Arti i mirëmbajtjes së piedestaleve

0
44

Nga Ardian Vehbiu, 31 janar 2013

Shqiptarët – si shoqëri dhe si shtet – u treguan të paaftë për të ndëshkuar, qoftë edhe simbolikisht, krimet e panumërta të kryera nga regjimi totalitar kundër qytetarëve të vet: vrasjet pa gjyq, dënimet e rënda për motive politike, torturat në hetuesi, konfiskimet e pasurisë, internimet, ndëshkimet e familjarëve të viktimave, trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë, përndjekjet e njerëzve në bazë të biografisë.

Kësisoj, ne nuk u ndamë dot me të kaluarën, as gjetëm dot paqe.

Edhe pse qëndrimi qytetar ndaj regjimit të djeshëm ka munguar në masë sa të madhe, aq edhe zhgënjyese, interesi i publikut për protagonistët e viteve totalitare mbetet artificialisht i lartë – po të gjykosh nga materialet e shumta që gjen në mediat për atë periudhë.

Megjithatë, këto materiale, siç kemi pasur rast ta themi shumë herë, nuk sjellin ndonjë reflektim të ri për atë periudhë, por ose janë ripërtypje pozicionimesh politike të vjetruara, ose synojnë ta risjellin të shkuarën, të përzgjedhur e të filtruar, për t’ia kundërvënë së sotmes.

Në përgjithësi, materialet arkivore, intervistat dhe rrëfimet për bëmat e udhëheqjes komuniste në vitet 1944-1990 i përmbushin të gjitha kriteret për t’u klasifikuar si një formë e pornografisë dokumentare.

Kështu, meqë fjalimet e plenumeve të KQ dhe diskutimet në Byronë Politike tashmë janë shteruar si burime, gazetat u janë vërsulur dosjeve të gjyqeve kundër “grupeve armiqësore” në vitet 1970-1980, duke botuar – pa kurrfarë aparati kritik – deponimet e nënshkruara prej të pandehurve, dëshmitë (e inskenuara) dhe deklaratat e pranimit të fajit, të cilat qartazi duket se janë përpiluar nga hetuesit vetë, kanë dalë nga laboratorët e policisë sekrete ose nga stilografi i vetë Enver Hoxhës.

Efekti i materialeve të tipit “si deshëm ta vrisnim Enver Hoxhën me bastun” është toksik, qoftë për brezat e rinj, që nuk e kanë idenë se ç’ndodhte në atë kohë; qoftë për të gënjyerit e viteve 1970-1980, të cilët vdesin që të gënjehen nga pak edhe sot.

Paralelisht me këtë pornografi dokumentare, e cila mbështet shpifjen, intrigën në oborrin e Hoxhës dhe poshtërimin e viktimave të dhunës totalitare, po shtjellohet edhe rehabilitimi, me mënyra djallëzore, i përgjegjësve kryesorë për krimet e pashembullta dhe të dokumentuara të periudhës komuniste, si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

Nëse njëfarë nostalgjie e turmës për udhëheqës karizmatikë dhe të kërbaçit, mund edhe të kuptohet, sa kohë që shoqëria civile i ka qëndruar larg, ndoshta qëllimisht larg, ndarjes së qytetëruar me krimin totalitar, përkundrazi, është vështirë të kuptohet, dhe aq më pak të përligjet, qëndrimi i sotëm i disave, përfshi këtu edhe opinion leaders dhe historianë, të cilët haptazi po lëvdojnë cilësitë e udhëheqësve totalitarë, duke i prezantuar dhe rehabilituar këta si “burra shteti,” dhe duke anashkaluar, qëllimisht, krimet e tyre të rënda, që krime ishin madje edhe brenda kuadrit ligjor të kohës.

