Enver Robelli
Janë disa emra gazetarësh dhe botuesish nga hapësira gjermanofolëse dhe ballkanike, të cilët i dhanë hov idesë për çlirimin e Kosovës. Por, Kosova e pavarur vazhdon t’i injorojë ata
1. Llapjani i Beogradit.
Diçka e tillë ndodhë shpesh në Ballkan. Del në qytet për të kryer një apo disa punë, por s’e kryen asnjë, sepse – sërish krejt rastësisht – takon ndonjë koleg apo një përfaqësues të shoqërisë civile. Ose ndonjë autor. Dhe të zë nata në restorant. Sivjet në pranverë, duke kërkuar bashkë me kolegun Fahri Musliu një tavolinë në oborrin e restorantit „Vuk“ në Beograd, një njeri u ngrit në këmbë, na bëri vend pranë tij dhe për tri orë na argëtoi me humor herë bizar, herë gjenial. Ishte Aleksander Tijaniqi, tash drejtor i Radiotelevizionit të Serbisë, dikur kolumnist me nam në gjithë Jugosllavinë, një njeri që thotë: „Unë jam llapjan, jam lindur në Podujevë“.
Një person që u bërtiste me zë të lartë kamerierëve, kur na harronin pa pije dhe ushqim. Është vështirë të përshkruhet qëndrimi politik i Tijaniqit. Të thuhet se është nacionalist ndoshta s’është gabim; të thuhet se është demokrat mbase është teprim. Sidoqoftë, Tijaniqi është një bashkëbisedues i hatashëm, një gazetar me dije të gjerë dhe humor të paharrueshëm. „Kush janë fituesit e luftërave në ish-Jugosllavi?“, pyeti Tijaniq derisa po notonte me lugë në gullashin e tij. Dhe u përgjigj vetë menjëherë: „Fitues janë shoferët e kamionëve, karateistët, truprojat“. Pastaj tregoi se të tillë serbë kishte favorizuar Slobodan Milosheviqi në Kroaci në fillim të viteve 90-të.
Dhe papritmas kaloi në një temë tjetër: „A është Agim Zatriqi ende drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës?“ „Jo“, i thashë. Aty për aty Tijaniqi filloi të mendojë për një sabotazh. „A nuk do të ishte mirë sikur të konkurroja unë për drejtor të RTK-së, fundja unë jam kosovar?“ Rrëfimin e vazhdoi me disa hollësi të tjera: „Me Agimin kam qenë në gjimnazin ‘Ivo Lola Ribar‘ në Prishtinë. Kjo është shkolla e vetme në botë që ka nxjerrë katër drejtorë televizioni. Mua. Dushan Miteviqin. Dragolub Milanoviqin. Dhe Agim Zatriqin. Të gjithë kemi qenë aty“.
Para se të tregojë historinë e radhës Tijaniqin e mori në telefon bashkëshortja, e cila e pyeti nëse kishte kohë në mbrëmje të shkonin në teatër. Papritmas e ndërpreu: „Ženo, ne idem ja u pozorište, ja sam srbin“ („Grua, nuk shkoj në teatër, unë jam serb“). Kujtimet e Tijaniqit pastaj u kthyen prapa në vitet 70-të dhe 80-të, kur në Beograd jetonin ose vinin shpesh gazetarë me nam. Mes tyre dallonte Viktor Meierin, korrespondentin për Evropën Juglindore të gazetës gjermane „Frankfurter Allgemeine Zeitung“. „Kur vinte Meieri në Beograd dridhej qyteti dhe lajmi përhapej si rrufe“, tregonte Tijaniqi.
2. Kalemi t’u bëftë top!
Viktor Meier është njëri ndër njohësit më të mirë të historisë dhe zhvillimeve politike në Ballkan në shekullin 20-të. Mes viteve 1956 dhe 1966 ai punoi korrespondent për Evropën lindore dhe juglindore për gazetën zvicerane „Neue Zürcher Zeitung“. Pas një pauze disavjeçare ai nga viti 1975 deri në fund të vitit 1993 punoi korrespondent nga rajoni i Ballkanit për „Frankfurter Allgemeine Zeitung“.
Ishte i pari korrespondent gjerman që vizitoi Shqipërinë e Enver Hoxhës në fillim të viteve 80-të. Sipas kujtimeve të publicistit Ymer Minxhozi, i cili bashkë me Zef Mazin e kishte shoqëruar Meierin gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri, gazetari gjerman interesohej jo vetëm për jetën e njerëzve në diktaturën e Hoxhës, por, mbi të gjitha, për Kosovën. Derisa në Tepelenë Meier bashkë me Ymer Minxhozin dhe Zef Mazin, i cili tani është ambasador i Shqipërisë në Londër, po vizitonin memorialin e lordit Byron, atyre iu afrua një burrë me veshje gjysmëfshatare dhe pyeti:
– Nga Tirana vini?
