ASGJË NUK VLEN MË SHUMË SE LIRIA QË DUHET FITUAR SËRISH

0
45

Artan Mullaj, 29.04.2011

Ti dëshpërohesh dhe shëmtohesh bri një realiteti ku mungesa e moralit politik nuk është thjesht vetëm një ngjarje e keqe. Fuqitë e tua janë të reduktuara në nevojën për të duruar këtë mungesë, që juridikisht mund të quhet sundim. Në vetëdijen tonë të kontrolluar prej pushtetit gabim, durim nuk do të thotë shpresë, si njëherë e një kohë, e ca më pak qytetërim:

Të jesh, të regëtish, të marrësh pjesë, të shohësh se si vullneti kolektiv shpërdorohet për mirëqenien e atyre që sot hiqen elitë, që dje silleshin elitë, sepse vodhën pushtet edhe prona, dhe do të shiten elite në të ardhmen, sepse nesër do i vjedhin edhe kockat e fundit Atdheut, pasi të vjedhin votat sërish; të ndjesh padrejtësinë si një dhunë, si një marrje fryme, si një dhimbje, në shpirtin tënd, në trupin tënd, në unin tënd, sepse ky vend nuk ka barazi, ndershmëri, probabilitet për të gjithë, ndërsa vendi yt është edhe ai si një trup dhe turp i shëmtuar mes zhelesh, që mbështjellin historitë e frikshme të varfërisë, sepse e vodhën, e shqyen, e shëmtuan, pra, të jesh, të marrësh pjesë në këtë gjymtim kombëtar, duarlidhur edhe mohuar, do të thotë se është e kotë të durosh, e ca më pak të presësh, e sidomos, aq më pak të shpresosh…

Demokracia e ditës në Shqipëri, ashtu si ndershmëria në zgjedhje, ngjan me një iluzion! Por jo thjesht me një iluzion! Klithma popullore është një notë që oshtin në telat e një sarkazme që shumica e ndiejnë të acartë: Në pushtetin shqiptar, dhimbja e ironisë fillon pikërisht në shpresën e vrarë për drejtësi, dhe mbaron konkretisht dhe fatalisht atje tej, në drejtësinë e pashpresë… Edhe në prag të këtyre zgjedhjeve lokale, ku premtohet mirëqenie dhe ndershmëri, asnjë pushtetar i sërës së lartë të mazhorancës nuk e ka parë se nuk ka pse ta shikojë rrezikun apo prokurorinë as në ëndrrat më të këqija, pavarësisht korrupsionit jashtëtokësor që ka mëkatuar shpirtrat e tyre.

Mazhoranca mbase ëndrrat e këqija i ka me avionë që rrezikojnë të bien përposh nga furtunat, apo me zjarre në pronat e mëdha që fituan për shkak të pushtetit, me tufa fletësh votimi pro tyre, po kurrsesi me mohime kandidimesh, kërcitje dyersh gjykatash, apo me fytyra prokurorësh, që janë më të urtë se murgjit ortodoksë, por jo më të pafajshëm se ata; politikanët e aferave në mazhorancë nuk e shohin prokuroren e lartë, as si murgeshë dhe as si shenjtore, sepse edhe në gjumë edhe në realitet, atyre aq ju bën për kullat dhe kukullat e drejtësisë në një vend që sundohet dhe grabitet përditë po prej tyre.

Këta politikanë ishin dje dhe janë sot kandidatë, që për të fituar, nuk ju nevojitet të rrezikojnë asgjë, sa kohë pushteti ju jep mundësinë të kenë në kontroll mundësitë më të mëdha. Përtej metaforave, të sundosh jetën publike kaq brutalisht, sa poshtërimi i logjikës civile të shndërrohet në një institucion marrëzie, kjo gjë ndodh vetëm në Shqipëri. Ironia dhemb hidhur në këtë vend miq!

Mbas plagës përjetësisht të hapur të Gërdecit dhe vjedhjes trojane në rrugën e Kombit, dhe sidomos pas krimit shtetëror të 21 Janarit, fatkeqësia më e madhe e këtij populli nuk është se kandidatët e rinj dhe të vjetër të mazhorancës e vjedhin, e poshtërojnë, e mashtrojnë, e varfërojnë, e shpërfytyrojnë përditë, por po qe nevoja, edhe e vrasin! Puno ti, o njeri, ul kokën, ul veshët, ul prapanicën, beso ose jo, bëj si të duash, por hej, qetësi, hesht, pusho, kur unë të ndëshkoj, të shtyp, të mohoj, të fut dorën në xhep, madje edhe të vras, për të thithur lagështinë e jetës tënde. Sepse unë di të thëthij, të vjedh, të mohoj, të shpërdoroj, të qëlloj, të shkatërroj, të mbretëroj, dhe të fitoj zgjedhjet duke vjedhur, përgjithmonë.

