Arben Rrozhani, 12.08.2010
Në fund të vitit 2009, ndërsa mbronte projektbuxhetin e vitit 2010, Sali Berisha do të deklaronte me pompozitet se do të ndërtonte dy tunele në rrugën e Arbërit, një tunel për rrugën Tiranë-Elbasan dhe dy tunele për Boshtin e Jugut”. Sigurisht në të ardhmen, sepse këto vepra të kushtueshme nuk ishin paraparë për t’u financuar nga buxheti i shtetit në vitin 2010.
Sipas të dhënave të buxhetit të prezantuar në Kuvend, Ministria e Punëve Publike Transporteve dhe telekomunikacioneve do të investonte 32 miliardë lekë në vitin 2010, nga të cilat 12.7 miliardë do të përdoreshin për ndërtim rrugësh të reja, ndërsa pjesa e luanit do t’i shkonte sërish rrugës së “kombit” asaj Rrëshen-Kalimash, që ka ngrënë prej vitit 2006, 60 për qind të investimeve në infrastrukturë.
Por në muajin e shtatë të vitit 2010, qeveria e mbetur pa lekë u detyrua të rishikonte buxhetin e shtetit dhe viktima e parë ranë investimet publike në shumë sektorë jetikë të ekonomisë së vendit, sidomos infrastruktura.
Ndërsa ishte premtuar që të mbaronte në vjeshtë Shkurtimet e investimeve publike në gjysmën e dytë të vitit do të lënë pa përfunduar rrugën Durrës-Kukës, që sipas premtimeve të qeverisë duhet të dorëzohej totalisht e mbaruar në vjeshtë.
Mbledhja e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financës në 21 korrik 2010 tregoi se qeveria, në mungëse të masave antikrizë, që duhet t’i kishte marrë dy vite më parë, tani kur kriza është ulur këmbënkryq në ekonomi, me rënie të fortë të të ardhurave në buxhet, do të ulë ndjeshëm investimet në infrastrukturë, duke lënë shumë projekte pa u mbyllur.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të publikuara në komisionin parlamentar, janë 37 projekte në rrugë të shtrira në gjithë territorin e vendit, që janë pezulluar si pasojë e shkurtimeve buxhetore që ka bërë qeveria.
Rruga Durrës-Kukës, e parashikuar të mbaronte në 2009 nuk do të përfundojë as këtë vit, sepse rreth 10 miliardë lekë të dhënë janë harxhuar në gjysmën e parë të vitit.
Nuk do të ketë fonde edhe për rrugën e shndërruar në kantier, atë Milot-Fushë Krujë, të quajtur “autostrada e vdekjes” për numrin e madh të aksidenteve, do të pezullohet ndërtimi i ‘by pass’-it Plepa Kavajë-Rrogozhinë në dy lote, për rrugën Tepelenë-Vlorë në lotin e parë, e cila në buxhetin e fillim-vitit ishte parashikuar për tu sistemuar dhe asfaltuar këtë vit.
Në mbledhjen e komisionit janë ftuar disa zyrtarë që përfaqësonin ministritë dhe drejtoritë si Milbana Tole, Franc Brahimi dhe Dorian Teliti nga Ministria e Financave dhe Andi Toma, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, MPPTT dhe siç shihet nga përgjigjet e tyre, justifikimi për ngecjen e punëve në rrugët e hapura të vendit është mungesa e fondeve.
Debatet në mbledhjen e komisionit të Ekonomisë dhe Financës, në 21 korrik për ndryshimet në buxhetin e vitit 2010
21 korrik 2010
Drejton mbledhjen:
Edmond Spaho – kryetar komisioni
2. Shqyrtimi nen për nen i projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10190, datë 04.12.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”.
1. Investimet
2. Borxhi
HAPET MBLEDHJA
Miratohet procesverbali.
Edmond Spaho – Hapim mbledhjen për të diskutuar projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10190, datë 04.12.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”, nen për nen. Sot kemi lënë për të diskutuar për investimet dhe për borxhin.
Në lidhje me këtë çështje kemi të ftuar përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, zotin Andi Toma.
Kush ka pyetje për këto çështje?
Albert Çaçi – Zoti drejtor i Drejtorisë së Rrugëve, dua të di nëse këto shkurtime prekin akset Levan-Tepelenë dhe Levan-Vlorë? Në çfarë niveli është puna për financimin e bypass-it të Fierit, Fier-Levan? A do të garantohet ecuria e punimeve?
