Autorë dhe recensentë

0
38

Ardian Klosi

Një mënyrë e re recensionimi është përhapur këto ditë mes nesh. Shkas dhe objekt u bë libri i Edi Ramës “Kurban“. Nuk i kam lexuar gjithë shkrimet që pasuan daljen e tij, por ma do mendja që, sikurse ka një numër shkrimesh pozitive, admiruese (shih p.sh. Daut Gumenin te Shekulli), një pjesë e madhe atë e hedhin poshtë ose e kritikojnë rëndë; kam lexuar gjithsesi dy prej tyre që mendoj se janë përfaqësues për tipin e ri të recensionit në fjalë: shkrimin e Fatos Lubonjës dhe atë të Armand Shkullakut, të dy botuar te “Panorama“.

Mënyra e re e gjykimit të librit thotë se nuk duhet vlerësuar përmbajtja, por autori i tij. Lubonja flet për një operacion gjigand plastik që Edi Rama kryen me librin “Kurban“, për të fshehur autorin e vërtetë të tij: “Operacioni plastik i Edi Ramës është shumë më i vështirë pasi ai duhet të na heqë nga pamja me Kurbanin e tij volume masive betoni e çimentoje pallatesh shumëkatëshe… i duhet të na heqë nga mushkëritë pluhurin e gazin që po na helmon e kancerizon mushkëritë“ etj. Me një fjalë kemi të bëjmë me një keqbërës, që nuk ka kryer thjesht krime urbane, arkitektonike, por shumë më tepër se kaq, ka kryer krime të mirëfillta fizike, duke dëmtuar drejtpërsëdrejti shëndetin tonë me mjete kancerogjene.

Një pozicion të ngjashëm ka Shkullaku: libri është “dështimi spektakolar i Edi Ramës për t’u shndërruar të paktën në një shembull moral për shoqërinë shqiptare, duke i dhënë për pasojë asaj një shembull më shumë të degradimit të çdo vlere përballë tundimit të pushtetit, parasë, mediave“.

Në të dyja rastet skualifikohet autori, deligjitimohet ai, i hiqet e drejta për të shkruar, jo më një libër që ka të bëjë me fatet e Shqipërisë, por çfarëdolloj libri.

Të dyja recensionet janë shkruar me frymëzim, me energji, ritëm, gati-gati me kantilenë. Ato dëgjohen si një muzikë funebër për atë që, jo vetëm nuk mund të trajtohet si autor të cilit i recensionojmë një libër, por asgjë më shumë se një kufomë politike. Në rastin më të mirë, kurvë e njollosur keq, siç shkruan Shkullaku duke cituar Migjenin: ‘për at’shërbim nuk ka marrë do franga, por në fytyrë, çarçafë e në ndërgjegje danga’. Edhe më larg shkon Lubonja, i cili Edi Ramës, pasi e ka përkufizuar si kriminel urbanistik dhe shëndetësor, i heq deri dhe të drejtën për të pasur një fytyrë të vetën: “më duhet të pranoj se metafora që përdora me operacionin plastik ka një kufizim, pasi ajo nënkupton sikur personi të ketë pasur një fytyrë… Edi Rama, si në jetë, edhe në këtë libër, na shfaqet si një personazh i luajtur keq mu pse brenda tij mungon personi“.

Vështruar në këtë prizëm, nuk e kupton dot gjithë atë mllef e atë tiradë shumëfaqëshe të Lubonjës kundër këtij personi që në të vërtetë nuk është fare person, pra s’meriton as dashuri as urrejtje, ngaqë s’meriton asgjë, duke qenë që nuk është asgjë. Ai është “Njeriu pa cilësi“, sikurse personazhi i kryeveprës me të njëjtin titull të shkrimtarit austriak Robert Musil, si i tillë i denjë vetëm për fiksion.

