Më datën 10 shtator do të rifillojë shkolla në arsimin e ulët dhe të mesëm dhe ka kohë që po flitet për rikonstruksione shkollash, pajisje për të cilat kanë nevojë ato apo edhe infrastrukturë më të mirë brenda tyre. Në këtë pikë jemi të gjithë dakord që mjediset dhe komoditeti të jetë sa më i mirë. Përgatitjet kanë filluar edhe në familjet shqiptare, duke marrë masa që t’u sigurojnë fëmijëve të gjitha librat dhe mjetet e nevojshme që kërkohen në procesin e mësimit. Në një vizitë në qytetin e Ersekës të duket se, që kur del nga qyteti i Korçës e deri në vend, koha është ndalur frikshëm në vitin 1990. Nuk ka asnjë investim për rrugën kombëtare që është në ditë të hallit e jo më pastaj të flasim për qytetin me rreth 5 mijë banorë.
Mund ta marrim me mend se në çfarë gjendje janë shkollat e gjithë rrethit të Kolonjës në këtë prag fillimviti shkollor. Por nga ana tjetër Festa e Ditëve të trashëgimisë tregoi qartë se vetë qytetarët ua transmetojnë në mënyrën më të shkëlqyer traditat pasardhësve : vallet tona të mrekullueshme të jugut, i kërcen i madh dhe i vogël. Po e marrim të mirëqënë se në të gjithë Shqipërinë, nuk ka asnjë gjasë që përfytyrimi ynë të realizohet, u krijuan kushtet për një proces mësimor të rregullt: librat dolën në kohë, nxënësit u pajisën me to, familjet bënë sakrificat e rradhës dhe ua blenë të gjitha kërkesat fëmijëve të tyre.
Por kjo është vetëm fasada e jashtme e vitit të ri shkollor 2012-2013, pasi brendia ka hendeqe të shumta. Së pari cilësia e librave shkollorë në përmbajtje është në nivelet më të ulta që pas viteve ’90, fakt i kritikuar edhe në shumë gazeta ditore dhe nga specilaistë të fushës. Së dyti shoqëria shqiptare është në degradim të personalitetit dhe të dinjitetit të vet, të paktën për shkollat nuk ka asnjë justifikim, sepse jemi dëshmimtarë okularë çdo ditë. Një nga elementët e shumtë të që anashkalohet dhe që e kam ngritur shpesh në artikujt e mi është disiplina dhe rregulli.
Një shkollë pa disiplinë, e parë kjo në aspektin më të gjerë, është si një shtëpi pa njeri apo si një grigjë pa bari. Mungesa e shtetit është tipari karakteristik edhe në shkolla. Këto ditë lexova një artikull tepër interesant për një rast disipline dhe moszbatim të rregullit dhe që i kushtoi shtrenjtë një prindi emigrant në Gjermani. Historia është pak a shumë kjo: prindi i nis vajzat për pushime, por merr një telefonatë nga njëra prej vajzave se po merreshin në pyetje nga policia, e cila ishte dërguar nga drejtori që të mësonin se përse nuk ndodheshin në mësim. Mësimi në Shtutgard përfundon më datën 25 korrik dhe i ati i kishte lajmëruar në shkollë, se kishte një problem në orarin e avjonëve dhe se e bija nuk do të shkonte ditën e fundit.
Bëhej fjalë për një gënjeshtër të sajuar nga prindi. Drejtori zbuloi se nuk kishte asnjë modifikim të orarit dhe iu drejtua menjëherë policies e cila i lejoi të merrnin avjonit, pasi përgatiti një relacion. Rregullat në Gjermani janë të qarta – shkruan gazeta Der Spiegel – që thekson se “Detyrimi shkollor është diçka serioze”. Kur ky lajm është i pabesueshëm për emigrantët italianë që jetojnë në Gjermani, fakt që kulturat dhe rregullat në Europë nuk janë njëlloj, pra ka një largësi të pakonceptueshme midis një vendi si
Gjermania dhe vendeve të tjera më afër Mesdheut, le ta marrim me mend se ku jemi në shqiptarët dhe kultura jonë. Po në Gjermani, në disa qytete ditët e mungesës në shkolla u zgjatën më shumë sesa ishin të përcaktuara në raportet mjeksore dhe familjet paguan gjobat prej 35 eurosh, por ka edhe qytete që gjoba shkon deri në 80 euro. Nëse ndonjë rast i tillë do të ndodhte tek ne, nuk do të ndodhte as e para, pra drejtori nuk do të ishte kaq strikt që të lajmëronte policinë për një ditë të humbur nga nxënësit, por nuk do të bëhej fjalë as për gjobë.
Mentalitet që mes nesh dhe Europës duket se na ndajnë shekuj, për më tepër kur ende pretendojmë që të marrim statusin e vendit kandidat. Një shkollë pa standarte në infrastrukturë, në tekste, në përzgjedhje të stafit mësimor, në rregullin dhe disiplinën në territorin e shkollës dhe brenda saj, në mosseriozitetin e gjithë procesit të formimit të brezit të ri dhe në mentalitet, është realiteti më i hidhur shqiptar.
Nëse do t’i marr dhe analizoj zë për zë të gjitha pjesët e fjalisë së fundit do të më duhet të shkruaj faqe të pafund për to dhe për rastet flagrante që janë bërë dominues në të gjithë arsimin shqiptar. Më kujtohen fjalët e mikes sonë, Miryam Benvenuto, mësueses italiane, që ndërroi pak muaj më parë jetë në Tiranë, në lidhje me anarkinë shqiptare në shkolla, kur nxënësit hyjnë e dalin pa më të voglim problem nga klasat dhe shkolla, bile për të pirë edhe kafe gjatë pushimeve midis orëve. Fakti më i fundit që të lë një shijë të hidhur flet për një raport të pabesueshëm midis universiteteve të akredituara dhe jo private : 46 me 23. Kjo është fytyra e vërtetë e djepit të dijeve dhe e formimit të brezave të ardhshëm, kjo është fytyra e vërtetë e Shqipërisë europiane.
Arjan Th. Kallço
Pedagog i Gjuhës italiane
Universiteti Fan S. Noli, Korçë







