Astrit Kalaja i Kolegjit Zgjedhor dhe dhëndri i Kafazes

0
109

 Nga Bledi Mane

Një nga lexuesit e shumtë të site-it www.tema.al ka postuar para disa ditësh një koment interesant rreth përzgjedhjes së gjykatësit Astrit Kalaja si relator i ankimimit të tretë të Partisë Socialiste pranë Kolegjit Zgjedhor. Po e riprodhoj komentin pa i hequr asgjë:

maldini thotë:

30 Qershor, 2011 më 2:51 pm

Për të gjithë ata që nuk e njohin, Astrit Kalaja nuk është gjyqtar i plepave të Durrësit, por është një djalë i qytetarisë shkodrane dhe është nga të paktët gjyqtarë që nuk mund të përflitet për korrupsion. Ruaj konsideratat e mia për kohën që kam punu me të.

Për mua ky koment i thjeshtë të lë pa fjalë. Unë nuk e njoh zotin Kalaja, unë ashtu si gjithë taksapaguesit dhe votuesit e këtij vendi sot do e ndjek me emocion vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Nuk e paragjykoj juristin Astrit deri në mbrëmje kur të merret dhe zbardhet vendimi mbi ankimimin, thjesht dua që të zgjohet i kthjellët, i qetë, të mos i hajë presionet e kujtdo krahu politik apo të ndërkombëtarëve qullacë të Tiranës, të diskutojë e vendosë me maturi dhe njëkohësisht të Ndalojë Përfundimisht Fermentimin e Mëtejshëm të Drejtësisë së Kalbur Shqiptare.

Astrit i dashur!

Unë që po të shkruaj jam një burgaxhi i regjur i post viteve ’90. Me dhjetëra e qindra herë më kanë arrestuar, burgosur, rrahur, dënuar, liruar, ridënuar, sjellë e risjellë nëpër dyert e gjykatave buzë Lanës së Tiranës me apo pa pranga në duar. Jam gjykuar nga dhjetëra gjyqtarë kolegë të tu korrektë, enveristë, halabakë, plepistë, nanoistë, monstruozë, abdibaletistë, profesionistë, kodoshë, salistë, magjistratë, mendjelehtë që nga Gjin Gjoni i famshëm i Mirditës me flokë të mbjella tip Donald Trump, nga Ritvan Hado i gjyqit gallatë të Gërdecit e deri tek kryetarja e Kasacionit Shpresa Beçaj.

Unë e di si funksionon detyra juaj, i kam nuhatur ndërhyrjet dhe presionet mbi ju, di ku paguhet bakshishi për nderet që bëni, di nga kush keni frikë dhe kë evitoni. Ju keni luajtur me lirinë time dhe të shqiptarëve të tjerë të pambrojtur, siç luajnë mbesat e Doktorit me rërën e lagur buzë detit në Gjirin e Lalëzit. Më fal për vanitetin, jo vetëm unë, por opinioni publik e di sesi funksionon fabrika juaj e korrupsionit dhe standardeve të dyfishta.

Të gjithë i dimë mëkatet&padrejtësitë tuaja, prandaj shumica e shqiptarëve të rinj me apo pa lekë në xhep kërkojnë në mënyrë këmbëngulëse të arsimohen dhe diplomohen juristë… s’ka rëndësi kostoja, të gjithë duan të bëhen si Gjin Gjoni, të cilin karriera e dështuar si agronom e ndihmoi të bëhet një nga gjykatësit më të pasur halabakë, pavarësisht se niveli i tij intelektual dhe profesional është diçka më poshtë se niveli i maturantëve të gjimnazistëve nga Macuklla e Burrelit.

Komenti i atij lexuesit të TemA-s në hyrje të shkrimit tim sinqerisht më bën optimist dhe uroj që kësaj here të prodhohet paksa drejtësi brenda asaj godine afër Urës Otomane të Tabakëve.

Astrit i dashur, ti dhe kolegët e tu sot keni rastin të bëheni pjesë e historisë, duke hapur një kapitull të ri të drejtësisë këtu. Besoj e ke lexuar në librat historikë të jurisprudencës? Gjatë shekullit XVII-të, pikërisht në Anglinë e vitit 1694, kur Mbretëresha Meri vdiq, të gjithë gjykatësit shkuan në funeral të veshur me të zeza në shenjë hidhërimi. Por zija zgjati me vite jo vetëm në Angli, por edhe në kolonitë e tjera të saj, kështu që gjykatësit ende shkonin në punë me rrobat e zeza.

Monarkja Meri la pas një sistem drejtësie unik, ku zbatimi i ligjit filloi të çlirohej nga privilegjet dhe korrupsioni që ne shqiptarët kemi establishuar këtu mes vedi tash e 20 vite të shkuara. Rrobat e zeza të gjykatësve anglezë nuk u hoqën më në shenjë hidhërimi për vdekjen e Mbretëreshës së tyre të hekurt dhe si një tregues ku kompromiset nuk do të kishin më vend në drejtësi. Ndaj edhe Bota e mori këtë traditë dhe gjykatës nga të gjithë kontinentet vishen në përgjithësi me Uniformën e Zezë Klasike, ndaj edhe ju Astrit sot përsëri do të visheni me të zeza.

Kurajo të nderuar gjykatës, bëni edhe ju të Pestë Histori, nisni kapitullin e ri, varrosni mbretërimin e korrupsionit dhe mësojani gjithë gjykatësve në hapësirën mbarëshqiptare leksionin e “SINE IUSTITIA”.

Kalendar historik:

-6 korrik 1775, Kongresi Amerikan lëshon “Deklaratën mbi shkaqet dhe domosdoshmërinë e marrjes së armëve”,
-6 korrik 1862,shkrimtari i famshëm Mark Twain nisi botimet e para në Virxhinia,
-6 korrik 1935, lindi lideri shpirtëror dhe udhëheqësi tibetian, laureat i çmimit Nobel Dalai Lama,
-6 korrik 1946, lindi ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush,
-6 korrik 1946, lindi aktori i famshëm hollivudian Sylvester Stallone,
-6 korrik 1946, stilisti francez Louis Reard dizajnoi rrobat e famshme të banjës Bikini,
-6 korrik 2011, Kolegji Zgjedhor kombëtar dha për herë të parë “Drejtësi” përgjatë 20 viteve të fundit mbushur me zullume dhe vjedhje para dhe pas proceseve elektorale në Shqipëri.

Informacion i rëndësishëm: Ai tipi përballë nesh që po pi kafe me Henri Çilin dhe Artur Zhejin ka vjedhur paratë e Rrugës së Kombit, ai aty që qesh pavullnetshëm i fali Detin Jon Greqisë, sikur t’i kishte benevreket e Xhelalit, shikojeni me vëmendje atë fytyrë dhe mbajeni mend se ai vrau më 21 janar 2011, ai që hiqet si trim dhe kujton sikur ne ia kemi harruar mëkatet, ja ai aty është dhëndri i Kafazes.

*facebook.com/bledi.mane