Andi Toma – Ndryshimet që pëson ligji “Për buxhetin” nuk prekin aksin që ju përmendët. Për sa i përket bypass-it të Fierit mund t’ju them se tashmë është kapërcyer pezullimi, që ishte për shkak të parkut të Apolonisë. Po punohet për të bërë punimet përkatëse të projektit dhe në bazë të kësaj do të bëhet edhe tenderi. Shpresojmë që brenda vitit të shpallet gara për kompanitë pjesëmarrëse.
Erion Braçe – Sa para janë paguar deri tani për rrugën Levan-Vlorë?
…
Florjon Mima – Cilat janë segmentet ose akset që kanë përfunduar tërësisht dhe ato që janë duke u bërë në këto momente që flasim?
Ervin Koçi – Edhe unë kam dy pyetje, zoti drejtor.
Pyetja e parë ka të bëjë me fondin e shpronësimeve për autostradat që janë në projekte dhe për ato që janë duke u zbatuar. Më konkretisht për autostradën Levan-Tepelenë, ku po bëhen rreth 2 vjet që banorëve të zonës u është zënë toka dhe ende nuk janë shpronësuar. A keni fond shpronësimi për 6-mujorin e dytë? Si do të operohet me këtë fond, nëse ka?
Pyetja e dytë lidhet me rrugën Levan-Vlorë, për të cilën shumë herë kemi parë në media protestat e nënkontraktorëve dhe të punonjësve, të cilën po bëjnë një vit pa marrë pagesat për punën që kanë kryer. Firma PALMIR dhe një tjetër kanë rreth 1,3 milionë euro pa marrë nga punët që kanë kryer në këtë segment.
…
Edmond Spaho – Urdhëroni, zoti Braçe!
Erion Braçe – Zoti drejtor, unë dua të di projektin ose financimin për rrjetin e rrugëve nacionale në ndërtim, në sistemim-asfaltim dhe më pas në segmente të tjera që kanë qenë të parashikuara në ligjin “Për buxhetin”.
Sa projekte preken nga shkurtimi i fondeve? Sa fonde shkurtohen konkretisht? Në rast se ju mund të na jepni zërat e projekteve për ndërtimin e rrugëve ose për sistemimin e asfaltimin e tyre do të ishte edhe më mirë, në mënyrë që ne të jemi të qartë se ku shkurtohen dhe si do të shkurtohen fondet.
Pyetja tjetër lidhet me atë kërkesë që ne kemi paraqitur që në fillim të diskutimit të buxhetit. Në ligjin “Për buxhetin”, në tabelat që e shoqërojnë atë dhe në detajimin e investimeve, thuhet që për rrugën Rrëshen-Kalimash këtë vit ishin planifikuar 3 miliardë lekë të reja. Unë dua të di sa ka shkuar vlera e financimit për këtë vit, deri tani, për këto 6 muaj?
Sa ka shkuar vlera e paguar në total e financimit të ndërtimit të kësaj rruge nga fillimi i saj deri tani në fund të 6-mujorit? Nëse kemi një prognozë, dua të di edhe sa para të tjera duhet të shpenzohen që kjo rrugë të përfundojë plotësisht?
Pyetjen për rrugën e Vlorës besoj se e morët më parë. Për këtë rrugë, dua të di se sa para janë paguar deri tani nga thesari për kompaninë ALPIN që është investitore atje.
(Diskutime në sallë.)
…
Pyetja e tretë që kam lidhet me segmentin Levan-Tepelenë. Unë do të doja të dija se sa është paguar deri tani për të dy lotet e këtij segmenti? Në çfarë niveli janë punimet atje?
Falemnderit!
Edmond Spaho – Zoti Toma, duke marrë në konsideratë ndryshimet, a mund të më bëni një përmbledhje se në cilat objekte, që janë vazhdim nga viti 2009, do të punohet? Cilat janë objektet e reja që do të fillohen gjatë vitit 2010 në fushën e infrastrukturës? ….
Andi Toma- Pyetja e parë. Sa para janë paguar për segmentin rrugor Levan-Vlorë?
Kostoja totale e projektit është 45 milionë euro. Afati i përfundimit është qershori i vitit 2011. Deri tani janë paguar 22 milionë euro.
Pyetja e zotit Malaj. Cilat janë vonesat që kanë ardhur nga zëvendësimi i kompanisë zbatuese?
