At Nikoll Marku: Statuti i Kishës, Qeveria pakt me Janullatos

2
18

Veprimtaria e Janullatosit, si kjo e fundit në takim me deputetin grek neonazist të Agimit të Artë në Himarë, ku ky i fundit bëri thirrje në mes të Himarës për të marrë Vorio Epirin, nuk mund të fshihet pas gishtit. Unë nuk kam vjedhur kurrë në jetën time siç është mësuar Janullatos, duke mbajtur peng pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare.

Për dijeni të opinionit, unë e kam mbaruar kursin në Durrës deri në fund në vitin 1994. U caktova mësues i katekizmit për kishën, kështu që përjashtimi im më 1992 nuk ekziston. Thjesht Komiteti për Mbrojtjen e Pavarësisë së Kishës Ortodokse dhe bashkë me Këshillin e kishës, vetëm një armik të drejtpërdrejtë kemi, ai është Janullatos. Çdo shqiptar tjetër është i falur nga ne kurse ai kurrë, sepse veprimtaria e tij nuk është fetare, por politike dhe shoviniste.

Në replikën e tij, Janullatos i anashkalon pyetjet tona dhe merret me fjalë dhe akuza bajate kundër meje. Sa për shpifjet se jam hajdut apo qesharak, ata që më njohin e dinë mirë se unë nuk jam hajdut dhe as qesharak. Le të përballemi Janullatos ku të duash ti, në çdo media, qoftë dhe greke e do të shohim se me argumenta gënjeshtar dhe qesharak do të mbetesh ti.

Sa për ato forume ndërkombëtare, që me të vërtet janë qesharake, janë forume të krijuara nga ai vetë me financa fondamentaliste greke, në shërbim të helenizmit. Të tilla OJQ, mund të krijojmë sa të duash dhe me emra bombastike por, ne nuk gënjejmë as veten, as kombin, dhe as njerëzimin me fantazma institucionale, që nuk kanë asnjë rol të dobishëm përveç përfitimeve të atij vetë.

Për dijeni të opinionit publik, statuti i kishës i vitit 1929 i miratuar në Korçë, në nenin 3, përcakton “gjuha zyrtare e kishës është Shqipja” në nenin 4 “autoriteti ma i naltë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, është Sinodi i Shenjtë Peshkopal i përbërë prej Peshkopëve aktive të çdo dioqeze, prej Ikonomit të madh Mitrofor dhe i kryesuar prej Mitropolitit të qendrës, Kryepeshkopit të gjithë Shqipërisë“. Neni 16 përcakton “Kryepeshkopi, Peshkopët, zëvendësit e tyre lokale, Ikonomi i madh Mitrofor, sekretari i përgjithshëm i Sinodit, si dhe ndihmësit e zëvendësit klerikë të Kryepeshkopit dhe të Peshkopëve, duhet të jenë prej gjaku, gjuhe shqiptar si dhe të kenë nënshtetësinë shqiptare“. Neni 27 përcakton “Kryepeshkopi dhe Peshkopët emërojnë zëvendësit e tyre në konform me nenin 16 të këtij statuti“.

Statuti ka dhe pika të tjera të rëndësishme, por kaq mjafton, për të kuptuar se sa e ligjshme është marrëveshja Qeveri-Janullatos. Ky statut është miratuar dhe nga Patriarkana e Stambollit me vendim të posaçëm që quhet, vendimi TOMAS i vitit 1937 kur Kryepeshkop ishte hirësia e tij Visarjon Xhuvani. Vendimi i Patriarkanës presupozohet i përjetshëm. Madje, në statutin e Patriarkanës së Stambollit, ka nen të posaçëm siç është neni 34, i cili përcakton “kreu i kishës të jetë prej gjaku, gjuhe i racës së vet“. Me të drejtë pyesim çdo besimtar të ndershëm se si është përbërja e kuadrit tani në kishë?

A kemi shqiptarë të vërtetë? Sa grekë kemi tek këto forume? Me këto që po shkruajmë ne nuk gënjejmë. Janullatos, ti erdhe në Shqipëri për mungesë kuadri, sepse një pjesë vdiqën në burgje dhe disa gjatë jetës. Se si njiheshe ti me Ylli Popën dhe më pas me Ramiz Alinë, këtë le ta sqarojnë ata që janë gjallë, por pazari i turpshëm dhe tradhtar ishte bërë, që ti të qëndroje 10 vjet në Shqipëri 1991-2001. Çfarë kërkon më tej tani? Kur u larguat në vitin 1997 drejt Italisë, ju e dini mirë se çfarë i deklaruat televizionit RAI.

Ajo që folët ju, mjaftonte që ti të mos shkelje më në këtë vend dhe popull të urtë. Ne nuk na duhen fjalimet e tua në organizma mafioze e gjoja teologjike, apo fetare, kur thuhet e flitet në emër të kishës Shqiptare greqisht. Kaq mjafton për të nënkuptuar dëmin që bëni ju, në krye të kishës, sepse më pas vjen politika greke diskriminuese dhe shoviniste, me kërkesa për Vorio Epirin. Ne nuk do ta përmendim emrin tënd Janullatos në kishë kurrë si Kryepeshkop, sepse për ne Kryepeshkopë janë, Fan Noli me atë statut të pastër si drita e diellit, Visarjon Xhuvani dhe Kristofor Kisi.

