AT NIKOLLA MARKU – SHQIPONJË FLAMURI NË KISHËN E SHËN MARISË, ELBASAN

0
24

Nga KOLEC TRABOINI

Poeti Milanov Kallupi u tregua i gatshëm të na lidhte me At Nikolla Markun.
E kam timin- tha ndërsa pinim kafe në një lokal të qytetit të Elbasanit. I ra një numuri telefoni e pasi mbaroi bisedën u kthye nga ne. Mbaroi dhe kjo punë. Atë Nikolla ka kënaqësi t’ju takojë. Më pas poeti elbasanas na kujtoj se At Nikolla i përket një rrethi familjar që ka nxjerrë mjaft artistë, si të thuash krijimtarinë e artin e kanë në gen gjithë fisi Marku i Elbasanit.

At Nikolla Marku dhe autori i shkrimit Kolec Traboini

Me kolegët Iliriana dhe Dilaver morëm rrugën rrëze mureve të kalasë duke kaluar nëpër ca rrugica të kalldrëmta. Ishte një buzëmbrëmje me një puhizë ere e me dukej se po udhëtoja nëpër kthinat e imagjinuara të historisë. Sikur më vinin zërat e malësorëve në gjah, me pasthirrma të largëta, siç i ka shkruar aq bukur babai i madh i Gjuhës shqipe, Kristoforidhi.

At Nikolla na priti plot përzemërsi në oborrin e Kishës. Sapo hymë në oborrin e vogël më ranë në sy disa trarë të vendosur në krahun e majtë, çfarë tregonte se këtu po bëheshin ca punime. Në të djathtë shfaqeshin muret e Kishës, e cila që në vështrimin e parë të impresiononte me vjetërsinë e saj. Në fasadë dy qenie mitologjike prej guri. Një kishë shumëshekullore. Mbase e ngritur dhe ringritur, tempull pas tempulli, madje është mendimi se akoma më herët, në zanafillën e saj,do të ketë qenë një tempull, akoma më thellë në lashtësi.

Biseda me At Nikollën nisi në oborrin e Kishës. Na rrëfen se kjo kishë e vjetër në këto trajta që është sot, daton nga viti 1566. Kjo vërtetë që një e papritur për ne, sepse dimë që pushtuesit otomanë kanë qenë të egër, mirëpo pa u mbushur një shekull pushtim kishin lejuar ngritjen e një kishe brenda qytetit kala. Kjo tregonte tolerance fetare. Përballë kishës ishte një ndërtesë, e vjetër edhe kjo por e mbajtur. Kjo, thotë At Nikolla, është Mësonjëtorja e parë shqipe e Elbasanit.

At Nikolla nuk puqet kurrsesi me atë mendim absurd që mësonjëtorja e parë shqipe është ajo e Korçës, kurrsesi, sepse kjo e Elbasanit shënon vitin e krijimit në 1736. Pse duhet të tregohemi kaq mospërfillës dhe sakatues të historisë sonë?! Kjo mësonjëtore që ka ardhur përmes shekullit deri tek hapja e Normales së Elbasanit, jo vetëm që ka vetë histori, por ka qenë laike, kanë mësuar fëmijët e familjeve të krishtera, por edhe ato të myslimanëve, të esnafëve dhe tregtarëve të qytetit.

Pranë mureve të lashta të Shën Marisë së Kalasë

Këtu është kultivuar toleranca dhe dashuria në mes të shqiptarëve pa dallim feje. Kjo ka qenë shkolla ku ka dhënë mësim Kostandin Kristoforidhi, njeriu ndër më të kulturuarit e kohës së vet, gjuhëtar i madh. At Nikolla na thotë se Kristoforidhi ishte edhe psallt i kësaj kishe të moçme, madje atje ruhet edhe vendi ku ai ka qëndruar. Kjo Mësojtore u kthye më vonë në shkollë ushtrimore për mësuesit e rinj që do të dilnin nga Normalja e Elbasanit. Këshilli i Kishës së Shën Marisë ka ndërmarrë nismën për ta bere shkolle për fëmijët me te meta fizike me emrin ” Zërat e jetës” sepse emrin e Kristoforidhit e ka tashmë një shkollë tjetër.