Vetë pyetja nuk është e saktë, sepse nuk ka zëvendësim të kompanisë zbatuese. Vazhdon po ajo kompani që ka kontratën me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.
(Diskutime në sallë.)
Kontraktori kryesor është ALPINE, nënkontraktor është AEGEG, kompani greke.
(Zoti Malaj flet pa mikrofon.)
Kontraktori është po ai.
Edmond Spaho – Merrni përgjigjet për pyetjet që u bënë. Nëse do të keni pyetje të tjera, jeni të mirëpritur t’i bëni.
Andi Toma – Pyetja tjetër e zotit Malaj ishte: a ka projekt për unazën e Vlorës? Është e vërtetë, sidomos gjatë periudhës festive, krijohet një ngërç, por, normalisht po të përdoret Rruga Transballkanike, ky ngërç do të lirohet. Gjithsesi ne mendojmë se është i nevojshëm të bëhet një bypass për këtë qytet.
(Zoti Malaj flet pa mikrofon.)
Jemi në korrespondencat tona me donatorë. E kemi bërë edhe si kërkesë.
Pyetja tjetër. Cilat janë akset që kanë përfunduar? Cilat janë akset në proces.
Pyetja është e gjerë dhe mund të flitet shumë. Kanë përfunduar një sërë aksesh kryesore, ku mund të përmendim rrugën e bregdetit; është pothuajse në përfundim aksi Milot-Morinë. Kjo është edhe pjesë e pyetjeve të deputetëve.
Pjesa më e madhe e kësaj rruge përbëhet nga aksi Rrëshen-Kalimash. Mund t’ju informoj se ky aks dhe tuneli, në të cilin një pjesë e mirë juaja keni kaluar, është hapur. Është hapur edhe tuneli i jugut. Vetëm ditën e shtunë kanë kaluar rreth 11500 automjete. 90% e tuneli të veriut është përfunduar. Me afatin dhe grafikun e punimeve të sjellë nga kontraktori, brenda muajit tetor do të vihet në shfrytëzim.
Siç e dini një pjesë mirë e hyrjeve kryesore të qyteteve janë përfunduar. Këtu mund të përmend unazën e Korçës, hyrjen e Sarandës, hyrjen e Fierit. Çdo deputet në këtë sallë nuk ka më pak se një aks rrugor të përuruar ose në proces punë në zonën e tij.
Lidhur me pagat e punonjësve të nënkontraktorëve në rrugën Levan-Vlorë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk hyn në marrëdhënie që nuk ka në juridiksionin e vet. Nuk ka asnjë lloj tagri as të ndërhyjë, as të bëjë arbitrin dhe as gjykatësin.
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka marrëdhënie kontraktore me kontraktorët. Në bazë të propozimit të kontraktonit, ajo njeh nënkontraktorët përkatës kundrejt përqindjes së përcaktuar nga dokumentet e donatorëve, që konkretisht është më pak se 30%.
Për rrjedhojë nuk mund të marr asnjë përgjegjësi për ndonjë situatë që mund të jetë krijuar në lidhje me pretenduesit për pagesë ose për mospagesë.
Sa projekte preken nga shkurtimi i fondeve? Kjo është pyetje që gjen ezaurimin e vet me shkresën që ju dhamë.
…
Erion Braçe – Unë kam bërë një pyetje dhe ju e mbajtët shënim. Në buxhetin e vitit 2010 ju keni planifikuar 3 miliardë lekë të reja për ndërtimin e rrugës Rrëshen – Kalimash. Unë pyeta se sa janë harxhuar nga këto para gjashtë muajit e parë të vitit. Pyeta se sa ka shkuar financimi total i kësaj rruge deri tani dhe a ka ndonjë parashikim se sa do të shkojë deri në tetor, kur ju thoni se mbaron rruga.
Andi Toma – Unë iu përgjigja pyetjeve tuaja me një përgjigje të shpejtë. Unë e kam mbajtur shënim pyetjen tuaj dhe një pjesë të pyetjeve që nuk u jam përgjigjur.
…
Arben Malaj – …Kur unë pyeta për problemin e Vlorës, vetëm ju nuk e dinit, sepse vetë ministri juaj e di, madje shkoi atje në mënyrë të gëzueshme dhe tha: “E hoqëm një nënkontraktor që na pengoi shumë në Vlorë dhe kemi marrë një shumë të mirë” ashtu sikurse ajo rrugë, e cila nuk është ndonjë investim i madh i investimeve publike, ka nisur në shkurt të vitit 1997 dhe nuk është përgjegjësia juaj.
