Arti është një formë e të Vërtetes (vështrim, opinion)

0
50

S. Guraziu (Ars Poetica Blog – 25 Maj 2013)

Z. Papaj, flm për vjershën tuaj, vjershë e cila më duket se ka ardhur mbarë në dritë, përkundër faktit (se pse kam përshtypjen!!) që është inspiruar pakëz nga “resurse” gabim, ose të keqkuptuara. Vjersha juaj, natyrisht, nuk është shkruar vetëm për mua, por për publikun. Vjershës suaj nuk mund t’i përgjigjem me vargje, paçka se pa luajtur vendit tani thjesht në mënyrë “instante” do i ujdisja ca rima e shkëlqima në stilin “agollian”… por, edhe pse ju nuk pajtoheni me shumçka timen, e di që kësaj radhe do të pajtoheni, e di se do ta kuptoni që jam duke aluduar në faktin: te shkruhet një vjershë thjesht për hir të vjershërimit (for the sake of…) nuk është poezi, është larg për të qenë e tillë. Bie fjala (e thënë pa të keq kjo) një Agim Doç’ do i ujdiste 1001 rima e shkëlqima brenda javës, do ta “furnizonte” me artin manufaktural gjithë estradën mbarëshqiptare… 😉

Andaj vjershës suaj po i përgjigjem me fjalë ordinere, po hyj në dialog me vjershën tuaj, po shërbehem me një “mix” citatesh e mendimesh… nga vetja, po e citoj vetveten pra, për të mos u lodhur tash dhe për ta bërë më shpejtë, po i tërthuroj këtu disa gjëra që veç janë thënë nga unë nëpër emailash, shkrimesh e copëzash të ndryshme…

– – – – – – – – – – – – –

…poetët kurrë, dhe prapë kurrë, nuk imponojnë asgjë. Është dëm të krijohen keqkuptime të qëllimshme, është dëm të injorohet apo të anashkalohet “rregulla e artë” e poetëve, së këndejmi dhe e imja si krijues (d.m.th. meqë shkruaj poezi e vjersha, pra si poet):
“nuk kërkoj nga askush të mendojë njëjtë siç mendoj unë, por thjesht ndoshta që dikush ta kuptojë se si jam duke menduar unë”.

Secilin krijues (më shumë se ai vetë vetveten, me vepren e tij) e justifikon vetë Koha. Por historia ka shembuj nga më të çuditshmit, le ta kujtojmë bie fjala një Pessoa dhe sëndukun e tij me rreth 25000 dorëshkrimesh, zhytur në pluhur e merimangash, pa i publikuar. Dhe po ashtu vesin e tij të publikimit të gjërave me të ashtu-vetë-quajturin “fenomen” heteronimik, pra nga ai vetë pseudo-emrat që i përdorte quheshin si emra “heteronimikë”.

Krijuesit, jo se donë ata vetë, fatkeqësisht ndonjeherë sikur “ecin para kohes së tyre”, fare lehtë nganjëherë dhe sikur mbesin të humbur mes vorbullash të keqkuptimit (këso gjërash ne të tjerët rreth e rrotull i kuptojmë mirëfilli tek më vonë). Nëse është e thënë, koha e “papërshtatshme” po aq lehtë dhe mund ta anashkalojë cilindo krijues.

Psh. nga historia jonë aspak e largët, një Camaj s’mund të bënte asgje kundër “ideologëve të hekurt” dhe verbërisë së tyre, e gjitha çfarë mund të bënte një poet i kalibrit të tij ishte të cicëronte diku atje lart, atje ku të rrahin rryma të ftohta ajrore… Kumti i tij poetik do humbiste në shurdhësinë e krijuar artificialisht, e krijuar qëllimisht, humbi për një brez që aq shumë kishte nevojë për pakëz ngrohtësi, po aq sa ai vetë.

Të gjithë vjershëtorët që u sollën “konform” me rregullat e asaj epoke cicëruan e cicëruan, deri në alivanosje. Thjesht një shembull të vrazhdtë për hir të shembullit (uroj të kuptohet drejt, të mos keqkuptohet nga lexuesi): vallë një Dritëro ia vlente të cicëronte i ngrohur si harabel pendshkëlqyer në krahasim me një Camaj, si një harabel i mërdhirë?! Unë them se Agolli do duhej t’i këndonte Camajt dhe të ishte “solidarizuar” shpirtërisht me të, e jo t’i fryente zjarrit të keqkuptimit për “malokët” duke pirë raki nëpër terasat e kafeneve, të “predikonte vjershërisht” si një Arbiter Elegantiorum i kacagjelosur kafenesh. Ka me dhjetra e dhjetra vjersha të tij që thjesht do ishin “turp poetik” për krijimtarinë e cilitdo poet e vjershëtor.

