Nga Mero Baze
Një grua i ka dhënë fund jetës në Korçë në një akt vetëvrasjeje, nga ato që në Shqipëri janë shtuar shumë. Ka mijëra vjet që mjekësia e ka të vështirë të hyjë në atë moment të errët të njeriut, kur i dorëzohet pafuqisë së tij, por nuk ia ka dalë. Të vetmit që ia dolën me një lehtësi të papërballueshme ishin Lulzim Basha dhe Grida Duma, të cilët i vunë diagnozën kësaj vetëvrasje, duke gjetur shkak rrezikimin e vendit të punës për viktimën. Të të rrezikohet vendi i punës është padiskutim një stres i madh, dhe në rastin e ndonjë njeriu me probleme mund të jetë dhe shkak për vetëvrasje, por jo për një njeri normal. Në këtë vend për 23 vjet kanë humbur punën rreth 2 milionë shqiptarë, dhe po të ishte pasojë vetëvrasja, do ishim shuar si komb. Ne duhet të drithërohemi për fatin e atyre që la pas një e vetëvrarë, por jo duke shpikur shkaqe, të cilat nuk i besojnë as vetë.
Në këtë vend politika padiskutim që ka tentuar të çojë njerëz drejt vetëvrasjes, por jo nga heqjet nga puna, por nga vrasjet barbare për politikë dhe para.
Për t’i kujtuar Bashës dhe psikologes së tij se kur një njeri mund të vrasë veten nga politika, po i përmend dy raste.
Rasti i parë është Tushe Osmani. Viktima është nëna e Resmije Osmanit, vajzës që u vra në Gërdec, në biznesin që loboi i biri i Sali Berishës. Pas vdekjes të së bijës, Tushja u detyrua të rriste fëmijën jetim të vajzës që vdiq në Gërdec. Burri i saj u dëshpërua pa masë dhe vdiq disa muaj pas vajzës. Tushja vendosi të mbijetonte. Gjeti një punë pastruese në Tiranë, tek një OJQ për të drejtat e njeriut, që kur ndodhi Gërdeci nuk ishte aq afër Berishës. Më vonë, kur Berisha shtriu tentakulat e tij mbi çdo OJQ dhe media për të ndalur denoncimin e biznesit të përgjakshëm të të birit, shefja e OJQ, që kishte Tushen pastruese, e hoqi nga puna dhe e kërcënoi se nëse do të fliste, do ta çonte në polici. Tushja u kthye në Vorë pranë fëmijës së vogël jetim, pa burrin e saj të vdekur dhe vajzën që i kish ikur në moshën më të mirë dhe u vetëhelmua. Ishte mëse e qartë se vdiq prej plagës që i hapi biznesi i Familjes Berisha, e cila i shuajti gjithë pragun.
Nëse Tushen do ta ngjallnim sot e ta pyesnin pse vdiq, nuk do të thoshte se vrava veten se më transferuan, por se më vdiq vajza tek biznesi i Berishëve, më vdiq burri dhe në fund më lanë pa bukë njerëzit e Berishës.
Por pas këtij rasti kemi dhe një rast tjetër më tragjik.
Kur ti Lulzim Basha ishe Ministër i Brendshëm më 21 janar, vrave katër qytetarë të pafajshëm në bulevard. Mes tyre dhe Faik Myrtajn. Le tetë fëmjë jetimë dhe pa pikën e vrasjes së ndërgjegjes, u përpoqe të pastrosh biografinë duke rrëmbyer Bashkinë e Tiranës.
Disa muaj pasi vrave me qetësi pas xhamit të blinduar bashkë me Sali Berishën, një djalë i ri 20- vjeçar, i papunë, me baba të vrarë në bulevard prej teje, me një nënë të dëshpëruar për fatin e saj dhe pa të ardhme në këtë vend, i hipi një motoçiklete, shkoi në një kodër përballë detit në Cakran, dhe vrau veten. Ishte djali i Faik Myrtajt, viktima jote e pestë e 21 Janarit. Vrau veten se e le pa baba, pa punë, pa shpresë dhe pa dinjitet. Nuk ia fal kurrë që e bëri këtë akt, pasi kishte ç’të bënte para tij, por ja që e bëri dhe i dobëti nuk gjykohet. Por ama dihet pse e bëri. E bëri prej teje, pasi i vrave babain dhe shpresën për jetën. Nëse do të çohet sot nga varri dhe do të dëgjojë se se ti përpiqesh të bësh nekrofili me drama të zakonshme sociale në jetë, kur vetë si pjesëtar i Familjes Berisha ke prodhuar drama të përgjakshme në këtë vend, ndoshta do të pendohej që kish vdekur pa të marrë dhe ty me vete.
Ndaj është mirë të mendohesh para se të flasësh për drama dhe të mos biesh në nivelin e streseve femërore që kanë ato që po merr në PD, të cilat dramat më të mëdha kanë ndarjet me dashnorët. Bëj pak kujdes kur flet për arsye që çojnë drejt vrasjeve. Je autor i faktuar i vrasjeve dhe vetëvrasjeve në këtë vend. Për të shpëtuar kokën, dhe për të mos ua kujtuar të tjerëve ç’u ke bërë, minimumi duhet të heshtësh për histori të tilla, të cilat ende nuk kanë ngjarë me këta që janë në pushtet!