Arsyet e një përmbytjeje të paralajmëruar

0
39


Nga: MENTOR NAZARKO

Përmbytja e Shkodrës për herë të pestë, ose përmbytja e dytë e përvitshme e Shkodrës në të tilla përmasa, i ka të gjithë elementët për t’u konsideruar si një përmbytje e paralajmëruar. Ka pasur shumë zëra seriozë që gjatë vitit, gjatë përmbytjeve të vogla të shkurtit dhe marsit 2010, kanë paralajmëruar për rreziqet e përsëritjes së një situate të tillë.

Ka pasur ekspertë, mes të cilëve i mirënjohuri Myslim Pashaj, i cili foli për një studim të përbashkët me Malin e Zi, por thirrja e tij mbeti e shurdhët. Ata që duhet të dëgjonin nuk kanë dëgjuar. Dhe opozita dukej e dorëzuar gjatë këtyre përmbytjeve paralajmëruese të shkurtit dhe marsit. Ajo nuk reagoi me forcën e duhur, ndoshta e dorëzuar para faktit që ato përmbytje s’kishin vëmendje mediatike, apo pse shkodranët nuk votojnë të majtën, gjithsesi.

Edhe qeveria, gjithashtu, gjatë përmbytjeve të vogla nuk reagoi në mënyrë të njëjtë me përmbytjen e parë të janarit. Mediat që ndjekin qeveritarët apo politikën në përgjithësi nuk reaguan gjithashtu, dhe krejt logjikshëm dilte pyetja: Sa duhet të jetë sipërfaqja e përmbytur, që të kemi reagim publik?

Mos vallë përmbytjet u shndërruan në një realitet normal të stinës? Mos vallë ne jemi një popull fatalist? Shkodranët veçanërisht, mos vallë po durojnë stoikisht këtë që po ndodh, pasi bindjet e tyre të djathta të konsoliduara nuk i lejojnë të fajësojnë shtetin, por Zotin? Nëse është kështu, i bie që ata s’janë besimtarë dhe aq të mëdhenj, sa kohë që besojnë se Zoti mund t’i ndëshkojë kështu kaq shpesh.

Përtej cinizmit, në analizën e arsyeve pse Shkodra po përmbytet kaq shpesh, duhen shquar arsyet natyrale, nga ato njerëzore, apo subjektive. Në disa opinione të fundit, gjeografë shkodranë flisnin për disa arsye specifike natyrore të zonës së Shkodrës, që po vihen re kohët e fundit.

Duke besuar në autoritetin e tyre, këto arsye, si për shembull, mbingopja e fundit e liqenit të Shkodrës, bllokimi i rrugëve dhe puseve karstike nëntokësore, lëvizjet e temperaturave, vërtet duhet të qëndrojnë, por analizë duhet të bëhet dhe mbi peshën e veprimeve apo mosveprimeve të njeriut në këtë që po ndodh. Sepse veç qeverisë, të gjithë pranojnë se në dramaticitetin e situatës ndikon dhe faktori njeri.

Shkaqet njerëzore mund t’i ndajmë në dy tipe: afatshkurtër dhe të tipit afatmesëm apo afatgjatë. Ato të tipit afatmesëm apo afatgjatë, ne i kemi trajtuar dhe herë të tjera, por pyetja që s’po bëhet, fakti që po neglizhohet nga qeveria është niveli aktual i shkarkimeve nga hidrocentralet. Nga një informacion i tillë zyrtar (nëse është i vërtetë gjithnjë), ne mund të arrijmë të kuptojmë dhe nga pikëpamja sasiore sa është pesha e fajit të autoriteteve shtetërore në përmbytjet e Shkodrës. Sot dhe dje.

KESH, lexo qeveria, nuk mund të arsyetohen se i bëjnë shkarkimet për shkak se duan të mbrojnë digat e hidrocentraleve mbi Drin. KESH-i dhe qeveria duhet të shpjegojnë se pse në prag të muajve që dihet se janë plot me reshje, si nëntori dhe dhjetori, liqenet janë plot. Si janë menaxhuar kaskadat në këtë periudhë, dhe a ka politika çmimi, apo shitjeje të energjisë që mund të kenë sjellë në këtë situatë?