Dhe prapë, si është e mundur dhe pse të na ndodhë një aso lajthitje, pse nuk shkroi as dhe 1 vjershe te vetme per “uloket”!, nuk është se nuk e njohim “kalibrin” e tij dhe inteligjencën!!! Të gjithë, që të gjithë… edhe Agollushi edhe Kadarushi e dinin se “shqiponjat fluturojnë lart”, vallë pandeh kush akoma sot se ata nuk e dinin kuptimin e asaj metafore! Ata madje na e “thanë” vetë me vjershat e tyre, na e dëshmuan se e dinin fort mirë madje. Arti nuk gënjen… e kemi aty ku dhe na ishte, kujtohuni për poemat e tilla z. Papaj (dhe unë e di se i njihni ato, madje dhe më mirë se unë)!
Ne s’duhet ta harrojmë kurrë faktin se arti nuk është ndonjë formë propagande, arti është një formë e të vërtetes – qe shprehur dikur John F. Kennedy

Personalisht, unë si unë, në kuptimin jopoetik, mund dhe të kënaqem me cilindo Agoll, të rrinim e të beheshim miq deri në paskajsi rreth tryezave të mirëkuptimit e të shampanjës, por në kuptimin poetik privatisht e publikisht në çdo kohë, pa më ardhur aspak “keq” do ia kërkoja që t’më “kërkonte falje… të më shihte në sy derisa të bindesha 100% se gjesti i tij ishte kërkimfalje e sinqertë, serioze”. (Eh… e di se këtë që sapo shkrova këtu do ta lexojnë mjaft miq të tij e edhe ai vetë – m’u kujtua tani një mik i Agollit në Gjermani, krijues, shkrimtar… dhe më vajti buza në gaz, e di se dhe adresa e tij është në listë, e di se do qeshet dhe ai).

Edhe një herë, arti nuk gënjen kurrë për asnjë kurrënjëherë, arti s’na e lejon kurrë t’i hedhim botës hi e pluhur syve, arti distancohet në “vetvete” as pa e kuptuar mirëfilli vetë autori-krijuesi i tij, arti është si të thuash pasqyrë në të dy faqet, para dhe mbrapa në të dy suprinat e lëmuara… Në një shkrim, rrëfenjë të ashtuquajtur nga unë “humoreskë” u pata shprehur në një vend lidhur me këtë subjekt kështu: “…arti shpesh mund të shkaktojë jo vetëm lajthitjen e një artisti, por dhe lajthitjen e gjeneratave, e mbase dhe të shekujve. Arti mund të shkaktojë lajthitjen e të dy grupeve paralelisht (d.m.th. dhe të prodhuesve edhe të konsumatorëve), në kohë e në koordinata, përpara dhe prapa perdes, në plan të parë e edhe në sfond…”! (citat nga “Nuk i keni parë Mona Lizat e tyre”)

Martin Camaj s’mund të “fluturonte kurrë ulët” sepse ishte Poet.
Sot ai ështe “babai shpirteror-poetik” i krijuesve të panumërt, është krenaria e majave të poezisë shqipe…
Ja prapë një shembull sa i përket kësaj teme, një miku tjetër, poet e shkrimtar shumë i respektuar (dhe padyshim bën pjesë ndër… si ta them, rri këmbëkryq atje në “panteonin” e strukturalistëve më të mirë që kemi sot), Agron Tufa… më kujtohet ta ketë quajtur në një vend diku Camajnë “babëzot i fjalës” së tij poetike (apo kështu diç ngjashëm qe shprehur, sepse ka kaluar 1 dekadë ndoshta që e pata lexuar në një vështrim eseistik të tij, aq saktë nuk më kujtohet tani, por dhe që s’ka aspak rëndësi…).

* * *

Përmbyllje – I respektuari z. Papaj, vjershat e mia nuk janë “rok” e zhurmërima me shllagera, sikur as vjershat tuaja që nuk janë dajre e klarinetash të kafeneve! Ju lutem lërjani vetë artit, mos kini frikë dhe as mos u ngutni me asnjë gjykim sipërfaqësor për stilet, jostilet, modernizmat, dekadencat, për modat, për trendet…! Impulsin për klithma të shpirtit tuaj dhe rrjedhimisht secilën klithmë unë e respektoj më shumë se që jua kam thënë, më shumë se që thuhet…

Ju përshëndes z. Papaj, përzemërsisht,
senad guraziu

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

Pergezime dhe pershendetje mik:

Çupëza ledhatare

Do të këndoja rrok, tuist e kanconeta,
e kisha ëndrrën time amerikane,
Po ja, që s’shqitem dot nga klarineta,
tek jam buzë Vjosës, a kopshteve shkodrane.

T’këndoj për nënën, por dhe për politikën,
herë pogonishte, here serenatë korçare,
për sybajamen që bregut vjen dhe ikën,
për miqt’ e shkuar që s’po i shoh më fare.

