Babëzi, nepotizëm e intriga në “shpellën” Berisha-Meta

0
66

Nga Përparim Halili, 4 Gusht 2012

Brenda çdo pushteti e qeverie ka nepotizëm, klientelizëm, bëhen pazare, abuzime e prapaskena për goditje brenda e jashtë “llojit”. Por nepotizmi, klientelizmi, pazaret, intrigat e prapaskenat që po bëhen në pushtetin dhe qeverisjen shqiptare 2009-2012 të ortakëve politiko-ekonomik Berisha-Meta, i ka kaluar dhe praktikat banditeske të çetave të kaçakëve, të fillim-viteve të shekullit të kaluar 1900-1912. Tamam si “kaçakët” e atyre kohërave, Sali Berisha e Ilir Meta të maskuar e të bashkuar pas dy siglave politike PD-LSI, kanë ndarë në mirëkuptim zonat e plaçkitjeve (ministritë).

Të strukturuar në dy “familje” politike e qeveritare mafioze, të mbështetur nga klanet e tyre përkatëse politike-kriminale-financiare brenda e jashtë vendit, me përfaqësim e zotërim të përcaktuar pjesësh pushteti, “berishët” dhe “metët” janë përfshirë e po veprojnë në pazar interesash të hapura mafioze, duke përdorur për vetëmbrojtje dhe strukturat e policisë e të drejtësisë, që i kanë nën kontroll qeveritar.

Janë mijëra fakte, që dëshmojnë këtë profil “kaçakësh” të familje e fiseve sunduese dhe plaçkitëse “Berisha-Meta”, që nga gjyqi fals e maratonë i Gërdecit, që nga blloku i ryshfeteve të Ilir Metës, që nga vrasjet e 21 Janarit 2011, që nga lista e bizneseve që financojnë gruan e kryeministrit për një foandacion hije, që nga grabitja me dhunë e falsifikime e trojeve në bregdet prej fëmijëve, krushqive, ortakëve serbë e soj-sorollopit së kryeministrit, që nga vjedhjet miliardëshe në tenderat e rrugëve, që nga shkulja dhe shitja e ish-uzinave e kombinateve për skrap, që nga vjedhja e thesarit të shtetit (floriri), që nga vrasja e biznesmenëve, që nga shitja e territorit detar të vendit në shkëmbim të miliardave e sundimit në pushtet dhe deri tek represioni politiko-policor mbi këdo individ, grup individësh, shoqatë, apo institucion që i kundërvihet kësaj aleance e veprimtarie të familjeve mafizoe në pushtet “Berisha-Meta”. Janë 3 fakte të reja, të ditëve të fundit, që tregojnë se kjo babëzi, ky nepotizëm, këto intriga, ankth e panik i kanë përfshirë plotësisht…

“LSI-Sh.p.k” i vërsulet presidencës “Nishani”, për 20% të “aksione-kolltuqeve”

Fakti i parë vjen nga presidenca “Nishani” dhe provon atë që ka ndodhur dhe në pazarin PD-LSI, ose më saktë në ortakllëkun privat Berisha-Meta me pushtetin e vitit 2009. Ngaqë presidencën “Nishani” e konceptuan, e inskenuan dhe e realizuan si strukturë partiake të PD-LSI, dy “aksionerët” e plotfuqishëm të pushtetit po e përdorin atë si të tillë dhe në masën e përfaqësimit politik brenda administratës së saj.

Nga burimet “TOPI” të mbetura ende pa u spastruar nga presidenca “Nishani”, mësohet se dy ditë më parë, presidenti i “Republikës i PD-LSI”, zoti Bujar Nishani (Mehmeti), ka marrë në dorë një kërkesë-kujtesë të dërguar prej boss-pronarit të LSI Ilir Meta, ku i kërkohet të zbatohet menjëhërë kontrata e tij me PD edhe në presidencë, për marrjen e 20% të kolltuqeve që nga shoferët, kuzhinierët, oficerët e gardës, pastrueset e deri tek postet qendrore të institucionit të kreut të shtetit. Në fund të kërkesës, zotit Nishani (Mehmeti) i është bërë e qartë në formë kujtese dhe fakti, që: “…siç është rënë dakord me PD dhe kur bisedohej e negociohej për presidentin dhe pas zgjedhjes Tuaj”.

Bashkëngjitur kërkesës, boss-pronari i LSI, Ilir Meta, i ka përcaktuar në mënyrë të detajuar presidentit të mazhorancës PD-LSI edhe kolltuqet konkrete që kërkon, madje dhe disa nga emrat që i ofron, si p.sh emrat e Luan Ramës, Ylli Manjanit, Erisa Xhixhos, Shezai Rokajt, Petrit Vasilit, Monika Kryemadhit e deri tek një “pionier” i LRI, me emrin Endrit Brahimllari etj…

