Speciale
“Ky është një vlerësim, që i bëhet karrierës fetare e atdhetare meshtarit shqiptar, që drejtoi për 22 vjet Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, si një udhëheqës shpirtëror dhe kombëtar. Ai ndihmoi jo vetëm komunitetin katolik, por edhe besimtarët muslimanë në të gjithë hapësirat e trojeve etnike shqiptare, duke vendosur lidhje me administratën lokale dhe qendrore në Amerikë, i ka shërbyer paqes dhe harmonisë ndërkomunitare. Në Kishën e Shën Palit nga shqiptarët u mbodhën 1 milion dollar për lirinë e Kosovës dhe Don Antonit si udheheqës i njihet një meritë e madhe për Pavarsinë e shtetit të ri të Kosovës.”
U.S. Representative Gary Peters
Tomë Mrijaj
Me këto fjalë profetike: “As vdekja nuk do të më ndajë nga ju”, të dala nga thellësia e zemrës, bariu shpirtëror i Përndershmi Don Anton Kçira, iu drejtua grigjës së tij, në orët e vona të mesnatës (më 21 Qershor 2011, në sallën muze të Kishës së Shën Palit në Rochester Hills, Detroit, MI), duke iu rikthyer gëzimin dhe buzëqeshjen në fytyrat e tyre, nga ajo ditë e gjatë dhe mallëngjyse e famullisë së Shën Palit.

Dhe më poshtë ai vijoi: “Bëftë Zoti që mrekullitë e këtij shekulli për kombin shqiptar të kurorizohen me bashkimin e trojeve etnike në një shtet të vetëm… Para 22 vitëve erdha në mesin tuaj. Ato ditë flokët e mi kishin ngjyrë të zezë dhe tani ato tashmë janë zbardhur. Vitet e pleqërisë do t’i kaloj në mesin tuaj. Famullia e jonë është e gëzuar sëbashku me mua, sepse e kemi Kishën e Shën Palit krejtësisht të paguar dhe pa asnjë borxh. Si gjithnjë gëzimet dhe hidherimet do t’i ndajmë sëbashku, do të lutem për ju, fëmijët tuaj, që Zoti t’u ruaj dhe t’ua prijë mbarë gjithmonë. Një ditë, ju do të më përcillni në banesën e fundit, në ato varreza në mesin tuaj.”
Atë mbrëmje motra e Don Antonit me lot ndër sy mu drejtua me këto fjalë: “Vlla Don Antoni prap mysafir në shpiat tona.” Fjalë me vend i thashë asaj. Bariu i mirë edhe me kalimin në amshim, kujtimi i tij jeton i gjallë mes grigjës së tij…

Një fakt domethënëse për mbështetjen e përhershme të madhe, që Kongresi Amerikan i ka dhënë për herë të parë një shqiptaro-amerikani, është fakti se mbi 120 kongresitë amerikanë kanë firmosur një Proklamatë Falënderimi, për kontributin e madh të Të Përndershmit Don Anton Kçira, si fetar e atdhetar e cila do të arkivohet në rekordin e Kongresit Amerikan.
Këtë vlerësim në darkën e falënderimit kushtuar klerikut Don Kçira, ia dhuroi vetë kongresisti Gary Peters (U.S. Representative), i cili, në përshëndetjen e vet zgjodhi fjalët më të mira të mirënjohjes ndaj misionit për Fe e Atdhe. Më pas Kryetari i Bashkisë (Mayor of Rochester Hills) Bryan K. Barnett, gjithashtu i dha një Proklamatë Falënderimi në emër të qytetit Rochester Hills.

Para disa muajsh, kur familja Kçira, ishte njoftuar për daljen e Don Antonit në pension, gëzimi i madh i kishte përfshi vëllain, motrën e djemtë e vëllait, të cilët i kishin përgatitë dhomat në shtepitë e tyre për kthimin e tij në mesin e familjes, ku e priste me gëzim e duarhapur familja e madhe intelektuale Kçira. Më këtë familje tipike shqiptare, është për t’u krenuar edhe ne si shqiptaro-amerikanë, për sukseset e tyre në fusha të ndryshme profesionale në këtë vend mik, që shpetoi kombin tonë. Një prej nipave të meshtarit tonë, sot punon në zyrat më të larta si drejtor i dytë në Sigurimin e Shtetit amerikan, ndërsa mbesa punon në Departamentit e Ekonomisë në Shtepinë e Bardhë.
Për më tej, kujtojmë se dy nipat e tjerë të tij kanë mbaruar universitetin në shtetin e New York-ut, ndërsa gjashtë të tjerë vijojnë sot në bankat e shollave të mesme dhe universiteteve në këtë vend të bekuar. Ky pra është shpërblimi më i madh, që Zoti i dha bariut të tij shpirtëror.

