ARVIZU, JO SI OBAMA. AS SI KONICA

0
55

Andrea Stefani, 17.04.2011

Ca vite më parë as mund të mendohej se mund të vinte një ditë që Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i krijuar me financime të qeverisë së SHBA, do shqetësohej për lirinë e medias pikërisht nga një deklaratë e ambasadës amerikane. Sepse kjo ambasadë sapo ka deklaruar publikisht ndërprerjen e marrëdhënieve me “Shekullin”, një prej gazetave më të mëdha dhe më prestigjioze në vend. Dhe përse? Sepse ambasadorit Aleksandër Arvizu nuk i ka pëlqyer apo është ndjerë i fyer nga një opinion i gazetarit Ilir Yzeiri botuar në faqet e “Shekullit”. Incidenti është i paprecedent për çdo ambasadë në këto 20 vitet i fundit. Edhe përfaqësitë e shteteve totalitare apo autokratike nuk kanë guxuar të vendosin embargo të tilla mbi median apo mbi ndonjë organ të saj. Aq më pak ambasada e SHBA, që ka qenë një nga financueset dhe mbështetëset e medias së lirë. Të ushtrosh presion mbi një gazetë duke e penalizuar me bojkot?! Ka pak dyshime se Presidenti Obama do të shtangej po të mësonte për një të tillë aksion të sapo ndërmarrë nga përfaqësuesi i tij në Tiranë. Dhe nuk janë vetëm standardet amerikane të lirisë së medias ato që janë vënë në rrezik nga zemërimi i ambasadorit Arvizu. Të kërcënuara ndihen edhe ca ide dhe ideale të shprehura që në fillim të shekullit XIX edhe nga publicistë shqiptarë si, për shembull Faik Konica.

* * *

Ambasadori Arvizu ka habitur përsëri. Ai ka nënvizuar disa herë se përfaqëson Presidentin Obama dhe se pikëpamjet e tij janë ato të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në fakt ky është misioni i tij, por që, mjerisht nuk mund ta pretendojë të kryer në rastin e incidentit me gazetarin Yzeiri dhe të përditshmen “Shekulli”. Sepse filozofia e Obamës është krejt tjetër nga praktikat e presioneve që tentojnë të urdhërojnë, me një arrogancë që nuk fshihet dot pas elokuencës burokratike, si duhet të sillet një gazetë. Mjafton vetëm një pasazh nga fjalimi i Obamës i mbajtur vite më parë në konventën e demokratëve në mbrëmjen që u shpall kandidat për President i SHBA-së. Dhe sipas Obamës, gjenia e vërtetë e Amerikës qëndron, ndër të tjera, edhe në besimin se, “…ne mund të themi çfarë mendojmë, të shkruajmë çfarë mendojmë pa dëgjuar një trokitje të beftë në derë…” Në Shqipëri, një gjeni e tillë nuk ekziston. Në Shqipërinë e vogël, të varfër dhe konfliktuale, gazetarët dhe mediat që kritikojnë pushtetin, dëgjojnë kohë pas kohe trokitje dhe goditje hakmarrëse taksidarësh dhe gjithfarësoj në dyert e tyre. Por këtë herë ndodhi e pabesueshmja. Ambasada e SHBA-së, ajo që në këto 20 vjet ka mbrojtur gazetarët dhe mediat nga presionet e pushteteve, është ndalur në derën e një gazete dhe ka trokitur e zemëruar me kritikën, me lirinë e fjalës. Krejt në kundërshtim me atë liri që Presidenti Obama e ka shpallur si themel të SHBA-së. Por, që në fakt ka qenë ideal edhe i një elite shqiptarësh qysh në kohë të shkuara. Ja si shkruante në vitin 1897 publicisti Faik Konica, ndër më të shquarit në historinë e gazetarisë shqiptare: “Liria është të mundet njeriu të besojë ç’i do zëmbëra, të thotë ç’i do zëmbëra, të shkrojë ç’i do zëmbëra, të bëjë ç’i do zëmbëra, veç ato që janë kundër lirisë tjatëri njeriu”. Ky koncept i lirisë së fjalës, i varrosur në 45 vjet komunizëm, u ringjall dhe po çel sythe, akoma të brishta, edhe në sajë të ndihmës së paçmuar të dhënë nga SHBA për median në këto 20 vjet. Dhe në rast se gazeta “Shekulli” do ishte përgjunjur përballë presionit të ushtruar mbi të së fundi edhe nga ambasadori Arvizu, do të kishim pasur një provë se investimi edhe i SHBA-së për fjalën e lirë në Shqipëri kish vajtur dëm. Qëndresa edhe përballë ambasadës së SHBA-së tregon se investimet e SHBA-së për fjalën e lirë në Shqipëri kanë dhënë frute. Prandaj, ambasadori Arvizu ndërsa mund të dëshpërohet për gabimin e tij, mundet njëherazi të jetë krenar për investimin e shtetit të tij në favor të lirisë. Gazetarët shqiptarë i janë shumë mirënjohës SHBA-së që i ka mbështetur edhe kur i kanë thënë “jo” presidentëve, kryeministrave, edhe çdo autoriteti shqiptar dhe jo shqiptar, sa herë që kanë dhunuar interesin publik. Për gazetarinë e lirë dhe të vërtetë nuk ka kulte të paprekshme, shqiptare apo amerikane. Dhe asgjë nuk mund t’i shpëtojë kritikës së një gazetarie shoqërisht të përgjegjshme të pushtuar, sikundër thoshte Jozef Pulitzer, nga skrupuloziteti i ankthshëm për të vepruar drejt. Kuptohet, të vërtetat e një gazetarie të tillë janë pilula të hidhura për t’u gëlltitur. Por, shërojnë.

