“Poeti e ka trurin e çarë!“ – thoshte poeti i njohur Xhevahir Spahiu, për të justifikuar ndoshta edhe guximin e marrë, që tregojnë nganjëherë poetët me vargjet apo veprimet e tyre. Kur poezia është e vërtetë, një poet me ndjeshmëri të madhe dhe talent të rrallë shkruan ashtu si e ndien, për të ruajtur me ndërgjegjen dhe ndjeshmërinë e tij, atë ekuilibër ko-ekzistencial, që krijohet në shoqërinë njerëzore, në marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin, me pushtetin, me natyrën. Një poezi buron si reagim momental ndaj një padrejtësie, absurdi. Lind nga vuajtja për dashurinë, apo si nevojë e brendshme e poetit për t’u shprehur, për të guxuar. Varet se në çfarë shoqërie jeton. Dhe ndodh që poeti e gjen veten në konflikt me diktatin. Poeti e sfidon diktatin me poezi, por rrezikon jetën e tij. Poeti ka ndjeshmëri ndaj dukurive që e rrethojnë, por i humbet aftësia për të kuptuar ndoshta rrezikun që i kanoset. Ose poeti ndriçon si qiri, duke shuar pjesë nga qenia e tij!
Kështu e ka fillesën e vet edhe poeti i talentuar malësor Gjekë Marinaj, lindur majë maleve të Malësisë, në fshatin Brrut, dhe nga lart e shikonte botën poshtë, si më pak të rëndësishme. Nisur nga kjo madhështi e brendshme, iluzive, nga ky kontrast natyror, ai e injoronte vogëlsinë e diktatit, me madhështinë e artit. Ai vijon të bëjë dritë në hapësirat ku shkel, duke hequr pjesë nga vetvetja, nga qenia e tij, nga shpirti i tij. Pra, ai i paguan detyrimet e tij me krijimtarinë e vet letrare e poetike, me sjelljen dhe veprimet e veta. Ngjashëm me të tjerët, ai ndriçon diku më fort, tek vargu poetik, tek thellësia e mendimit, tek brumosja intelektuale, gjerësia e dimensionit njerëzor, përtej normales. Gjekë Marinaj mbetet i madh në hapësirën e tij, modern deri në fund dhe në konflikt të përhershëm me mediokritetin, mendje-ngushtësinë, zilinë e smirëzinë, apo veset njerëzore, duke kuptuar e ndjerë ritmin e zhvillimeve shoqërore dhe intelektuale të kohës, në të cilën jeton.
Gjeka shkroi një poezi, Kuajt. Ishte kohë tjetër. Një fjalë të kushtonte jetën. Por Gjeka guxoi. Guxoi se ishte anti-konformist, sepse ashtu ndjehej. Ky është realisht tipar i veçantë i Gjekës, ai e ndjen më shumë se të tjerët parregullsinë në një ambient, dhe reagon. Reagimi i tij nuk është patjetër që të kuptohet, por në një shoqëri të hapur, ai duhet të mirë-kuptohet. Duhet të mirëkuptohet, pasi është reagim intelektual, i arsyeshëm dhe racional. Por në atë kohë të absurdit, nuk kuptonte askush. Nuk donin të kuptonin dhe Gjeka u detyrua të ngrinte zërin e tij kundër çrregullimit social e politik, gjë që e detyroi më pas edhe të arratisej. Iku nga vendi i tij, për në një vend jo-miqësor ndaj shqiptarëve, i cili megjithatë e priti mirë dhe tregoi më shumë njerëzi, se regjimi komunist në vendin e tij. Gjeka përfundoi në Beograd, në një kamp refugjatësh, që strehohej në hotelin Avala.
Gjatë qëndrimit aty, Gjeka u njoh me njerëz të ndryshëm dhe zuri edhe miqësi. Si dedikim ndaj këtyre miqve serbë, të cilët e ndihmuan në kohën kur vendi i tij deshi ta persekutonte për një poezi, Gjeka publikoi para pak kohësh edhe librin e tij me poezi, “Vij për të gjethëruar”, në Beograd, botuar nga Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë. Për shkak të një politike armiqësore, që Beogradi ka ndjekur kundrejt shqiptarëve, e sidomos kundrejt Kosovës, në Serbi kishte kohë që nuk botohej asnjë libër me autor shqiptar, por Gjeka depërtoi me poezinë e tij, duke ngjallur njëkohësisht edhe një ndjenjë keqardhjeje tek intelektualët e gazetarët serbë, të cilët u shprehën se “humbën një poet,” ngaqë nuk ditën ta mbanin, kur e kishin në Beograd.
