BABËZI PËR TË MBETUR NË PUSHTET DUKE BLERË

0
46

ARTAN MULLAJ, 14 Qershor 2013

Janë sulur “mysybetet” në terren si osmanët, duke afruar e premtuar edhe gratë, edhe mamatë e tyre në shkëmbim të votave. Vërshuar rrugicave dhe oborreve si Nili kur fryhet nga reshjet, eksponentë të mazhorancës janë shndërruar në jeniçerë. Një lumë mashtrimesh, parash e premtimesh pa fund shkumëzon derë më derë, lokal më lokal. Janë bastardë, por kjo nuk i pengon të jenë të aftë t’i bëjnë njerëzit të besojnë se kjo është një botë ku gënjeshtrat janë të nevojshme. Ju varen qytetarëve krahësh dhe i gënjejnë për çfarë kanë bërë dhe për çfarë nuk kanë bërë. Dhe faqja s’u nxihet. Gënjejnë për çfarë do të bëjnë dhe faqja s’u nxihet. U japin para, nga paratë që po atyre ua kanë vjedhur dhe pastaj u premtojnë. U premtojnë punë pa punë, legalizime që s’mundën t’i bëjnë për 8 vjet në pushtet, leje për ndërtime pa leje, bursa për universitete që nuk ekzistojnë, thasë me miell, oriz e sheqer, sa të shtyhen një javë. Bëjnë gjithçka duhet bërë për të mbajtur veten në iluzionin e fitores së zgjedhjeve.

Kjo është gjendja, kjo është edhe çështja.

Pushteti i Berishës blen vota, me para në dorë. Premton, mashtron, kapet e mbahet thonjsh si njeriu i lodhur dhe tmerruar në pemë, që rreket mos bjerë poshtë: zëre se poshtë e presin gojëhapur ta shqyejnë egërsirat. Imagjinoni ankthin e tyre! Ky është me pak fjalë imazhi kolektiv i Saliut dhe i ushtrisë së Saliut në fushatë, pak ditë para garës. Terror edhe makth në administratë! Nëpunësit janë shndërruar në ushtarë, frika e humbjes ka kaluar në vijën e kuqe. Mbas shpine u vijnë urdhra nervozë dhe kërcënime për heqje nga puna, për heqje nga goja të bukës së fëmijëve, nëse nuk bindin njerëzit rreth tyre të votojnë për Berishën.

Por si mund t’i bindin votuesit kur nuk kanë as program, as ide, as fantazi. Duke mos bërë fushatë të mirëfilltë, s’u mbetet veçse të bëjnë propagandë të keqfilltë. Paqartësia e sensit i ka shtyrë xhandarët e pushtetit të ndihen edhe vetë në mes të tymnajës. Të bëjnë një fushatë të shëmtuar, me gënjeshtra dhe kërcënime, pas së cilës do t’i presë ndoshta gjyqi i ndërgjegjes, apo të jenë thjesht spektatorë të fushatës së tjetrit. Duken të përçarë. Disa janë shndërruar thjesht në dëshmitarë të fushatës së Edi Ramës. Në këtë pikë, por vetëm në këtë gjë, ata konvergojnë me publikun. Lëkura e tyre ka nisur të rrezatojë qartë kureshtjen për risitë që ofron alternativa tjetër, Rilindja. Aktivistë tradicionalë të Partisë Demokratike, janë tërë sy edhe veshë: Ku kanë parë ata alternativë të tillë, ku për herë të parë të afrohet një program qeverisje, në themel të të cilit nuk qëndron babëzia! Shqyhen së brendshmi, por nuk e fshehin dot adhurimin për Edi Ramën, përmes urrejtjes blu ndaj tij. Ylberi i shtetit shqiptar po lind mes peizazhit të Rilindjes. Edhe ata e dinë! E shohin, e ndiejnë nga bunkeri i Saliut këtë gjë! Edhe ata e dinë që është marrëzi të synosh të fshish bukurinë e ylberit. Në një farë mënyre, kjo pjesë e mazhorancës është shndërruar në një fasadë të fasadës së votuesve. Janë spektatorë… Nuk kanë më ç’të ofrojnë, por kanë shumë ç’të kuptojnë. Janë lodhur së premtuari asgjënë, por kanë ende fuqi të kuptojnë se ky vend mund të bëhet, por jo nga ata që e zhbënë. Nuk kanë më ç’të premtojnë e mashtrojnë; ky i sotmi është një realitet i kobshëm, në një limit barbar të mbarimit të gënjeshtrave, të cilin vetë e krijuan. Janë lodhur së thëni përralla, nuk kanë më fuqi: edhe në sytë e tyre është e lodhur retina. Është shuar nervi që dalldis të vërtetën. Dhe pasoja? Ditën ndjekin të hutuar si bufër edhe ata fushatën e kundërshtarit, meqë s’dinë, s’kanë, s’munden ta kenë e ta bëjnë një fushatë të sinqertë. Natën, ose fshihen, ose nguten si të tjerët, të blejnë vota ose shpirtra të shqetësuar.

