Arsyet e Aleksit!

0
61

Nga Preç Zogaj, 21 Janar 2012

“Aleks” është një emër i përhapur në Shqipëri. Ka shumë Aleksë. Por që prej një viti ka vetën një Aleks që u shkon ndërmend të gjithëve kur e dëgjojnë këtë emër. Aleks Nika, 36 vjeçari nga Lezha. Është ai që u godit me plumb në kokë në demonstratën e 21 janarit, rreth orës katër pasdite, në trotuarin e Kullave Binjake përballë kryeministrisë dhe kryeministrit Sali Berisha.

Gjashtëmbëdhjetë ditë më vonë u bashkua me shokët e tij të përjetësisë, me Hekuranin, Ziverin dhe Faikun. Nuk do t’i harroj kurrë çastet kur u vranë këta njerëz, cijatjen e plumbave të Gardës dhe fytyrën tinzare të vdekjes, që doli nga strofulla kur demonstrata po shpërndahej, për të hedhur kufoma në oborrin e opozitës. Ato plumba, ajo masakër, ato jetë të humbura e ndanë në dysh kohën e Shqipërisë.

Nuk e imagjinonim dot para kësaj date se në Shqipëri mund të vriten njerëz ngaqë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së tyre. Nuk e harroj çastin kur mora lajmin e kobshëm se ishte goditur për vdekje edhe Aleksi, djali i vetëm i Ndue Nikës, nga Grykë-Manatia e Lezhës. Gjatë rrugës për në spital pata kohë t’i mendoj përmasat e gjëmës në shtëpinë e tij. Sepse ishte i ri, sepse ishte djali i dy prindërve të vuajtur, por kryelartë, bashkëshorti i një malësoreje sojnike, babai i dy vajzave të vogla, vëllai i vetëm i katër motrave, sot gjithashtu krenaria e Lezhës dhe e gjithë Shqipërisë.

Aleksi ishte shtylla e shtëpisë, një njeri i dalë, optimist, dikush që ka ngritur me mund dhe djersë shtëpinë e tij të re dhe biznesin e tij të vogël në vendlindje, që përpiqet për më mirë, që ëndërron për më mirë, që nuk pajtohet me të keqen. Ka mijëra e mijëra njerëz që marrin pjesë në protestat e opozitës ngaqë nuk kanë punë, nuk kanë para për të përballuar nevojat minimale të jetesës, nuk kanë bukë për fëmijët e tyre.

Aleksi përfaqësonte një tip tjetër protestuesi, po aq të respektuar: protestuesin me vetëdije të ngritur që lufton parasëgjithash për dinjitet në kuptimin me të gjerë të fjalës. I rreshtuar politikisht, por jo fanatik partiak. Përdorues i lirisë, idhtar i drejtësisë, dikush që nuk ia kërkon qeverisë atë që mund ta bëjë si individ dhe nga ana tjetër nuk tërhiqet si individ për atë që duhet t’ia kërkojë qeverisë- ky ishte Aleksi. Në këto konture e shohim tipin opozitarit popullor, që Shqipëria vazhdon ta krijojë, që po vjen duke u shumuar, për tu bërë me kalimin e kohës shtylla herkuliane e demokracisë në këtë vend.

Patën thënë për të në ditën e katërt apo të pestë të dergjjes në koma, kur s’kishte mundësi të përgjigjej, se kishte ardhur në protestë sepse i kishin premtuar këtë dhe atë. Kjo është mendësia që ka kultivuar e kultivon qeveria e sotme e tavolinës dhe e kulisave: sipas saj në këtë vend nuk ka njerëz të lirë, nuk ka motive të ndershme, por vetëm interesa të vogla dhe pazare. Nuk është e vërtetë, nuk do të jetë e vërtetë. Ekziston dhe do të ekzistojë “Protestuesi shqiptar” me “P” të madhe, ekziston kjo bashkësi e pararojës, garantja numër një e lirisë dhe e demokracisë në këtë vend. Katër u vranë një vit më parë.

Është detyrimi i opozitës të kërkojë deri në fund drejtësi për Hekuranin, për Faikun, për Ziverin dhe për Aleksin. Dita kur ligji të thotë fjalën e vet solemne për fajtorët e masakrës së 21 janarit dhe besoj se kjo ditë është më afër se kurrë, do të jetë sërish dita që do të ndajë në dysh historinë e re të Shqipërisë. Por ajo që do të vijë më pas do të jetë demokraci, shtet ligjor, Shqipëri europiane. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!