At Gjergj Fishta duhet të presë përsëri

0
55

Preç Zogaj, 15.08.2010

Deri në verën e vitit 2009 At Gjergj Fishta nuk kishte ende një permendore të denjë për vendin që ka në historinë e Shqipërisë. Duke parë kohën që shkonte dhe duke vënë re jo pa mërzi dilemat e pathëna të rregjimit demokratik për ta pranue me zemër të hapur Gjergj Fishtën, me ose pa apelativin “at” përpara, at Zef Pllumi thoshte kështu në një fjalim të tijin në tetor të vitit 1999: “A ka hije që dy kolosë të kulturës shqiptare , si At Gjergj Fishta e At Shtjefen Gjecovi të mos kenë në Shqipërinë e sotme asnjë permendore. Mendoj se ka ardhë koha…të propozohet ngritja e tyre”.

Koha kishte ardhur e kishte kaluar. Me Fishtën duhej të kishte filluar rindërtimi i
panteonit të gjymtuar të kulturës kombëtare. Nga viti 1999 kur ngriti zërin “frati i dëshmive” u desh të kalonin edhe pesë a gjashtë vjet të tjera që emri dhe vepra e Fishtës të rikthehej në projektet e Ministrisë së Kulturës për vlerësimin e figurave të shquara të kulturës kombëtare. Ishte emëruar ministër deputeti demokrat i Vlorës, zoti Bujar Leskaj, një ekonomist në profesion, mik i librit, i orjentuar drejt në ceshtjet e trashëgimisë kulturore kombëtare.

Zoti Leskaj kishte marrë këshilltar zotin Agron Gjekmarkaj, një studiues i ri dhe i kualifikuar i letërsisë shqiptare dhe botërore, i diplomuar në Universitetin “la Sapienca” të Italisë. Spontane apo e menduar, emërimi i Gjekmarkajt në atë post i përgjigjej borxhit që qeveritë e tranzicionit i kishin trashëgimisë kulturore franceskane. Ishte një emërim që përcaktoi një prej drejtimeve të reja të punës së ministrit Leskaj: impenjimin për rivlerësimin dhe nxjerrjen dora-dorës në dritë të korpusit franceskan si pasuri kombëtare.

Politika kulturore shqiptare i dedikon këtij ministri kthimin si asnjëherë tjetër
më parë të vëmendjes së qeverisë nga vepra e nëpërkëmbëur, e lënë mënjanë, e dhunuar dhe plackitur në dekada e fretërve krijues, shkencëtarë dhe hulumtues, si Gjergj Fishta, Shtjefën Gjecovi, Vincens Prenushi, Donat Kurti, Marin Sirdani, Justin Rrota, Bernardin Palaj, Gjon Shllaku, Martin Gjoka e të tjerë. Provinca franceskane e ka njohur me mirënjohje këtë shdritje të politikës së re kulturore, e cila gjen miratim të gjerë anembanë vendit, sa herë zbatohet.
Në Jug po e po, ku intelektualët më në zë dhe mbarë publiku i informuar
vlersojnë lart rolin e at Gjergj Fishtës me shokë për vendosjen e alfabetit latin si
gur themeli në kursin perëndimor të Shqipërisë , a po kontributin e tij të
vecantë si një apostull i shqiptarizmit, bashkë me imzot Bumcin, për të mos
lejuar që në agimet e vështira të shtetit të ri shqiptar në dekadën e dytë të
shekullit të njëzet, Gjirokastra dhe Korca të përdoreshin si plackë tregu për të
kënaqur orekset e Greqisë.

Në këtë atmosferë erdhi vendimi për ngritjen e përmendores së Gjergj Fishtës në qytetin e Lezhës. Punën e filluar nga Leskaj e vazhdoi ministri Pango, që e pasoi në atë post. Një juri e ngritur pranë Ministrisë shpalli fitues bocetin e skulptorit me origjinë nga Camëria, Hilmi Kasemi, i cili punonte dhe jetonte prej vitesh në Itali, por kishte marrë pjesë në atë konkurs për shkak të afeksionit të vecantë që kishte për Fishtën. Ndërmarrja e këtij skulptori të talentuar ndeshi shpejt në ëvshtirësitë e trajtimit me nënvlerësim nga
Ministria, si të mos ishte fjala për një vepër shumë të rëndësishme arti, por për një porosi cfarëdo.