Nëse ka gabime në menaxhim, të qëllimshme apo jo, ato duhet të ndëshkohen në mënyrën më të rreptë. Dhe askush s’mund të thotë se KESH-i ka menaxhim të pavarur nga politika.

Po nëse kjo që po themi është vetëm një pyetje në kufijtë e retorikes, sepse dihet përgjigja, në lidhje me përmbytjet e Shkodrës mund të thuhen disa përfundime të tjera.

Nëse pesha e shkarkimeve të hidrocentraleve në raport me atë të reshjeve është vendimtare në përmbytje, atëherë shkodranët duhet të reagojnë me forma të organizuara ndaj KESH-it dhe qeverisë, duke e nisur që me format legale të reagimit, siç është një padi kolektive. Shkodranët, si njësia tradicionalisht më e emancipuar e tërësisë shqiptare, duhet të jenë të parët që zgjedhin forma legale reagimi për të ndëshkuar legalisht shkaktarët e një mallkimi të tillë, siç është përmbytja. Nëse dikush nuk ndëshkohet, ai atëherë ka prirjen të përsërisë fajin e vet.

Ka ardhur koha që shkodranët vërtet të rishikojnë raportin e tyre të dashurisë me forcën politike që votojnë. Dikur në 1996, ata i dhanë jetë një force politike rajonale siç ishte e djathta shkodrane, e cila madje dhe fitoi zgjedhjet lokale. Sigurisht, atëherë ata u penalizuan prej të djathtës zyrtare apo dhe prej të majtës, por ama, kur ata votuan për PD-në e frikësuar se mund ta humbte bastionin e vet përfundimisht, diçka ndryshoi.

Shkodra ka njohur investime të mëdha, megjithëse jo në frenimin e lumenjve të tërbuar, apo argjinaturat e tyre. Shkodranët duhet t’ia bëjnë të qartë partisë që ata votojnë me shumicë, se vota e tyre nuk është një çek i bardhë që kjo parti e ka të garantuar përjetësisht. Pra, ata duhet dhe të ndëshkojnë politikisht shkaktarët e fatkeqësisë së tyre. Sepse fatkeqësitë përsëriten…

Sepse në rastin më të mirë – nëse nuk kemi politika miope çmimesh me nivelet e liqeneve në Drin, kjo qeveri, ashtu si dhe të gjitha qeveritë shqiptare nuk kanë vizion afatgjatë në politikat e tyre. Nëse do të kishin, atëherë këto qeveri jo vetëm do të vendosnin matësit e reshjeve në ato pak stacione meteorologjike që kanë mbetur, por dhe do të investonin në marrjen e masave që do të zgjidhnin gradualisht dhe përfundimisht çështjen e Shkodrës që asnjëherë s’ka qenë përmbytur kaq shpesh.

Me gjithë pasurinë metaforistike të zotit Berisha dhe zonjës Topalli në gjetjen e arsyeve që prodhon Zoti për Shkodrën, (reshjet më të dendura në 100 vjet; tërbim dhe çmenduri e liqeneve dhe lumenjve; rryma nëntokësore; lojëra ekskluzive të zbaticës dhe baticës me Shkodrën), ajo që mbetet në shesh është diçka krejt tjetër.

Kjo qeveri, vërtet ka bërë diçka për Shkodrën, por gjithë investimet kanë qenë me natyrë elektorale, pra të tipit afatshkurtër, që do të jepnin efekte të menjëhershme në elektorat. Një investim në argjinatura, etj., s’mund të japë efekt elektoral shtesë, pasi efektet e tij nuk vërehen. Vërehen efektet e mosinvestimeve – kur përmbytemi, por në periudha qetësie, kohe të thatë, askush nuk e vret mendjen për to.

Në daç mund të themi se kjo qeveri është qeveri e rrugëve edhe në Shkodër, por nuk është qeveri e mbrojtjes së vendbanimeve nga përmbytjet. Madje, mund të themi se është qeveri e përmbytjeve sistematike dhe e propagandës sistematike që fajëson Zotin për fajet e veta. Po sikur Zoti ta ketë lënë qeverinë dhe pa para për të përballuar pasojat e përmbytjes, ç’do të bëhet?