Nga Neil Macdonald dhe Stefan Wagstyl, “Financial Times”
Asgjë nuk është më e veçantë në peizazhin e bardhë të tunelit Mala Kapela në malet Velebit, në qendër të Kroacisë, përveç çmimit.
Prokurorët thonë se kontrata për zbukurimin e 6 kilometrave të tij dhe atë të Sveti Rok-ut, një gërmim dydegësh poshtë autostradës Zagreb-Dubrovnik kushton 6 herë më shumë se sa duhej të kushtonte.
Një marrëveshje prej 3.6 milionë eurosh u paraqit për atë që duhet të ishte një punë me vlerën e 600 mijë eurove.
Katër ish-zyrtarë apo zyrtarë të tashëm nga HAC, kontrolluesi i punimeve dhe operatori, së bashku me Slaven Zuzul, kreun e Skladgrandja, përfshirë kontraktonin janë nën arrest, teksa një gjyqtar po heton një skemë ryshfeti, në të cilën HAC la mënjanë ofertuesin me vlerën më të ulët për punën. Që të gjithë thonë se janë të pafajshëm.
Marrëveshja, ndonëse e vogël në krahasim me buxhetin vjetor prej 500 milionë eurosh për ndërtim rrugësh, është mes rasteve në rritje për prokurorët antikorrupsion që hetojnë që nga mashtrimet e kompanive tek grabitet e pensionistëve nëpërmjet postës. Raste që tërhiqnin pak vëmendje një ose dy vjet më parë, tashmë janë bërë menjëherë lajme të mëdha në Kroaci, qasja e së cilës ndaj korrupsionit është transformuar nga një seri paralajmërimesh nga BE, pas skandaleve të mëdha të korrupsionit, se rruga e Kroacisë drejt BE ishte futur në turbullirë.
Shumëçka varet nga aftësia e Kroacisë për të përballuar këtë problem e për të shkuar te zgjerimi i dytë i BE në ish-Jugosllavi, pas Sllovenisë, e cila është e vetmja deri më tani si anëtare. Nëse përpjekjet e Zagrebit dështojnë, do të vihet në rrezik anëtarësimi i tij në BE dhe bashkë me të edhe shpresat e vendeve të tjera në radhë, përfshirë Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Kosovën. Nëse zgjerimi vjen në Ballkan, do të ketë betejë për anëtarësim diku tjetër, në Turqi.
Zyrtarët e BE kanë qenë të bindur se niveli i korrupsioni në Evropën Juglindore shpesh e kalon atë në Perëndim. Por ata kanë punuar me mendimin se procesi i përgatitjes së vendeve ish-komuniste për të bashkuar me bllokun e BE, me gjithë shqetësimet në reformat burokratike dhe sundimin e ligjit, do të rrisë standardet. Megjithatë kjo qasje është minuar nga faktet që vijnë nga Rumania dhe Bullgaria, që iu bashkuan BE në 2007, në lidhje me betejën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, kërkesa të cilat që në krye nuk ishin plotësuar.
BE tashmë është e vendosur që të mos vuajë të njëjtën gjë me anëtarët e rinj dhe Kroacia është vendi ku ajo ka vendosur vijën. Katinka Barysch nga Qendra për Reforma Evropiane, një institut britanik, thotë se është i pranishëm rreziku që paratë e BE të mbërrijnë në duart e zyrtarëve të korruptuar dhe madje kriminelëve, dhe “është shumë keq për imazhin e BE që të kenë anëtare vende që funksionojnë keq”.
Kroatët e dinë se çfarë është në diskutim. Ivo Josipoviç, një profesor ligjesh, i cili të dielën e fundit u zgjodh president, e shenjoi fitoren e tij duke premtuar të shërbejë “pa kompromis në betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Vendi shpreson të përfundojë negociatat në qershor me synimin që të bëhet vend anëtar në vitin 2012. Përpjekjet kundër korrupsionit formojnë bazën e gjithçkaje, thotë Jadranka Kosor, që u bë kryeministre në qeverinë e qendrës së djathtë vitin e fundit. “Kjo është një betejë në të gjitha nivelet”.
Korrupsioni, shpesh i lidhur me prokurimet publike, i kushton vendit prej 5,4 milionë banorësh rreth 1,2 miliardë dollarë në vit ose rreth 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, sipas BB. Me më shumë se dy miliardë fonde të BE në dy vitet e para në pushtet, zonja Kosor tha se do të ketë tolerancë zero ndaj korrupsionit.
