Arvizu: Këto zgjedhje ishin pikë kthese, ky është shansi i fundit i mirë për Shqipërinë

0
45

TemA, 26 Shtator 2013

Arvizu për Jozefina Topallin: “Thëniet e Topallit ishin të papërshtatshme. Madje edhe për standardet e Jozefinës ishte e tepruar”.

– Arvizu për krisjet me Berishën: “Zgjedhja e Presidentit, zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, mënyra se si u trajtuan ish- të burgosurit politikë, çështjet që kanë pasur lidhje me KQZ-në

– Arvizu për Lulzim Bashën: “Është në pozitë të vështirë. Më vjen keq se atij i është kërkuar që të bëjë shumë gjëra. Nuk do të doja të isha në vend të Lulzim Bashës”

– Arvizu për PD-në: “Cilido mund të valëvisë flamurin amerikan në një tubim dhe mund të thotë e urrej komunizmin. Por është viti 2013, Shqipëria ka ndryshuar, bota ka ndryshuar. Mendoj se PD ka nevojë për ndihmë”

– Arvizu për lajmin e largimit të tij: “Doli pesë orë pasi e dorëzova në Ministrinë e Jashtme. Unë e di kush e ka nxjerrë. Gazetat ranë në një përpjekje të dëshpëruar. Ishte vërtet shumë zhgënjyese”

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një intervistë për Top Story, të reklamuar si intervista e fundit e tij, thotë se ai gjeti një Shqipëri të dëshpëruar dhe po largohet duke lënë pas një situatë më optimiste.

Megjithatë Arvizu është i shqetësuar për gjyqësorin dhe drejtësinë në Shqipëri, duke thënë se nuk ka bërë hapa para gjatë kohës që ai qëndroi këtu.

Arvizu tha se i qëndron krahasimit të zgjedhjeve të vitit 2013 me zgjedhjet e vitit 1992, pasi thotë se zgjedhjet e vitit 2013 ishin një pikë kthese.

“Ky nuk ishte një rotacion normal,” tha Arvizu, duke shtuar se rezultati i zgjedhjeve rrëzoi çdo pritshmëri.

Arvizu tha se beson se ky mund të jetë shansi më i mirë i fundit për Shqipërinë.

Sulmet e Jozefina Topallit ndaj tij, Arvizu i cilëson si të papranueshme. Ai thotë se ato shprehje ishin të tepruara madje edhe për standardin e Topallit.

Ambasadori e nisi intervistën duke thënë se e nisi punën me ngjarjet e 21 Janarit, por e përfundoi me ato që ai i cilësoi si ndoshta zgjedhjet më të mira të periudhës postkomuniste.

I pyetur nëse ka gjëra që nuk kanë ndryshuar për mirë gjatë këtyre tre viteve, Arvizu vuri gishtin tek plaga e rëndë e Shqipërisë, drejtësia.

“Mendoj se në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe të gjyqësorit, akrepi nuk ka lëvizur. Dhe mendoj sa miliona dollarë janë shpenzuar për këtë. Por sektori gjyqësor duhet të jetë shumë më përpara nga sa është në të vërtetë. Jam shumë i shqetësuar për sistemin e gjyqësorit,” tha Arvizu.

Ambasadori rezervoi kritika edhe për situatën ekonomike. Ai tha se investimet private, që krijojnë vende pune, janë zvogëluar. Arvizu parashikoi edhe muaj të vështirë përpara për qeverinë e re.

Ai përdori shprehjen se ky mund të jetë shansi më i mirë i fundit për Shqipërinë.

I pyetur nëse do e shkruante sërish artikullin “Shqipëria mundet” pasit kishte fituar Berisha, Arvizu tha: “Nëse koalicioni i Berishës do kishte fituar me 83 vota, do e shkruanim sërish artikullin “Shqipëria mundet”.”

“Por nëse do kishte fituar me 71 vota, do ishte një tjetër qasje politike. Titulli i artikullit do ishte: “Ky është shansi juaj i fundit”.”

Arvizu ka shpjeguar edhe deklaratën e tij që shkaktoi shumë debat pasi krahasoi zgjedhjet e vitit 2013 me zgjedhjet e vitit 1992.

“Ajo që unë kam thënë është kjo: para së gjithash thashë që viti 1992 ka qenë një moment unik në historinë shqiptare, sikurse ka ndodhur në çdo vend që ka hequr qafe komunizmin. Ne nuk do thonim kurrë diçka që do denigronte domethënien e këtij momenti.

Por ajo që unë kam thënë dhe që e besoj sot shumë më fort se atëherë, njerëzit do të shohin pas dhe do ta shohin vitin 2013 si një pikë kthese, si një rast kur ke lëvizje të pllakave tektonike. Kjo nuk ka lidhje me fitoren e koalicionit, por me atë se si kanë votuar njerëzit. Askush nuk e kishte parashikuar këtë rezultat. Kjo shpërfilli pritshmëritë e gjithkujt.

Shikoni çfarë ndodhi? Në të vërtetë në çdo qark të Shqipërisë votuesit i surprizuan njerëzit. Ata e kuptuan që kontrollojnë fatet e tyre,” tha Arvizu.