Ka nisur dhjetë ditë përpara zgjedhjeve të pushtetit vendor të vitit 2007, shkuan dhjetë traktorë dhe dy makina dhe mbeti një vit pa filluar.
Unë ju pyeta pse atje ka pasur vonesa.
Problemi i dytë shqetësues që kam edhe si deputet, jo vetëm në Vlorë, por edhe në Delvinë, është se ju keni filluar investimet dhe ato shkojnë nga pesë deri në dhjetë vjet. Lihen zvarrë dhe në momentin kur bëhet traseja e rrugës ndahen pronat, infrastruktura rurale, vaditëse dhe gjithë infrastruktura bujqësore, një pjesë e saj shkatërrohet dhe banorët kanë një sërë problemesh për kohëzgjatjen e investimeve, siç janë ato që kanë të bëjnë me efikasitetin e investimeve publike, prandaj unë mendova se ju, së pari, si Drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve të vendit tim nuk e keni ende luksin, as Qeveria juaj, as ne si deputetë që të jemi kaq shumë krenarë se gjithçka është ashtu siç duhet të ishte.
Nuk po flas për aksidentet, por për nivelin real të infrastrukturës. E dyta, këto ndodhën në një vit kur janë shkurtuar tri herë më shumë se mesatarja e shkurtimit investimet publike, gjë që krijon impakt negativ.
E treta, po përmend edhe rrugën Levan – Tepelenë, marrëveshja financiare është nënshkruar në vitin 2005 dhe ajo u zvarrit dy vjet e gjysmë, një herë për të kaluar nga Berati, pastaj nga Kuçova dhe për t’u kthyer përsëri atje ku ishim.
.Edmond Spaho – Në lidhje me komentet që u bënë nga disa kolegë të opozitës, do të doja të përmendja dy shifra.
E para, për sa u takon ndryshimeve në buxhet në sektorin e infrastrukturës, pavarësisht shkurtimeve që bëhen, niveli ngelet 69 miliardë lekë, që është dyfishi i vitit më të mirë të qeverisjes socialiste, që ka qenë viti 2004 me 38 miliardë lekë.
…
Sherefedin Shehu – E njëjta gjë është edhe kjo që u tha këtu, 30 miliardë investime. Kjo është e vërtetë. Ato janë shifra të publikuara nga Qeveria.
Çfarë fshihet pas kësaj? Prapa kësaj është fakti që 26 miliardë lekë, të cilat kanë qenë për privatizime strategjike, u përdorën për investime. Janë 26 miliardë lekë që nuk do të vijnë më. Është e natyrshme që do të uleshin investimet, edhe në vitin më të mirë të performancës fiskale të Shqipërisë. Por duhet të shikojmë përqindjen kundrejt GDP-së, a është më e lartë.
Ky fakt tregon që, e para, efektiviteti i të ardhurave është i lartë dhe, e dyta, efektiviteti i borxhit është i lartë, sepse merret borxh vetëm për investime. Fakti më i dukshëm është që këto investime që bëhen pas shkurtimeve, janë sa dyfishi i investimeve të vitit 2005.
Seanca e pasdites
Mimi Kodheli – Problemet përgjithësisht dolën, me përjashtim të një materiali që unë insistoj ta kem me shkrim. Unë e di që faturat e rrugës Durrës-Kukës nuk kalojnë nga Ministria e Financave.
Arben Malaj – Ne kemi të dhëna që ata kërkojnë 60 mijë dollarë në ditë, por ngaqë negocioi fort Qeveria, e ulën në 45 mijë.
Mimi Kodheli – Ne menduam që për aq kohë sa drejtori i rrugëve pyetet për një faturë dhe përgjigjet se sa mijë kamionë kanë kaluar te rruga dhe se sa e bukur është bërë rruga, gjë që më është dukur shumë e rëndomtë.
Duke mbajtur objektivitetin maksimal kjo nuk mund të jetë një përgjigje serioze e një punonjësi të shërbimit civil. Ne ramë në një konsensus me kolegët që të thërrasim edhe përfaqësuesit e firmës BECHTEL, me qëllim që të na japin sqarime lidhur me faturën. Meqenëse nuk e marrim dot këtë informacion nga Qeveria jonë.
