As paqja as lufta… i duhet e vdekur opozita!

0
46

Nga Mero Baze, 3 tetor 2011

Refuzimi nga Sali Berisha i ftesës për debat publik rreth paktit të ofruar nga opozita për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, po forcon debatin nëse Berisha luftohet më mirë me luftë apo me paqe nga opozita. Partizanët e këtij debati kanë plot arsye t’i besojnë të dyja variantet. Qëndrimet radikale të opozitës ndaj Berishës kanë ekspozuar atë para shqiptarëve si vrasës, ndërsa qëndrimet paqësore dhe komunikimi me të kanë prodhuar për të imazhin e frikacakut dhe njeriut që i ik debatit. Në të dy rastet pra duket qartë se nuk është problem metoda, por për të është problem ekzistenca dhe fuqia e opozitës.

Akti i fundit i opozitës e provoi këtë. Një paketë modeste e ofruar nga Edi Rama për dialog u refuzua kategorikisht, bile dhe u anatemua, vetëm pse ajo rizgjon dhe risjell në tavolinën e Berishës gjithë krizat e ngrira të tij me institucionet e vendit. Nëse do të pranojë paktin, ai do të pranojë që Prokuroria e Përgjithshme të ketë mbështetje në hetimin e 21 Janarit dhe kjo nënkupton që Sali Berisha dhe Lulëzim Basha të hetohen për vrasje.

Nëse pranon paktin, ai duhet të pranojë të dorëzojë në prokurori të birin e tij, të akuzuar si njeri që ka bërë presion mbi Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë për biznesin e tij vdekjeprurës. Nëse pranon paktin, duhet të pranojë që Prokuroria e Përgjithshme është një autoritet hetimi i parefuzueshëm dhe mbi të gjitha zonja që e drejton nuk është “lavire bulevardi”. Për të mos u zgjatur më tej, ai duhet të pranojë propozimet e Presidentit për Kontrollin e Shtetit, Avokatin e Popullit, Guvernatorin dhe të futet në një debat shterues për hilet e tij të fundit në Kodin Zgjedhor. Nuk ka ndërmend ta bëjë këtë.

Por para se të vinim tek kjo ditë, opozita u përball dhe Berishën tjetër, atë që vret duke qëndruar pas xhamit të dritares së zyrës. Në një demonstratë politike si ajo e 21 Janarit, ai humbi qetësinë dhe vrau pikërisht pse nuk duronte dot një opozitë që i prishte ëndrrën e tij për pushtet. Vrau vetë Sali Berisha. Nuk ka rëndësi nëse armën e ka shkrepur Sadiku, Arjani apo Ndreu, njeriu që urdhëroi me qetësi vrasjet ishte në zyrën e tij në katin e dytë të kryeministrisë.

Asnjë hetim për 21 Janarin nuk mund të bëhet tani e 100 vjet më vonë, pa u hetuar ky njeri për këtë krim. Në mos arrin dot Ina Rama, dhe ka gjasa të mos arrijë, do të arrijë pasardhësi i saj ose pasardhësi i pasardhësit. Pinoçeti dhe Mubaraku kanë shkuar dhe me barela në sallën e gjyqit, ndaj mos u çudisni që Sali Berisha ta bëjë këtë ushtrim në moshë më të thyer dhe me bebelina me vete. Nuk mund të them të njëjtën gjë për Lulëzim Bashën, se atë me siguri do ta kapë në moshë të mirë kjo ditë.

Pra, si opozita e ashpër dhe radikale, ashtu dhe opozita bashkëpunuese, Sali Berishën e shqetësojnë njësoj. Arsyeja është e thjeshtë. Ai nuk qeveris dot me opozitë. Në gjithë përvojën e tij politike, ai ka investuar gjithë jetën të kontrollojë opozitën dhe ta ketë atë një lodër në duart e tij. Energjitë e tij të pafundme prej vitesh harxhohen si të arrestohet lideri i opozitës pastaj si të denigrohet dhe së fundmi pas vitit 2005 si të zëvendësohet. Zengjinët e rinj të oborrit që shoqërojnë Sali Berishën, duket se ja kanë kuptuar këtë ves dhe po bëjnë miliona me një plan biznesi të padëgjuar më parë në këtë vend, duke i treguar atij se po financojnë kundërshtarët e opozitës.

Kështu, falë këtij gjysmë thashethemi dhe gjysmë të vërtete, ai devijon rrugën kombëtare t’i çojë biznesmenit që u blen vila kundërshtareve të Ramës autostradën tek dera e supermarketit, i jep dhjetëra leje për fshatra turistike, reparte ushtarake me qindra mijë metra tokë nga Palasa në Gji të Lalëzit, dhe plot përfitime të tjera. Falë këtij vesi, çdo njeri që do të bëjë pare me Sali Berishën, nuk ka nevojë të thërrasë ‘rroftë Sali Berisha’, por mjafton t’i çojë fjalë se po paguan për “ata” që do zëvendësojnë Ramën dhe ai u fal gjithçka.

Falë kësaj taktike, Drejtori i Tatimeve për bizneset VIP, ose siç njihej rëndom “Kunati i Gimes” u shkarkua javën që shkoi se nuk kish mbledhur as gjysmat e lekëve që duhet t’i mblidhte biznesit VIP, pasi të gjithë VIP-at e biznesit hiqen si biznesmen të Familjes dhe ai nuk i prekte dot, pasi dëgjonte prej tyre çdo ditë çudira se si ata hanin e pinin me Doktorin dhe flisnin si të hiqnin qafe Edi Ramën. Ndërtimet i ka Zamiri dhe atij s’i merren lek, naftën e ka Taçi dhe ai i tregon fotografinë me Lirinë, kafene e ka Gimja dhe atij s’ka si t’i marrë, të tjerat i ka Bashkimi dhe me atë nuk flitet… Dhe në fund del që miliona euro që duhet t’i shkojnë buxhetit, shkojnë në xhepat e njerëzve që bëjnë biznes duke hapur fjalë se po paguajnë për të shfarosur opozitën.

Kjo është logjika me të cilën qeveris Sali Berisha, duke harxhuar gjithë energjitë për të shkatërruar kundërshtarin dhe jo për të konkurruar me të. Ai është një njeri që e tremb gara, e tremb konkurrenca, e tremb normaliteti, e tremb lufta, ndaj ka tiparet e përkryera të frikacakut që të vret. Mos u lodhni kot të mendoni pse nuk e pranon pikën e parë, të dytë, të pestë apo të nëntë të paktit. Nuk pranon asgjë, asnjë shenjë paqe dhe lufte që vjen nga opozita. Ai nuk pranon opozitën.