Ata nuk i gënjen dot më!

0
31

Nga Mero Baze, 2 Mars 2013

Fenomeni më i ri me të cilin po ndeshet Sali Berisha, është se ai nuk arrin dot të prodhojë më politikë përmes retorikës nacionaliste, “aspiratave pro-evropiane” dhe trukeve për manipulime procedurale dhe ligjore për të prekur zgjedhjet. Në gjashtë muajt e fundit, Sali Berisha është përgënjeshtruar dhe sulmuar sistematikisht nga kancelaritë perëndimore për çdo hap të tillë.

Muaj më parë, për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme dhe gjëmat e drejtësisë kundrejt proceseve thelbësore gjyqësore në vend si ai i 21 janarit apo Gërdecit, Berisha filloi të flasë për nacionalizmin dhe bashkimin kombëtar. Me një përqendrim maksimal dhe të sinkronizuar sikur të ishin një zë, tezat e tij i çmontuan SHBA, Bashkimi Evropian dhe media perëndimore, duke i konsideruar ato truke elektorale të rrezikshme për rajonin.

Pak më vonë në takimin e Mynihut, Berisha bëri një shfaqje të re publike skandaloze duke folur për albanofobinë dhe pesë shtete shqiptare në Ballkan. Ishte rikthim rrëqethës i tezës së Hitlerit për gjermanofobinë dhe pesë shtete gjermane në Evropë. Përveç reagimit negativ direkt që mori në Mynih, ai u ndesh me një ofensivë të re diplomatike nga Bashkimi Evropian dhe qeveria e SHBA, e cila në fund u detyrua t’i dorëzojë dhe një memo zyrtare kundër qëndrimeve të tij, duke e kërcënuar se do të ndeshet publikisht me të.

Ndërkohë që Perëndimi merrej me çmontonin e qëndrimeve të tij fallco, ai vazhdoi dhe mbylli me qetësi gjyqin e 21 janarit dhe atë të Gërdecit. Por as nga kjo nuk shpëtoi. Qeveria e SHBA ka bërë deklaratën më të qartë dhe më të ashpër kundër tij ndonjë herë ditën që është dhënë vendimi për gjyqin e 21 janarit. Retorika e tij nacionaliste dhe tezat naziste të albanofobisë nuk i pinë shumë ujë.

Nuk pinë shumë ujë as deklaratat e tij për një komb, një pasaportë, as premtimi për dhjetë milionë pasaporta shqiptare. Zbythja e tij përfundimtare ishte thirrja me urgjencë në Tiranë e Hashim Thaçit, një ditë më parë, që të deklaronin së bashku se ishin tërhequr nga këto deklarata dhe se do të ishin konstruktivë në rajon.

Duke menduar se me qëndrimin e ri do të fitonte zemrën e ndërkombëtareve që po i rrinë vigjilent çdo deklarate të tij, Berisha nisi po atë ditë mbledhjen e firmave të deputetëve për një referendum hipokrit për miratimin e tre ligjeve nga paketa ligjore konsensuale që duhet miratuar si pjesë e shumë kushteve për të marrë statusin e vendit kandidat.

Por as kjo manovër nuk i piu ujë. Për herë të parë, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle ka bërë një deklaratë të qartë kundër veprimeve dhe vendimeve të kryeministrit Sali Berisha, duke dënuar përpjekjen e tij. Në letrën e vet, Fyle sqaron me qetësi konceptin e konsensusit, si një dënim për t’u marrë vesh dy palët dhe jo si një ndëshkim i një pale ndaj tjetrës.

Shpresa e fundit e Berishës ishte se duke u sjellë dhunshëm si pro-evropianë, biles gati si një përdhunues me opozitën, ai do fitonte zemrën e tyre, pasi do tolerohej në emër të “idealit” të tij evropian. Nuk i funksionoi. Koncepti evropian i konsensusit nuk është koncept i përdhunuesit Berisha. Perëndimi konsensusin e koncepton si një raport dypalësh, që sakrifikojnë diçka nga pushteti i tyre për t’u bashkuar në një pikë, dhe jo si agresion i pushtetit të një pale ndaj tjetrës. Berisha i ngjan në këtë pikë cubave të hershëm të maleve tona të egra, që martesën e përfytyronin si një lumturi që arrihej pasi të rrëmbenin me dhunë një femër.

Më tej akoma, politika amerikane po depërton dhe më thellë, tek truket e tij ligjore dhe procedurale për të manipuluar zgjedhjet. Ambasadori i SHBA Arvizu i ka quajtur ato gjatë një takimi me anëtarë të KQZ si truke që torturojnë logjikën e një njeriu, dhe ka marrë si shembull trukimin e zgjedhjeve në Tiranë pas shpalljes së rezultatit.

I izoluar në çdo tentativë të tij për të prodhuar politikë përmes retorikës nacionaliste, albanofobisë, trukeve ligjore dhe procedurale, Sali Berisha po trajtohet praktikisht me paragjykim si një mashtrues dhe po i çmontojnë çdo deklaratë apo vendim të tij. Prej nëntorit të vitit të shkuar, asnjë qëndrim publik i tij nuk ka gjetur mbështetje ndërkombëtare, dhe nuk ka mundur të gënjejë dot askënd. Biles që nga vizita e Sekretares Klinton në Tiranë, e cila ktheu në objektiv të vizitës së saj paralajmërimin për zgjedhje të lira, Sali Berisha po trajtohet si një personazh i Big Brother, ku gjithë kamerat janë përqendruar mbi të dhe mezi pritet të kapet duke vjedhur vota.

Ai ka humbur shansin të prodhojë politikë me broçkullat e tij nacionaliste, me truket për të futur në trupën votuese qytetarë me origjinë shqiptare nga shtetet përreth, ka dështuar të shtiret si pro-evropian me urgjencë në 24 orët e fundit, dhe duket se do të ketë problem nga vesi i tij i vjetër i mostërheqjes në kohën e duhur nga gënjeshtrat që shpik vetë. Ata nuk i gënjen dot më!