Nga Adrian Thano, 8 Prill 2012
Në fund të vitit që lamë pas (7 dhjetor), Austria ndërroi me një votim në Parlament himnin e saj kombëtar. Përveç burrave në tekstin e himnit austriak u shtuan edhe gratë. Qëllimi i këtij ndryshimi? Barazia gjinore. Në poezinë e Paula Preradovic, vargu “Austria, vendi i burrave më të mëdhenj…” u ndryshua në: “…i grave dhe burrave më të mëdhenj.” Në Austri sot është në përdorim ky version i ri.
Në disa media ishte botuar dje pjesë nga një intervistë e Avokatit të Popullit Igli Totozani me gazetaren Ilva Tare ku mes të tjerave thuhej se në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, AP dhe disa organizata të mbrojtes së të drejtave të grave janë duke u konsultuar nëse duhet të ndërtojnë një propozim për Kuvendin për të përfshirë, ngjashëm me Austrinë, edhe gratë në tekstin e himnit tonë kombëtar.
Duhet thënë që ka një kulturë reagimesh që dominohet nga frika kur bëhet fjalë për tema të tilla. Një frikë e kuptueshme, por e kotë, dhe kam përshtypjen që në këtë rast, ka edhe një keqkuptim komik: Nuk bëhet fjalë për të ndërruar tekstin e Asdrenit me një tjetër, por bëhet fjalë për dy ndryshime gjuhësore në tekstin akual.
Disa gazeta botuan dje pasdite në versionin online një tekst të ndryshimit që po konsultohet, që nuk ka ende një staturë zyrtare. Ndryshimi me sa lexohej, ishte në strofën 2 dhe 6. Vargu: “kush është burrë nuk frigohet” – zëvendësohej me: “as gratë, as burrat nuk frigohen…” Dhe në strofën 6, vargu “trim- burrë quhet dhe nderohet” zëvendësohej me “…gra edhe burra do nderohen”. Gjithcka tjetër ishte njësoj. Me sa kujtohemi, cështja e himnit është rrahur edhe më parë në shtyp, por nëse këto janë vërtet ndryshimet që synohen, ato duken korrekte dhe të këndshme.
Edhe dilemat e lidhura me “pse e bëjmë ne dhe nuk e bëjnë të tjerët”, nuk vlejnë dhe i ikin anash thelbit. Shumica e himneve në rajon dhe më gjerë nuk prezantojnë në tekste përkatësi gjinore por kombëtare ndaj ndryshime të tilla nuk janë të nevojshme. Në rastin tonë, ngjashëm me Austrinë, teksti e ka të theksuar aspektin gjinor dhe nuk ka asnjë problem të korrigjohet.
Gjithsesi, nuk është fjala thjesht të japim nga një opinion komod mbi tekstin, se në fund të fundit, opinionet, janë si vrima e b…, të gjithë e kanë nga një, sidomos nëse flasim për diarrenë e reagimeve të pamoderuara në blogjet online. Me sa kuptohet nga informacioni i paktë për këtë rast, më afër thelbit të asaj që tenton AP dhe shoqatat e të drejtave, është pyetja nëse do t’i shërbente një propozim i tillë në këtë 100 vjetor të pavarësisë, të drejtave të grave në Shqipëri.
Padyshim që po. Problematika e grave në Shqipëri, vecanërisht dhuna në rritje ndaj saj, është e lidhur para së gjithash me mungesën e vetëdijes mbi barazinë gjinore. Ndaj një inisiativë e tillë – e cila jo vetëm e apelon thekshëm këtë vetëdije, por edhe synon ta skalisë atë në një nga simbolet kombëtare – meriton vëmendje dhe mbështetje.
Dhe vec kësaj nuk duhet harruar aspekti historik dhe ai familjar. Kolegu kosovar Naser Aliu, ka të drejtë kur thotë që ndryshimi i himnit me përfshirjen e gruas do ti kthente asaj një mirënjohje të munguar, përpos do tregonte se jemi një komb i formuar e bashkëkohor. Jo rastësisht gjuha shqipe nuk njeh vetëm fjalën Atdhe, por edhe Mëmëdhe! Gjuha shqipe nuk e diskriminon gruan shqiptare, por patriarkalizmi i trashë shekullor e bën.
Kur dikush nuk eshte ne gjendje te kuptoje fjalen dhe çfare shprehet nepermjet asaj fjale, athere keqkuptimet dhe opinionet e kota do te na bejne te harxhojme kohen, dhuraten me te madhe qe Zoti na ka bere, duke u marre me gjera te kota.
Shpjegimi nuk eshte e teresia e se vertetes, shpjegimi eshte pjese e se vertetes.
Asnje imazh, figure, simbol nuk duhet marre fjale per fjale.
“Kur i urti tregon me gisht henen, budallai sheh gishtin.”
Ne fjalen “burre” nuk perfshihen meshkujt “gra” si dhe nuk perfshihen femrat “gra”.
Ne ate fjale perfshihen ata qe e quajne veten “burra”.
Ne retorike (arti i te folurit), figura paraqet çdo shprehje apo bashkim fjalesh qe kane nje sens logjik, qe largohen nga perdorimi normal i gjuhes me qellim qe t’i jap force ekspresive fjales.
Comments are closed.