Andrea Stefani
Një intervistë e John Withers, ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, ka ngjallur zemërimin në qarqet e qeverisë shqiptare të Kryeministrit Sali Berisha. Por çfarë sakrilegji paska bërë Withers që të meritojë lloj-lloj sulmesh dhe etiketimesh? As më shumë dhe as më pak, por i ka bërë jehonë rezultateve të një sondazhi mbi perceptimin nga publiku shqiptar të korrupsionit në vend. Dhe nuk është aspak faji i Withers që në këtë sondazh, të kryer përvitshëm nga IDRA, rezulton se mbi 90 për qind e të anketuarve të pohojnë se korrupsioni mes zyrtarëve publikë është i përhapur gjerësisht ose shumë i përhapur.
Ambasadori tha edhe se “korrupsioni po e bën vendin të gjakojë”. Mos vallë qeveritarët duan të na mbushin mendjen se vrasjet që ndodhin kohë pas kohe në rrugët e Shqipërisë nuk kanë lidhje me korrupsionin dhe trafiqet e lidhura me të? Ambasadori amerikan sulmohet sot se ka thënë një të vërtetë të hidhur mbi korrupsionin endemik që po mbyt të ardhmen e vendit. Është një e vërtetë që u dhemb më shumë të korruptuarve dhe në radhë të parë Kryeministrit Berisha, që rreth 5 vjet më parë rikthehej në pushtet me premtimin solemn për të luftuar korrupsionin “me duar të pastra”. Sot sondazhi i IDRA-s tregon se mbi 90 për qind e publikut mendon se “duart e pastra” kanë veshur dorezat e korrupsionit. Dhe për këtë nuk është faji i Withers.
* * *
Pasurimi i dyshimtë i jo pak ministrave e deputetëve dhe varfërimi i padyshimtë i masës së gjerë të shqiptarëve, është fakti më evident i realitetit gjithnjë e më të polarizuar në Shqipëri. Është një polarizim që e nxit dhe e përshpejton korrupsioni i ministrave dhe zyrtarëve të lartë të pandëshkuar për korrupsion të vërtetuar publikisht. Kur në vitin 2005 një masë e konsiderueshme votuesish e rikthyen Berishën në pushtet, u nxitën edhe nga shpresa për një lloj ndryshimi pas 8 vjet qeverisjeje gjithnjë e më të korruptuar të së majtës.
Votuesit e “ndryshimit” nuk mendonin në atë kohë se pas 5 vjetësh qeverisje “me duar të pastra” do të kishin për rezultat një qeverisje edhe më të korruptuar se ajo e Fatos Nanos që anatemonte Berisha. Por për një kategori të vogël opinionesh nuk ka asnjë çudi në këtë që po ndodh. Ata kanë paralajmëruar në media dhe në publik, që në momentet kur opozitari Berisha i bënte jehonë (me bera e rrufera për luftë kundër korrupsionit) të njëjtave sondazhe antikorrupsion që sot i mallkon, se nuk mund të ndodhte ndryshe.
Që pa riardhur Berisha në pushtet këto opinione “kasandrash” kanë paralajmëruar se propaganda shurdhuese mbi “ndryshimin” mesianik të Berishës, nënkuptonte një thelb autoritarist që përjashtonte nga lufta antikorrupsion institucionet dhe drejtësinë e pavarur. E gjithë shpresa për luftë kundër korrupsionit po mbështetej te kulti apo dora e fortë e një lideri si Sali Berisha. Do të ishte ky që, me pushtetin e tij absolut, do të bënte zap korrupsionin e mbjellë nga socialistët. Ndoshta jo rastësisht, me të ardhur Berisha në pushtet, nuk kaloi shumë dhe ranë në gjumë ose u zhdukën nga qarkullimi të gjithë ato organizma antikorrupsioni, si për shembull Koalicioni Shqiptar kundër Korrupsionit (ACAC).
