Ata kanë emëruar Fullanin!

0
31

Nga Mero Baze

Gazeta Tema botoi dje një shkrim të gazetarit Bledi Mane, i cili kishte siguruar një listë të emërimeve kryesore në Bankën e Shtetit Shqiptar, e cila ishte një radiografi e frikshme e nepotizmit dhe një dekurajim i madh i çdo të riu që vendos të bëjë karrierë në Shqipëri.

Elementi i parë i frikshëm i asaj liste nuk ishte përkatësia politike, që reflektonte servilosjen tetëvjeçare të Fullanit ndaj lidershipit të Partisë Demokratike, por fakti që gjithkush në atë bankë ka shkuar aty për shkak të një lidhje personale. Dhe bëhet fjalë për Bankën Qendrore të Shqipërisë, rëndësia e së cilës në një shtet normal, është vendimtare për zhvillimin ekonomik. Lidhjet personale kanë të bëjnë të gjitha me zyrtarë të lartë të pushtetit dhe njerëz, të cilët Guvernatori i ka përfshirë në rrjetën e tij korruptive për të siguruar prej tyre një mandat të dytë.

Shpjegimi i lidhjeve farefisnore të secilit të emëruar, është në të vërtetë shpjegimi përse Ardian Fullani është i kryeemëruari i asaj banke. Fuqia e tij reale qëndron tek ajo listë të emëruarish, që janë garantët e tij për t’u rizgjedhur në krye të bankës.

Një tjetër element i frikshëm i asaj liste është dhe cilësia. Nuk e përjashtoj që dikush prej listës dhe mund ta ketë merituar emërimin, por fakti që nuk është  emëruar për ndonjë meritë, por për shkak të lidhjeve politike, e bën atë listë monument të përdhosjes së vlerave të nëpunësit civil në Shqipëri dhe shembullin më fyes dhe më dekurajues përse një i ri që studion në Perëndim dhe harxhon miliona për t’u diplomuar, duhet të kthehet në këtë vend për të bërë karrierë.

Lista është një shuplakë e rëndë për të gjithë ata që mendojnë se nëse ke një kualifikim të mirë, mund të konkurrosh dhe të fitosh dhe ndonjë vend pune për në Bankën Qendrore. Ajo listë dëshmon më së miri se ne nuk kemi punësuar vetëm 20 apo 30 nëpunës civilë të paaftë në bankë, që nuk e meritojnë, por kryekeqja është se prej atyre 20 apo 30 vetëve, kemi peshqesh një Guvernator, i cili është i aftë vetëm për sebepe, qoka, dreka dhe darka, dhe kur ka kohë dhe për të lexuar ndonjë fjalim që ia shkruajnë të tjerët. Më shumë se si i kanë bërë dëm Bankës me atë listë, duke çuar aty njerëz të dyshimtë, ata kanë dëmtuar Bankën duke lënë në krye të saj një Guvernator, që ka kapur sistemin përmes emërimeve nepotike.

Lista i jep po ashtu një shuplakë të fortë pretendimeve të Partisë Demokratike për të respektuar të emëruarit e saj në poste kyçe të administratës për shkak të militantizmit të tyre politik. Banka Qendrore e Shqipërisë, e cila duhet të jetë shembulli i konkurrencës dhe standardit të lartë të nëpunësit, është kthyer në një strehimore fëmijësh të politikanëve dhe njerëzve të afërt të tyre, të cilët ia kanë kthyer borxhin Guvernatorit duke e rizgjedhur.

Një parti në pushtet, e cila nuk ka koshiencën që së paku në Bankën Qendrore të vendit, t’i hapë rrugë meritave dhe karrierës, jo vetëm që duhet të heshtë për ndryshimet në administratë, por duhet të kërkojë një ndjesë të thellë gjithë demokratëve shqiptarë, të cilët edhe nëse kanë pasur ndonjë meritë, nuk i ka futur njeri në punë. Udhëheqësit e tyre e kanë përdorur shtetin për të punësuar fëmijët dhe të afërmit e vet, edhe pse disa prej tyre njihen publikisht si idiotë të noterizuar.

Guvernatori ka marrë në punë gruan e presidentit, kunatën e ish-kryeministrit, vajzën e ish- kryetares së Parlamentit, vajzën e ish- ministrit të Financave dhe deri tek kunata e Aldo Bumçit, duke ilustruar kështu më së miri nepotizmin dhe standardet e punësimit të PD-së. Lista dëshmon se udhëheqësit kryesorë të PD-së kanë dhënë të parët shembullin se si kanë përdorur pushtetin për të rregulluar të afërmit e tyre në një vend pune të rehatshëm, luksoz dhe pa asnjë kriter për t’u futur në garë me të tjerët. Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike, që nuk e prekën dot pushtetin për tetë vite, e kanë tani më të qartë se ç’ka ndodhur me pushtetin e tyre.

Fëmijët e tyre nuk do të kenë kurrë shansin t’u afrohen vendeve të tilla të punës, pasi këto vende nuk varen nga aftësitë e fëmijëve të tyre, por nga atësia dhe mëmësia. Po ashtu mijëra të rinj shqiptarë, që shpresojnë se në këtë vend do të ketë ndonjë herë rregulla për t’u punësuar në administratë njerëz të aftë që e meritojnë, duhet të bëhen gati të shmangin zhgënjimin nëse dikush i nxjerr pas liste. Modeli Fullani është i vetmi model suksesi në karrierën e këtij vendi.

Ai nuk ka asnjë gjashtë në librezën e notave dhe është guvernator. Nuk ka asnjë titull shkencor real dhe është guvernator. Nuk ka asnjë ide për sistemin bankar dhe është guvernator. Por ai di diçka që asnjë i ri shqiptar, qoftë dhe ata që kanë studiuar në Perëndim, nuk e dinë. Ai e di si bëhet karrierë në këtë vend, dhe si kapet dhe korruptohet pushteti. Kjo është një shkollë më vete, që mësohet në gjirizet e politikës shqiptare. Është diploma më e vlefshme në këtë vend për të qenë dikushi. Ardian Fullani e ka merituar atë diplomë. Nuk i ka emëruar ai ata që ju lexoni. Ata kanë emëruar Fullanin!