Kthehemi me fytyrë nga muret e kishës së moçme. Ka nisur të bjerë muzgu por busti i vënë në piedestal në ballë të saj dallohet mirë. I afrohemi. Është busti i Konstandin Kristoforidhit. Një drithërimë na përshkon trupin kur Atë Nikolla na thotë se këtu pushojnë eshtrat e gjuhëtarit të madh. E varrosen këtu e jo në varreza, sepse Kristoforidhi kishte krijuar figurën e një personaliteti të madh dhe e donin të gjithë. Në të gjallë e në të vdekur e nderuan si një tribun i shqiptarizmës.

Faktin që jetoja e vija nga Bostoni, e nxiti At Markun të tregonte për vizitën që dikur kishte bërë në Amerikë. Pastaj ishte e natyrshme të flitej edhe për atë vizitë turpi, kur në Kishën e Fan Nolit kish shkelur këmba e uzurpatorit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Janullatosit të Greqisë. E ku nuk shkeli këmba e misionarit të Greqise veç për të harruar e lënë nën hije figurën e Fan Nolit të madh.

E pyesim At Nikollën se si ndjehet përballë sulmeve që i bëjnë, herë me gjyqe e herë me dredhi e dinakëri ofertash. Nuk më lodhin gjyqet gjegjet At Nikolla. Nuk ma bën syri terr nga këto dinakë që duan të venë dorë në Kishën e Shen Marisë që ndjek udhën e Fan Nolit. Nuk ma tronditin besimin tim në këtë ideal fanolian, sa fetar aq kombëtar, asnjë lloj oferte lakmitare, por këta uzurpatorë antishqiptarë i kanë duart e gjata.

Kur e shohin se nuk ja dalin dot ballë për ballë me darovitjet e tyre qëllim mbrapshta, përdorin disa forma të tjera. Mund të them se Kisha e Shën Marisë ndodhet para një bllokimi ekonomik. Këtë mënyrë po e përdorin me qëllim për ta asfiksuar. Tërë familja ime ndodhet nën këtë presion të jashtëzakonshëm. Qëllimi i tyre është që të mbetemi edhe pa kafshatën e gojës e t’u dorëzohemi grekëve. Kjo është një luftë fort e ligë. Kjo është një dinakëri fort e madhe. Grekrit po arrijnë të ndikojnë edhe tek segmentet e shtetit, tek nëpunës të cilët nuk e kanë për gjë të më pushojnë nga puna edhe pjesëtarët e familjes.

E megjithë këtë lufte, sa e dukshme aq e padukshme, At Nikolla me karakterin e tij të fortë arrin ta përballojë.

Hedhim sytë lart tek kumbanorja ku At Nikolla ka vënë Flamurin Shqiptar. Kjo është një sfidë që i tërbon uzurpatorët e Kishës Autoqefale Shqiptare. Ndoshta as gjumi nuk i zë nga dëshira e egër ta shohin atë flamur të zbritur, të shqyer e përbaltur.

At Nikolla na thotë se në këtë Kishë të vjetër sa vetë muret e kalasë, vinë jo vetëm besimtarë orthodoks, por edhe të besimeve të tjera, sepse ata qëndresën e At Nikollës e shohin edhe si qëndresën e tyre, me Atë Nikollën i bashkon atdhedashuria. Kur kemi festa fetare, thotë At Nikolla, ta zëmë Pashkët, ju them të pranishëmve në meshe të ndahen, në njërin krah besimtarët e feve të tjera, të cilëve së pari u servir vezët e kuqe. Ju shpreh mirënjohjen sepse ata vërtetë na e forcojnë besimin në qëllimin tonë kombëtar, toleranca e tyre buron nga atdhedashuria që kanë. Ne të gjithë jemi shqiptarë e vëllezër, ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar në qëllimet kombëtare.

Tek e dëgjon të flasë me aq pathos për atdhedashurinë, At Nikolla me përngjan aq shumë me fetarët e mëdhenj, ndër të cilët të paharruarin Papa Kristo Negovani, i cili duhej shpallur shenjtori i Kishës Orthodokse Shqiptare, po kush ta bëjë këtë, uzurpatori grek apo puthadorët e tij shqiptarë, bukëshkalët e atdheut.

Më vjen ndërmend edhe një fakt domethënës. At Nikolla ka iniciuar që një rruge në Elbasan t’i vihet emri i studiuesit e veprimtarit arvanitas Aristidh Kolia, e kjo na e shton admirimin për këtë prift, të cilit nën rrobën fetare i rreth një zemër e madhe, shqiponjë shqiptare.

