Arsimi përballë sfidave të zhvillimit

0
51

Adrian Civici

ADRIAN CIVICI, 31.05.2010

Flasim dhe përpiqemi shumë për ngritjen e cilësinë së arsimit. Në mënyrë të veçantë jemi të fokusuar tek universitetet dhe shkollat profesionale dhe specifikisht tek zgjerimi apo investimet në shërbim të tyre. Ndërkohë, duket se po anashkalojmë apo lëmë në plan të dytë objektivin dhe indikatorët e shkallës së “përkthimit” të kësaj sasie e cilësie në zhvillim ekonomik e social të vendit. Cila është lidhja ndërmjet edukimit shkollor e universitar dhe zhvillimit ekonomik në këto 20 vite tranzicioni?

A ekziston realisht një korrespondencë shkak-pasojë ndërmjet tyre? A e kemi të evidentueshëm dhe mbi të gjitha “të matshëm” simbiozën ndërmjet përmirësimit të edukimit dhe zhvillimit ekonomik e social? Megjithëse shkollimi apo edukimi është para së gjithash një e drejtë fondamentale e çdo njeriu, ai mund të konsiderohet po ashtu edhe si një instrument thelbësor që promovon zhvillimin ekonomik të çdo vendi, si faktor që nxit produktivitetin dhe efikasitetin e çdo ekonomie.

Të mjaftohesh vetëm me tregues sasiorë të tipit “përqindja e banorëve që kanë një diplomë universitare”, “vitet mesatare të shkollimit”, “përqindja e edukimit profesional”, “përqindja e PBB për arsimin”, etj., nuk është e mjaftueshme. Eksperienca e mjaft vendeve të zhvilluara apo në zhvillim tregon se në këtë fillim shekulli gjithnjë e më tepër po kalohet në indikatorë e analiza më cilësore me anë të të cilave matet e evidentohet efekti i arsimit në zhvillim. Mbi këtë bazë ndërtohen edhe strategjitë e politikat arsimore apo vlerësohen ato ekzistuese dhe po mbi këtë bazë kooperojnë institucionet që promovojnë zhvillimin ekonomik me ato arsimore e shkencore.

Progresi teknologjik ka qenë për të gjitha vendet “motori i industrializimit të tyre”. Që në kohën e revolucioneve industriale të shekujve XVIII – XIX-të u dëshmua qartë se zhvillimi i çdo vendi është vepër e “njohurive shkencore” më shumë se sa atyre “empirike” apo thjesht bollëkut të burimeve natyrore. Sinteza e gjithë kësaj eksperience ishte pikërisht “roli thelbësor i edukimit dhe formimit profesional në promovimin e zhvillimit ekonomik të popujve e shteteve të ndryshme” që kanë ditur të krijojnë një korrelacion të drejtë ndërmjet këtyre dy elementeve. Por eksperienca ndërkombëtare dëshmon se jo çdo investim në sektorin e arsimit dhe edukimit “përkthehet” automatikisht në zhvillim ekonomik.

Shembulli i mjaft vendeve, kryesisht atyre të Afrikës, Azisë apo Amerikës Latine evidenton faktin se megjithëse këto vende kanë investuar shumë në sistemin e tyre arsimor, ato vazhdojnë të mbeten akoma vende të varfra që nuk kanë bërë progres të vlerësueshëm në procesin e industrializimit dhe zhvillimit ekonomik të tyre. Ekspertët e kësaj fushe nënvizojnë se “thjesht një zgjerim dhe mbështetje e sektorit të edukimit nuk çon automatikisht në zhvillim ekonomik”. Sepse një vend i caktuar mund të arrijë të nxjerrë persona shumë të kualifikuar, por ai duhet të arrijë të krijojë sinergjinë e nevojshme dhe një mjedis të domosdoshëm, në mënyrë që kjo kategori njerëzish të shkolluar e edukuar të verë në jetë njohuritë e përfituara dhe të ndikojë cilësisht në zhvillimin ekonomik.

Përveç kësaj, një element tjetër thelbësor është se plani i zhvillimit perspektiv të çdo sistemi arsimor është koordinimi dhe kombinimi i tij me planin e zhvillimit perspektiv ekonomik të çdo vendi, se vendimmarrja në fushën e arsimit nuk mund të jetë “pronë’ vetëm e eksperteve të edukimit, por në mënyrë të veçantë dhe e eksperteve të ekonomisë dhe zhvillimit. Kjo është pa dyshim një sfidë e madhe për gjithë sistemin tonë të edukimit në të gjitha nivelet, pasi mund të konstatohet se përgjithësisht programet shkollore në Shqipëri, e veçanërisht ato të arsimit të mesëm profesional e universitar nuk reflektojnë dukshëm ndonjë lloj bashkëpunimi të specialistëve e institucioneve të arsimit me ato të zhvillimit ekonomik e social.