U bënë vite që nuk shohim më protesta e mitingje antikorrupsion nga shoqëria civile apo Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ), të cilave i bashkëngjitej me aq entuziazëm opozita berishiste e asaj kohe. Ndoshta edhe donatorët e huaj këtyre organizmave civilë, besuan përrallën se tashmë kish ardhur në pushtet “trimi me fletë” dhe nuk kishte më nevojë për ACAC a ZMQ për luftën kundër korrupsionit. Gjithçka ndodhte, nanuriste si një përrallë, ku trimi vret kuçedrën që ka bllokuar ujin e fshatit dhe, në fakt, rezultoi një përrallë. Pikërisht për këtë sot, 5 vjet më pas, nuk është aspak një përrallë të thuash që shumë fshatra në Shqipëri nuk kanë ujë për shkak të kuçedrës së korrupsionit. Por kjo është më e pakta.
Korrupsioni ka marrë e po merr edhe jetë njerëzish. U vërtetua edhe një herë se autoritarizmi priret drejt pushtetit absolut dhe prandaj në vend që ta luftojë korrupsionin është vetë ai që gjeneron korrupsion duke korruptuar në mënyrë absolute njerëz dhe institucione. Tragjedia e Gërdecit apo skandali i Rrëshen-Kalimashit, janë raste të rrënimit të jetës qytetarëve dhe buxhetit publik me anë të dhunimit të ligjit dhe frikësimit të institucioneve që duhet t’i kishin ndalur dorën qeverisë. Sikur ato institucione të mos kishin heshtur si nën një “omerta”, ato tragjedi dhe rrënime do qenë shmangur. Janë tragjedi që konfirmojnë thënien e Withers se korrupsioni kullon gjak.
* * *
Zemërimi i berishistëve me Withers është edhe për një gjë tjetër. Për faktin se ai ka denoncuar përsëri tendencën e paepur të kësaj qeverie për të kapur gjyqësorin duke hedhur poshtë, me lloj-lloj inkuizicionesh politiko-bolshevike, kandidaturat e Presidentit të Republikës për organet më të larta të drejtësisë. Nuk e kanë hallin aspak që drejtësia të spastrohet nga gjykatës që kanë bërë mëkate në kohën e regjimit komunist. E kanë hallin që pushteti i drejtësisë të spastrohet nga juristët dhe gjykatësit që nuk duan të shërbejnë dhe ta popullojnë me juristë shërbëtorë të pushtetit.
Tamam si në nisje të tranzicionit, nën maskën e pastrimit të gjykatave nga gjykatës “komunistë”, lakmojnë ende t’i mbushin ato (si barkun e një Kali Troje) me gjykatës berishistë. Tashmë, e kemi shkruar dhe thënë edhe tjetër herë, ka fakte pa fund, se Berisha dhe berishistët nuk e kanë problem që gjykatës të jetë edhe një keqbërës, mjafton që ai t’u shërbejë. Në thelb, refuzimi i kandidaturave të gjykatësve që kritikon edhe Withers, është një spastrim neobolshevik që fsheh po një qëllim neobolshevik: vënien e pushtetit të drejtësisë në shërbim të pushtetit politik të neokomunistit Sali Berisha.
Por ky spastrim bart në kohën e sotme edhe një veçori. Ndërsa në vitet e para të tranzicionit Presidenti Berisha u përpoq të robëronte prokurorë e gjykatës i nxitur nga instinkti i tij autoritarist i sundimit, sot është më ndryshe. Ajo që e nxit sot Kryeministrin Berisha të luftojë dhëmbë për dhëmbë me opozitën, me Presidentin, me Withersin dhe me këdo që e pengon për kapjen e gjyqësorit, është nevoja për shpëtim. Është nevoja vitale që ka një pushtet i korruptuar për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë, për t’i shpëtuar antikorrupsionit.
Drejtësia e pavarur është për këtë pushtet edhe më e rrezikshme se vetë opozita politike, me të cilën, kohë pas kohe, edhe e ka gjetur gjuhën e përbashkët. Prandaj do të luftojë deri në fund për të penguar çlirimin e drejtësisë. Qoftë edhe duke sfiduar SHBA-në, mikun më të madh të shqiptarëve. Edhe gjoja nevojën e luftës kundër korrupsionit ekzistues në Pallatin e Drejtësisë, ky pushtet do përpiqet ta përdorë për të futur edhe më shumë kthetrat në trupin e pushtetit të drejtësisë. Për të varrosur përfundimisht antikorrupsionin, ndërsa betohet me llafe për luftë kundër një korrupsioni që e pasuron.