At Nikolla në mes të mrekullisë onufriane

Kalojmë përmes kolonave, në të djathtë të kishës dhe gjendemi pranë altarit. Është e pamundur të mos emocionohesh kur ndodhesh përpara një ikonostasi kaq të madh ku është derdhur një mjeshtri e pashoqe. Vende vende punuar me ar. Kurrë nuk kam parë një ikonostas aq madhështor si nga përmasat por dhe mjeshtëria e punimit, që vjen mrekullisht nga mesjeta. Por për pak e nuk do të kishte ardhur në kohën tonë.

Në ato vite të errta kur u mbyllen institucionet e kultit dhe feja u ndalua, u gjenden ca njerëz me tru të shpëlarë e të indoktrinuar që i vunë zjarrin këtij ikonostasi, ndër më të çmuarit në Shqipëri dhe mbarë Ballkanin, mirëpo fatmirësisht ish ndërhyrja e ish kuadri të asaj kohe, që urdhëroi shuarjen menjëhershme të flakëve. Ende duken gjurmët e barbarisë, por falë Zotit, kjo perlë e krenari e artit kishtar shqiptar shpëtoi.

Kubeja në qëndër të altarit ka ca afreska të vjetra të cilat thuaj janë prishur nga lagështira. Këto dy dekada tranzicion, ku shumë kush nga kacidhjar na u gjend misionar, kjo kohe pra, nuk kishte para për të bërë punime mbrojtëse të afreskave që i kanë krijuar mjeshtrit më të mëdhenj të artit kishtar, si Onufri, David Selenicasi a të tjerë ikonografë që njihen a nuk njihen.

Për këto afreska qindravjeçare, me çfarë pashë në atë lagështire gërryese( turpi i Institutit të Monumenteve të Kulturës) është tepër vonë. Janë të dënuara me vdekje prej shtetarësh e burokratësh financiare që nuk kanë kurrfarë vlere njerëzore e kurrqysh dinjitet. Ky është një prej krimeve të shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen në këtë vend e për të cilat nuk e vret ndërgjegjja askënd.
Atë Nikolla afrohet pranë altarit për të na treguar disa ikona. Përqëndrohet tek njëra e thotë “Ja e kuqja e papërsëritëshme për të cilën më pyetet!” Onufri. Për një çast me duket se koha ngrin. Seç të jep një stepje qëndrimi përpara veprave të mjeshtrave të medhej që nderojnë e përjetësojnë një komb.

E prek lehtas me dorë kornizën e asaj ikone. Më duket si ëndërr. Jo shpesh të ndodh të gjendesh aq pranë këtyre mrekullive. Por është një njeri që përditë jeton me to dhe në mes tyre. E ky është At Nikolla. Ndoshta për këtë ky fetar atdhetar që e ka vënë Flamurin kombëtar jo vetëm jashtë në lartësi të kumbanares, por edhe brenda Kishës, përballë altarit, për këtë është aq krenar e aq luftarak për ta mbrojtur Kishën Autoqefale nga erozioni i tmerrshëm dhe shkatërrimi.
Qëndruam pak kohë me kolegët e mi gazetare në atë Kishë të Moçme, atë perlë, që më së fundi shteti u kujtua si kofini pas të vjeli të shpenzojë një dorë kacille për ta mirëmbajtur.

Brenda mureve kalasë së Elbasanit

Anipse në një qëndrim të shkurtër, Kisha e Kalasë mu be shumë shpejt pjesë e ndërgjegjes, dinjitetit dhe e krenarisë sime si shqiptar, çfarë nuk ma stimulon asnjë lloj beton armeje apo kulla xhami të ndërtuara në zemrën e kryeqytetit, sepse sapo të mbarojnë funksionin qiellçarëset tona, shemben për të ringritur te tjera sikur të mos kishin qenë, por mrekulli te tilla si Kisha e Shen Marisë në Elbasan, kurrë më nuk mund të ngremë. Kisha e ngritur gjigandomane e sfidante në qendër të Tiranës, mbase step e magjeps ca njerëz, por madhështinë e Kishës së Kalasë së Elbasanit, ku ngre meshë At Nikolla Marku kurrë nuk mund ta ketë.
Fotot Dilaver Baxhaku
http://traboini-ese.blogspot.com/