Sot, në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat nuk mund të mos jenë zgjedhje politike, korrupsioni i baronëve që janë në pushtet ka lulëzuar karafila të bardhë e të kuq në themelet e shtetit privat që ndërtoi kjo mazhorancë, këta baronë, me mandate hyjnore, që nuk mund t’i prekë askush, veç perëndisë. Ministrat, deputetët, drejtorët, militantët e përfolur dhe të llastuar të kësaj mazhorance, që dalin në terren të mbjellin iluzionin e lumturisë te votuesit e trishtuar, aq më shumë vezullojnë mbi kokat e bashkëkohësve të tyre, mes rreve të Atdheut, si shëmbëllim i së keqes, sa më shumë skandalet e hajdutërive të tyre bëjnë histori, antikitet, dhe shekspirizëm.

Këta kanë një imunitet të përhershëm dhe ky imuniteti i tyre është i betonuar në sigurinë makabre se prish, vrit, vidh, gënje, thyej, copëto, rrëmbe sa të duash e çfarë të duash, vidh përsëri edhe vrit, në fushatë edhe pas, kjo tokë nuk ka gjemba për këmbët e tua, sa kohë je në pushtet dhe sa kohë mund ta rifitosh atë duke vjedhur.

Që nuk funksionon sistemi, kjo duket sidomos në kohë fushatash zgjedhore, ku njerëzit poshtërohen dhe shpërdorohen me mashtrimet më të mëdha, dhe këtë gjë e kuptojnë edhe lopët e importuara holandeze që prodhojnë qumësht të helmuar, sepse natyra në këtë vend, ka zgjedhje apo nuk ka, është përherë e sunduar nga plehrat kombëtare dhe mbeturinat ndërkombëtare që shumë shpejt do t’i sjellë pranë tyre dhe pranë nesh kjo mazhorancë, kjo qeveri dhe këta bajraktarë pronarë të zgjedhur të fatit njerëzor, nëse do të votohen sërish. Që shteti shqiptar është privat dhe situata në vend është më e rënduar se kurrë, kjo është po aq e vërtetë, sa e vërtetë është që kjo situatë është pasojë e zgjedhjeve të shkuara, dhe zgjedhjeve më të shkuara akoma.

Këtë të vërtetë e ndiejnë në kurriz madje edhe të uriturit në turma që kërkojnë e nuk gjejnë më as ushqim nëpër plehra, as shpresë në zgjedhjet e reja. Që nuk ka punë, shpresë, gëzim, ardhmëri, kjo duket në dritën e diellit, dhe duket në ngutjen pritëse të komunitetit të papunë për të kërkuar punë brenda dhe jashtë vendit, mbas liberalizimit të vizave. Ç’mund të bëjnë këta njerëz të mirë e të mjerë përballë pushtetarëve milionerë, që fati, zoti, nxitimi, gabimi, mallkimi, votimi, të gjitha këto, jua kanë taksur e vënë në krye t’i shtypin dhe drejtojnë?…

Mungesa e demokracisë nuk është thjesht vetëm një lajm në këtë vend, ku zgjedhjet zakonisht nuk ishin dhe nuk janë një lajm i mirë. Kufijtë e logjikës janë shkelur dhe prandaj jeta, qëllimi i saj, ekzistenca dhe filozofitë e krijimit sot apelojnë një ndryshim. Ndryshim tërësor të vetëdijes, për shkak të nevojës kolektive që mos mundet më askush të bëjë ç’të dojë me këtë vend të sfilitur. Të ndryshojë vetëdija publike, kjo gjë është një problem i shtruar për zgjidhje; këta njerëz duhet të synojnë të organizohen drejt një qëllimi kolektiv, që është kundërshtia e materializuar me votim të përgjegjshëm. Duke votuar, ata duhet t’i venë një kufi barbarisë. Duke votuar, qytetarët duhet t’i vënë fre babëzisë së pushtetit, vjedhjeve publike; me votën në dorë, më shumë se kurrë, është koha që qytetarët të sjellin në përfytyrime fatin e zbehtë të fëmijëve të tyre, me guxim njerëzor dhe me krenari prindërore.

Që shteti të pushojë së qenë biznes privat i klanit politik të mazhorancës, çka përbën një fatkeqësi politike te ne, sa kohë ky shtet synon dhe kërcënon pa pushim lirinë e tyre, qytetarët duhet të pushojnë së qenë dhurues naivë të pushtetit. Zemërimi i shëndetshëm dhe vota janë fuqi të mëdha, ashtu si protestat përbëjnë bashkime të mëdha opinionesh të njerëzve që kanë të drejtë të mendojnë njëlloj për ndryshimet që duhen sjellë dhe të votojnë si duhet për lirinë e tyre. Sepse nuk mund të ketë liri pas mjerimit të gjatë që sjell zakonisht mungesa e lirisë. Në këtë botë, nuk ka asgjë më të vlefshme se liria që duhet fituar sërish…