Dashurpadashur rashë edhe unë në stilin e Lubonjës, i cili si për të mbështetur pozicionin e lartë nga shkruan për të shigjetuar gjithë botën, i vë për shtylla argumentimit të vet citate nga njerëz të mëdhenj të botës. Në shkrimin konkret këta janë: Maks Veberi, Solomoni, Ceslav Miloshi, Liza në botën e çudirave, Shekspiri, Poperi, Frojdi, Kanti, Krishti, Rusoi, Heidegeri. Po ta keni vënë re, Lubonja kurrë nuk citon një shqiptar, ndoshta diku mund të ketë cituar qameti-qameti Nolin ose Konicën, por bashkëkohës kurrë në botë. Sepse bashkëkohësit shqiptarë për të janë figura të përçmuara e të urryera, natyrisht me përjashtim të njërit.

Një paradoks të madh vërej, para se të kaloj në veprën konkrete, te këta dy recensionues. Në faturën e gjatë që i tregojnë Ramës nga e kaluara e tij, për ta skualifikuar si autor, ata theksojnë përçudnimin që u ka shkaktuar ky politikan mediave shqiptare. Shkruan Lubonja: “kohët kanë ndryshuar, por jo pa pasoja të rënda kur ke parasysh shkatërrimin që i shkaktoi Tiranës apo sistemin e tmerrshëm mediatik që krijoi nëpërmjet pushtetit të tij“. Ndërsa Shkullaku: “Edi Rama jo vetëm që nuk u bë shembulli i hapjes së politikës, por e mbylli atë edhe më shumë, korruptoi gati të gjitha mediat, majtas e djathtas“. Kush nuk i njeh këta dy personazhe, do të mendojë se ata punojnë, nga pozicioni i pastër ku shkruajnë, për media alternative, të paprekura nga sistemi korruptiv dhe i tmerrshëm mediatik që ka lënë pas Edi Rama. Mirëpo në të vërtetë punojnë të dy për mediumin “privat“ më të kapur e më proqeveritar që është vënë re ndonjëherë në këtë vend: Lubonja si emblemë e emisionit Opinion, Shkullaku si përgjegjës i “klan“ Kosovës; për të vargjet e Migjenit do mund të përshtateshin fare kollaj: ‘për kët’shërbim i ka thanë Franga, pa i lanë n’fytyrë, çarçafë e ndërgjegje danga’.

E pra, nëse autori i “Kurbanit“ do të ishte një herë i pabesueshëm për ndonjë objektivitet në librin e tij, recensionuesit e “Kurbanit“ janë dhjetë herë të pabesueshëm nga llogorja mediatike prej nga e sulmojnë.

Po unë ç’pata në këtë mes? Desha të kundërshtoj gënjeshtrat e Lubonjës? Jo, kam një arsye tjetër që do ta shtjelloj më poshtë, por meqë ra fjala për gënjeshtrat, njërën do ta hedh poshtë. Lubonja shkruan se “Asgjë nuk ka të vërtetë në atë që thotë Rama se ai u fut rastësisht në politikë, më 1998-n… Edi Rama po përgatitej (me servilizma pa fund ndaj Nanos, së bashku me sivëllain e tij, Ardian Klosin) të bëhej ministër“.

Jetoja ato kohë, në muajt e parë të vitit 1998, në Mynih, të ardhurat e mia në marka luhateshin nga 5000-7000 euro në muaj me të sotmet, përpara kisha një karrierë mjaft premtuese universitare. Nga shkurti-marsi filluan telefonatat e Edit nga Parisi, meqë nga njohja e tij me Fatos Nanon kishte lindur ideja që të ktheheshin disa si ne në Shqipëri e të jepnim një dorë në shtetin e sapongritur nga rrënimi i 1997-s. Ngurrimi im ishte tepër i madh, por pse ta mohoj: i madh qe edhe tundimi për të ikur nga një strehëz sa e ngrohtë aq edhe monotone, për t’i hyrë diçkaje që dukej vërtet e madhe, një shansi që të jepet ndoshta vetëm një herë në jetë. E kështu e lamë me Edin të shkojmë njëherë në Tiranë në fillim të prillit e të shohim gjendjen. Erdha në Tiranë me gjithë familjen… mirëpo Edi nuk erdhi. Kuptova që lëkundja e tij për të lënë Parisin ishte edhe më e madhe se imja për të lënë Mynihun. Mirëpo tamam ato ditë ndodhën ato që dihen, vdekja e Kristaqit, ardhja e Edit, ristrukturimi i qeverisë, emërimi i tij ministër etj. Nuk kam pse dëshmoj më shumë për të kundërshtuar gënjeshtrat e Fatosit, servilizmat që i paskam bërë Nanos unë, njeriu që pranoi të bëhej drejtor i RTSh-së me 50.000 lekë rrogë në muaj duke shitur gjithçka kishte në Gjermani, që përktheu kushedi sa libra të botës, kur Fatosi grinte sallatë nëpër Opinione, për të rritur fëmijët e pikërisht për të mos iu servilosur askujt.