Aksionet e policisë janë përshpejtuar në bashkëpunim me BE dhe po japin rezultat edhe si pasojë e reformave legjislative të drejtuara nga BE, thonë zyrtarët në Zagreb. “Objektivisht ne mund të dëshmojmë se ka përmirësim”, – thotë Ivan Simonoviç, ministër Drejtësie. “Jemi duke iu dhënë trajtë kërkesave të BE”. Fushata e pastrimit nisi si reagim ndaj dhunës së mafies, pasi Ivana Hodag, vajza e një avokati të njohur, u qëllua jashtë apartamentit të saj në tetor 2008. Në të njëjtin muaj, një makinë bombë vrau Ivo Pukaniç, gazetar i “Nacional”, një revistë javore, që shpesh mbulonte krimin e organizuar. Shpërthimi në Zagreb, që vrau gjithashtu një menaxher të revistës, rigjallëroi shqetësimet në Bruksel për gatishmërinë e Kroacisë për t’iu bashkuar BE. Policia, në përballje me rritjen e presionit për të kapur kriminelët profesionistë, shumë shpejt arrestoi të dyshuarit në të dy rastet. Ata që akuzohen për vrasjen e Pukaniçit, janë gjashtë të dyshuar si të paguar, që vijnë nga ish-Jugosllavia. Por njeriu i akuzuar për vrasjen e Hodak duket se është një i punësuar i babait të viktimës vite më parë. Zoti Simonoviç këmbëngul se i dyshuari i duhur është duke u gjykuar. Hetimet janë në dorë të Uskok, një task force kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Akronimi i tij, një term për banorët dalmatë të 400 viteve më parë, Uskok ka ekzistuar që prej 2004, por është bërë më aktiv vitin e fundit dhe hetimet janë zgjeruar edhe tek çështje të kushtueshme dhe të jo të dhunshme. Gjykatat po gjykojnë më shumë dhe në nivel më të lartë raste kundër zyrtarëve. Një ligj i ri, që thotë se pasuria e pashpjegueshme me anë të llogarive ligjore, mund të konfiskohet, është në fuqi. Zoti Simunoviç flet për një situatë shumë të ndryshme krahasuar me nëntë vjet më parë, kur Kroacia nisi përpjekjet për të përmbushur standardet e BE. Akoma zakonet e këqija zgjasin. “Korrupsioni këtu është sistemi. Nuk është përjashtim”, – thotë Davor Butkoviç, zëvendës-botues i gazetës “Jutarnji List”. Zoti Simonoviç kundërshton se policia dhe progresi i gjykatave ecën para perceptimeve të publikut dhe shqyrtimit të organizatave, si “Transparancy Internacional”. Mbulimet live të medies mbi skandalet korruptive ushqejnë përshtypjet negative tek publiku edhe kur kriminelë të rëndësishëm goditen, shton Simonoviç. Zbulimet gazetareske kanë nxitur policinë të hapë shumë çështje.
Anëtarë të bezdisur të partisë HDZ, partia në pushtet, kanë bërë të rrjedhin detaje mbi gjithkënd, që prej dorëheqjes së pashpjegueshme korrikun e kaluar të Ivo Sanader. Zonja Kosor pasoi si kryeministre. Hetimet për korrupsionin kanë prekur fort ish-rrethin e brendshëm në parti. “Ne kemi pasur një mori skandalesh kohët e fundit”, – thotë Butkoviç. “Dhe nuk janë raste të izoluara. Kjo ishte mënyra si punonte qeveria e HDZ”.
Më 21 tetor, Uskok arrestoi gjashtë ish-anëtarë bordi dhe anëtarë aktualë nga Podravka, një kompani ushqimesh që zotërohet pjesërisht nga shteti. Hetimi mbi blerjet e paligjshme çoi në dorëheqjen më 30 tetor të Damir Polancec, formalisht zv/kryeministër, përgjegjës për ekonominë dhe privatizimin. Zoti Polancec, që ngjiti shkallët e Prodvakës për 12 vjet, para se t’i bashkohej Sanader në qeveri në 2005, ende mban lidhje me anëtarët e bordit që dhanë hua fondet e kompanisë për një makinë, me të cilën ata qenë të lidhur. Synimi i tyre përmes një serie transaksionesh ishte të merrnin në dorë eksportin e ushqimeve, thotë hetuesi i Uskok. Zoti Polancec, që nuk është akuzuar deri më tani, mohon korrupsionin, teksa refuzon të flasë me detaje për rastin Podravka, duke thënë: “Nuk jam nga ata lloj njerëzish që dalin kundër miqve”.