Tek ai mishërohen me korrektësi binomi Fe e Atdhe, që e udhëhoqi në misionin e tij qysh nga rinia deri sot, duke qenë një ndër kontribuesit kryesor të çështjes shqiptare në vendlindje dhe diasporë.
Edhe në Shqipëri, që po shkelmonte përfundimisht gjumin letargjik të komunizmit të zi, Don Antoni, ishte në ballë të aksioneve për grumbullimin e ndihmave për popullin shqiptar në vitet 1990-1999, duke përcjell tek bashkëatdhetarët përkujdesin e Zotit për grigjen e vet.
Gjatë këtyre 50 vitëve mediat kanë përcjellë kontributin e madh të meshtarit, duke shkruar kësisoj historinë e vetë komunitetit në Amerikë, ku, gjithnjë ka qenë me krenari e pranishëm ndihma e pakursyer e bashkëatdhtarit tonë klerik.

Më kujtohet si sot viti 1967, kur meshtari i ri Don Anton Kçira, u shugurua meshtar në Kishën e Shën Palit në qytetin e lindjes në Gjakovë. Ishte pikërisht koha kur në Shqipëri, në këtë vit u mbyllën kishat dhe vijoi kalvari i gjatë ndaj Kishës e klerit katolik. E pikërisht këtë vit, Zoti solli një meshtar të ri, duke i dhënë porosinë, se ju Don Anton duhet të ecni në rrugën e njohur për Fe e Atdhe, që me përkushtim dhe dinjitet ecën paraardhësit tuaj në trojet etnike shqiptare…
Mbas një shërbimi të gjatë, kleriku ynë është mes nesh me një bilancë suksesesh, duke pas gjithnjë si udhheqës Krishtin, të cilit iu përkushtua me mish e shpirt. Ai rivjen sot me dinjitet, se plotësoi amanetin e të parëve klerikë, me një histori të lavdishme të Kishës Katolike Shqiptare në vendlindje dhe në ShBA, duke shërbyer me përkushtim shembullor.

Don Antoni dhe Kisha – një vatër e ngrohtë e atdhedashurisë
“Mund të them se Imzot Kçira, është një burrë i madh e trim. Është një njeri i feshëm dhe atdheshëm, pra fetar dhe atdhetar i madh. Imzot Kçira, me jetën dhe veprën e tij e vazhdon traditën e hershme shqiptare të Pal Engjëllit, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Gjeçovit, Imzot Nikë Prelës e shumë e shumë burrave të famshëm të kombit tonë. Ai është gjithnjë njeri i pajtimit dhe forcimit të besimit në Zotin. Ai është njeri i madh i kombit tonë. Ndihem krenar, që kam një mik dhe krah të fortë mbështetës në punët e Kosovës, vendit tonë të shtrenjtë.”
Dr. Ibrahim Rugova, President i Kosovës

Në orën 10:00 paradite në Kishën e madhe të Shën Palit, komuniteti shqiptaro-amerikan mori pjesë në meshën kushtuar personalitetit të madh të botës shqiptare në Amerikë Të Përndershmit Don Anton Kçirës, i cili, nga ana e tij i dorëzoi udhëheqjen shpirtërore të famullisë vijuesit Don Fran Kolës, famulli të cilën me dinjitet e ka drejtuar për 22 vjet, duke pasur përherë në bazë binomin Fe-Atdhe. Në meshën solemne të kryesuar nga Mons John Zenns, Dom Anton Kçira, Pater Pashko Gojçaj, Don Dr. Shan Zefi, Don Fran Kola dhe Don Robert Kola.
Meshën e dytë të orës 12:00 të ditës e drejtoi Kancelari i Ipeshkvnisë së Kosovës Don Dr. Shan Zefi, i cili, në predikimin e vet foli gjerësisht për jetën dhe veprën e Don Anton Kçirës në shërbim të Zotit dhe kombit shqiptar. Ai ndër të tjera e krahasoi tashmë meshtarin në pension, me figurat më të mëdha që ka dhënë kombi ynë deri më sot, duke vënë theksin në atë se i madhi Don Antoni i meriton plotësisht këto krahasime.