Vështërësive që kishin lidhje me mungesen e kushteve normale të punës në atelie, iu shtuan burokracitë në livrimin e fondeve të domosdoshme dhe lloj-lloj pengesash të tjera që janë të mjaftushme për t’i prerë hovin e prishur qetësinë një artisti. Kur e vizitova njëherë zotin Kasemi, e gjeta shumë të stresuar. Ai më tregoi problemet që kishte, pastaj më shprehu dëshirën për ta derdhur veprën në bronc në një fonderi italiane. Meqenësë nuk komunikoja në atë kohë me ministrin Pango, i shkrova nje letër kryeminsitrit Berisha.

Zoti Berisha ia kaloi letrën time shefit të tij të kabinetit, zotit Imami, i cili e trajtoi me serjozitetin e duhur. Prej atij casti, edhe pse marrëdhëniet e skulptorit me drejtuesit e ministrisë mbeten të parelakasuara, u zgjidhen disa prej problemeve të ngritura prej meje dhe puna e skulptorit në atelie rifitoi ritmin dhe kënaqësinë e krijimit. Dërgimi i veprës në një fonderi italiane nuk u pranua sepse kërkoheshin fonde dhe impenjime shtesë nga ministria, por kësaj nuk kishim c’ti bënim. Unë nuk e ngava më tej këtë punë.

I kërkova Hilmi Kasemit të evitonte sa të ishte e mundur sjelljen e tij prej artisti
me zyrtarët e Ministrisë, sepse në një moment të caktuar, me justifikimin e
shkeljes së afateve, mund t’i prisnin edhe fondin e mbetur. Më kuptoi dhe më dëgjoi. Ndërkohë iku Pango dhe vendin e tij e zuri zoti Adrian Turku. Ministrit të ri i parashtrova me gojë dhe me shkrim propozimin për ta shdërruar vendosjen e
permendores së Gjergj Fishtës në Lezhë në një ngjarje të vecantë kulturore.
Ideja ime ishte që në shembullin e vendosjes së monumentit të Pushkinit në Moskë, ku pat shkëlqyer oratoria e njerëzive me të shquar të Rusisë së kohës, të ftoheshin për të folur në Lezhë njohës dhe studius të Fishtës nga vendi dhe bota, shkrimtarë dhe poetë të shquar.

Aktorë nga më të njohurit në vend do të intepretonin pjesë të zgjedhura nga poezia e tij, ndërsa grupet artistike të Zadrimës dhe mbarë zonës do ti jepnin ngjyrë dhe hijeshi asaj feste të ringjalljes së poetit kombëtar. Ia bëra me dije këtë propozim edhe kryeministrit. Ishte rasti që në atë shfaqje të lartësimit dhe pastrimit të shpirtrave, qeveria të jepte shfaqjen e një pranimi të ciltër e të gjerë të Gjergj Fishtës.

Si sot një vit më parë permendorja e Fishtë, e konceptuar si ansambël skulpturor, mbërriti gjatë një nate të heshtur gushti në qytetin e Lezhës, në shoqërinë e pikëllueshme të skulptorit vetmitar. Të nesemen, nën diellin përvëlues të mesditës , si të mos ekzistonte ndonjë orë tjetër më e përshtatshme për ngjarjen me të rëndësishme kulturore të qytetit, u improvizua njëfarë ceremonie me një prani tepër modeste zyrtarësh vendore. Bashkia kishte menduar ta përfshinte këtë ngjarje në kuadrin e
veprimtarive për ditën e shtegtarit.

Përurimi sa për të kaluar radhën ishte një kërikaturë e nderimit minimal. Gjysma e së keqe që ia mbërriti nepër vapën e padurueshme ministri Turku, i cili, megjithë prirjen pozitive, vetëm e theksonte me nxitimin e tij faktin se qeveritë shqiptare, kur nuk e kanë luftuar, nuk kanë patur asnjëherë kohë ta nderojnë për së mbari atë që konsiderohet një nga mbrujtësit e medhënj të ndjenjës dhe konceptit të atdhedashurisë shqiptare.