Për aq kohë sa e thërret Parlamenti, unë mendoj se edhe ne mund ta thërrasim, jo për ta vënë përpara një kryqi, por për t’u informuar se ku është BECHTEL-i sot me pagesën e faturave dhe me punimet e bëra. Unë thirra drejtorin e Përgjithshëm të rrugëve dhe më tregoi se sa kamionë kanë kaluar. Unë mund të them se, zoti Toma, ka qenë shef i prokurimeve gjatë kohës që është prokuruar rruga, pra është në dijeni të plotë të atij procesi.
Edmond Spaho – Fjalën e ka zoti Teliti.
Dorjan Teliti – Për sa i përket tunelit Rrëshen-Kalimash, planifikimi vjetor ka qenë 14 miliardë lekë për vitin 2010.
Gjatë muajve janar-shkurt, kur u bënë ngrirjet e fondeve buxhetore me urdhër të financave në masën 20 miliardë lekë, ku njëkohësisht është prekur edhe Ministria e Transporteve. Në ridetajimin që kanë sjellë në fund të muajit shkurt, Ministria e Transporteve ka vendosur që nga 14 miliardë lekë, 11 miliardë lekë të mbahen efektive, kurse 3 miliardëshin lekë të jetë të ngrira.
Për vitin 2010, 11 miliardë lekë janë disbursuar. Shifra që thoshte zoti Braçe ndoshta konfondohej me 3 miliardin e pjesës së ngrirë. Ishte ngrirje. Tashmë, me buxhetin e ri Ministria e Transportit, te rrugët nacionale, planin fillestar e ka 27 miliardë lekë. Rrjeti i rrugëve nacionale, miratuar në buxhet në muajin janar, ka pasur një financim të brendshëm prej 27 miliardë lekë.
Pas ngrirjeve prej 20 miliardë lekësh në total, ky program ka kaluar në 18.5 miliardë lekë. Meqenëse kanë prioritet rrugët nacionale, do të bëhet një shkrirje e fondit të ngrirë. Rrjetit të rrugëve nacionale do t’i shkrihen 3.4 miliardë lekë. Ne shpresojmë që planin fillestar prej 4 miliardë lekësh për rrugën Rrëshen-Kalimash ta realizojmë të gjithin brenda vitit. 3 miliardë i kemi ngrirë dhe do t’i shtojmë 3.4 miliardë lekë.
Edhe pse plani është 27 miliardë lekë, të çelura në sistem të thesarit janë 18.5 miliardë, kurse pjesa tjetër është e ngrirë. Ne do të kalojmë nga 18.5 miliardë në 21.89 miliardë lekë. Nëse ne ecim me planin që ekzekuton Ministria e Financave, për rrjetin e rrugëve nacionale, kemi një ngritje të planit, pavarësisht se nga plani fillestar ne kemi një ulje.
Por nga plani që ne ekzekutojmë në sistem të thesarit (të ndarë në 12 muaj përkatës), ne kemi një rritje prej 3.4 miliardë lekësh.
Mendohet që pjesa kryesore do të vazhdojë të financojë rrugën Rrëshen-Kalimash, për të arritur dhe për të mos cenuar planin fillestar prej 14 miliardë lekësh. Ky është informacioni për vitin 2010.
Nuk mund t’ju jap informacion për faturën totale, sepse nuk e disponoj të plotë, por mund t’ju them për vitin 2010.
Arben Ahmetaj – Edhe njëherë, se nuk arrita ta dëgjoja mirë. Për rrugën Durrës-Kukës the se ka qenë fond i çelur prej 14 miliardë lekë dhe u ngrinë 3 miliardë lekë në muajin dhjetor. Kanë ngelur 11 miliardë lekë. A janë lëvruar këto 11 miliardë lekë deri tani? Çfarë keni planifikuar deri në fund të muajit dhjetor?
Dorjan Teliti – Për planin e çelur efektiv pas ngrirjeve, nuk ka ngelur gjë. Pra, për rrugën Rrëshen-Kalimash u bë kërkesa nga Ministria e Punëve Publike në Ministrinë e Financave që fondi prej 14 miliardë lekësh të detajohej në dy pjesë: 11 miliardë të çelura për t’u ekzekutuar gjatë vitit 2010 dhe 3 miliardë të ngrira. Ministria e Financave, në kuadër të rishikimit të buxhetit, përveç pikësimeve që ka bërë në institucionet buxhetore, ka shtuar disa fonde në disa programe të caktuara.
