Ata nuk e hëngrën!

0
46

Nga Mero Baze, 3 Shtator 2012

Nëse shfletoni gazetat e vitit 1997 për muajt maj – shtator, kur dhe vrasjet u rritën së tepërmi, do të shihni se çdo fundjavë gazetat bënin bilancin e të vrarëve, që në maksimum ka shkuar një herë 12 vetë në javë. Sipas statistikës zyrtare të vetë Ministrisë së Brendshme, mbledhur nga komunikatat ditore, vetëm tre muajt e fundit numri i të vrarëve është 160 vetë, i barabartë afërsisht me statistikën e vitit 1997, në muajt e tij më të këqij. Ajo që e trimëroi krimin pas ngjarjeve politike të vitit 1997, ishte rënia e shtetit. Krimi nuhati se shteti nuk ekzistonte më, se policia ishte e dobët, se gjykatat nuk ekzistonin, se lidhjet me politikën po fuqizoheshin dhe ai u bë zot i rrugëve.

Sot jemi pak a shumë para së njëjtës situatë. Ka shumë arsye sociale dhe politike që kanë trimëruar krimin, që kanë nxjerrë vrasësit rrugëve dhe presin koka njerëzish si të ishin shalqinj, që presin qafa grash dhe vajzash, po panë varëse në qafë, që djegin e shkrumbojnë pyje për ta bërë tokën e djegur të tyre, që vjedhin banka dhe guxojnë të vjedhin edhe arkën e doganës, që thyejnë argjendari e loto sporti, kudo që mendojnë se mund të rrëmbejnë ndonjë lek.

Tre muaj më parë, kur Sali Berisha emëroi një njeri qesharak Ministër të Brendshëm, tentoi ta paraqesë atë si njeri të punës që di të përballojë situatat. Edhe pse u shmangej kamerave kur e lavdëronte, për të mbajtur të qeshurën dhe shpotinë ndaj atyre që e dëgjonin, thellë-thellë në emërimin e tij kishte një dozë cinizmi për të vetët dhe kundërshtarët, për t’u treguar se në këtë vend ligjin e bën Ai dhe Ai vendos kë të dojë ministër. Disa prej të vetëve u revoltuan e folën nën zë, të tjerë si Marku folën me zë më të lartë, por shumica filloi zakonin e vet të përhershëm të justifikojë vendimin “për të bërë një copë mishi” ministër.

Por pavarësisht daulleve të pushtetit, pavarësisht cinizmit të Berishës, pavarësisht medies që bënte sikur nuk e shikonte se kush po bëhej ministër, një pjesë e rëndësishme vendimmarrëse e kësaj shoqërie të inkriminuar ishte vigjilente dhe po festonte. Krimi nuk e hëngri as propagandën e Berishës, as cinizmin e tij për t’u tallur me të gjithë ne, as përuljen e shumicës para vendimeve idiote të një plaku të rrjedhur. Krimi nuk e hëngri rrenën e Berishës dhe talljen e tij me emërimin e Flamur Nokës Ministër i Brendshëm. Thjesht e mori atë si triumf të tij dhe shpërtheu.

Prej tre muajsh Shqipëria po përjeton shifra të vrarësh dhe një valë krimi që i përngjan një lufte civile. Nëse kur Olldashi ka qenë Ministër i Brendshëm shifra e vrasjeve ishte dy shifrore në një vit dhe u arrit afërsisht pak më shumë se 100 kur ishte Basha, me ardhjen e këtij ministri shkoi 160 për tre muaj dhe nëse vazhdon me këtë ritëm i bie të kalojë 500 të vrarë në vit. Një shifër e tillë do tejkalonte shifrën e çdo revolucioni dhe lufte civile në vend.

E pashë dje që krekosej si gjeli mbi pleh para kamerave dhe tentonte të na shpjegonte se zjarret nuk është e lehtë të fiken, se vrasësit nuk është e lehtë të kapen, se krimi nuk është i lehtë të mundet…, por opozita duhet të heshtë dhe biles ta vlerësojë. Gjithçka sipas parashikimit, edhe paaftësia, edhe gomarllëqet që thotë publikisht! Gjithçka siç pritej! Përveçse Berisha është vetëkënaqur dhe masturbuar disa ditë duke parë reagimin nervoz të të vetëve dhe kundërshtarëve për këtë copë mishi ministër, askush tjetër në këtë vend nuk e ka pranuar për të tillë.

Por më e keqja është se pjesa më problematike e shoqërisë, ajo që përgjon politikën dhe fuqinë e shtetit ligjor për të mbijetuar, nuk e ka hëngër asnjë moment broçkullën e Sali Berishës që vendi ka një Ministër të Brendshëm. Pas lajmit kanë nisur “festën” dhe po vazhdojnë të bëjnë kërdinë duke vrarë rrugëve dhe duke zhytur Shqipërinë në flakë.

Nuk e kanë hëngër talljen e Berishës as trafikantët e drogës që kanë nisur lumenj droge rrugëve të Shqipërisë, as vrasësit ordinerë që po vrasin për një varëse, as vrasësit gjakatarë të Kanunit, që po shfarosin me rrënjë familje të tëra, as vrasësit që sulmojnë për të vjedhur banka, dyqane dhe zyra shteti, biles as barinj primitivë maleve të Shqipërisë, që u vënë zjarrin pyjeve të mbetura të këtij vendi me shpresë se në vend të tyre do mbijë bar për delet e tyre. Tallja e Berishës me shqiptarët dhe me të vetët ka mbetur e izoluar tek zyra e Berishës dhe buzëqeshja e tij e ligë para ekranit, kur mendon sa shumë do tërbohen shqiptarët që ai u ka vënë një idiot ministër.

Shoqëria nuk e hëngri talljen e tij dhe heshti, por krimi, ajo pjesë agresive e Shqipërisë, nuk e hëngri talljen e tij dhe po bën kërdinë. I vetmi që e ka ngrënë talljen e Berishës është vetë ai që është bërë ministër. Dikush duhet t’i thotë të mos dalë më në kamera, që së paku të mos ua kujtojë çdo orë dhe minutë kriminelëve se ai është ministër! Ata nuk janë Bujar Nishani që beson se është president! Ata janë realistë dhe të vëmendshëm për prenë e tyre, dhe kur shikojnë se në çfarë duarsh ka rënë shteti, bëjnë kërdinë. Siç po bëjnë!