“Disa njerëz më kanë thënë që ka disa njerëz në të majtë, që thonë se 1992-shi dhe 2013-ta janë të krahasueshme pasi kanë sjellë ndryshimin e regjimit. Kjo nuk është ajo që kam nënkuptuar. Kam pasur arsye krejt tjetër. Por nuk mendoj që ka qenë rotacion normal, por ka qenë i veçantë,” vijoi ambasadori.

Duke komentuar sulmet e Topallit, Arvizu tha: “Thëniet e Topallit ishin të papërshtatshme. Madje edhe për standardet e Jozefinës ishte e tepruar. Kur ke një pozicion publik, ke pasionet, por duhet të jesh më gjykues për ato që thua, duhet të kesh dinjitet në atë që shpreh”.

I pyetur në lidhje me konfliktin mes ambasadës amerikane dhe Partisë Demokratike, Arvizu tha: “Mendoj se duhet të pyesësh ata të Partisë Demokratike çfarë nuk shkon me ne”.
Arvizu tha se Shqipëria nuk është një vend i lehtë për të punuar.

Më pas ai thumboi Partinë Demokratike.

“Cilido mund të valëvisë flamurin amerikan në një tubim dhe mund të thotë e urrej komunizmin. Por është viti 2013, Shqipëria ka ndryshuar, bota ka ndryshuar,” tha Arvizu.

Duke komentuar ndryshimin e marrëdhënieve me Edi Ramën, Arvizu tha se në nëntor të vitit 2011, pas humbjes së zgjedhjeve vendore, nisën t’i kërkojnë Ramës të ishte më pozitiv, që të ofronte një alternativë.

“Ata nuk e braktisën plotësisht retorikën, por dukej se kishin nisur përpjekjet për ta paraqitur veten si alternative e besueshme,” tha Arvizu.

Në lidhje me marrëdhëniet me Berishën, Arvizu tha se nuk ka qenë një moment i vetëm që solli krisjen mes tyre.

“Zgjedhja e Presidentit, zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH, zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, mënyra se si u trajtuan ish- të burgosurit politikë, çështjet që kanë pasur lidhje me KQZ-në, referendumi për plehrat, nuk ka qenë një gjë e vetme, por një sërë udhëkryqesh ku SHBA kanë pritur që të shihnin një gatishmëri nga mazhoranca. Përkundrazi pamë një vazhdimësi të një prirje”.

Arvizu komentoi sërish çështjen e 21 Janarit dhe vendimet e drejtësisë.

“Fakt është që katër vetë u vranë dhe askush nuk është përgjegjës. A është kjo drejtësi?” pyeti Arvizu.

I pyetur për figurën e Sali Berishës, Arvizu tha: “Sa njerëz do kishin përjetuar atë që përjetoi në vitin 1997 dhe të ktheheshin? Ka shumë gjëra për të cilat duhet të jetë krenar.

Ai ka qenë një politikan i jashtëzakonshëm dhe ka bërë shumë gjëra për veten, përfshi dorëheqjen”.

Por Arvizu shprehu keqardhje për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Është në pozitë të vështirë. Më vjen keq se atij i është kërkuar që të bëjë shumë gjëra.

Nuk do të doja të isha në vend të Lulzim Bashës. E takova dhe i thashë që dukesh mirë, më tha që dukesh i habitur.

Mendoj se PD ka nevojë për ndihmë. Ata kanë nevojë që të ulen me qetësi se ku kanë shkuar gjërat gabim më 23 qershor”.

Arvizu tha se ata kanë ulur grupin e tyrë të deputetëve në Kuvend me një të tretën në krahasim me katër vjet më parë. Madje Arvizu tha se nuk i llogarit në PD Gjovalin Kadelin dhe Kastriot Islamin.

Arvizu kritikoi ashpër mazhorancën e dikurshme për çështjen e Podestës.

“Disa miq të mi në PD do t’i kishin bërë gjërat më ndryshe. Disa miq të mi në PD më kanë thënë që nuk na pëlqen se si është sulmuar ambasada e SHBA, ndërsa është përpjekur të bëjë punën e saj. Dhe kjo ka qenë vërtet e padrejtë”.

Arvizu tha se lajmin për largimin e tij është përhapur në media nga qeveria pak ditë përpara zgjedhjeve.

“Unë qesh me këtë. Madje disa miq do e vendosin si kornizë dhe do ma japin si dhuratë lamtumirë. Por kam qenë i zhgënjyer. Madje kam menduar se ishte e turpshme,” tha Arvizu.

Ai rrëfeu se e dorëzoi në Ministrinë e Jashtme telegramin për zëvendësimin e tij dhe pesë orë më pas lajmi doli në media.

“Unë e di kush e ka nxjerrë. Gazetat ranë në një përpjekje të dëshpëruar. Ishte vërtet shumë zhgënjyese,” tha Arvizu.

Ambasadori tha se kur të largohet nga Shqipëria, do japë mësim.

“Kur unë të largohem dhe zoti Lu të konfirmohet, shpresoj të ndodhë shpejt, do të kthehem në Uashington dhe do jem këshilltar dhe do jap mësim në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare. Kjo është detyra ime e menjëhershme. Pas kësaj ka shumë rrugë përpara. Karriera ime si diplomat nuk ka përfunduar jo domosdoshmërisht”./ep