Arben Ahmetaj – Për rrugën Rrëshen-Kalimash çfarë ka ngelur aktive?
Dorjan Teliti – Zero aktive. 11 miliardë të çelura dhe 11 janë ekzekutuar nga Ministria e Financave, nga degët e thesarit. Meqenëse plani fillestar ka qenë 14 miliardë lekë, ne e kemi marrë parasysh këtë gjë dhe fondet për rrjetin e rrugëve nacionale ne do t’i shkrijmë në 3.4 miliardë lekë.
Do të shkrijmë edhe 1 miliardë lekë për ujësjellës-kanalizime. Për ecurinë e punimeve duhet të përgjigjet drejtoria e rrugëve, pasi ne merremi me financimin e rrugëve, si dhe të çdo lloj objekti në bazë të kërkesës së ministrive përkatëse.
Asfalti elektoral, për rrugët gjysma e financimeve të 2009
Projektbuxheti i vitit 2010 ishte hartuar, duke treguar se shumica e buxhetit të shtetit, por edhe borxhet e marra nëpër banka me anë të kredive tregtare, ishin vënë në shërbim të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Krahasuar me vitin elektoral 2009, në 2010-ën
Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit iu shkurtuan fondet, ndërsa investimet do të ishin sa gjysma e një viti më parë, sepse shteti do të jepte në 2010-n, rreth 16.2 miliardë lekë më pak se në 2009. Zyrtarisht alibia ishte mbarimi i punimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash, dhe në disa segmenteve të tjera të rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
Ministria e Punëve Publike parashikonte të merrte rreth 45.3 miliardë lekë, ku investimet publike nga buxheti i shtetit do të ishin 25.8 miliardë lekë, kurse me financim të huaj rreth 14.3 miliardë lekë.
Prej vitit 2006 buxheti kishte dhënë për çdo vit nga 25 miliardë vetëm për rrugën Durrës-Kukës-Morin, kurse në 2010 në total buxheti për rrugët nacionale do të ishte
rreth 30 miliardë lekë, ku ishte parashikuar rehabilitimi dhe ndërtimi i 82 km rrugë të rrjetit kryesor, 67 km të rrjetit kombëtar dhe asfaltimi i 288 km të tjera.
Sipas tij, disa qindra kantiere në 6 muajt e parë të këtij viti elektoral, ishin të pambuluar me financim dhe po hapeshin thjesht dhe vetëm për të ndikuar në mënyrë të rreme sjelljen politike të votuesve, tashmë janë realitet.
Por sipas një denoncimi të deputetit Erion Braçe, anëtar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financës, prej zgjedhjeve të kaluara, qeverisë i janë mbaruar lekët dhe në të gjithë vendin kantieret janë pa fonde. Sipas tij, që i referohej faqes zyrtare të MPPTT-së, në portalin e prokurimeve, nga 39 rrugë të planifikuara për vitin 2010, në 35 prej tyre u lëvruan vetëm 1 milion lekë të reja fonde për secilën.
Dhe kjo sipas Braçes ndodhte kur në portalin e prokurimeve, të Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderët për këto rrugë kapin vlerën e mbi 20 miliardë lekëve, si p.sh. ato për 7 lote të segmentit Plepa-Rrogozhinë, ku janë tenderuar 6.2 miliardë lekë, kur në faqen e MPPTT-së, deklarohen të çelura 7 milionë lekë, apo për aksin Fier-Mallakastër, ku janë janë tenderuar 170 milionë lekë, kur në faqen zyrtare të MPPTT-së, deklarohen të çelura vetëm 2 milionë lekë.
Sipas shifrave të paraqitura nga Braçe në ligjin për “Buxhetin e Shtetit 2009”, në programin e investimeve të MPPTT-së, zëri ndërtim rrugësh kombëtare kishte 36.8 miliardë lekë, zëri “sistemim-asfaltim” ka 1.009 miliardë lekë, pra në total një buxhet prej 37.8 miliardë lekë, ku 34 miliardë lekë i merrte segmenti Milot-Morinë.
Qeverisë i mbeteshin vetëm 4.4 miliardë lekë për rrugën Plepa-Rrogozhinë, Rrugën e Arbrit, 29 akse të tjera kombëtare të tenderuar dhe me kantiere të hapura, në mungesë të të paktën 20 miliardë lekëve.