Nismëtari i permendores, at Zef Pllumbi, nuk ishte në atë përurim sepse kishte
vdekur ndërkohë, por edhe po të ishte gjallë me siguri do të mungonte, ashtu
sic mungonin përfaqësuesit e provincës franceskane, që cuditërisht nuk kishin
marrë asnjë ftese në eventin për korifeun e tyre. Këshilltari i ish Ministrit
të Kulturës, zoti Gjekmarkaj, që kishte kaluar këshilltar i Presidentit Topi
ndërkohë, nuk ishte njoftuar, megjithese kishte qenë si me thënë “nuni” i asaj
permendoreje. Edhe unë nuk isha ai që kisha qenë kur ndihmoja skulptorin
dhe ideoja “ditët e Fishtës”! Kisha kandiduar disa javë më prë me një parti që

nuk ishte në kualicion me PD-në, pa e cuar kurrë nepër mend se liria ime mund
të dëmtonte sadopak madheshtinë e ceremonisë për Fishtën. I kredhur në
një trishtim të pamasë, piktori Pashk Përvathi, më thërriste në telefon “ku
je” dhe më tregonte i indinjuar ndonjë detaj nga zhegu ku po fyhej kolosi.
Dikush më tej, i përfshirë prej dëshpërimit nga humori i zi, shtonte se po të
ishte përmendorja e ndonjë kryetari komune, do të kishin vërshuar gjithë
Zadrima, Mirdita dhe Malsia! Por populli nuk kishte faj sepse as populli nuk ishte
lajmëruar.

“Mbaroj”, më njoftoi dikur Përvathi me një ndjenjë të thellë lehtësimi që vetëm një natyrë e ciltër si e tija mund ta trasmetonte. U lehtësova edhe unë në skajin tjetër të telefonit, si të ishte fjala për fundin e një turpi. Por që nga varri ku prehej në amshim, at Zef Pëllumi, dukej sikur na thoshte: Mos u mërzitni! At Gjergj Fishta duhet të presë përsëri. “Megjithëse veprues, e madje potent në politikën kombëtare, ai nuk pat kenë i dishrueshëm për “autoritetet” e shtetit shqptar; Duket se ashtu, n’opozitë, po don me
vazhdue edhe pas vdekjes”.

At Gjergj Fishta duhet të presë përsëri. Cfarë duhet të presë? Është naive të mendohet se ai duhet të presë thjesht rrotacionin e radhës të pushtetit vendor apo të pushtetit qëndror. Prirja e drejtuesve ka peshën e vet në vlerësimin e figurave historike. Por rrotacionet e pushtetit janë hollësira në raport me universin fishtian dhe me problemin që ngre para shoqërisë shqiptare rasti i tij. Fishta është, me sa dimë, i vetmi të cilit Enver Hoxha ia ka kërkuar varrin me qiri për t’ja dhunuar e flakur në lumë, duke i tejkaluar në urrejtje pushtuesit osmanë, që sipas gojedhënave i bënë hajmali eshtrat e zhvarrosura të Gjergj Kastriotit.

Në këtë përballje të pashembullt me të vdekurin e pambrojtur, Enver Hoxha u mund nga urrejtja e tij kurse at Gjergj Fishta u ngrit nga dashuria e tij për fe dhe atdhe. At Gjergj Fishta është fyryra e atdhedashurisë, sikurse është një lartësi dhe një drejtim kombëtar kulture. Ai qëndron në zemer të historisë sonë, i panuar si i tillë nga shumica e të mëdhenjve të këtij vendi, që nga Faik Konica, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Aleksander Xhuvani, Eqerem Cabej, pa përmendur këtu intelektualet e qarkut katolik që e patën mit.

Megjithese po mbushen shtatëdhjetë vjet nga dita e vdekjes dhe megjithese doli i paprekur nga programi komunist i harrimit, natyra e lirë dhe personaliteti madhor i Gjergj Fishtës nuk është pranuar ende me zemer të hapur nga elita politike e vendit. Vargonjtë e paragjykimeve, kufizimet e një dijeje të mangët, xhelozitë dhe kundështitë në lidhje me orjentimin e vendit janë distanca konstance midis Fishtës dhe “auktoriteteve”, sic thoshte pater Zefi. Prandaj at Gjergj Fishta duhet të presë përsëri. Që do të thotë se autoritetet duhet të lëvizin drejt tij.