Saliu hedh “agjentë biznesi” për të futur në kurth kryebashkiakun e Kavajës

Sali Berisha ka lindur, është rritur dhe formatuar deri shpirtërisht bashkë me intrigën dhe hakmarrjen, duke u bërë “master” i ideimit dhe realizimit të tyre. Edhe në “shpirt të fundit” të jetë, Sali Berisha nuk heq dorë nga intrigat dhe prapaskenat për të sulmuar e ndëshkuar kundërshtarët e tij politik, veçanërisht kundërshtarët personal, sidomos ata që e demaskojnë dhe e zhvlerësojnë publikisht. Personi që e ka zhvlerësuar me meritë njeriun “intrigë” Sali Berisha është Elvis Roshi. Në 8 maj 2011, ky djalë Kavaje e përzuri turpshëm Sali Berishën me votë popullore nga Kavaja, si një “qen të rrahur e të zgjebosur”. Këtë gjendje të krijuar, Sali Berisha e manifestoi publikisht, kur i merrej goja dhe i thahej pështyma në fut, teksa gazetarët e pyesnin dhe ai përgjigjej i zverdhur si kufomë, për humbjen e Kavajës.

Por ata që e njohin “specien” Sali Berisha e dinë mirë, që ai jo vetëm nuk harron, por ushqen dhe realizon hakmarrje barbare. Tani pas një viti nga përzënia nga Kavaja, mësohet se Sali Berisha ka ideuar hakmarrjen ndaj kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi. Lajmi ka dalë nga brenda pushtetit “Berisha”, sipas të cilit do veprohet kështu: Në muajin shtator, Sali Berisha në emër të qeverisë do t’i lëvroj bashkisë Kavajë, 750 mijë euro fonde nga buxheti i shtetit, për 4 investime në shërbimet publike të qytetit. Sipas përcaktimit (intrigës) që ka bërë qeveria (Sali Berisha), këto fonde do t’i prokuroj bashkia Kavajë.

Kryeministri Sali Berisha ka instruktuar një grup biznesmenësh të “oborrit të tij”, me “misionin” për të manipuluar kryebashkiakun e Kavajas Elvis Roshi me joshe me ryshfete, në shkëmbim të gjoja marrjes së tenderave përkatës. Pasi ta ketë futur në kurth me prova të dokumentuara për pazare e marrje rryshfeti nga prokurimet publike, Sali Berisha do bëj shkarkimin dhe më pas çuarjen e kryebashkiakut të Kavajës përpara drejtësisë, madje “arrestimin e tij në flagarancë” nëpërmjet krimit ekonomik të ministrisë “NOKA”, siç ua ka bërë dhe shumë zëvendësministrave e drejtorëve të prokurimeve në ministrira, të cilët nuk i kanë qëndruar strikt urdhrave klienteliste të pushtet-familjes “Berisha” në pazaret e tenderave.

Nuk e dimë, se deri ku ka arritur të realizohet kjo skemë intrige për hakmarrje e Sali Berishës kundër kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi, por dimë faktin, që kryebashkiaku është njoftuar tashmë, për këtë skemë goditëse prej “çakejve” të LSI, që janë pjesë e “shpellës” së pushtetit “Berisha”.

Dyndje tek MUL NOKA, 450 kërkesa kuksianësh për punësim në polici

Të tre individët e pushtetit Nishani, Olldashi e Basha, që kanë qenë në bordero si “ministra rendi”, kanë patur të drejtën të mbushin ca zyra dhe me individë të familjeve, krushqive, shokëve, zonave, fiseve e “trimave” që mbajnë pas menderes. Por ajo që ka ndodhur brenda 1 jave me ministrin e ri të Rendit Flamur Noka, me kërkesat për vende pune në polici, nuk ka ndodhur me asnjë ministër as brenda 1 viti. Sipas një informacioni nga brenda ministrisë së Rendit, mësohet se që javën e parë pasi Flamur Noka është emëruar Ministër Rendi, në drejtorinë e burimeve njerëzore në këtë ministri, kanë vërshuar mijëra kërkesa për punësim në të gjithë sektorët e policisë së shtetit.

Sipas këtij burimi, “bumi” i kërkesave për punësim në polici i përkasin kuksianëve me banim në Kukës, Tiranë, Bathore, Paskuqan, Durrës, Lezhë, Shkodër. Gjithsej, mbi tavolinën e ministër MULIT, janë stivosur afro 450 kërkesa kuksianësh për vende pune e poste në polici, pa llogaritur kërkesat që vërshojnë në shtëpinë, në celularin, familjen, krushqinë, shokët, kolegët deputetë e politikanë, madje deri tek buodigardët dhe shoferët e ministrit.

Faktikisht, shumë nga këto kërkesa kanë kaluar për zbatim dhe disa realizuar që ditën e parë të punës së ministër MULIT. Ndërkohë në sekretarinë e ministrisë, vazhdojnë të dynden pa pushim zarfe me emra me origjinë e vendbanim kuksianësh, me kërkesa për punë në polici. Sipas konfirmimit, shumica e kuksianëve i kërkojnë “ministrit të tyre” të punësohen në qarkullimin rrugor, në makinat e grupeve të gatshme, tek “129”, në krimin ekonomik, në komisariate e drejtori policie rrethesh, në shërbimin kufitar, në dogana e deri në zjarrfikëse dhe emergjencat civile.