Ndërkohë që e dhashë të kuptohet pse është aq i rreptë në sulmin e tij Shkullaku (Franga), për Fatosin nuk e kemi përcaktuar ende shkakun e rreptësisë ndaj Edit: bindja ime personale – dhe është personale edhe pse i njoh aq mirë personalisht të dy personazhet në fjalë – është që Edi Rama në shumë pikëpamje është pasqyra e dështimeve të Fatosit, si politikan, si publicist, në fund të fundit si njeri që ndërton diçka në jetë. Edhe Fatosi hyri në politikë në 1997-n si drejtues i Forumit për Shpëtimin Kombëtar; mirëpo ndërkohë që bridhte nëpër Europë (kam qenë dhe vetë prezent) për t’i treguar Perëndimit se çfarë satani ishte Sali Berisha, se si duhej të na ndihmonin për ta shporrur, Nano me Gjinushin i vunë stërkëmbëshin dhe e mënjanuan nga pushteti. Shqiptarët e mbajnë mend njeriun që u fliste si prijës e tribun nëpër mitingje në shkurt-mars 1997, por që pastaj u tërhoq për t’iu dalë përfundimisht vetëm në kutitë e ekraneve si opinionist. Mund të jetë që Fatosi e kundërshton kryekëput profesionin e politikanit, si një profesion që të bën pis medoemos, po atëherë pse i hyri në 1997n? Në qoftë se kjo bindje iu përforcua më vonë, pse qëllon me kaq egërsi një politikan që në fund të fundit përfaqëson shpresën e 50% e më shumë shqiptarëve që gjërat të ndryshojnë, që Shqipëria të ndalet në rrokullimën e vetëshkatërrimit, shitjes, degradimit moral e varfërisë materiale? Unë them pikërisht pse janë ata kaq shumë, pse do kishte dashur edhe ai ta brohorisnin e t’i vinin pas aq shumë vetë siç i shkuan bie fjala Edi Ramës paraditen e 28 janarit në marshimin e përmortshëm në bulevard. Por Fatosit ma do mendja se as 5% e shqiptarëve nuk do t’i shkonin pas. Po njësoj ndodh edhe me librat që shkruajnë: ndërkohë që, sipas botuesit, “Kurbani“ ka shitur deri më sot mbi 15.000 kopje, libri “Nëntëdhjetëeshtata“ e Lubonjës, botuar vjet, s’e besoj që ka shitur më shumë se 150 kopje. Me syrin e njohësit mund të them se publicistika e njërit rri te publicistika e tjetrit siç rri bie fjala “Shqipëria si m’u duk“ e Konicës me shkrimet e Mihal Gramenos ose Muço Qullit, ose, po të nisem nga fjalori që ka njëri e tjetri në arsenal, siç rri “Lahuta e Malësisë“ së Fishtës me “Evëtarin“ e Naum Veqilharxhit.

Po kthehem tani në fund tek ajo që pata unë me “Kurbanin“ e që do kisha dashur të ishte në fillim, por ja që sot metodat e manipulimit të opinionit publik janë bërë aq të stërholluara sa duhen çmontuar ato njëherë pa të fillosh nga puna.

