“Atdheun Veresie”

0
49

REDAKSIONALE, 24 Janar 2013

Nëse i hedh një sy kooncesioneve të cilat ka sjellë sot gazeta “DITA” në vëmendjen e lexuesit, në një këndvështrim të caktuar shkrimi është thjesht një renditje e fakteve të njohura botërisht, të kaluara me procedurë dhe të ditura prej ç’dokujt që ka dashur të informohet në parim me kalimin e këtyre shërbimeve publike me koncesion në duar të privatëve. Por nëse i sheh si bllok-skemë të shtrira në vite atëherë është më e thjeshtë të kuptosh se cili është thelbi i funksionimit të mekanizmit të koncesioneve në vendin tonë.

Në fakt, koncesionet e sjella në vëmendje në shkrimin e sotëm janë vetëm një pjesë relativisht e vogël e totalit të numrit të koncesioneve, por nga pikpamja e fitimeve dhe interesit publik janë më domethënëset. Janë të gjitha aktivitete në fushën e shërbimeve, ndërsa shërbimet që ato ofrojnë janë obligative për tu zbatuar nga qytetarët dhe taksapaguesit shqiptarë. Pra janë aktivitete të cilat “mbushin qypin”, pak a shumë si Drejtoria e Tatimeve, që e ka të garantuar “qypin plot”. Por çfarë ka ndodhur? Këto shërbime në 5-6 vitet e fundit ne i kemi ofruar në kompani private kryesisht të huaja, por me nënkontraktime të rëndësishme të partnerëve shqiptarë. Janë të gjitha të akorduara nga qeveria e demokratëve.

Sa herë që ndonjë faktor publik ka tentuar të flasë kundër këtyre privatizimeve menjëherë nga kampi qeveritar ka ardhur kundërpërgjigja me akuza për “bolshevizëm”, “ komunizëm”, “kundër tregut të lirë” e të tjera si këto. Aq sa çuditërisht në Shqipëri është krijuar një kompleks automatik i ndjenjës së fajit porsa vihet në diskutim menaxhimi dhe administrimi shtetëror i të mirave publike. A thua se në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë u hodhën themelet e para të teorisë së Neoliberalizmit. Ithtarët e mbrojtësit(me gjasë dhe përfitues) të këtyre koncesioneve japin shpesh dy argumente pro këtyre privatizimeve.

Së pari sipas tyre sektori privat bën një menaxhim më efikas të këtyre aktiviteteve. Argumenti i dytë sipas tyre është ulja e ndjeshme e nivelit të korrupsionit si pasojë e efiçencës që imponon biznesi privat. Argumenti i parë, ai i efiçencës më të lartë që vjen si pasojë e menaxhimit nga privatët është një e vërtetë e cila ka dominuar zhvillimin botëror, por është gjysma e së vërtetës. Pasi nëse i qëndrojmë deri në fund kësaj ideje, pra “liberalizimin” e tregut kjo do të thotë se për të njëjtin treg nuk duhet të ketë “ekskluzivitete” por disa faktorë dhe biznese, gara mes të cilëve do të sjellë dhe oferta më të mira për publikun. Në këtë kuptim ndryshe nga sa pretendon lart e poshtë qeveria, nuk ka liberalizuar aspak tregun e këtyre shërbimeve, përkundrazi ka transferuar monopolin shtetëror tek një monopolist individual.

Kjo bën që operatori privat jo vetëm të mos ketë nxitje për përmirësimin e shërbimit(se te ai do shkojnë qytetarët duan-s’duan), por edhe fitimet që pjell shërbimi monopol, të transferohen nga buxheti publik në një konto bankare personale. Argumenti i dytë, ai i uljes së korrupsionit nga menaxhimi privat sërish bie ndesh me “parimin” pasi ndërrmarjet shtetërore kanë nivel të lartë korrupsioni pikërisht për faktin se janë aktivitete monopol dhe pa konkurrentë. Madje kemi dhe shembullin konkret, atë të kompanisë private në Shqipëri që bën kolaudimin dhe kontrollin teknik të automjeteve.

Punonjësit e kësaj kompanie kanë qenë në mënyrë të përsëritur objekt i hetimeve për korrupsion nga prokuroria në Tiranë dhe disa rrethe të vendit. Por përtej argumenteve alla “Chikago Boys” që jep zakonisht qeveria për këto “sadaka të kamura” tek privati, ne kemi shembullin e shteteve të konsoliduara evropiane, të cilat mbajnë ende kontrollin si paketë shtetërore mbi këto lloj shërbimesh. Kuptohet, që administratorët shtetërorë janë të mirëpaguar por edhe të mirëkontrolluar nga të tjera institucione ligjzbatuese në këto vende.

Por me ne shqiptarët po ndodh ndryshe, në emër të liberalizimit jemi duke bërë transferimin e një monopoli shtetëror në një monopol individual duke dhënë “veresie” shërbime dhe aktivitete me fitim të garantuar me ligj e duke nxjerrë jashtë Shqipërisë çdo vit dhjetra miliona euro fitime, e duke iu gëzuar vetëm 10 përqindëshit si taksë e sheshtë që paguajnë monopolistët e preferuar të qeverisë në arkën e shtetit.

Situata bëhet edhe më tragji-komike kur paralel me dhënien veresie të këtyre fitimeve, për rrogat, pensionet apo punë të ndryshme publike, qeveria ka katër vite që është zhytur në një proces problematik të marrjes së borxheve brenda e jashtë vendit, duke patur interesa të kripura në kurriz. Është pak a shumë si në një familje ku i pari i shtëpisë vendos të shesë plaçkën e shtëpisë dhe me lekët e fituara të shkojë e të lozë kumar.