Kancelari i Kosovës, kishte sjellë më vete edhe mesazhin e falënderimit dhe mirënjohjes të Ipeshkvit të Kosovës Mons. Dodë Gjergji, që e uronte Don Antonin për misionin e madhe shpirtëror, që ai ka bërë me përkushtim dhe përvujtëri për besimtarët në fillim në Kosovë dhe më vonë në Amerikë për 44 vjet.
Dr. Zefi, përmbledhtasi ceku aspektet konkrete dhe të rëndesishme të kontributit të madh që bariu shpirtëror katolik shqiptaro-amerikanëve kishte dhënë për çështjen e Kosovës dhe mbarë trojeve etnike shqiptare, duke filluar me demostratat e peticionet, dhe marshimet në Daytona, para Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C., Kombet e Bashkuara në New York, për të mbërritur kulmin në Rambuje të Francës etj. deri në Pavarësinë e Kosovës në vitin 1999. Por nga ana e tjetër, meshtari solli shembuj konkretë se si Don Antoni ndihmoi në grumbullimin e fondeve financiare dhe mbledhjen e ndihmave materiale, për ndërtimin dhe paisjen e kishave katolike shqiptare, sikurse edhe ndihmoi me bujari gjithnjë njerëzit, që kishin nevoj për kurim sëmundjesh, ushqime dhe veshmbathje kudo në trojet arbërore.

44 vjet bari i grigjës shqiptare
“Nuk ka patur takime e demostrate, që nuk keni marrë pjesë për çështjen e kombit dhe sidomos gjatë situatës tragjike të Kosovës para çlirimit. Dhe mos t’a harrojmë, se liria e Kosovës si shtet i pavarur (që gëzon sot) ka ardhur pikërisht prej Amerikës dhe NATO-s, por as Amerika e NATO nuk kishin lujtë vendit pa inisiativën dhe kërkesën e diasporës, me intervenime, demostrata e sakrifica të panumërta, që janë bërë vazhdimisht në çdo vend, por sidomos në Washington D.C. dhe para Pallatit të Kombeve të Bashkuara. Dhe tashmë historia flet, se inisiatori dhe aktivisti më i flakët ka qenë Don Antoni. Shpërblimi më i madh për Don Antonin, nuk është falënderimi, por suksesi, arritja e qëllimit. Ai nuk e ka bërë për dukje, por për lirinë dhe pavarësinë, që gëzon sot Kosova si shtet.”
Don Pjetër Popaj, Famullitar i Kishës “Zoja e Shkodrës” New York