* * *

Nuk mendoj se në shkrimin e Yzeirit ka ndonjë fyerje për Arvizun, por gjithsesi, ambasadori ishte plotësisht i lirë t’i përgjigjej gazetarit në të njëjtën gazetë. Ishte i lirë ta hidhte edhe në gjyq gazetarin për fyerje. Demokracia e pranon “luftën” me fjalë. Por ndërkaq, ndëshkimi i gazetës përbën një akt kundër lirisë së medias. Dhe të mbyllesh ndaj një gazete nuk është shumë larg aktit të mbylljes së një gazete. Ambasadori Arvizu sapo ndërmori një akt të tillë. Kryeministri dhe ish-Presidenti Berisha i ka konsumuar disa herë të dyja këto akte kundër lirisë së fjalës. Ne nuk besojmë se ambasadori Arvizu është në Tiranë për të imituar autokratin Berisha, por për ta korrektuar atë. Dhe meqë ra fjala të qeveria Berisha. Edhe në Parlamentin Europian janë ngritur akuza për të, si një qeveri e korruptuar që ka vrarë qytetarët e saj. Është e kuptueshme, diplomatike, që një ambasadë të ketë marrëdhënie të pashmangshme me qeverinë. Por është e pafalshme që në kohën kur kjo qeveri kryen akte deri edhe kriminale, ta mbështetësh atë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Një diplomaci e tillë bie përsëri në kundërshtim me filozofinë e Presidentit Obama, që në fjalën e tij gjatë një vizite në Gana ka shpallur se politika e jashtme e SHBA-së mbështet kudo në botë vetëm qeverisjet e mira dhe njerëzit dhe institucionet e përgjegjshme. Nëse qeverisja e Berishës do ishte e mirë, sot Shqipëria do kish marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE. Nëse qeverisja në Shqipëri do të qe e mirë, nuk do kish as të vrarë në protesta si në Afrikë, as korrupsion galopant dhe të pandëshkuar në nivelet më të larta, dhe as vjedhje kronike të zgjedhjeve. Apo mos vallë në ambasadën e SHBA-së kanë nisur të mendojnë se korrupsionin në nivele të larta e bëjnë qytetarët dhe se manipulimin e zgjedhjeve e bën opozita? Krejtësisht indiferent ndaj shqetësimeve të opozitës dhe medias kritike, ambasadori Arvizu është parë përsëri këto ditë të bëjë të tjera deklarime në favor të qeverisë. Marrim vetëm njërin, sugjerimin në dukje dashamirës, që palët të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Ç’do të thotë kjo kur dihet që pushteti është i avantazhuar në manipulime? Ç’do të thotë t’i imponosh opozitës një rezultat të manipuluar, siç sapo sugjeroi Grosruk, miku i afishuar i Berishës? Mendojmë se nuk është detyrë e një ambasadori të japë të tilla sugjerime që çarmatosin qëndresën opozitare përballë një pushteti tashmë të njohur për manipulimin e zgjedhjeve. Aq më tepër kur nuk është bërë asnjë rregullim thelbësor institucional dhe infrastrukturor që do jepte shpresë për votime më të ndershme. Para se të japë sugjerime të tilla, ambasadori amerikan dhe kushdo nga “ndërkombëtarët” duhet të sigurohet se institucionet e lira që garantojnë transparencë dhe drejtësi (dhe jo premtimet mashtruese të liderëve si Berisha), kanë krijuar besimin se, sikundër Obama thotë për SHBA, ne “…mund të marrim pjesë në procesin politik pa pasur frikë nga ndëshkimi dhe se votat tona do të numërohen – të paktën të shumtën e herëve”. Ndoshta ambasadorin Arvizu e kanë dezinformuar dhe nuk ja kanë mësuar se në Shqipëri nuk ekziston ende një besim i tillë dhe se votat, në më të shumtën e herëve, nuk numërohen si duhet. Ambasadori Arvizu mund të dëgjojë apo lexojë në të ardhmen kritika të tjera për veprimet apo mosveprimet e tij. Por nuk duhet të zemërohet me gazetarët, dhe aq më pak me gazetat. Sepse kritika është simptomë lirie dhe duhet të shqetësohemi vetëm kur ajo hesht. Dhe në fund të fundit, kritika, edhe kur drejtohet kundër vetë ambasadorit Arvizu, është një dukuri lirie, që vetë shteti që ai përfaqëson në Tiranë ka kontribuar të ringjallet në Shqipëri.