Dhe menjëherë në mendje, më ndizet nostalgjia,
si erdhi me dhembje dhe si më la rinia.
Po këngët si puhiza, çukisin në dritare:
Më duket sikur erdhën, ca çupëza ledhatare.

Do të këndoja rrok, tuist e kanconeta,
me xhinse, me kitarë, si Elvis Presli vetë,
po ja, ca fjalë, ca nota, godasin si shigjeta
e bëhem ëndrrimtar, si cilido poet.

Nuk jam më një djalosh me vathë, që sheh mbi retë
Dhe dy tri fjalë me nota, krejt ç’më drithërojnë,
më japin tjetër shije dhe më bëjnë me fletë,
tek porta e vjetër e shtëpisë më çojnë…

Vaso Papaj

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

Da: “letrat1@yahoo.com” <letrat1@yahoo.com>
A: vasopapaj@yahoo.it
Inviato: Sabato 25 Maggio 2013 18:10
Oggetto: S. G. – Në zgripc të problematikës, dhe “Etiquette” e vjetër…(2 skica)

Në zgripc të problematikës (Skicë)
S. Guraziu

Dhoma sheh në një shesh të vogël me plot drunj dhe kurorash, shesh i bukur është, gjithandej lule, pastërti dhe dritë, aroma, freskia të mbushin jetë, madje dhe dimrave plot zymtësi, të mahnit matematika e rregullit, simetria e saktë e frymimit të tij – por problemi im lind agsholeve, gjithmonë kur thjesht më flihet shumë, kur vdes për një sy gjumë, një milion zogj ia fillojnë obobooo, gjithfarë muzikash grumbullohen vetëm tre metra larg dritares, kakofoni klithmash e cicërimash – sa e lehtë për ta – them më vete – një “ekosistem” i tërë i ngrohur, i ngopur, gjithfarë puplash e ngjyrash, laryshi shpirtrash në paqe me lulet, gjethnajë e pafund harmonie, melodi si arie hyjnore – natyrisht, në këtë drejtim më mrekullojnë, ua kam shumë zili, aq shume lakmi, merreni me mend… sa dhe i inatosur, qejfprishur e përgjumshëm, i dua.

Mirëpo një mëngjesi dy të tillë bukuroshë-fluturoshë, uuuu çfarë arrogance, në parmakun tim koncert harabelash, pandehnin se janë vetë Mozart-i dhe Elvis Prisley, s’dinin të ndalur, nga përtej xhamit ca tinguj e notash m’i bënë sytë kokërr – nuk durova dot, brofa si trim nga shtrati, hapa dritaren dhe pa asnjë zë… i tremba burrërisht.
Për një çast mu bë sikur dhe ata të tjerët qeshën me ta, le të jetë – mirë ua bëra, të njëjtën ma bëjnë dhe mua çdo ditë!

“Etiquette” e vjetër poetike (Skicë)
S. Guraziu

Sot fëmijët në plazh klithin plot ngazëllim për suksesin me “Kullën Eiffel” të rërës, do ta festojnë sigurisht, do ketë shampanjë e haviar, personalitete, fjalime e mediatikë, zyrtarisht mund të të nderojnë pikërisht Ty… me gërshërët në ceremoninë e inaugurimit, prandaj përgatitu të dukesh sa më solemn, kujdes si i mban syzet, si flet me zonjat, çfarë flet, si kollitesh, si e lidh kravatën, kujdes si buzëqeshë për kamerat plastike, madje kujdes dhe mustaqet… faculetat, por sidomos kontrollo shikimet atë ditë, gazetarët e vegjël mund të të bëjnë gaz!

Ti pandeh se ata nuk e njohin vesin tënd, atë sëmundje pothuaj endokrine, kujton ata s’dinë gjë për “inxhinierin” e famshëm, kur këshilla kishe, panumër instruksionesh, si t’i hapnin themelet, si ta bartnin rërën, ua nxije ditën… përziheshe në çdo gjë, si lexohen skicat dhe planet, si bëhen llogaritjet, e njëkohësisht i shihje bukuroshet e botes, çdonjërën pas tjetrës, me dhjetra e qindra në bikini venin e vinin, tek rendnin e iknin, mania jote të “shiste”, qafa jote elastike rrotullohej më mirë se vinçi i tyre plastik!

Klishetë e klubit tënd “Matufët e Lagjes”, dhe parullat e ndryshme jashtë kontekstit, p.sh. “zemrat nuk njohin moshë…” e të ngjashme, thjesht nuk ua shet dot, zor t’i mashtrosh – kam frikë sot dhe kalamajtë mirë e dinë, Don Zhuanët e Kazanovat nuk janë poetë, më parë mund të jetë cilido Don Kishot, i marrë po… por zemra i rrahë fisnikërisht për një të vetme Dulçine, për të vërtetën e tij, qoftë dhe imagjinare, vetëm si një parodi!