Në këtë shekull të ri, në skenë kanë dalë një kategori e veçantë specialistësh apo ekspertësh, të cilësuar si “ekonomistët e edukimit”, të cilët mbështesin idenë se “investimet në sektorin e edukimit janë rentabël kur ato kontribuojnë direkt në përmirësimin e produktivitetit individual apo kombëtar”.

Njohja e një lidhjeje të ngushtë ndërmjet edukimit dhe zhvillimit ka bërë që vendet e zhvilluara të investojnë pa reshtur në sektorin e arsimit dhe kërkimit shkencor. Investimet publike në këtë fushë janë nxitur dhe nga fakti se edukimi nuk luan rol vetëm në promovimin e ekonomisë, por gjithashtu edhe në një aspekt tjetër shumë sensibël, siç është “ai i shpërndarjes proporcionale të fryteve të rritjes ekonomike ndërmjet grupeve të ndryshme sociale”.

Me të drejtë, edukimi është konsideruar “si një instrument i fuqishëm që promovon barazinë sociale”. Mjafton të përmendin faktin, se në Shqipëri, ku diferencat sociale vazhdojnë të jenë evidente, diferencimi i popullsisë në raport me mundësitë e punësimit, llojit të punës, varfërisë dhe të ardhurave nuk është më aspekti gjinor, origjina krahinore apo mosha, por në radhë të parë niveli i tyre arsimor.

Sipas teorive mbi zhvillimin, që ekzistonin në periudhën e pas-Luftës së Dytë Botërore, ishte kapitali ai që përbënte gurin magjik të zhvillimit dhe rritjes ekonomike. Modelet e rritjes ekonomike të periudhës 1950-’60 nuk e njohin sa duhet kontributin e edukimit në zhvillim. Por shumë studime të mëvonshme në periudhën 1960-’70, treguan qartë se zhvillimi nuk mund të shpjegohej vetëm me kontributin e kapitalit dhe fuqisë punëtore.

Në këtë kohë u fut për herë të parë dhe nocioni i “faktorit të njohurive”, si faktor i rëndësishëm në rritjen ekonomike, duke dhënë prova të pakundërshtueshme se “edukimi rrit produktivitetin dhe kontribuon në rritjen ekonomike dhe të ardhurave kombëtare”, se “diferencat në nivelin e produktivitetit ndërmjet shumë vendeve apo rajoneve mund të shpjegohen bindshëm nga diferencat në nivelin dhe cilësinë e shkollimit të fuqisë punëtore”.

Pasojë e këtij konkluzioni është edhe lindja e kësaj kategorie të re ekspertësh: ekonomistëve të edukimit. Eksperienca në çështjet e zhvillimit ekonomik të viteve 1960-’80, tregoi se rritja e PBB, qoftë ky edhe i lartë, nuk arrinte të zhdukte automatikisht pabarazitë sociale. Për pasojë, mbas viteve ’80-të të shek XX, preokupimet në fushën e zhvillimit ekonomik u zgjeruan nga nocioni i rritjes edhe në atë të “shpërndarjes së fryteve të rritjes ekonomike”, duke u shtrirë pak më vonë në “preokupimet për reduktimin e varfërisë dhe barazisë sociale”. Mundësia dhe cilësia e shkollimit u bë kështu një faktor determinues i zhvillimit ekonomik e social.

Varfëria, që deri në këtë kohë cilësohej vetëm si një mungesë parash, nën ndikimin e punimeve të ekonomistit të shquar indian Amarta Sen u vështrua dhe gjykua nën një këndvështrim tjetër krejt origjinal: “si një mungesë kapacitetesh funksionale” të lidhura ngushtë edhe me cilësinë e edukimit dhe përshtatjen e tij me trendet apo potencialet e zhvillimit të çdo vendi. Sipas këtij këndvështrimi: konsiderohet i varfër edhe një person që nuk ka kapacitetet e nevojshme të zhvillimit për të qenë në gjendje që të përfshihet e përfitojë nga gjithë mundësitë ekonomiko-financiare e sociale në mjedisin ku jeton. “Qershia mbi tortë” e kësaj tendence ishte pikërisht lindja në vendet e zhvilluara në këtë fillim shekulli e ekspertëve apo profesionistëve të ekonomisë së edukimit.