Këta janë të tundurit dhe të lëkundurit e mazhorancës, që regëtijnë në mugëtirën e paaftësisë së tyre për të kuptuar thelbin e gjërave. Grupi tjetër janë fanatikët. Ushtria e verbër dhe mediokre e besnikëve të pushtetit, që kanë përfituar pas çdo frymëmarrjeje prej tij. Këta po që janë si dallgët e Nilit poshtë stuhisë, mbi turmën e pashpresë. Përplasen në terren me terrenin ditë e natë, për të krijuar terror… Ofrojnë punë, ndihmë, favore, ushqime, gënjeshtra, por realisht dhurojnë vetëm ca para në këmbim të pushtetit. Kur nuk ia dalin me të gënjyer e premtuar, nxjerrin thonjtë e arrogancës. Dinë të kërcënojnë po aq mirë sa gratë e tyre dinë të gatuajnë e pastrojnë. E njohin mirë artin e rebelimit që gjunjëzon të hutuarit. Drejtues të administratës dje, sot janë armata e rrezikshme e hedhur në sulm me çdo mjet për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

***

Besnikët e Saliut, ashtu si Saliu, nuk kanë as fuqi të gënjejnë. Janë shkarkuar herët, si bateritë e iPhone-ve në mesditë. Edhe këta kanë mbetur pa bateri në mes të dëshirave të tyre për të vijuar pa fund mashtrimin e njerëzve, që verbërisht deri tani i patën votuar. Por në këtë vend janë rralluar idiotët që e hanë sapunin për djathë dhe ky është një lajm i keq për ta. Së pari, njerëzit nuk mund t’i mashtrosh në çdo kohë. Së dyti, aq më pak mund t’i mashtrosh kur s’ke më as fuqi dhe as fantazi ta bësh këtë gjë. Së treti, mazhoranca në pushtet nuk ka frymë. Frymë për çfarë? Të kesh frymë, së pari duhet të kesh arsye dhe sidomos kurajë të shohësh njerëzit në sy. Ç’sy shqiptari mund të shohë drejtpërdrejt Saliu qerpikdredhur? A mund t’i shohë e t’u flasë njerëzve që i ka lënë në boshin e fatit dhe mëshirën e mungesës së shtetit? Si mund të gjenerojë besim e ca më pak optimizëm më tej ky njeri që ka mbjellë përgjithmonë dëshpërimin në shpirtrat e njerëzve?! Duke mos pasur arsye dhe kurajë t’i shohë qytetarët në sy, ku të gjenden ca fjalë gëlltitëse për të gëlltitur mallkimin e mizerjes ku shqiptarët jetojnë dhe rritin fëmijët? Fjalimet e përçartura në tubime e vërtetojnë këtë gjë. Ç’t’u thotë Berisha njerëzve në terren, kur gjendja e di se historia e tij përmblidhet me dy fjalë: babëzi dhe shkatërrim? 8 vjet mbas babëzisë së administratës në rrëmbimin dhe rrënimin e pasurisë publike dhe 8 vjet mbas dështimit dhe shkatërrimit që i ka sjellë të ardhmes së këtij vendi, ç’mund t’u afrojë më ky njeri fëmijëve shqiptarë? Por do të kishte vlerë, realisht, t’u afronte shpjegime. T’u fliste për muzgun e së shkuarës që ai e prodhoi me duart e veta. T’u tregonte pse dështoi ai në detyrën për të mos e bërë edhe më të mjerë këtë shoqëri, të shkelur me këmbë në plagë. Të dëshmonte në fund se gjendej në një lartësi dhe lehtësi të re të të kuptuarit të gjërave, duke u shtënë si i penduar. I penduar për varfërinë dhe mizerjen dhe kaosin shpirtëror që po i lë pas vendit të tij.

…Mes sundimtarëve barbarë, më të këqijtë nuk janë ata që dëshpëruan botën me njerëz të vrarë, por ata që lanë pas njerëz të pashpresë. Ky është një nga këta.

Ç’ju ka mbetur? Të mbushin boshllëkun e mungesës së alternativave duke kopjuar opozitën në çdo hap, në çdo cep. Që Saliu dhe mazhoranca imitojnë shëmtuar RILINDJEN në aksionin e saj, kjo është sa e dukshme, aq e shpjegueshme. Kur njëra palë është e çpendëruar, si këndesi i Vitit të Ri duke hyrë në furrë, aq më pak mund të hyjë në duel a në garë. Qeverisë i kanë rënë brekët në fund të këmbëve, ajo çka është urgjente për të nuk është vullneti i saj për të fituar ende vëmendje. Urgjente është mëshira e tyre për veten dhe mëshira e të tjerëve për ta! Si rrallë herë, në këtë rast mëshira është e dobishme. Këta njerëz, edhe pse pushtetarë, duhen mëshiruar. Duhen mëshiruar, sepse janë palë e një gare që nuk ka garë. Nuk ka garë, sepse programi i Rilindjes përballë ka asgjënë. Përballë i qëndron një shfushatë! Një projekt barbarësh për të mbetur në pushtet duke blerë.