TemA, 21 Maj 2013
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka vizituar selinë e Partisë Socialiste, ku është takuar me kryetarin e PS, Edi Rama.
Nuk dihet se pse po realizohet ky takim, por mendohet se në qendër të diskutimit do jetë çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ambasadori amerikan ka paralajmëruar një qëndrim të ashpër të SHBA për këtë çështje, ndërkohë që një ditë më parë, Robert Hand i Komisionit të Helsinkit në SHBA kritikoi ashpër mazhorancën për shkarkimin e anëtarit të LSI në KQZ.
Pas takimit, ambasadori amerikan tha se ata janë të shqetësuar për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Për ne mbetet shqetësim mosfunksionimi i plotë i KQZ,” tha Arvizu.
Ai u shpreh se ata do të kontaktojnë palët për të parë se cili është qëndrimi i tyre.
Kurse Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, tha se çështja e KQZ-së duhet të zgjidhet në parlament.
“Partia Socialiste ka pasur një qëndrim konstant. Jemi për çdo zgjidhje që sjell ligjshmërinë në KQZ. Shpresojmë që pala tjetër të dëgjojë. Deri më tani kemi dëgjuar një intrasigjencë nga shkelësi i ligjit, Sali Berisha.
KQZ duhet të rikthehet në parlament, pasi parlamenti është vendi ku u cenua legjitimiteti i saj,” theksoi Gjiknuri, duke theksuar se ata janë të gatshëm që të shkojnë në zgjedhje edhe me këtë KQZ me katër anëtarë./ep