– Po, – i thotë Minxhozi.
– I huaj është ky zotëria?
– Po, i huaj, është gjerman.
– Ëhë…
– Është gazetar, – vazhdoi Minxhozi. – Është Viktor Meieri, ai gazetari gjerman që shkruan për Kosovën.
– Aha, e njohim, e njohim. I thuaj zotërisë, kalemi t‘u bëftë top!
Pra, edhe në Tepelenë kishin dëgjuar për Viktor Meierin dhe për shkrimet e tij për Kosovën. Në bisedë me Minxhozin, Meier kishte deklaruar: „Kosova është mish i huaj në Jugosllavi. Kosova është e vetmja njësi që nuk ka asgjë të përbashkët me gjithë të tjerët në atë shtet, ajo nuk ka asgjë të përbashkët me sllavët, as gjuhën, as traditat, as zakonet, as mentalitetin, as historinë, asgjë.
Kosova përbën të vetmin element josllav në Federatë dhe, herët ose vonë, punët duhet dhe do të shkojnë drejt zgjidhjes përfundimtare: shkëputjes. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër zgjidhjeje përfundimtare për Kosovën, veçse shkëputja nga sllavët. Edhe shpallja e Kosovës Republikë nuk e zgjidh problemin. Shqiptarët janë një popull krejt tjetër, në gjuhë, kulturë e zakone të tjera. Jugosllavi do të thotë sllavët e jugut dhe jo sllavë e shqiptarë“.
Në vitin 1978 Meier erdhi në Kosovë dhe përcolli kremtimet me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Më vonë, në vitet 80-të, përshkroi dalldinë e nacionalizmit serb në Kosovë, ku filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Kur Milosheviqi hapur shpalli synimin e tij për krijimin e Serbisë së Madhe, Meier ishte zëdhënësi më i besueshëm i idesë se Sllovenia dhe Kroacia duhet të pavarësohen. Nga mesi i viteve 90-të shkroi një libër voluminoz mbi shkatërrimin e Jugosllavisë, mandej, pas luftës së Kosovës, kësaj vepre ia shtoi edhe një tjetër, ku bënte një bilanc të mprehtë mbi pasojat e konfliktit dhe kërkonte që sa më shpejt të zgjidhej statusi i Kosovës. Është e pamundshme që këtu të përmendet së paku çereku i teksteve të tij, ku ai denonconte me argumente politikën agresive serbe ndaj Kosovës. Pas pensionimit ai ishte një bashkëbisedues, idedhënës dhe këshilltar i çmuar i kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshi.
Meier njihej personalisht me të gjithë protagonistët e politikës në Jugosllavi. Universiteti i Zagrebit e ka shpallur doktor nderi. Në Serbi ka të tillë që e mallkojnë për shkak të angazhimit të tij në favor të pavarësisë së njësive të Federatës jugosllave. Në Kosovë e kanë harruar Viktor Meierin. Presidentë e kryeministra të këtij vendi në dhjetë vitet e fundit kanë shpërndarë mirënjohje e dekorata madje edhe për heronj të lagjes, por asnjë nderim s’iu bë Viktor Meierit, i cili me shkrimet e tij i dha hov të madh idesë për çlirimin e Kosovës.
3. Në luginat e Ballkanit.
Pas pensionimit të Viktor Meierit në postin e korrespondentit për Ballkan u caktua Matthias Rüb. Gjatë konfliktit të Kosovës ka qenë e pamundshme që të hapet „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ dhe të mos gjendet një artikull me shkurtesën „rüb.“ Mbi zhvillimet në rajon. Rüb është një shkrues brilant dhe një shofer që me shpejtësi i kalonte të gjitha kodrat dhe luginat e Ballkanit. Ishte në Kosovë kur milicët e Serbisë terrorizonin popullsinë shqiptare, ishte në Maqedoni kur shpërtheu kryengritja shqiptare, ishte në Tiranë kur në vitin 1997 Shqipëria e fundos nën piramidat financiare.
Erdhi në Krushë të Madhe dhe përshkroi me hollësi rrëqethëse masakrën e forcave serbe. Pas luftës, kur dy gazetarë të papërgjegjshëm të televizionit gjerman WDR, sajuan një film skandaloz për sulmet e NATO-s kundër Serbisë, Rüb e demontoi tërësisht dhe me argumente propagandën nga Kölni, ku gjendet selia e WDR. Rüb akuzonte autorët e filmit se i janë qasur temës me paragjykime, pa dije dhe me qëllime të këqija, gjithnjë me synimin se tani do t’ia përplasin publikut gjoja të vërtetën. Rüb protestonte kundër gazetarisë me bulldozher, e cila synon marrëzisht të rrëzojë të gjitha shkrimet e atyre që konfliktin e Kosovës e përshkruan nga vendi i ngjarjes. Janë bërë gati dhjetë vite prej se Matthias Rüb është korrespondenti i „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ nga Washingtoni.
