Nga Enver Robelli, 15 Shkurt 2012
Një komb i ri e gjen simbolin e solidaritetit në një tragjedi të madhe natyrore: shpëtimi i Amsera Rekës na tregon se shtetin e mbajnë edhe momentet e veprimit dhe pikëllimit të përbashkët
Ushtarë, policë, zjarrfikës, ndihmës të tjerë, banorë të Restelicës duartrokitën të shtunën mbrëma spontanisht kur prej ortekut të borës u nxor e gjallë vajza pesëvjeçare Amsera Reka. Këtë moment lehtësimi për shpëtimin e një jete njeriu e ndanë, bashkë me njerëzit në Restelicë, edhe qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë saj. Një komb i ri, i dëshpëruar, i shkelur dhe i plaçkitur në mënyra të ndryshme njëherë prej pushtuesit, pastaj prej pushteteve vendore, të shtunën e gjeti simbolin e solidaritetit në një tragjedi të madhe natyrore.
Ky simbol është Amsera Reka, e cila bartej dorë më dorë nga ushtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), një eufemizëm ky për ushtrinë e vendit. Kombin nuk e përbëjnë vetëm trimëritë, historia, kultura, kujtesa, përrallat e këqija dhe të bukura, as heronjtë mbi kalë dhe shtatoret socrealiste të ngritura me skulptorë të importuar. Kombin nganjëherë e mbajnë bashkë, e bëjnë komunitet solidar edhe ngjarjet si kjo e Restelicës.
Përtej kësaj ka edhe diçka tjetër që duket si shenjë e kohezionit që po krijohet për kombin kosovar, një komb i qytetarëve të barabartë para ligjit: solidariteti i shumicës së qytetarëve të Kosovës (dhe kjo shumicë është shqiptare) kësaj radhe u kushtohet pjesëtarëve të një komuniteti pakicë, goranëve të Restelicës. Me këtë solidaritet spontan dhe publik shqiptarët e Kosovës tregojnë se janë të gatshëm t’i trajtojnë pakicat si pjesë të pandashme të shoqërisë.
Ky solidaritet mund të jetë i momentit, i shtyrë nga skenat dramatike nga Restelica, por vlera e tij është e pamohueshme si gjakim i shoqërisë për shtet normal. Ishte gjest i mirë i presidentes së Kosovës të vizitojë Amsera Rekën në Spitalin e Prizrenit, por edhe të ndajë një shumë simbolike materiale për viktimat e ortekut të borës. Do të ishte shenjë e pjekurisë së shoqërisë sikur ndonjë organizatë joqeveritare të merrte iniciativën për hapjen e një xhirollogarie, ku qytetarët do të mund të mbështesnin edhe financiarisht fshatarët fatkeq të Restelicës. Gjithsesi autoritetet e Kosovës, duke filluar nga komuna deri te niveli më i lartë i pushtetit, kanë obligimet e tyre ndaj këtij rajoni, por ndihma komplementare e qytetarëve do ta plotësonte edhe më shumë solidaritetin spontan dhe gratis të këtyre ditëve.
Mësim nga fatkeqësia
Tragjedia e Restelicës tregon se nganjëherë – përkundër të arriturave teknike – njerëzit janë të dobët ndaj fuqisë së natyrës. Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë medial të tërmetit cunami në Oqeanin Indian (2004), të shpërthimit të vullkanit Eyjafjallajökull në Islandë (2010) dhe të cunamit në Fukushima (2011), që shkaktoi katastrofën nukleare. Disa nga këto fenomene të natyrës kanë marrë mijëra jetë njerëzish, kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe ekologjike. Prej këtyre katastrofave shtetet, qeveritë dhe shoqëritë përkatëse kanë nxjerrë mësimet e duhura. Pas fatkeqësisë në Restelicë edhe Kosova duhet të nxjerrë mësimet e saj. Në të ardhmen nuk duhet të neglizhohen reshjet dhe situatat dramatike që shkaktojnë ato, siç është vepruar sivjet.
Të mësuara me reshje të lehta bore viteve të fundit, autoritetet e Kosovës s’e kanë parë të udhës të jenë të përgatitura me ekipe dhe me teknikë për të reaguar me shpejtësi në situata emergjente. Qeveritarët e Kosovës prej vitesh insistojnë të blihet një avion zyrtar, i cili do t’u shërbente atyre për udhëtime (jo)zyrtare dhe për transportimin e çantave me suxhuk, por një helikopter për shpëtim Kosova s’e ka ende. Në situata të tilla duhet pritur dorën ndihmëse të trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Fatkeqësitë natyrore shpesh nuk mund të evitohen, por pasojat e tyre gjithsesi mund të minimizohen.