Nuk admirova në këtë libër kapitujt që përshkruajnë historinë e suksesit në Bashkinë e Tiranës, sepse gjërat e mira dhe gjërat jo të mira që la pas nga 11 vjet administrim bashkie Edi Rama janë të dukshme dhe s’kanë nevojë për libër, sepse e di sa lehtë mund të hyjë këtu tregimi i njëanshëm, qoftë dhe vetëm nëpërmjet metodës selektive që evidenton një palë faktesh e lë në heshtje një palë tjetër (ky dreq mosbesimi më bën që të mos lexoj asnjëherë memuaristikë). Nuk admirova madje as gjuhën si gjuhë, siç po bëjnë këto ditë shumë vetë të mahnitur nga ajo, sepse edhe gjuha më e rafinuar dhe më e pasur kur nuk përdoret për të vërtetën, është një bllof e një shëmti, një çorape mëndafshi që mbështjell një m…; lexova me ëndje portretet e autorit për politikanë si Berisha, Nano, Meta, deri dhe episodikë si Memushi, ngaqë janë tepër të goditur për të mos qenë të vërtetë; por u mbërtheva e m’u mor fryma nga portreti kryesor i librit, nga ai që recensionuesit në fjalë e lënë krejt në heshtje: portreti i Shqipërisë. E lexuan vallë ata tablonë që u ka bërë Edi Rama aty nga fundi i librit qyteteve tona? Po të përdorja metaforën e autorit për Elbasanin, kjo është Shqipëria që fle në një shtrat me të vdekurin. Është Shqipëria që nuk përtërin vetveten, që ka lënë djerrë fushat e saj, që nuk lulëzon as në bujqësi as në prodhime industriale, që nuk di ta mbajë rrobën e mrekullueshme që i ka falur natyra, por që e çjerr këtë rrobe përditë e më keq, një vend që ka braktisur prodhimtarinë e vet natyrore-historike dhe ka dalë në ankand! Po po, e kanë nxjerrë për ta shitur me copa të vogla e copa të mëdha; po ia heqin me koncesione gjiret, gadishujt, ishujt, po ia rrjepin kodrat për fabrikat e çimentos, po ia shëmtojnë lumenjtë me koncensione hidrocentralesh (400 ka premtuar Berisha), ia shkulën tani vonë krejt shtratin e Erzenit, nga Iba në Farkë, për të shtruar diagonalen e Karrëfurit, në vetëm një vit ia shkatërruan Tiranës dy kanionet më të bukura që kishte në periferi, atë të Tujanit dhe atë të Erzenit, pa do t’ia mbyllin edhe gropat natyrore ose gropat e rezervuarëve të braktisur me plehrat e importuara nga Italia, pa po privatizojnë edhe hidrocentralet, e fundit pasuri që i kishte mbetur shtetit për të treguar njëfarë personaliteti. Një vend dalëngadalë i marrë në duar prej mafies së çimentos dhe mafies së plehrave, një vend që prodhon pallate dhe vetëm pallate, që nxjerr zorrët e veta jashtë për të hedhur beton mbi vendet më të bukura që ende i kanë ngelur, një vend të cilit i kanë mbetur në dorë dhjetëra mijëra apartamente të pashitura ku janë shpëlarë kushedi se sa miliarda nga tregtia e miellit. Dhe del një politikan që ngre zërin, për herë të parë ngre zërin e vet të fuqishëm kundër këtij shëmtimi, kundër këtij vetëshkatërrimi, për një Shqipëri me një fije dinjitet, për një Shqipëri që mundet kushedi të fillojë një ditë kthesën dhe të nisë përtëritjen, të nisë prodhimin e vërtetë nga qelizat e saj – jo të shkatërrojë këto qeliza për të nxjerrë pluhur çimentoje e për të gëlltitur tonelata plastike. Dhe ky zë del prej përfaqësuesit të një force opozitare, së cilës i kanë besuar votën e tyre të paktën gjysma e shqiptarëve. Një force që nuk ka nguruar ta shpallë publikisht se, me të ardhur në pushtet, do shfuqizojë ligjet antikombëtare që së keqes po ia hapin rrugën edhe juridikisht.

Gjeta shpresën te ky libër, prandaj fola. U ngritën disa recensionues dhe thanë: mos i besoni autorit se është gënjeshtar profesionist. Mirëpo fjalët dhe librat maten me realitetin: ky na tregon nëse do t’i duam apo do t’i hedhim ato tutje. Kurse fjalët dhe recensionet që qëllojnë pikërisht të tillë libra, s’janë as më shumë as më pak por dëshira për të ruajtur status quo-në dhe ngërdheshja cinike e Berishës e shtrirë mbi mediat tona.