Ç’është kjo mynxyrë?

Sevdije Rexhepi: Mendoj, qëndrimi në një vend si Iraku, dhe rrethanat e luftës të bëjnë më të fortë, të bëjnë të kuptosh vërtetë rëndësinë e jetës bashkë me imtësitë e saj, dhe kjo mynxyrë siç thoni ju, kjo dridhje nga koncepti lirik e ka më shumë gjenezën nga përjetimet në një vend lufte, ku jo rrallë (për të mos thënë kurrë), nuk të lejonte me menduar fare për lirikat dhe dashurinë. Të jesh pjesë e saj dhe në rrethana krejtësisht të tjera nga ato që je mësuar të bëjnë të shprehësh përjetimet ndryshe, nga një moshë dhe jetë tjetër fare kur janë shkruar tre librat e parë. Prandaj shprehja e asaj që ndien në momente të caktuara paraqet këtë gufim shpirtëror që është i ndryshëm, natyrisht nëse krahasohen me librat e mëparshëm.

Pyetje: Poezia është një mjet shprehës i fjalës artistike në mes autores dhe lexuesit. A mendoni se i keni shtyrë edhe më tej këto vlera shprehëse, qofshin edhe të natyrës estetike?

Sevdije Rexhepi: Besoj se po… mu nga këta dy libra lexuesi do të kuptojë momentet e përjetuara atje, jo veç të miat por edhe të të gjithë atyre që janë ende në atë pjesë tjetër të botës, sa e largët aq edhe e rrezikshme.

Pyetje: Padyshim, poezia jote nëse jo për gjë tjetër, do të mbetet një relikt i rrallë i poezisë shqipe që ka sjellë me besnikëri një lloj idiolatrie letrare, përkatësisht poetike nga një vend i tretë, dhe kjo idiolatri vjen nga një zonë, për të mos thënë nga një front lufte. A mendoni se kështu, duke qenë në një mision, i paskeni shërbyer sadopak edhe letërsisë shqipe?

Sevdije Rexhepi: Besoj se po, por është kritika ajo që i pranon këto vlera, mbase të shpresojmë se koha do ta vlerësojë këtë gjë…

Pyetje: Pak a shumë ju keni strukturuar edhe idilin tuaj poetik, a mendoni se me besnikëri keni ruajtur e kultivuar këtë vlerë si një vazhdimësi në poezinë tënde.

Sevdije Rexhepi: Duke u nisur nga stili që unë shkruaj, nuk i kam ikur shumë, përkundrazi sikur e kam përpunuar pak më shumë, sidomos në këto dy botimet e fundit.

Pyetje: Po çfarë mund të na shtjelloni për ndijimet poetike (sidomos në vëllimin shqip), të cilat sikur janë mbuluar me një lloj tymnaje, me një lloj pluhuri, pastaj shumë vargje e strofa janë stilizuar me figura mitologjike, por kjo mitologji më shumë ka origjinë nga Lindja e Afërt, nga ato anë ku ju keni qenë në mision.

Sevdije Rexhepi: Më besoni se elementet që mund t’i gjeni në poezitë e mia, sidomos në dy titujt e fundit nuk mund të vjelën në jetën e përditshme, pluhuri ka domethënien shumë më të thellë në Irak se sa pluhuri i zakonshëm. Qëndrimi në atë tokë-zonë ku konsiderohet si djep i civilizimit botëror doemos të jep përjetime të papërsëritshme, të çon shpirtin peshë. Prandaj edhe ato gjëra që nuk shihen e as nuk kapen, siç janë figurat mitologjike, të bëjnë sikur flet me to… mendja dhe shpirti përherë të fluturojnë nëpër atë hapësirë shkretëtire.

Pyetje: Gjatë librit keni mjaftë vargje rrëqethëse, apo jo?

Sevdije Rexhepi: Janë përjetime origjinale, disa prej tyre lexuesi mund t’i kuptoj e përjetojë në mënyrën e vet, po që se do kenë rastin t’i lexojnë.

Pyetje: Po ndonjë ngjarje specifike që do t’ia vlente për ta shënuar në këtë intervistë?!…

Sevdije Rexhepi: Ka pasur disa sosh: Por ajo që ka ndodhur në vitin 2007, po e ndaj me ju dhe lexuesin. Rrëzimi i një aeroplani udhëtarësh ka qenë një ngjarje e dhimbshme. Po ky përjetim është regjistruar si poezi që gjendet edhe në brendinë e librit me poezi ‘Baladë mbi Balad’.

Pyetje: Pas këtij misioni ju ishit për pushime edhe në New York, tani prej sa ditësh gjendeni edhe këtu në Zvicër. Pa dashur të ju pyeti për mrekullitë e këtyre dy vendeve, doja të ju pyesja pse e bëtë këtë udhëtim, përkatësisht këto pushime.

Sevdije Rexhepi: Ishte më shumë një nevojë për të parë diçka ndryshe nga ato që kam përjetuar gjatë këtyre 4 viteve në Mesopotami, dhe natyrisht pak relaksim dhe motivim nga civilizimi për t’iu kthyer më pas jetës normale në Kosovën tonë të dashur!…

Pyetje: Sigurisht nga ky vend do të ktheheni në Kosovë. Do të ishte në interes të lexuesit të dijë si e keni konceptuar të ardhmen tuaj: Si poete, si politikane a si diplomate!

Sevdije Rexhepi: Nga këto të tria mua më përshtatet më shumë të mbetem poete, është diçka lirike, diçka më melankolike… sepse përmes poezisë, gjithmonë shprehem atë që e ndiejmë, apo jo?

Pyetje: Faleminderit për intervistën!

Sevdije Rexhepi: Faleminderit edhe nga ju, po natyrisht më shumë për lexuesit me të cilët do të njihemi edhe përmes kësaj bisede miqësore!…

Zürich/St.Gallen, maj 2011.
Intervistoi: Sh. Dibrani