Axhenda e një dite hipokrite antikomuniste

0
35

Nga Mero Baze, 26 Mars 2013

Sali Berisha dhe Jozefina Topalli u shfaqën bashkë në një ceremoni në hyrje të Bllokut, ku përurohej një vepër simbolike për kujtesën e diktaturës. E ka kuruar me kujdes Fatos Lubonja. Thënë shkurt, Berisha dhe Topalli ishin aty krah njëri- tjetrit për të na treguar se nuk kanë ndërmend të harrojnë diktaturën dhe ta falin atë. Folën diçka aty për Bllokun dhe bllokmenët dhe u larguan.

Duke ikur, një grup ish- të burgosurish protestuan ndaj tyre, pasi policia po i përndjek dhe i shoqëron në polici thuajse sa herë kalojnë para zyrave të Sali Berishës. Ndërsa Berisha shkonte për në zyrë dhe Topalli në të vetën, Skënder Tufa u nis prapë drejt qelisë në komisariat. Përsëri të njëjtët policë (ata që shkëmbejnë çiftelinë me të kërkuarin për vrasje), përsëri të njëjtat pyetje, përsëri hetimi përse kalon nga zyra e Sali Berishës, përsëri pyetje rreth dyshimeve për atentate…

Sali Berisha ndërkohë ka hyrë në zyrën e tij. Sekretarja e njofton se ata të burgosurit u çuan në qeli. Fatos Lubonja ka ngelur tek bunkeri duke u grindur me veten për dyshimin që ka nëse e përdori Sali Berisha apo jo. Jozefina ka hyrë në zyrë dhe po kërkon në peticionin e saj se mos gjen dikë që i ka ikur me opozitën.

Pastaj bie sërish telefoni i Sali Berishës. E kërkon Ilir Rusmali. I tregon se po kalon tre emrat e propozuar në Komisionin e Ligjeve. Xhezair Zaganjorin për ta bërë anëtar dhe më pas kryetar të Gjykatës së Lartë, dhe kandidaturat e Besnik Imerajt dhe Gani Dizdarit për në Gjykatën Kushtetuese.

Sali Berisha është i kënaqur. Rusmali i tregon dhe për replikat me opozitën që braktisën sallën. Sali Berisha është sërish i kënaqur.

-Tani duhet t’i kalojmë në parlament, i thotë Rusmali.

-Patjetër, thotë Berisha. A ka ndonjë problem?

-Jo, nga ana ligjore nuk kemi asnjë problem, i thotë Rusmali. Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar ligjin e lustracionit dhe këta nuk i kap ligji.

-Shumë mirë, i thotë Berisha. Rëndësi ka të jemi në rregull me ligjin!

Të tre kanë qenë gjyqtarë dhe hetues të kohës së komunizmit. Të tre do ishin sot të papunë, sikur Sali Berisha të kishte të vërtet dëshirën për të bërë një ligj për lustracionin në Shqipëri. Akuzoi Bamir Topin se kish dekoruar një shok të tyre. Akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po i shërbente komunizmit dy vite më parë kur ktheu ligjin. Tani po i çon në zemër të saj anëtarë që kanë probleme pikërisht me kujtesën ndaj komunizmit.

Sali Berisha kujtohet për të gjitha këto dhe merr në telefon Jozefina Topallin.

-Këto tre kandidaturat kanë probleme, i tha. Me pasë qenë ligji që miratuam, kishin ngelë pa punë.

-Nuk ka problem, i thotë Jozefina. I’ tash po numëroj votat dhe nëse i kena boll, unë e ti s’po e votojmë.

-Ashtu e bëjmë, thotë Berisha. Të jemi në rregull dhe të bëjmë sikur grupi nuk na pyet. Na kanë shërbyer shumë i thotë. U kena do borxhe.

Jozefina nuk flet pasi një nga shërbimet e mëdha ka qenë që kanë shpëtuar Lulëzim Bashën nga burgu dhe tjetra që kanë hedhur poshtë videon e Ilir Metës.

Berisha shqetësohet për heshtjen e Jozefinës.

-Çfarë mendon, i thotë.

-Po mendoj që bëmë mirë që bamë atë bunkerin. Nuk duhet me e harru komunizmin. Kena me i shkatërru këta komunistat që dun me ringjallë Bllokun sërish. Dun me na rikthye njerëzit e diktaturës. E kish menduar mirë ai Lubonja. Në bunker kena me i futë.

-Urdhëro, i thotë Berisha, që u hutua nga fjalimi.

-Po të dëftej që kena ba mirë me atë bunkerin. Njerëzit nuk duhet me e harru diktaturën. Ata që kanë lyer duart me gjak duhet të përgjigjen. Kanë qenë hetuesa të tmerrshëm….

-Ah, po, thotë Berisha dhe mbyll telefonin.

Sekretarja në linjën tjetër e lidh me Kuliçin.

-I arrestuam ata të përndjekurit Doktor. Nuk u gjetëm gjëra të dyshimta me vete, por po deshe i mbajmë nja tre ditë brenda se duan me bë protesta dhe kundër tre gjykatësve që kaluan sot në Komision. U kemi përgju telefonat.

-Ashtu, mos ju ndani nga pas, thotë Berisha, sa t’i miratojmë.

Më në fund u ul të çlodhej nga kjo ditë e ngarkuar. Telefoni i Jozefinës po cingëronte përsëri, por Berisha nuk kish nerva të dëgjonte përsëri atë fjalinë “e bamë mirë këtë bunkerin me ua kujtua këtyre komunistëve…”