Në Kosovë e kanë harruar edhe këtë gazetar, që i bëri jehonë luftës për liri. Pas luftës në Kosovë u takuam në Tiranë, pastaj vajtëm në Durrës. Qyteti bregdetar ishte ende deri-diku i ruajtur. Duke e shikuar plazhin pyetëm veten si do të duket ky vend pas një dekade. Ndoshta sikur Rripi i Gazës, një lloj burgu i hapur me arkitekturë bizare, thashë me humor. Ky parashikim u bë i vërtetë, sepse shumë shqiptarë nuk kanë asnjë përgjegjësi për ambientin. Sot Durrësi është një moçal me pamje nga deti.
4. Republikë!
Më pak se një muaj pas vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij në gazetën „Tages Anzeiger“ të Zürichut Peter Fürst shkruante se zgjidhja e vetme për Kosovën ishte avancimi i statusit të saj në Republikë. „Nëse Perëndimi nuk merr kurajën të kërkojë me ngulm këtë koncept, atëherë në Ballkan kërcënon përsëritja e historisë tragjike. Ashtu si në Kroaci dhe Bosnjë hendeku mes grupeve etnike do të rritet vazhdimisht dhe do të çojë në mobilizimin e masave popullore. Ky është një truall i frytshëm për provokime, dhunë dhe fanatizëm, të cilat mund të gërryejnë një marrëveshje të mundshme. (…) Ndërkohë edhe shqiptarët, të cilët kanë qëndruar të qenë përkundër shtypjes, kanë interes për eskalim të situatës.
Sepse nëse rrinë të qetë, atëherë kjo temë do të zhduket shpejt nga agjenda e diplomacisë ndërkombëtare. Prandaj ata do të bëjnë gjithçka që problemi i tyre të bëhet problem për gjithë botën“, shkruante Fürst më 28 mars 1998, rrafsh nëntë vjet pasi Milosheviqi ia kishte hequr autonominë Kosovës. Për shkrime të tilla dhe komente të tjera kritike kundër shovinizmit serb autoritetet e Beogradit e patën shpallur Peter Fürst „persona non grata“. Me vite të tëra nuk iu lejua hyrja në Serbi. Por, edhe Kosova në një mënyrë ia mbylli dyert, sepse s’e nderoi kurrë. Kroacia veproi ndryshe. Në Kroaci s’i harrojnë ata që ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.
5. Një konvoj për Kosovën.
Për pothuaj të gjithë gazetarët e hapësirës gjermanofolëse emri i Nenad Popoviqit është shumë mirë i njohur. Shtëpia e tij botuese Durieux në Zagreb është adresa e parë për të gjithë ata që janë të interesuar të dëgjojnë analiza dhe mendime lucide për zhvillimet në rajon. Dhe më e mira në këtë shtëpie është se Popoviq, me një gjermanishte brilante, di t’i ilustrojë analizat e tij me humor të mençur.
Kur të tjerët luftonin dhe pozonin me thika për mediat e huaja Popoviq themeloi shtëpinë botuese Durieux, e cila u bë vatër e shkëmbimeve kulturore mes copëzave të shkëputura të ish-Jugosllavisë. Ai botoi libra të autorëve opozitarë serbë dhe kroatë, ndërmjetësoi kontakte në botën e jashtme, i bëri të njohur jo vetëm në Gjermani, Austri e Zvicër. „Jugosllavia ka qenë një vend i bukur, por një shtet idiotik“, thotë Popoviq shpesh. Për këtë arsye ai angazhohet që së paku të ruhet bashkëpunimi kulturor.
Nenadi, siç e thërrasin të gjithë, nuk është vetëm botues, por edhe aktivist i paqes. Në Kroaci qarqet nacionaliste e kanë atakuar shpesh, sepse e kritikonte jo vetëm politikën e Serbisë në Bosnjë, por edhe rolin e Franjo Tugjmanit, i cili ëndërronte të shkëpuste Hercegovinën dhe t’ia bashkëngjiste Kroacisë. Gjatë rrethimit të Sarajevës Popoviq u angazhua shumë për banorët e kryeqytetit boshnjak – dhe në vitin 2000 u shpall qytetar nderi i Sarajevës. Kur shpërtheu lufta në Kosovë, Popoviq organizoi një konvoj me ndihma për refugjatët e Kosovës në Mal të Zi. Kosova do t’i bënte nder vetit sikur këtë intelektual kroat ta shpërblente me një çmim meritor.