Promovimi i librit të Gjekës në Beograd u prit shumë mirë, media të ndryshme e pasqyruan ngjarjen, ndër to edhe gazeta Politika, ku vërehej një përshkrim dinjitoz, madje edhe diskutime, pa notat e nacionalizmit shoven, që shpesh i tregojnë serbët në marrëdhënie me shqiptarët. Gjeka u prit me respekt në Beograd, dhe kjo tregon se përkundër nacionalizmit të disave, ndër serbë ka edhe njerëz të arsyeshëm e intelektualë, që e duan paqen dhe marrëdhënie të mira me shqiptarët, e kombet e tjera rreth tyre. Me këta serbë duhet edhe ne të krijojmë marrëdhënie, që numri i serbëve të arsyeshëm të rritet, ashtu si edhe numri i shqiptarëve të arsyeshëm! Përkundër artit, politikat shtetërore, apo nacionale janë një gjë tjetër. Por poetët dhe intelektualët e kalibrit të Gjekës shikojnë përtej asaj që duket, duke prekur arsyen dhe ndjenjat njerëzore në një dimension tjetër, prandaj edhe mesazhi i tyre depërton përmes kombeve, duke e mposhtur vogëlsinë dhe meskinitetin.
Në kohë lufte, kombet vriten me njëri-tjetrin, por siç e cilësonte një poet gjerman, i cili u detyrua të luftonte për Hitlerin, ndërsa u dashurua me një vajzë çifute: “Luftëtarët e sotëm, janë partnerët e biznesit nesër…” – thoshte ai. Lufta mbaron, dhe duhet t’i kthehemi jetës. Pasojat e luftës nuk riparohen lehtë, plagët i shëron vetëm koha, ngadalë, gradualisht. E kombet tona duhet të gjejnë edhe rrugën e daljes nga spiralja e luftërave dhe konflikteve, pasi historia jonë me serbët, ka një bilanc mjaft tragjik e negativ. Ndaj edhe njerëzit bëhen me të drejtë emocionalë, kur diskutohen marrëdhëniet tona me Serbinë, sidomos kur kihet parasysh se serbi ishte agresor, e shqiptari viktimë.
Por, kur dikush të gjuan me gurë, ke dy mundësi. Ose të ndërtosh një mur, ose të ndërtosh një urë. Dhe në planin kulturor apo shoqëror, Gjeka shtrin dorën për të ndërtuar ura komunikimi e kuptueshmërie, për t’i zbutur konfliktet dhe rritur arsyen, e ai sakrifikon veten dhe bëhet urë. Ai këtë e bën se mendon që arti dhe kultura janë edhe misionarët e parë të komunikimit ndërmjet kombeve. Pasi vetëm komunikimi rrit edhe shkallën e kuptueshmërisë.
Poeti Koçi Petriti shprehej një herë se “poetët kanë nevojë për hapësirë, për të kultivuar artin e tyre…” Dhe këtë hapësirë Gjeka ia dha vetes, duke u arratisur nga ngushtësia, që i zinte frymën, e jo vetëm atij. Dhe poezia Kuajt, e cila u shpërnda dorë më dorë nga studentët e rinia shqiptare, në atë kohë kur diktatura po rrëzohej, erdhi edhe duke evoluar me kohën, me ngritjen poetike dhe artistike të poetit, me dashurinë për jetën. Ajo e la stafetën për poezi të tjera pas saj, dhe u transformua në “Infinit”, “Vajzat e Kalifornisë”, etj., etj. Kjo tregon edhe për subjektin apo substraktin poetik, që vjen duke ndryshuar, me ndryshimin e gjendjes, cilësisë së jetës dhe rrethanave, në të cilat gjendet poeti.
Në 50 vjet të jetës së tij, përmes vështirësive e sfidave të shumta, poeti Gjekë Marinaj ka bërë mjaft. Ai ka arritur ta japë mesazhin e tij përmes poezisë, përmes veprimtarisë intelektuale si gazetar e autor, përmes aktivitetit të tij shoqëror, në dobi të shoqërisë. Politikani i njohur Winston Churchill thoshte se, ai “nuk njihte ndonjë njeri të madh, që është bërë i tillë, pa kaluar përmes vështirësive të mëdha!” Kështu edhe Gjekës, i është dashur që përmes sfidave të mëdha në jetë, të shpalosë dimensionin e tij njerëzor, artistik dhe intelektual.
