Atentat ndaj rekomandimeve perëndimore për vizat

0
44

Nga Mero Baze

Zyrtarët me të lartë të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit politikë të tij, janë të angazhuar seriozisht që procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë të ndodhë, dhe për këtë po menaxhojnë jo vetëm problemet që mund të prodhojë politika shqiptare, por edhe ajo rajonale. Ata janë duke këshilluar serbët dhe maqedonasit të kenë kujdes me shkeljen e rregullave të Shëngenit, për të mos i prishur punë Shqipërisë dhe janë duke i kërkuar me forcë Tiranës zyrtare të investojë në qartësimin e popullsisë për të mos keqpërdorur lirinë e lëvizjes për të qëndruar në vendet e BE.

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, u detyrua t’i përsërisë politikës shqiptare detyrimin që ka për të sqaruar qytetarët shqiptarë rreth procesit të liberalizimit të vizave. Ky mesazh u vu më shumë në dukje gjatë takimit me presidentin Topi dhe u zhurmua më shumë në takimin me kryeministrin Sai Berisha, i cili vazhdon me retorikën e tij vulgare se kjo është arritja më e madhe që nga koha e Skënderbeut.

Por si po reagon qeveria shqiptare ndaj këtyre paralajmërimeve?

Ka dy zëra në buxhetin e qeverisë që janë ndarë për këtë çështje. Një zë rreth 1 milion euro, që po shkon kryesisht tek një agjenci publiciteti e TV Klan për të qartësuar përmes spoteve mediokre qytetarët se ç’duhet të bëjnë me vizat dhe një shumë prej 2 milionë eurosh, që do ndahen përsëri mes TV Klan dhe një sekseri të PD për të festuar procesin e liberalizimit të vizave. Nëse i heton me vëmendje këto zëra të buxhetit të varfër të qeverisë “për arritjen më të madhe të gjithë shekujve”, kupton se kemi të bëjmë me një atentat ndaj këshillave perëndimore për liberalizimin e vizave.

Kur Perëndimi kërkon që të sqarohen qytetarët shqiptarë për rreziqet e keqpërdorimit të këtij procesi, ata nuk kanë parasysh as qytetarët shqiptarë që kanë viza dhe kanë dalë në Perëndim, as intelektualët shqiptarë dhe as klasën politike. Shqetësimi i drejtohet nivelit të ulët të shoqërisë, asaj më të painformuarës, jo vetëm për Perëndimin, por edhe për vetë shtetin shqiptar. Rreth 40 përqind e popullsisë rurale të Shqipërisë, që ka standard të ulët urbanizimi, është pjesa e cila mund të hedhë në erë këtë proces. Tek kjo pjesë duhet shkuar me kujdes dhe me mjete të menduara për t’ia bërë realisht të qartë se padituria e tyre mund të na prishë punë të gjithëve.

Mënyrat e komunikimit me këtë shtresë të shoqërisë janë të vështira dhe kërkojnë doemos të investohet prej qeverisë. Por qeveria, siç po shihet, në plan të parë ka koncertet masive për të “festuar” për heqjen e vizave. Për një banor të zonave të thella të Mirditës apo Kurveleshit, të Devollit apo të Dibrës, një festë e tillë folklorike, me cingije të pushtetit, që do të përdridhen në skenë, nënkupton vetvetiu një fitore të madhe dhe është një mesazh për të nxjerrë në plan të parë, jo detyrimet ndaj vizave, por lirinë e fituar prej vizave.

Kjo fushatë idiote koncertesh, që po përgatit pushteti, jo vetëm që do t’ua ngulisë në mendje banorëve të zonave të thela të Shqipërisë se s’ka më asnjë pengesë për të shpëtuar nga ferri ku jetojnë, por do tu ngulitet në mendje edhe puna e Skënderbeut, që nuk pyet më për askënd. Ky folklorizëm që po shënon një ngjarje, e cila duhet të reflektojë një ndryshim cilësor të Shqipërisë, në fakt po bën të kundërtën e asaj që po kërkon Perëndimi, po ushqen tek pjesa jo-urbane e Shqipërisë, idenë se tani nuk i ndal dot më askush.

Edhe pse kryeministri jonë nuk është budalla dhe as injorant, po të shikosh fjalorin e tij të këtyre ditëve shikon plot budallallëqe dhe deklarata injoranti, të vetëdijshme për të gënjyer këtë shtresë të popullsisë. Kemi një kryeministër që thotë se që nga shpallja e Pavarësisë, kjo është arritja më e madhe e shtetit shqiptar. Një gënjeshtër e ligë. Pasaporta e shtetit shqiptar gjatë viteve ’20 dhe më pas gjatë Mbretërisë ka qenë një pasaportë dinjitoze, që mund të udhëtoje në çdo vend të botës pa pasur nevojë për vizë. Deri në vitin 1944, qytetarët shqiptarë as kanë pasur problem për lirinë e lëvizjes.

Bile për ironi të fatit, as nga viti 1944 e deri në vitin 1990, Perëndimi nuk ishte pengesë për qytetarët shqiptarë, nëse ata dilnin nga ferri i Enver Hoxhës. Pengesë nga viti 1944 deri më 1990 ishte regjimi komunist i Tiranës. Perëndimi vendosi të kufizojë lirinë tonë për të lëvizur pas vitit 1990, kur Shqipëria u hap. Për arsye të kuptueshme, Perëndimi nuk mund të shqyente dyer t për një shoqëri të zhgënjyer dhe të varfër, që mezi priste të shpëtonte nga ky ferr. Betja për vizat është beteja jonë 20 vjeçare, që megjithë vonesat që shkaktoi Sali Berisha, më në fund na u dha, jo si fitore, por si amnistri.

Tani që kjo dhuratë na u dha, shfaqet sërish kërcënimi i kryeministrit me folklorizmin e tij anektodik, i cili, në vend që të dëshmojë përulësi, modesti dhe qartësi ndaj qytetarëve dhe Perëndimit, po nxit vulgun e shoqërisë që shkon pas koncerteve të tij idiote që të shkulen nga ky vend se më në fund ai ua siguroi të drejtën për të ikur nga varfëria ku i ka zhytur.

Në vend që të harxhojë miliona euro për t’i bindur ata të kuptojnë se ky është një proces që duhet të respektojë vlerat e Europës, që na ka hapur dyert, po u mbush mendjen atyre që kjo është një festë fshati, që ka fituar lirinë për të ikur nga sytë këmbët. Nuk di të ketë gjë tjetër më anti- perëndimore dhe më kundër rekomandimeve të Perëndimit për qeverinë shqiptare pas vendimit për heqjen e vizave. Dhe për ironi të fatit, këtë po e bën njeriu që është përgjegjës, jo vetëm për vonesën e heqjes së vizave, por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët për të respektuar këtë standard të ri perëndimor në shoqërinë tonë.