Asnjë dëmshpërblim për të përmbyturit e Shkodrës, ministrat ia hedhin topin njëri-tjetrit

0
28

TemA, 8 Nëntor 2011

E mbani mend Shkodrën vitin që shkoi natën e Vitit të Ri? E përmbytur në të gjitha rrethinat rreth saj, me Velipojën e shkëputur si një ishull dhe me qytetin, ku në vend të makinave përdoreshin varka? Shkatërrimi i qindra-mijëra pasurive familjare dhe bizneseve të shkodranëve vazhdon të mbetet një pikëpyetje e madhe për dëmshpërblim nga shteti, ndërkohë që frika e tyre më e madhe është për dimrin që po vjen. Asnjë dëmshpërblim nuk ka pasur për pasuritë e shkatërruara gjatë përmbytjeve, edhe pse kryeministri Sali Berisha dhe ministrat e tij premtuan se kjo do të bëhet deri në qindarkën e fundit.

Po çfarë ka ndodhur? Ish-deputeti i Shkodrës, socialisti Ilir Beqja që e humbi mandatin pas një beteje ligjore të nisur nga PD-ja, tha dje për gazetën “TemA” se ministrat e Berishës po i hedhin topin njëri-tjetrit për këtë çështje, por ndërkohë s’ka nisur dëmshpërblimi për të dëmtuarit e kësaj fatkeqësie natyrore që preku dhjetëra-mijëra familje shkodrane. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, tha në komisionin e Ekonomisë se nuk është në varësi të kësaj ministrie dëmshpërblimi i të përmbyturve.

I pyetur nga deputetët e opozitës në këtë komision se ç’po bëhet me dëmshpërblimet, Naço tha se “për këtë gjë mos më pyesni mua, pasi është përgjegjësi i ministrisë që drejton Bujar Nishani”. Ndërkohë, Naço e dinte se vetëm disa ditë më parë, më saktë më 28 tetor, gjatë një vizite në Shkodër ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe ai i Bujqësisë Genc Ruli thanë se të prekurit nga përmbytja e vjetshme do të kompensohen sipas ligjit të digave, që do të thotë nga ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, në menaxhim të së cilës janë digat e hidrocentraleve. Sipas tyre dëmshpërblimi duhet të bëhet nga Korporata Energjetike Shqiptare.

Ky duket një cic-mic deklaratash mes ministrash, ndërkohë që duke i dalë pararojë situatës, KESH njoftoi se nuk ka para në buxhetin e korporatës për dëmshpërblime për shkak të importit të energjisë që është bërë gjatë këtij viti. Ish-deputeti socialist i Shkodrës Ilir Beqja thotë se kjo lojë deklaratash tregon mungesën e vullnetit të qeverisë aktuale për të bërë këto dëmshpërblime, ndërkohë që asnjë qindarkë nuk është dhënë deri më sot për këta banorë.

Ministri aktual i Energjetikës, Nasip Naço, ishte optimist për dimrin që vijmë duke mos parashikuar një përmbytje tjetër. Ministri tha se janë vënë në dispozicion për argjinaturat dhe për masat mbrojtëse 1.2 miliardë lekë nga buxheti. Naço foli edhe për ndërtimin e hidrocentraleve, ku ai i Skavicës si dhe i Ashtës do të parandalojë përmbytjet.

Kur Berisha premtonte dëmshpërblim “qindarkë më qindarkë”

Deklaratë e janarit 2011:

Kryeministri Sali Berisha në një mbledhje në prefekturën e Shkodrës me Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile, Kryeministri Berisha bëri një analizë të gjithë situatës që kaloi zona veriperëndimore e Shqipërisë, për më shumë se 10 ditë si pasojë e përmbytjeve. “Javën që vjen qeveria do të mblidhet për të përcaktuar parimet mbi të cilat do të dëmshpërblehen qindarkë më qindarkë familjet e dëmtuara nga kjo situatë”, tha Kryeminisitri Berisha.

Deklaratë e dhjetorit 2010:

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaroi se janë gati pesë projekte ambicioze për përmirësimin e infrastrukturës në Shkodër. Sipas Berishës, po zhvillohen konsultime me ekspertët më të mirë për mënyrën se si do të bëhet thellimi i Bunës. Gjatë qëndrimit në Shkodër, Berisha takoi Shtabin e Emergjencës në prefekturë, ndërsa theksoi se gjendja pas përmbytjeve po shkon drejt përmirësimit. “3385 persona po kthehen në banesa, ndërsa sot ka 4 mijë hektarë më pak tokë të përmbytur”, tha Berisha. Shefi i qeverisë premtoi dëmshpërblim për banorët e dëmtuar sipas ligjit të digave, ndërsa verifikimet e dëmeve do të bëhen sapo të largohet uji.