Gjeka nuk jeton vetëm për veten, por duke zhvilluar kapacitetet e veta, dimensioni i tij i jep një kuptim më të madh artit, apo botës së tij shpirtërore. Nëse analizojmë mënyrën se si Gjeka i percepton gjërat, pa urrejtje, por me kuptueshmëri edhe për prirjet disi negative shoqërore, mund të referojmë intervistën e tij me ish-diktatorin Ramiz Alia, regjimi i të cilit e detyroi Gjekën të arratisej. Sipas lutjes së Ramizit, kjo intervistë u botua pas vdekjes së tij, në gazetën Shekulli. Gjeka e tejkalon kështu vogëlsinë e meskinitetit të sistemit, të atij regjimi të kapur në kurth me vetveten, që i kushtoi shtrenjtë popullit shqiptar dhe i rrezikoi jetën edhe poetit.
Për të kuptuar se çfarë fshihet pas njerëzve të mëdhenj, e me ndikim mbi shoqërinë, Gjeka bëri një libër me intervista, ku ndër ta kishte edhe futbollistin e famshëm Pele, apo ish-Presidentin amerikan George Bush, senior. Por Gjeka u prit në audiencë në Hanoi, edhe nga presidenti i Vietnamit Trương Tấn Sang, gjatë vizitës së tij në Republikën Socialiste. Ai ndër tjera i kërkoi Gjekës, që SHBA të mos e penalizonte më gjatë Kubën, diçka që fatmirësisht u bë realitet nga Presidenti Obama, i cili filloi një epokë të re marrëdhëniesh SHBA-Kubë. Poezia Kuajt, paralajmëroi rënien e komunizmit në Shqipëri, disa muaj më vonë, por edhe vizita e Gjekës në Hanoi, paralajmëroi disa muaj më pas heqjen e embargos nga SHBA për Kubën. Duket sikur këto gjëra nuk kanë lidhje, por tregojnë për koherencën në ndjeshmërinë e poetit dhe orën biologjike, që Gjeka ka dhe paralajmëron, me ose pavetëdije, për zhvillimet politike e shoqërore të kohës.
Jam me fat, që një ndër miqtë e mi më të mirë, është Gjekë Marinaj. Jemi me fat si shqiptarë, që kemi një produkt si Gjeka, një njeri të kompletuar, intelektual e poet, një njeri të ndjeshëm e njerëzor, që me penën dhe veprimtarinë e tij, ka ditur ta rendisë veten ndër personalitetet shqiptare më në zë të Amerikës, një ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë dhe padyshim, poeti më i madh ndër kohëra i Malësisë. Gjeka me poezinë dhe artin e tij, është i madh edhe për botën.
Vlerësimet nga poetë e shkrimtarë të huaj me famë, vetëm sa e konfirmojnë këtë.
Po citoj fjalët e poetit anglo-amerikan Frederick Turner, në ditën e doktoraturës së Gjekës:
“Poetët e mirë janë të rrallë. Poetët e mirë, që kanë gjithashtu komandën e gjuhëve të jenë përkthyes të mirë, janë edhe më të rrallë. Kur një person i tillë është gjithashtu, me të drejtë, një hero kombëtar, siç është Dr. Gjekë Marinaj për Shqipërinë – i cili mezi i shpëtoi ndjekjes së armatosur të leshkove të regjimit komunist, që kërkonin jetën e tij, pasi ai kishte shkruar një poezi kritike për regjimin, një poezi që u bë apel i demonstratës për të çliruar kombin – ne kemi diçka ende më të rrallë. Dhe kur ky person, ka përmbledhur për disertacionin e tij një antologji shumë të rëndësishme të poezive të pabotuara epike shqiptare, dhe kur ai është një i diplomuar i Universitetit tonë, ne duhet të pranojmë se jemi me fat, që i japim atij sot kapelen e doktoraturës.”
Urimet më të mira Gjekës në këtë 50 vjetor të tij dhe suksese Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilën Gjeka e themeloi.
——
*) Ky shkrim ishte një ndër fjalimet, që u lexua gjatë audiencës me shkrimtarin Gjekë Marinaj, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me dt. 7 qershor 2015, për nder të 50 vjetorit të ditëlindjes së poetit, mbajtur në “THE FERGUSON LIBRARY” One Public Library Plaza, Stamford, Connecticut 06904“, SHBA.