Por zona kryesore e problemit lidhet me prokurimet publike, thonë raportet e BE për zgjerimin. Gjithashtu në tetor prokurorët paditën Berislav Ronceviç, ish-ministër të Mbrojtjes, për blerjen e armatimeve nga një furnizues lokal pesë vjet më parë, pasi kishin anuluar një tender që përfshinte një ofertë më të ulët. “Unë do ta mbroj pafajësinë time në gjykatë”, – thotë zoti Ronceviç, të cilit deri më tani nuk i është kërkuar të dëshmojë. Kritikët pyesin nëse Uskok mund të gozhdojë politikanë më të fuqishëm. “Më shumë se 20 anëtarë të kabinetit të tashëm dhe të shkuar të HDZ kanë grumbulluar sasi të mëdha pasurie”, – thotë Joel Anand Samy në Instituin Adriatik për Politikë Publike, një institut kroat kritik me HDZ. “Ata, dhe disa qindra partnerë të tyre në krim janë të lirë, pa u hetuar dhe pa akuza”. Ai thotë se Brukseli duhet t’i rezistojë magjisë ofensive të Kroacisë dhe duhet të kërkojë më shumë reforma. Të gjitha vendet ish-komuniste të Evropës, me tranzicionin e tyre të pa -përkryer drejt kapitalizmit, vuajnë nga korrupsioni, por problemi duket më i thellë në Ballkan. Në të vërtetë Kroacia është një pishtar për standardet rajonale, si shteti më i pastër në tavolinën e TI për perceptimin e korrupsionit, duke tejkaluar Greqinë, një anëtar i BE prej 30 vitesh. Por BE kërkon nga Zagrebi që të ecë më mirë dhe të vendosë një standard më të lartë për anëtarët e ardhshëm.
Në ish-Jugosllavi, gangsterë dhe zyrtarë të korruptuar kishin shumë liri gjatë luftës civile të viteve ‘90, kur qeveria e bëri syrin qorr për tregtinë ilegale të armëve. Tregtarët, agjentët e sigurisë dhe politikanët e përfshirë më vonë, u shpërndanë në biznese të tjera, disa të ligjshme, disa jo. Këtë javë gjykata më e lartë në Kroaci dha një dënim me 7 vjet burg për Vladimir Zagoraç, një ish-gjeneral që përvetësoi 5 milionë dollarë diamante, që ishin parashikuar për blerjen e armëve gjatë luftës. Hypo Alpe Adria, një bankë austriake, që i huazoi Zagoraçit qindra-milionë euro për të investuar në pasuri, është e përfshirë në hetimet e BE për korrupsion.
Franjo Tuxhman, nacionalisti që themeloi HDZ dhe udhëhoqi vendin drejt pavarësisë, kornizoi ekonominë e lirë me privatizime të shpejta teksa qe president. Pas vdekjes së tij në 1999, zgjedhjet prodhuan një pushtet të një koalicioni të qendrës së majtë, që premtoi të rregullonte teprimet e ish-regjimit. Por, drejtimi antikorrupsion e humbi orientimin. Ish-besnikët e Tuxhmanit mbanin poste kyçe në polici dhe drejtësi dhe Ivica Raçan, atëherë kryeministër socialdemokrat, u largua për shkak të një problemi politik. Teksa bumi ekonomik i pasluftës mori fund, HDZ e ripërkufizoi veten si një parti e qendrës së djathtë, duke u rikthyer në pushtet me zotin Sanader, vonë në 2003. Ai dhe socialdemokratët sot kanë të njëjtën përgjegjësi për emergjencën e Kroacisë si një demokraci e qëndrueshme. Por, trashëgimia e Tuxhmanit është provuar e fortë për HDZ e re që ta çrrënjosë atë. Marrëdhënie të pashkruara se, “gjithkush di për” mbeten të vështira për t’u provuar në gjykatë dhe Uskok heq një vijë të hollë mes krimeve dhe dhunimeve të të drejtave të njeriut, thonë zyrtarët e drejtësisë. Avokatët e antikorrupsionit duan që ligjet kroate të shkojnë përtej kërkesave të BE, kështu që pasuria e dyshimtë do të justifikojë akuzat për korrupsion. Shumë kroatë kërkojnë që korrupsioni të ulet. Perceptimet e krimit ende variojnë, kur qytetarët ndjejnë se jeta e tyre e përditshme është në lojë. Rreth 100 punëtorë të Skladgradnja, si dhe futbollistë nga klubi i zotit Zuzul, demonstruan përballë gjykatës së Splitit muajin e shkuar, duke kërkuar lirimin e drejtorit të tyre. “Ai është një njeri zotni, një person shoqëror, i përgjegjshëm, që paguan rregullisht pagat e mira dhe shpërblime vjetore”, – thotë një protestues, i shqetësuar që me asetet e ngrira të bosit, kompania do të falimentojë para se të merret vendimi i gjykatës. Për të kënaqur gjithkënd, rrotat e sapovajisura të drejtësisë në Kroaci megjithatë do të kthehen shpejt.