ASKUSH NUK E DI SE Ç’DO TË NDODHË NESËR

1
33

Mustafa Nano

Zululand
Nuk kemi si ta dimë me saktësi, nëse Franz Kafka ka pasur në mendje regjimet totalitare, që u instaluan më vonë (në fillim komunizmi, e pastaj nazizmi), teksa ka shkruar “Koloninë Penale” dhe “Procesin”. Por librat e tij mund të quhen pa frikë paralajmërues të projekteve politike e të dramave të njerëzimit, që po bëheshin gati për t’u sendërtuar e shfaqur në skenën e historisë. Nuk ka dyshim që, me apo pa “dashjen (dijeninë)” e tij, Kafka ishte një parashikues i shkëlqyer i rrjedhës së historisë në dekadat e ardhshme.

Përpara Kafkës ka pasur të tjerë, të cilët parashikimet nuk i kanë bërë me gjuhë artistike e alegorike, përkundrazi, i kanë bërë me një gjuhë të troçtë e me një siguri profetike. Dhe këtu s’është fjala për njerëz paranojakë, të cilët nuk i kanë munguar kurrë kësaj bote. Nja njëzetë vjet para se të shpërthente revolucioni francez, Rousseau-i shkruante se, “po i avitemi epokës së revolucionit” (në librin e tij Emile).

Pak a shumë në të njëjtën kohë, iluministi tjetër, Voltaire-i, thosh në një letër dërguar markezit Chauvelin-it se, “shoh farën e një revolucioni, i cili do të ndodhë kur unë të kem ikur nga kjo botë” (dhe në fakt, Voltaire-i nuk arriti të ishte dëshmitar i revolucionit). Nja 70 vjet më vonë, një francez tjetër me një barrë mend, Alexis de Tocqueville, shkroi librin “Demokracia Amerikane”, dhe në fund të tij “guxoi” të profetizonte se superfuqitë e ardhshme të botës, të cilat do të rivalizonin gjatë me njëra-tjetrën, do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia.

Dhe në fakt, shekulli i njëzetë ishte i tëri i tyre. Pak më vonë, Victor Hugo (prapë francez?), bash në motet kur nacionalizmat e kombeve europianë të vjetër e të rinj ndizeshin flakë, gjeti arsye për të thënë, se “do të vijë një ditë, kur kombet e kontinentit tonë do të bëhen tok e do të formojnë Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kësaj ane po ecet, apo jo?

Të gjitha këto më erdhën një e nga një në mendje pasi u ndava nga dikush, që më bëri pyetjen fatale mú pranë kioskës ku blej gazetat ditë për ditë: “Zoti gazetar, çfarë do ndodhë në shtator? Do tërhiqet Berisha apo Rama?” “Nuk e di. As që e kam idenë”, iu përgjigja. Dhe vijova: “Askush nuk e di këtë gjë. As Berisha e as Rama nuk e kanë ide se ç’do ndodhë”.

Sikur ta kisha takuar sërish mikun e kioskës pak më vonë, kur zura të sillja në mendje shembujt e mësipërm, do t’i thosha: “Nuk ka asnjë Kafka, Rousseau, Voltaire, Tocqueville apo Hugo, që të jetë në gjendje të parashikojë atë që do të ndodhë në Shqipëri, jo pas disa dekadash e shekujsh, por edhe pas disa vitesh e muajsh.

Rrjedha e ngjarjeve këtejpari bëhet sipas një logjike krejt të palexueshme. E për këtë arsye, bën vaki që parashikuesi më i mirë të jetë ai që betohet, se do ta mbajë nën hyqëm këtë vend edhe për 35 vjet të tjera”. Është belá kur parashikuesi më i mirë i së ardhshmes së një vendi është sundimtari i tij.

1 COMMENT

  1. Po jua jap une nje pergjigje per pyetjen qe keni bere.
    Shopenhauer shkruan: “Në botë mbretërojne tre fuqi, ka thene nje i lashte: Mençuria, forca dhe fati.
    Rrjedha e jetes sone nuk eshte aspak pune e duarve tona, por eshte rezultantja e dy faktoreve, pra e serise se ngjarjeve dhe e asaj te vendimeve tona, te cilat nderthuren dhe ndikojne njera tjetren.
    Vendimet tona jane te lidhura me ate qe ne deshirojme te arrijme, qellimin tone, por çdo gje varet nga liria qe ne kemi per te bere diçka.
    Sigurisht, te mençurit e te gjitha koherave kane perseritur gjithmon te njejten gje, kurse te marret, pra shumica e njerezve, kane vepruar po njesoj, duke bere te kunderten.”
    A mund te veprojme ne, ndryshe nga te gjithe te tjeret ne kete bote?
    A hyjme ne tek te zgjuarit, te mençurit?
    Jepe pergjigjen vete!
    Pershendetje, Agim Shkodra.

Comments are closed.