Toplajmi.com, 26.07.2013
Familja Deva rrëfen se djali i tyre Atdheu (23), ka më shumë se një vit që ka ndryshuar, duke u shoqëruar me persona që për ta janë “islamistë radikal”.
Thonë se janë munduar ta largojnë, por pa sukses. Për këtë arsye marrëdhëniet ndërmjet studentit 23 vjeç dhe familjes janë ftohur deri në atë shkallë sa, babë e bir ka më shumë se një muaj që nuk kontaktojnë.
Atdheu është lajmëruar nga Turqia. Vendndodhjen e tij e dinte lëvizja “Bashkohu”.
Naser Deva akuzon mediat kosovare për joprofesionalizëm të cilat publikuan lajmin për vrasjen e djalit të tij, madje askund pa të konfirmuar.
Naseri rrëfen se të enjten në mëngjes, ka shkuar në stacionin e Policisë në Pejë, të marrë ndonjë informatë për fatin e të birit.
Policia në Pejë e kishte orientuar t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë. Kjo e fundit e drejton Naserin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës raporton Tribuna.
Derisa MPJ nuk arrin të konfirmojë ose jo se ku ndodhet Atdhe Deva, vendndodhjen e tij e konfirmon subjekti politik, Lëvizja Islamike ‘Bashkohu’.
Fatos Rexhepi, anëtar i kësaj lëvizje, në orët e paradites të së enjtes ka thënë se; “i riu nga Peja është shëndosh e mirë”.