Derisa puna e ushtarëve, oficerëve, policëve e zjarrfikësve të Kosovës ishte vetëmohuese, edhe kësaj radhe ishin politikanët e rangut të lartë që degraduan imazhin e shtetit. Duke u përpjekur të përfitojnë sa më shumë poenë politikë nga tragjedia, kryeministri i vendit e shpalli ditën e hënë ditë zie, ndonëse kjo nuk është kompetencë e Qeverisë. Më parë të hënën ditë zie e kishte shpallur presidentja e vendit. Kur bëhet fjalë për gara politike, kur luftohet për të okupuar imazhet televizive qeveritarët e tanishëm janë në gjendje të shkelin çdo ligj e çdo rregull. Ligji për protokollin e shtetit (Nr. 03/L-132) përcakton qartë se “zia shtetërore shpallet me vendim të presidentit”; po ashtu edhe “kohëzgjatja e zisë përcaktohet nga presidenti”.
Të dielën në prezantimin virtual të Qeverisë së Kosovës theksohej se “Qeveria ka vendosur që dita e nesërme, 13 shkurti 2012, e hënë, të shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës”. Qeveria nuk i referohej asnjë ligji për këtë vendim. Si t’i referohej kur vendimin e kishte marrë me leje t’Bajram Begut. Sigurisht krejt kjo është një banalitet, që s’do të duhej ta turbullonte shikimin e publikut ndaj tragjedisë në Restelicë. Por këso banalitetesh (madje shpesh edhe më fatale) regjimi në Prishtinë prodhon shpesh dhe njollos imazhin e shtetit në vazhdimësi.
Para vërshimeve?
Në ditët në vijim do të shohim se si do të menaxhohet katastrofa në Restelicë dhe a do të ndërmerren masa për parandalimin e tragjedive të tilla në zona të tjera të Kosovës. Njëra anë e medaljes janë paaftësitë evidente të autoriteteve që u panë deri më tani në ballafaqim me pasojat e borës (bllokimi i rrugëve, vështirësimi i furnizimit të vendbanimeve rurale me ushqime, rreziku i daljes në komunikacion për këmbësorë). Ana tjetër e medaljes është mungesa e një shërbimi meteorologjik, i cili do të meritonte këtë emër si alarmues i opinionit; në këtë kuadër hyn edhe mungesa e ekspertëve mbi rreziqet natyrore dhe fenomenet e motit: nëse janë ekspertë të besueshëm disa tipa të përgjumur që publiku i ka parë ditëve të fundit nëpër televizione, atëherë vërtet qytetarët e Kosovës duhet të bëhen merak se çfarë i pret në ditët e ardhshme nga bora.
Si kontrast i situatës së tanishme në Kosovë mund ta shohim këtë raport mbi veprimtarinë shkencore të Komisionit Zviceran për hulumtim të borës dhe ortekëve. Aty, mes tjerash, thuhet: “Me zhvillimin e alpeve, me ndërtimin e rrugëve, me mbajtjen hapur të rrugëve në alpe në stinën e ftohtë, me rritjen e aktiviteteve sportive si skijimi etj., lufta kundër armikut më të madh të mobilitetit njerëzor, ortekut, po fiton një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Masat efektive mbrojtëse për sigurimin e vendbanimeve alpine dhe kujdesi për mbrojtësit e tyre të natyrshëm, malet kodrinore, vendit tonë për çdo vit i kushtojnë shuma të jashtëzakonshme. Gjatë ndërtimit të pengesave të ortekëve në bazë të përvojës doli në pah mungesa e njohurive themelore, shkencore të cilësive fizikale të borës”. Ky raport është shkruar para më shumë se shtatë dekadave dhe u përket viteve 1934-1937!
Kosova sigurisht është shumë larg Zvicrës, por s’është e ndaluar, nuk është as sakrilegj të mendohet si të mbrohet vendi nga fatkeqësitë natyrore, si të mbrohet ambienti dhe qytetarët. Është skandaloze të shikohet se si është shkatërruar ambienti në vitet e fundit në Kosovë. Prerje malesh pa kontroll, eksploatim zalli nga shtretërit e lumenjve derisa është prishur rrjedha e natyrshme e tyre, hedhje mbeturinash toksike në ekosistem, ndotje masive e ajrit, vendosje pa kriter e antenave rrezatuese telefonike: të gjitha këto ndikojnë që ekotopi dhe biotopi të dëmtohen dhe ajri që çojmë në mushkëritë tona të jetë i dëmshëm madje për elefantin e lëre më për trupin e njeriut. Çmimin e kësaj papërgjegjësie e paguan gjithë shoqëria. Në javët në vijim – dhe kjo është e sigurt! – kjo borë do të shkrihet. Nuk duhet shumë fantazi për të parashikuar edhe vërshime të mundshme. Atëherë fuqia e natyrës mund të jetë edhe më goditëse se në Restelicë.