Komuniteti katolik shqiptar në Rochester Hills (Detroit), organizoi një ceremoni të posaçme kushtuar Don Anton Kçirës, me rastin e daljes në pension. Për t’a nderuar kishin ardhur përfaqësues të lartë nga arqipeshkvia dhe dioqezat e Detroit, zyrtarë të lartë bashkiakë e shtetërorë të Michigan-it, ligjvënës të zonës në Kongresin Amerikan, përfaqësues të bashkësive islame, ortodokse, veprimtarë e udhëheqës nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikën e Veriut.
Gjatë darkës solemne të shtruar nga Kisha Katolike e Shën Palit në Detroit ishin të ftuar klerikët: Don Pjetër Popaj, Pater Pashko Gojçaj, Don Dr. Shan Zefi, Dervish Elidon Pashaj, Don Robert Kola, Pater Damien Gjonaj, Don Giovani Kokona, Fr. Stanley Ulman Don Ndue Gjergji. Miqtë e nderit ishin: U.S. Representative Gary Peters, Mayor of Rochester Hills Bryan K. Barnett, Mayor of Sterling Heights Richard J. Notte, Shelby Township Supervisor Richard H. Stathakis, Konsulli i Nderit të Shqipërisë Ekrem Bardha, pjesëtarët e familjes: familja Kçira, Kadeli dhe Mrijaj.
Me shumë ovacione u mirëprit fjalimi i mikut të Don Antonit, i Të Përndershmi Don Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York. Ai ndër të tjera tha: “Një piktor ndërsa është duke vizatuar, nuk e shef pikturën që e ka ndër mend, kur e mbaron vizatimin në kanavacë tërhiqet pak mbrapa për t’a riparë më mirë pikturën e vizatuar. Largohet për t’a shijuar veprën e duarve të veta. Edhe Don Antoni, i përngjet një piktorit apo artisti shpirtëror, që mbas sa vitëve të meshtarisë (22 vite), ku, ka shërbyer në këtë famulli, tani në pension shijon suksesin e madh të veprave dhe punës së palodhur të tij.
Lusim Zotin për Don Antonin, që t’ia shpërblej me jetë të gjatë e të lumtur, me shëndet të plotë, një pension të këndshëm, ndërsa shijon më kënaqësi veprat madhështore, që ka bërë sikur udhëheqës, bari i grigjës së Hyjit. Don Anton nderimet më të larta dhe urimet më të përzemërta.”
Në reportazhin me titull: “Dom Anton Kçira dhe Kisha e Shën Palit-Bastion i fesë dhe atdhedasurisë dhe jetës kulturore të shqiptarëve në Amerikë”, gazetari i “Zërit të Amerikës” (VOA) Astrit Lulushi, ndër të tjera shkruan: “Gjurmë të veprimtarisë përkushtuese fetare e atdhetare të Don Anton Kçirës, janë gjithashtu përmendoret e Skënderbeut dhe Nënë Terezës në hyrje të oborrit të Kishës. Këto punime individuale të skulptorëve të njohur Kreshnik Xhiku e Vasiljev Nini, me madhështinë dhe stilin e tyre, mbajnë gjallë kujtesën historike shqiptare në dhe të huaj. Ato përçojnë vlerat e një kombi, veçanërisht kur tërheqin vemendjen e kalimtarit të panjohur, i cili, kur i sheh s’mund të rrijë pa u interesuar e pyetur “E kujt është kjo kishë? Nga cili vend janë këta heronj?”
Këto janë konkretizime të nismave largpamëse të Don Anton Kçirës në krye të Kishës. Janë gjurmët të ngurtësuara që ai lë pas, ndërsa largohet për t’u shlodhur.
Një drejtues mund t’i udheheqë të gjithë, por nuk mund t’i kenaqë të gjithë. Edhe rruga e Don Antonit në krye të Kishës nuk ka qenë e shtruar. Para pak vitesh ai u bë objekt kritikash nga disa pjestarë të komunitetit, “për disa deklarata anti-shqiptare”, thonë ata. Don Antoni vazhdimisht është përpjekur të sqarojë se fjalët e tij janë shpërdorur, duke u nxjerrë qëllimisht jashtë kontekstit.
Për shqiptarin, feja është pjesë e traditës. Don Antoni është njeri i fesë. Dhe shqiptari gjithmonë e ka respektuar fenë e vet. Shpesh, ka respektuar më shumë fenë e tjetrit. Nga ky këndvështrim, lind edhe toleranca. Don Antoni thotë se si shqiptar, ka respekt për fenë islame, dhe se fjalët e ashpra ai i ka përdorur vetëm kundër terroristëve islamikë, me të cilët Amerika është në luftë.”
Në telegramin e vet përshëndetës intelektuali i shquar Prof. Sami Repishti, ndër të tjera shkruan: “Shërbimet e shumë të nderuemit Don Anton Kçira janë të shumta dhe shtrihen në dy kontinentet e Europës dhe Amerikës, për herë të kryeme me dinjitet dhe vetmohim për të mirën e grigjes që ai ka drejtue dhe të shoqnisë shqiptare që ai ka ushqye me ndjenja fetare dhe patriotike të veçanta.
Personalisht kam ndigjue nga banorët katolik e muslimanë të famullisë së tij në Kosovë për frymën ekumenike dhe vllaznore, që ai ka shpërnda në mes të popullatës së vendit, si dhe për vendosmeninë e tij me çlirue popullin e Kosovës nga zgjedha e të huejit. Për këtë jam dëshmitar okular, sepse sëbashku kemi qenë disa herë në Washington D.C. dhe me nji rast edhe në Shtëpinë e Bardhë, përherë tue u përpjekë për fe, atdhe e popull.”
Meshtarit të ri Don Fran Kolës, i uroj nga zemra punë të mbarë në vreshtën e Zotit, në komunitetin e madh të Kishës së Shën Palit në Detroit.