Mos spekulo me mungesat e ligjit në vitet e para të demokracisë, dhe mos keqinterpreto veprimtarinë tonë kishtare dhe besimplotë, me terma tregtare, sepse është një rrëshqitje për keq nga zemra juaj. Ta dish mirë ti dhe kushdo që të përdor ty se, Zoti as nuk fillon tek ty dhe as nuk mbaron tek një pseudo marrëveshje. Janullatos, ju shfrytëzoni shtetin grek, për ti bërë presion politikës ekzekutive të çdo ngjyre këtu në Shqipëri, për të realizuar qëllimet tuaja, për shndërrimin e Vorio Epirit në krahinë helene. Deri tani keni bërë shumë, sepse disa komponentë që duhen përballë organizmave ndërkombëtare, po i realizoni me mendjen tuaj dhe firmat e shefave shqiptarë.

Kishën Ortodokse po e paraqisni greke jashtë shtetit, monument varrezash ushtarësh grekë e bëtë në Këlcyrë, emigrantët i detyron shteti grek të thonë jam Vorio Epiriot, disa biznesmenë i keni gati këtu me para, shkolla greke po hapen dhe aty ku nuk ka emigrantë Grekë, dhe censusin e bëtë sipas qejfit, etj. Çfarë ka ngelur më për të bërë ky njeri pyesim shqiptarët tanë? Janullatos, ti do të përgjigjesh për së gjalli para popullit Shqiptar dhe drejtësisë, për vjedhje të veprave mistike fetare, në kishat e Shqipërisë, si dhe për shkelje të sovranitetit Shqiptar, si territorial ashtu dhe historik. Përgjigju pyetjeve tona drejtpërdrejt dhe mos i bjer nga Kina themi ne shqiptarët.

Ke qenë kundër bombardimeve të NATO-s mbi ushtrinë kanibale të Millosheviçit?
E njeh Kosovën të pavarur?
I mbështet kërkesat e shqiptarëve Çamë ortodoksë?
Bën transparencë të financimeve se nga të vijnë?
Ishe organizator i meshës për vorio Epirin në Janinë?
Çfarë ju lidh juve me OMONIA-n, Vangjel Dulen dhe Vasil Bollanon përveç besimit?
Çfarë biseduat me fantazmat e Hitlerit në Himarë?

Së shpejti, ne do të organizojmë një Kongres Simpozium me temë “Çlirimi i Kishës Ortodokse nga helenizmi dhe organizimi i saj mbi baza Shqiptare“. Në atë kongres me besimtarë ortodoksë shqiptarë, do të fuqizojmë statutin e Nolit dhe do të djegim çdo pseudomarrëveshje me prapavijë shovinizmin Grek. Gjithsesi, takohemi më 28 nëntor 2012 në Katedralen Ngjallja e Krishtit Tiranë në meshën për Pavarësinë e Shqipërisë.

KOMITETI PËR MBROJTJEN E PAVARESISË SE KISHËS ORTODOKSE KOMBËTARE SHQIPTARE
KËSHILLI I KISHËS SHËN MARIA ELBASAN
AT NIKOLLA MARKU

2 COMMENTS

  1. S’vjen pranvera me nje lule.
    Respekti per te tjeret ka ne baze respektin per vehten dhe fillon pikerisht nga ky.

  2. Per Eskilin pluhuri eshte vellai i rreshkur i baltes.
    Balta qe kemi marre ne keto vite ka filluar te thahet dhe te kthehet ne pluhur, ka ardhur momenti qe ky pluhur te fshihet nga ndergjegja jone.
    Cilit institucion i takon e drejta ligjerishte qe te mbroje te drejtat e nje komuniteti fetar?
    Institucioni eshte nje forme e organizuar e maredhenieve social-juridike historikisht e orientuar, qellimi i se ciles eshte te garantoje ruajtjen dhe zbatimin e normave apo aktiviteteve sociale e juridike te miratuara, te vendosura ndermjet individit dhe shtetit, per t’ja hequr nga duart gjykimit individual dhe gjykimit te pushtetit ne pergjithesi.
    Saint-Just thote:
    Institucionet jane per qeverine e nje populli te lire garancia kunder korrupsionit te qeverise. Vetem institucionet mund te vene ne pranga krimin dhe padrejtesine kunder vetgjykimit, ne ju propozojme institucionet civile nepermjet te cilave edhe nje femije mund t’i rezistoje sulmit te nje njeriu te fuqishem dhe te padrejte…
    Ka shume ligje dhe pak institucine civile… Sa me shume institucione te jene, aq me i lire eshte populli
    .”
    Cfare duhet bere?
    Te gjithe intelektualet laik dhe religjioz duhet qe ta perkrahin kete inisiative te ketij prifti, qe te pakten, ka gjak shqiptare ne venat e tij.

Comments are closed.