Thelbi i këtij “profesioni të ri”, edukimit është vlerësimi i relacioneve bashkëpunuese e procesit të pjesëmarrjes si një “stok kapitali në nivel makrosocial”. “Kapitali social” konsiderohet gjithnjë e më shumë si një faktor me impakt determinues në ritmet e zhvillimit ekonomik, nivelin e mirëqenies, cilësinë e shëndetit publik, stabilitetin dhe kohezionin social të një shoqërie, shteti apo territori. Vizioni modern për këtë nocion është shumë i gjerë, duke përfshirë këtu “gjithçka që nuk lidhet direkt me tregun, por që bashkë me tregun, përbëjnë dhe influencojnë zhvillimin e një shoqërie”.

Edhe OCDE-ja, që përfaqëson “lubin” e 32 vendeve më të pasura e të zhvilluara të botës do t’i kthente sytë dhe vëmendjen me mjaft interes drejt këtij koncepti çelës të zhvillimit dhe mirëqeverisjes, duke nënvizuar se “rezulton që nocioni i kapitalit social është shumë i nevojshëm në ecurinë dhe rezultatet e punës qeverisëse…. se kapitali social ndikon ndjeshëm në reduktimin e pabarazisë sociale dhe prodhon efekte shumë pozitive në nivel makroekonomik”, duke i dhënë këtij nocioni një rol shumë të rëndësishëm në instrumentet e tij të analizës dhe prognozës së zhvillimit në kuptimin e gjerë të tij.

Sot pranohet gjerësisht se edukimi, përveç krijimit të mundësive që të përvetësohen njohuritë fondamentale arsimore, duhet të krijojë mundësi edhe për përvetësimin e “njohurive teknike e profesionale dhe aftësive adaptuese me tregun dhe dinamikat e tij”, që të përgatisin për të ushtruar një profesion të caktuar, që të zhvillojnë veti përshtatëse me realitetin, nxisin shpirtin e iniciativës dhe kapacitetin për të punuar në ekip. Por ndërkohë që shumë nga vendet e varfra dhe ato në zhvillim, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, vazhdojnë t’i orientojnë përpjekjet kryesore dhe politikat edukative në sferën e kategorisë së parë, vendet e zhvilluara kanë kohë që veprojnë sipas një logjike tjetër në politikat e tyre edukative arsimore.

Në themel të tyre qëndron stimulimi i aftësive për t’u adaptuar shpejt me ndryshimin, sidomos atyre tekniko-teknologjike. Koncepti “të mësohemi që të mësojmë vazhdimisht” për t’u përgatitur të jetojmë në një botë në ndryshime permanente po sundon tashme politikat edukuese moderne. Akumulimi i njohurive dhe kompetencat e natyrës thjesht teknike tashmë konsiderohen më pak prioritare se “inteligjenca kritike, hapja ndaj ndryshimeve dhe adaptimi i shpejtë me të rejat, thithja e sinjaleve të tregut dhe strategjive të zhvillimit, logjika e zhvillimit të qëndrueshëm, etj.”

Përvoja bashkëkohore po tregon se globalizimi nuk shpërndan spontanisht progres e mirëqenie. T’i shmangesh apo thjesht të kërkosh mbrojtje prej tij nuk konsiderohet si zgjidhje inteligjente, sepse kjo do të thotë ta privosh veten nga efektet dhe mundësitë që të ofron kapitalizmi modern bashkëkohor. Globalizimi është para së gjithash pasojë e revolucionit të teknologjive të informacionit e komunikimit si dhe e sistemit liberal të shkëmbimeve tregtare. Por në thelbin e tij, globalizimi është më shumë se gjithçka, zhvillimi i ekonomisë së dijes dhe administrimit të njohurive.

Rritja e konkurrencës në shkallë ndërkombëtare që rezulton nga ky proces është shumë më e fortë se konkurrenca klasike e mallrave dhe produkteve me të cilën bota është ndeshur deri tani. Përballimi i saj është i lidhur ngushtë me një proces inovativ permanent të bazuar në njohuritë të thella shkencore e edukim cilësor, edukim që shkon paralel dhe i ndërthurur ngushtë me sfidat e rritjes ekonomike, që “nuhat tregun” dhe zhvillohet në simbiozë me tendencat e zhvillimit.