Në vetvete, figura historike si Hoxha dhe Shehu e kanë luajtur rolin e tyre në histori dhe tashmë nuk kanë ç’të bëjnë më, përveçse të vihen në dispozicion të atyre që duan t’i përdorin. Nëse rehabilitimi folklorik i udhëheqësve të shtetit totalitar mund të interpretohet si simptomë e zhgënjimit total, të miletit, me klasën e tanishme në pushtet dhe profilin etik të pushtetarëve sot, atëherë analistët dhe historianët që i hipin këtij kali të zgjebosur veç po duan ta shfrytëzojnë zhgënjimin e turmës, për qëllime të mbrapshta politike.

Turma i kujton me mall Hoxhën dhe Shehun, mes të tjerash, edhe si interpretë protagonistë të dhunës arbitrare dhe të kërcënimit politik masiv; sepse turma, që të riprodhohet në cilësinë e saj thelbësore si kope bagëtish, ka nevojë të mbajë në këmbë figurën e bariut, madje qoftë edhe kur ky bari tashmë s’mund të jetë veçse dordolec.

Intelektualët, përkundrazi, u heqin qimet nga xhaketat këtyre dordolecëve jo sepse i ka marrë malli për t’u ndier të kërcënuar prej tyre, por sepse e shohin këtë si një okazion të vyer, për të marrë drejtimin e kopesë; çka edhe mund ta arrijnë, po të kemi parasysh se diskursin kritik ndaj totalitarizmit, të paktën sa u takon aspekteve thjesht kriminale të atij regjimi, e ka monopolizuar një klikë e vogël dhe vetë-shërbyese e së djathtës, të cilën e motivon më shumë dëshira për të larë hesapet, sesa bindja që pa u ndarë me të shkuarën komuniste shoqëria shqiptare nuk i bën dot të vetat ato parime politike që formalisht tashmë i ka përqafuar. Përkundrazi, e majta vazhdon t’i ruhet kësaj teme me mendjeshkurtësi karakteristike, meqë ende dëshiron votat e nostalgjikëve; dhe nuk ka as energji, as kapacitet që ta ripërkufizojë veten si alternativë ndaj pseudo-majtizmit politik të djeshëm.

Hoxha dhe Shehu kanë vdekur dhe u janë tretur kockat; sistemi totalitar në Shqipëri nuk ka asnjë shans që të kthehet; prandaj rehabilitimi i udhëheqjes totalitare duhet parë i tëri në kontekstin e sotëm politik, të zhgënjimit me retorikën integriste, pluralizmin, Europën, tregun e lirë; por edhe të ndezjes së retorikës kombëtariste, të ksenofobisë dhe të etjes për t’iu qasur dilemave dhe sfidave të shumta politike siç iu qas Aleksandri i Madh nyjës gordiane: me shpatë.

Në thelb, rrëmbushja e kalkuluar për Hoxhën, Shehun dhe lakejtë e tyre nuk shqetëson pse është shprehje e nostalgjisë për të djeshmen; por sepse përfaqëson një vullnet politik të sotëm i cili nuk e pranon dot pluralizmin, dialogun, negocimin, kompromisin dhe të tjera karakteristika themelore të aksionit politik në një shtet modern dhe demokratik, si ai që parashkruan Kushtetuta; meqë pluralizmin, dialogun, negocimin dhe kompromisin i konsiderojnë si të fëlliqura tashmë përfundimisht, nga abuzimi i paskrupullt që ka bërë me to klasa e sotme politike, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet.

Kjo do të thotë edhe se Hoxha dhe Shehu, të rehabilituar si “burra shteti”, nuk po u shërbejnë aq komunistëve të vjetër e të rinj, që ende qarkullojnë në kulisat e politikës në Tiranë; por pikërisht fashistëve të vetvetishëm në mes tonë, ose të gjithë atyre që shpresën për shërim e shohin te higjiena e arbitraritetit në emër të “rregullit”, e ushtrimit të forcës dhe e dhunës së kulluar. A nuk ta thonë vallë, në Itali sot e kësaj dite, që Mussolini të paktën i detyronte trenat të vinin në orar?

Marrë nga blogu Peizazhe të Fjalës